Politikanët sugjerojnë shqiptarëttë jenë të paaftë për të pranuar demokracinë si model shoqëror? Është kjo një e vërtetë apo shpifje tradicionale politike?
Në çfarë sistemi politik jetojnë shoqëritë shqiptare? Kush beson se në Kosovë është instaluar (qoftë edhe në fazën fillestare të saj) demokracia liberale është po aq i manipuluar sa gjithë ata që besojnë se letra dhe shtypi janë zbulime të gjermanit Johannes Gutenberg në shekullin 15.
Dakord: për këtë tashmë janë shkruar qindra tekste medieve shqiptare dhe mbizotëron përshtypja sikur të merremi me një temë të tejbanalizuar. Gjithë e dinë pse liria shqiptare është e pastrehë. Formula më e përshtatshme, më e përhapur dhe redundante që në këtë kontekst përdoret është ajo e historianit të ekonomisë David Landes –it («The Wealth and Poverty of Nations»:1988 – “Pasuria dhe varfëria e kombeve”), e cila thjesht, shkurt dhe qartë definon çështjen: S’ka përparim pa qeverisje të mirë, institucione të forta (parlamenti, ligjësia..etj.) dhe pa një administratë të disiplinuar publike (shtetërore). Bukur. Dhe çka më tej?
Pra, kjo implikon shqiptarët të jenë kolektivisht vetëfajtorë për gjendjen që kanë. Ose mediet kanë predisponim të mbrapshte ndaj qeverive dhe për hir të sensacionit, tregut, klaneve e shtrembërojnë realitetin? Edhe pse apriori kuptojmë se ky lloj arsyetimi është shakaja më debile e të gjitha kohëve, ia vlen që shkurt të analizojmë se sa e drejtë është akuza që thotë se Kosova nuk disponon me sistem demokratik liberal. Si ta bëjmë këtë? Le të zgjedhim modelin më të përhapur të kohëve të fundit. Atë të historianit të ekonomisë në Universitetin e Harward-it Neil Ferguson, respektivisht e analizojmë sistemin aktual politik kosovar në ato gjashtë «killer application»-et (që në fakt janë katër) e tij:
1. Decentralizimi i ekonomisë: kjo në analizën e Fergusonit do të thotë se shteti luan rolin e referit të drejtë ndërmjet palëve pjesëmarrësve në organizimin e tregut. Pra, ai i organizon ligjet dhe institucionet që mbikëqyrin kartelet dhe ndarjen e kapitalit në mënyrë të sigurimit të mirëqenies shoqërore. Çka ndodh në Kosovë? Jo nga frazat mediale, por nga proceset gjyqësore dhe dështimet e mëdha si papunësia, varfëria dhe mosekzistenca e prodhimit vendor mediet flasin për një monopol të kriminalizuar të ekonomisë nga ana pjesëtareve konkretë të qeverisë. Pra, shteti (tenderët për shembull) nuk luan rolin e «ndërmjetësit» në organizimin e kapitalit, por është kapoja. Qeveria në forma të ndryshme dëshmon se ajo vendos në bazë të lidhjeve e jo ligjeve se si duhet të qarkullojë kapitali në Kosovë.
2. Arsimi dhe shkenca: Ferguson thotë se me garën në fushën e dijes dhe shkencave përparojnë edhe ekonomikisht ato vende, të cilat bëhen pronare patentash e licencash, pra zbulimesh në farmakologji, kompjuteristikë, etj. Cilat zbulime i kanë sponsorizuar qeveritë shqiptare deri më tani? Po se do të harronim: ka zbuluar se shqipja në flamur i ka pasur krahët ndryshe se ç’kemi besuar deri dje. Përndryshe asgjë.
3. Politika ose Shteti ligjor: shteti kujdeset për ligje dhe rregulla që vlejnë për të gjithë njëjtë dhe të cilat sidomos në mbrojtjen e lirisë dhe mirëqenies individuale nuk krijojnë gropa ndër shtresat e shoqërisë. Këtë Ferguson e sheh si bazën kryesore për ta kualifikuar një vend demokrat apo jo. Përveç problemeve të shumta që janë përmendur gjithandej qeveria kosovare si sistem i deleguar politik nga tre qendra diametralisht me interesa të kundërta (BE-SHBA-dhe klaneve që devijojnë nga dy politikat e para për të siguruar pushtetin) e ka të pamundur aktualisht përforcimin e një shteti ligjor që nuk përshtatet me rrethanat autoktone. Këtu kanë të drejtë politikanët që thonë «vetë kosovarët i kanë fajet» (sikur të kishin ndonjë zgjidhje tjetër?!).
4. Etika e punës: Shteti duhet të përpilojë ligje e të vërë rregulla të punës. Kështu duke siguruar barazi dhe moral në tregun e punës. Edhe para aferës së «prontove» gjithë e dinë se si sigurohet vendi i punës në shoqëritë shqiptare. Nepotizëm pur!
Sigurisht se kësaj liste mund t’i shtohen edhe qindra «killer application»- e tjera, mirëpo nëse Neil Ferguson këto i vjen si kushte që duhet patjetër plotësuar për ta kualifikuar një vend si demokraci liberale në kushtet aktuale, atëherë Kosova s’është e tillë. Çka atëherë? Ndoshta ekspertët qeveritarë e dinë këtë punë më mirë se ne. Çka dimë ne është se realiteti shqiptar nuk është as gjetje qëllimkeqe e medieve e as të shqiptarëve me «relacion të sëmurë ndaj shtetit», por janë vepra konkrete të qeverive, qëllimisht apo jo: s’ka rëndësi!