Europianët e botës së tretë

POLITIKA E «TRE RRATHËVE» DHE SEZONIERËT SHQIPTARË (2) – Është momenti i fundit kur Komisioni Federativ  kundër Racizmit duhet të materializojë konstatimet, vendimet dhe programin e tij në lidhje me Ligjin më të fundit për të Huajt, respektivisht politikën e «tre rrathëve». Deri në dhjetor kanë mbetur edhe katër muaj. Do të ishte e drejtë që ky komision të fillonte punën duke mbledhur të gjitha dosiet e sezonierëve të dëmtuar nga shkeljet ligjore që kanë bërë organet e klasit të dytë të pushtetit. Dhe të fillonte rehabilitimin e tyre duke ua dhënë të drejtat që u takojnë

«Kërko azil!» është kjo përgjigja e një nënpunësi të policisë pyetjes së sezonierit Nuri Jashari nga Prishtina, pas sqarimit të tij se nuk mund të shkojë në Kosovë për arsye të situatës së rëndë që mbizotëron atje. Nuri Jashari, për herë të parë në Zvicër ka ardhur në vitin 1982. Që nga ardhja e tij në këtë vend punon në të njejtën firmë, e cila merret me asfaltimin e rrugëve. Vuan nga sëmundja e mushkërive. Në banesën e tij dydhomëshe, që gjendet nën kulmin e një shtëpie të vjetër ruan një çantë me dokumenta. Shtatë çertifikata nga mjeku i tij Peter Weber, që të gjitha mbajnë datat e këtij viti. Në të gjitha hasim konstatimin e specialistit të Spitalit qendror të Bernës (Inselspital) «Largimi i Nuri Jasharit nga Zvicra është i pamundur. Ai vuan nga një sëmundje, e cila kërkon terapi shumë të kujdesshme. Kushtet për një terapi të tillë në vendin e tij nuk ekzistojnë. Kështu që ne jemi të detyruar të lusim organet e policisë që të rregullojnë qëndrimin e tij këtu. Mbi të gjitha kur dihet se prej nga rrejdh sëmundja e tij…». Sigurisht se dihet origjina e sëmundjes së këtij sezonieri: nga puna me katran! «Katërmbëdhjet vjet të thithish pluhurin e nxhetë të katranit nëpër rrugët e Zvicrës dhe mos të këputen mushkëritë është një fenomen më vete për mjekësinë» thotë mjeku Peter Weber duke shtuar: «Personalisht u kam shkruar më se dhjetë letra organeve kompetente për këtë pacient, duke u thirrur në fakte mjekësore, në ndërgjegje humane, në përgjegjësinë e shtetit tonë ndaj këtyre njerzve, mirëpo përgjegja është e njejtë: nuk ka mundësi. Nuk dij se ç`ligjesh kanë nxjerë politikanët tanë, por e dij se karakteri i një veprimi të tillë shkel të gjitha ligjet humane!».

 PASOJAT NGA MOSNJOHJA E LIGJIT

C`krimi ka bërë Nuri Jashari, që katërmbëdhjetë vite nuk ka mundur të marrë lejen e qëndrimit të rregull në Zvicër? «I vetmi kontakt i imi me shtetin këtu ka qenë, kur kam shkuar të rregullojë ndonjë letër në polcinë për të huaj». Këtë e vërteton edhe avokati, të cilin Nuriu e ka ngarkuar për t`u marrë me lëndën e tij. «Asgjë kundër ligjit. Në të gjitha arsyetimet thuhet se Nuriu nuk ka bërë kurrë kërkesë për të rregulluar qëndrimin në Zvicër»- sqaron avokati i tij Josef B. Në pyetjen tonë se a është dashur që një gjë të tillë ta bëjë policia na tha: «Sipas rregullave jurudike po, mirëpo ju e dijni se praktika në këtë drejtim na demostron diç tjetër». Është e vërtetë, policia shumë rrallë bëhet zemërgjërë për të njohtuar ndonjë puntorë për të drejtën që ka. Në kodin penal të Zvicrës ka një kapitull që titullohet kështu: «Mosnjohja e ligjit dëmton». Sipas këtij ligji dënohen njejtë të gjithë ata njerëz, të cilët ndeshjen me ligjin mëtojnë ta arsyetojnë me mosnjohjen e tij. Viktimë më e shpeshtë e këtyre ligjeve janë të huajt që nuk njohin mjaftueshëm gjuhën e vendit. Në gjuhën e tyre, deri më sot nuk mbahet mend që të jetë bërë ndonjë përkthim i tillë. Edhe pse viktimë të këtij ligji janë të huajt, ai në fillim nuk është bërë për ta, por për qytetarët zviceranë. Në rastin që policia nuk i informon njerëzit për rregullim dokumentesh, del se ajo nuk di   (ose e bën me qëllim)këtë të drejtë të  garantuar me ligj. Atëherë Policia dhe organet tjera kompetente u dashka që të nxjerren në mënyrë kolektive para gjyqit duke u dënuar në bazë të këtij kapitulli të kodit penal, kështu duke u rehabilituar të gjithë të dëmtuarit e këtij karakteri.

 TRUQET E NËPUNËSVE TË POLICISË

Propozimi i policit, që Nuriu të kërkojë azil aq sa është qesharak ka edhe një kuptim dytehësh. Këtij truku i kanë rënë në prehër disa sezonierë. Ata duke menduar se nëpunësi i policisë ka mëshirë për ta i janë nisur një avnturë të tillë. Pas qëndrimit të shkurtë në ndonjërin nga qendrat e strehimit u ka ardhur përgjigja negative. Me këtë, policia ka për qëllim zvogëlimin e numrit të sezonierëve që meritojnë sipas ligjit qëndrimin në Zvicër. Ndërkaq, sa për refugjatët vendos dikush tjetër. Në rast se ka marrë vendimin negativ nga Zyra Federale për Refugjatë, atëherë i takon atij kontigjenti refugjatësh të refuzuar që duhet të largohen porsa të arrihet Marrëveshja me Beogradin.

 DREJTËSI NË EMËR TË MËSHIRËS

Numri më i madh i të dëmtuarve të kësaj natyre, edhe kësaj radhe, si zakonisht, janë shqiptarët. Është  grupi më i përshtatshëm etnik në këtë shtet që më së lehti mund të diskriminohet. Falë mosorganizmit dhe shkapërderdhjes së tyre nëpër filialla të partive të ndryshme, ata mbeten në çdo rast në duar të mëshirës dhe spontanitetit. Edhe pse me kohë kanë qenë të informuar për natyrën diskriminuese të poltikës së «tre rrathëve» dhe pasojave që mund të lindin nga ajo, ata përveç disa mbledhjeve konsultative dhe letrave që lidheshin me situatën e rëndë në Kosovë, dhe të cilat ndihmonin organet federale për të trajtuar problemin në suaza të strehimit të përkohshëm poltik të kësaj shtrese sezonierësh, nuk ndërmorrën ndonjë aksion më konktret. Ndoshta për të mos zemëruar «mikpritësin» (Zvicrën) apo për ndonjë qëllim tjetër, nuk dihet. Dihet që, çështja e sezonierëve nuk mund të zgjidhet duke u thirrur në situatën e rëndë të një vendi tjetër, por duke u krijuar subjekt (komision a komitet)  adekuat që do të vepronte profesionalisht duke kërkuar të drejtën legjitime dhe të garantuar me ligj të puntorëve shqiptarë në këtë shtet. Ai komision i pavarur ( nga rrethanat politike të një shteti a vendi tjetër) do të legalizohej si subjekt publik për mbrotjen juridike të të drejtave të sezonierëve shqiptarë, i cili do të hartonte një elaborat faktik duke bërë krahasimet e duhura në mes ligjit të «tre rrathëve» dhe të drejtave zvicerane dhe ndërkombëtare të puntorit të huaj. Kështu që kjo çeshtje mos të merrte ngjyrën e mëshirës për hir të situatës së ndërlikuar në atdheun e sezonierëve, por të ishte një kërkesë juridike, të cilën Këshilli i Ministrave do të detyrohej ta shqyrtonte me përpikmëri, pasi ata e dijnë bukur mirë, se sezonierët shqiptarë janë pjesë e një komuniteti që numëron dyqindmijë banorë në vend. Lëmosha dhe mëshira, në këtë kontekst, janë një kotësi e llojit të vet! Sezonierët duhet në mënyrë të përbashkuar të kërkojnë nga institucionet e komunitetit të tyre, që të interesohen pak për ta. Së fundi ato janë të formuara që të kujdesen për njerëzit që janë duke përfaqësuar. Krijimi i një komisioni profesinistësh dhe intelektualësh nuk është gjithaq punë e rëndë, apo jo… kur kemi parasyshë aftësinë e tyre për të udhëheqeur masën pas partive, jemi të bindur se këtë punë do ta bënin edhe më lehtë.

Sindikatat dhe organizatat tjera, ku këta sezonierë janë të anëtarësuar duhet të merren me paraqitjen e problemit si tërrësi. Qasja e problemit në mënyrë individuale ndihmon shtetin që t`i ikë demaskimit publik të politikës në fjalë. Përpilimi i një dosje të problemit është më i lehtë se kurdoherë. Si për shqiptarët ashtu edhe për organizatat si SNI etj.

NË VEND TË KONSTATIMEVE PUBLIKE PUNË KONKRETE

Është momenti i fundit kur Komisioni Federativ  kundër Racizmit duhet të materializojë konstatimet, vendimet dhe programin e tij në lidhje me Ligjin më të fundit për të Huajt, respektivisht politikën e «tre rrathëve». Deri në dhjetor kanë mbetur edhe katër muaj. Do të ishte e drejtë që ky komision të fillonte punën duke mbledhur të gjitha dosiet e sezonierëve të dëmtuar nga shkeljet ligjore që kanë bërë organet e klasit të dytë të pushtetit. Dhe të fillonte rehabilitimin e tyre duke ua dhënë të drejtat që u takojnë. Kështu ky komision do të dëshmonte qëllimin e formimit dhe punës që ka marrë përsipër. Njëkohësisht është më se i domosdoshëm presioni që duhet bërë Këshillit të Misnitrave  që ata të anulojnë vendimet e marra ligjore për të huajt, duke nxjerrë një ligj të përkohshëm, i cili do të shërbente si urë kaluese deri te vendimet e reja në lidhje me këtë çeshtje.

Duhet bërë gjithçka që sezonierët si Fekri Bujupi dhe Nuri Jashari të fitojnë të drejtën që ju takon. Ata nuk meritojnë përzënie nga vendi të cilin me vitet të tëra e ndërtuan, dhe në të cilin jetuan e punuan ndershmërisht. Sidoqë të jetë, edhe nëse këta njerëz përjashtohen nga Zvicra, do të na lënë përkujtim mushkëritë e copëtuara dhe vajin e fëmijëve që nesër do të vuajnë nga urria.

Sezonierët italianë në stacionin e Zürich-ut.

 

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...