Postmoderna – Epoka e varrimit të artit?

Në artet figurative, çdo epokë ka stilin e vetë. E vetmja epoke që ende ka mbetur pa stil është postmoderna. Pse? Ka mundësi që përpjekja e madhe e imitimit dhe kombinimit të stileve pararendëse të ngushtojë mundësinë e krijimit të një stili identifikativ për epokën tonë, kështu duke sjellur vetëm një «risi»; përforcimin e procesit të lashtë të kombinimit të gjërave në univers dhe asgjë tjetër!

Shumica e kritikëve të kulturës janë dakord me thënien korale; arti është në krizë! Postmoderna kualifikohet si epokë e varrimit të shpirtit kreativ human. Natyra argumentuese e kësaj teze fillon nga shterrja e energjisë mendore e deri tek vetvrasja fizike e planetit nëpërmjet arritjeve kulminante në shkencë dhe teknikë. Nëse bindemi me këtë konstatim pesimist atëherë duhet të pranojmë; gjithçka është thënë dhe gjithçka është zbuluar.
Mirëpo, a e ka thënë arti fjalën e vetë përfundimtare?
Sa është i zoti dhe kompetent njeriu i pragshekullit XXI për të organizuar ceremonialin e varrimit të artit?
Detyrimisht pajtohemi me faktin se pasardhësi i tautavelit është një qenie e përsosur për djallëzi dhe e përkryer për udhëheqje të procesit të vetvrasjes së planetit, mirëpo në gjithë këtë rotacion tezash dhe konstatimesh ka një pengesë kapitale që ia heq njeriut mundësinë e të qenurit padron i jetës së artit në univers. Cili është ai?
Asnjëri prej filozofëve dhe teoricientëve që merren me zbërthimin e misterieve të artit nuk kundërshton faktin; artit nuk mund t`i mohohet pronësia e pakontestueshme e së Bukurës dhe predikimit total mbi Urtësinë që e ajo bën në shpirtin e epokave. Përveç kësaj për të arritur në definicionin përfundimtar mbi natyrën e ekzitencës së Artit duhet edhe shumë punë, duhen edhe shumë zbulime.
Edhe shpirtëkëqinjt më të mëdhenj dhe më me ndikim në historinë e njerëzimit nuk kanë mundur ta mohojnë apo zhdrejtojnë këtë mision themelor të artit; instalimin e të së bukurës dhe urtësisë në vetëdijen humane!
Sipas kritikëve, mendimtarëve dhe filozofëve të kohës sonë (të cilët patjetër të kenë parardhës të shumtë në retrospektivë) këto dy elemente, pra e Bukura dhe Urtësia, bien në konfrontacion konfliktuoz me Artin, gjë që rezulton në një ligjërim absurd dhe qesharak të bartësve të kësaj ideje, kur kihet parasyshë e vërteta se Arti është pikërisht nëna që vazhdimisht lind këto dy segmente të jetës universale. Me këtë të vërtetë të përbotshme reduktohet pesimizmi. Konstatimi «arti është në krizë» rezulton në një përkufizim më të sinqertë të problemit; mendimi i sotëm mbi artin dhe për artin gjendet në krizë! Dhe kjo na sjell sërish në stadin e trajtimit të faktorit njeri dhe raportin e tij me artet.

1. (ç`na duhet arti?)

Burimi i një mendimi të tillë mbi Artin, me një gjurmim më të vëmendshëm, mund të gjendet qysh në fletoret e para të meditimit njerzor mbi botën dhe jetën. Pra qysh në startin e ushtrimit publik të këmbimit të mendimeve. Ose më konkretisht thënë; qysh në datën e parë kur njeriu ka kuptuar se ekziston diçka që mund të emërohet si art. Doktrinat, ideologjitë dhe idetë kundërvënëse që kanë synuar devalvimin e artit kanë – sa mund të na mësojë prezenca jonë në këtë epokë- dështuar për shkak se bartësit e artit kanë qenë të vendosur në mbrojtjen e tij, që do të thotë se; mendimi i elitës intelektuale nëpër epoka të ndryshme të mbamendësisë njerzore ka qenë konstruktiv dhe pasionar për të zhvilluar edhe më tej procesin e zbulimit të misterieve të këndshmë e frytëdhënëse të artit. Deri para të të ashtuquajturës postmodernë, mendimi mbi varrimin e artit nuk ka qenë i institucionalizuar dhe nuk ka pasur «elite» epoke që koralisht ka deklaruar se «arti është në krizë», «ç`na duhet arti», «për shpirtin e njeriut arti ka vdekur», etj. etj.
Pse themi që mendimi mbi vdekjen e artit është institucionalizuar dhe përkrahur nga «elita» e postmodernës? Sepse ai është futur tashmë në mënyrë infektive në të gjitha artet e veçanarisht në artet figurative.

2. (epoka e vdekur?)

Potencuesit më këmbëngulës të filozofisë për të plasuar postmodernën si epokë e vdekjes së shpirtit artistik si Lukas dhe Hajdegger & Co. kanë arritur që të bëjnë për vete, pothuaj numrin më të madh të Akademive e Instituteve me peshë ndikimi në manipulimin e vetëdijes së kohës. Filozofia e të cilëve është: «vënia e parimeve dhe modeleve» se si duhet të krijohet arti në postmodernë. Vulën e artikulimit të një mendimi të tillë e vizatojnë me një energji gjigante emrat më me ndikim të së sotmes në fushën e kritikës së kulturës dhe arteve si; Francis Fukuyma me veprën e tij «Fundi i Historisë», Oswald Spengler me «Përmbysja e perëndimit», James Kurt me «lufta e vërtetë», Samuel P. Hunington me librin «Lufta e kulturave» (Crash of Civilisation – i cili madje për «të shpëtuar universin» ka bërë një manifest për riregullimin e Rendit të Ri politik e kulturor në planet) dhe qindra të tjerë me libra rreth «krizës kulturore», «krizës në art» e deri tek Mihaly Vajda që sjell konkluzionin se jo vetëm arti në postmodernë, por edhe vetë «postmoderna është një kufomë» që ndotë ambientin.
Sidomos gjatë studimit të veprës së profesor Huningtonit ( shef i institutit për studime strategjike «John Olin» në Harward dhe këshilltar i parë i Ministrisë së Jashtme amerikane) krijohet përshtypja se bashkmendimtarët e «epokës së vdekur» kanë për qëllim shkatrrimin e të gjitha sistemeve dhe parimeve mbi artin dhe kulturën për të ndërtuar një të re që do të zëvendësonte epokat e zanafillës dhe ato të bartjes së zhvillimit nga shekulli në shekull.
Çështja tjetër dhe themelore: a mundet njeriu të krijojë sistemin e artit dhe atë të kulturës humane? Kush e ndërtoi sistemin ekzistues të artit? Askush! Arti ka sistemin e vetë që njeriu vazhdon ekspeditën e tij të përjetshme për të zbuluar shekull pas shekulli nga një segment të universit të tij të mistershëm. Mendjemadhësia e bartësve të «epokës së vdekur» shkon deri atje saqë pretendohet posti i kontrollorit dhe udhërrëfyesit të mijëra shpirtërave kryeneç dhe pa adresë që bën për vete arti (në mënyrë të pakapshme për trurin apokaliptik të njeriut). Kjo është çështja; arti nuk mund të kontrollohet nga faktori njeri e as nga institutet e tija, por vetëm mund të studiohet e zbulohet shkallë-shkallë!

3. (mendimi në krizë)

T`i rikthehemi problemit të shtruar më lartë; përse mendimi i postmodernës mbi artin është në krizë e jo vetë arti. Cilat janë pasojat e një botëkuptimi të tillë në realizimin praktik të veprave të sotshme artistike?
Tendenca për të rebeluar formën dhe të gjitha kriteriet konvencionale të traditës në lidhje me krijimin e një vepre arti, fillimisht në teori, u akcpetua si një lëvizje e mirëpritur moderuese, progresive, transavangarde apo thënë më konkretisht; kjo tendencë u vlerësua si një reformë në ligjet e mërzitshme klasike. Aksioni i këtij karakteri bile me të drejtë u shpall si shpëtues i postmodernës nga kopjimi, imitimi, plagjiatura ose shfrytëzimi i tepruar i pasurisë kulturologjike të epokave të mëhershme, sidomos inspirimit të përjetshëm nga fjalori mitologjik i saj.
«Postmoderna duhet të jetë një epokë me status të vetin në çdo plan, me origjinalitet dhe identitet të vetin që s`ka të bëjë asgjë me traditën», kjo do të thotë se kreatorët e mendimit të ri të epokës kërkonin moskthim në paraantikë, antikë, realizëm, romantikë apo në ndonjë epokë tjetër. Mirëpo, sa më shumë që kjo teori të bëhet e kapshme në praktikë, ajo zhveshet si një ndërmarrje e banalizuar, e pakuptimtë dhe komike. Kjo inicijativë mbeti në kornizat e një dëshirë adoleshente e të të ashtuquajturit «Mendim i Ri» dhe Postmodernës në tërrësi. Pasioni i madh për të hudhur në «arkivet» e harresës praktikën tradicionale të krijimit të veprave artistike u shndrrua në një facit ose në një aksion eskurziv nëpër humnerat e «madhërishme» të shundit, ose siç e quajnë gjermanët; kitsch-it. Tendencat më të mëdha në këtë drejtim, në kurriz, i kanë përjetuar artet figurative.

4. (stilet e improvizuara të patriotizmit italian)

Në artet figurative, postmoderna u hap me stilet e quajtura «Transanvantrgarde- Arte cifra», «Arte povera», «New Image Paintning», «New Geomterie» dhe «Grafitet». Shumica e kritikëve, të brengosur me shterpësinë në aspektin e prodhimit të stileve, ngarrendën për të kurrorëzuar këto rryma si stile, si demostrim i një mendimi të ri mbi artet që flakë modernën abstrakte, realizimin, ekspresionizmin, kubizmin, futurizmin, supermatizmin, konstruktivizmin etj. etj.
Tani parashtrohet pyetja kapitale: u arrit qëllimi i shkëputjes nga modernja?
Vetë babai i njërit nga të të ashtuquajturit stil postmodern të transavantgardës Benito Oliva rrëshqet duke mohuar pretendimin e tij në lidhje me shkëptujen nga tradicionaliteti kur thotë: «transavantgarda i lejon artit një lëvizje në të gjitha drejtimet, pra edhe në të kaluarën» (B.Oliva- «Arte Cifra»). Dhe po të studiosh punimet e artistëve që Oliva preferon si prijës të asaj rryme si; Francesco Clemente, Girogio di Chirico, Valori Plastici etj. nuk vëren asgjë të re qoftë nga prizmi intelektual, as nga teknika e as nga segmentet tjera përcaktuese të risisë që duhet të sjell një vepër e re artistike, e cila padrejtësit shpallet si misionare e një epoke të re në artet figurative. Ajo nuk i jep as provat e para. Gjithë kjo duket, sikur Oliva dhe kritikët e tjerë italianë gjatë viteve të shtatëdhjeta kanë qenë të preokupuar me një detyrë patriotike, me qëllim për t`i rikthyer Italisë famën e Da Vinçëve, Mikelonaxhelove, etj. Nismë, që shfaqet si një askion jashtëzakonisht qesharak, sepse Plasticët italianë jo vetëm se janë shumë larg një arti të mirëfilltë, por edhe imitojnë atë aq zbehtë, tepër zbehtë.

5. (kontributi gjerman)

E njejta tendencë u regjistrua edhe në Gjermaninë e viteve të tetëdhjeta, sidomos në qarqet artistike të Berlinit, ku piktorët si Rainer Fetting, Helmut Middendorf dhe Bernd Zimmer përpiqeshin të paraqesin stilin «Die Neuen Wilden» (Rebelët e rinj) ose «Die Heftige Malerei» (Piktura e fortë-ashpër). Si te italianët ashtu edhe te gjermanët objekti qëndror, i cili përdorej edhe si amblemë e të të ashtuqujaturës postmodernë është seksualiteti në art. Një «amblemë» e futur bindshëm në arte, qysh në epokat parantike. Pra asgjë e re që do të mund të thonim se futë artin në një stad të ri të provës dhe që mund ta shohim si diçka që kurrorëzon një kapitull të ri të stilit artistik pasmodern. E vetmja gjë që bëjnë këto stile është intensifikimi i komunikimit të artit me problemet etike të seksulaitetit (themi intensifikim sepse si fenomen thamë se është paraqitur shumë më herët se të pagëzohen stilet në art).

6. (…dhe ai amerikan)

Pak më dallueshëm, por po me të njejtën filozofi krijimi u shfaqën edhe amerikanët si David Dalle dhe kryesisht shkolla e piktorëve të Nju Jorkut. Boshti i eksperimentit të amerikanëve është vizatimi mbi fotografi (erotike), e cila u kap si një risi që ndanë modernën nga avantgarda ose postmodernja. Se sa efekt kanë vizatimet mbi fuqinë vizionale të parapaskenës- fotografisë shihet në punimet e Dallit, në kombinimet e Sallit me ngjitjen e enëve (pjatave, gotave etj) njëra mbi tjetrën etj. Siç shihet, qëllimi është që me mjete të përdorimit të përditshëm ose më saktë; me objekte të bëra për qëllime të organizimit të jetës së përditshme në shoqëri, pa u krijuar diçka e re, por vetëm duke u kombinuar ato të krijohen pamje të ndryshme. A mund të quhet procesi i kombinimit të sendeve ekszistuese si një stil i ri në arte? Kur dihet që procesi i kombinimit të sendeve te qeniet e gjalla mund të konsiderohet si zanati më i vjetër në botë. Vetëm aksioni i kombinimit, duke i shtuar atij imitimin e vulave të krijuara nga stilet e mëhershme në artet figurative, nuk mendoj se mund të quhet stil i ri.
Për «Gjeometrinë e re» as që ia vlen të flitet; figura gjeometrike që njihen që nga epoka paraantike e orientit (ex oriente lux) e që s`i flasin artit asgjë më shumë se sa që i kanë folur njëherë para mijëra vjetëve. Ata futen në funksion të një veprimi banal nga maratonistët që vuajnë për të qenë zbulues të një procesi të ri kreativ dhe që fatkeqësisht e zbehtë gërryhen pa sukses për të imituar madhështinë e kubizmit.

7. (profecia e «Arte povera»)

Vetëm arsyeja: «të largohemi nga modernja, për arsye se ajo është tepër e doktrinuar , politike dhe keqpërdor artin për synime të kontrollimit të masave» siç thotë amerikani Julian Shnabel dhe gjermani Sigmar Polke është pamjaftueshme. As heterogjeniteti dhe pluralizmi konstativ i mas-mediave nuk ndihmuan që të krijohet vërtet një epokë e re që do të refuzonte tradicionalitetin- pra refuzimin historik të modeleve të kaluara- mbi të cilin janë ngritur stilet e mëhershme ekzistuese nuk duket në horizont.
Postmodernë në artet figurative nuk ka, përveç teorive që luftojnë për të afirmuar veten si të tilla. Ora e piktorëve ka mbetur në modernë. Neo-ekspresionzmi vazhdon të mbajë pushtetin në planin e krijimit serioz si shkallë fundit e progresivitetit të stileve në artet figurative.
Para hyrjes në postmodernë ka pasur një grup artistësh italianë që u quajtun krijues të një stili të ri, që mbante emrin «Arte povera». Nëse kjo formë e re e krijimit nuk duhet të merret parasyshë vërtet, si një stil i ri apo duhet të konsiderohet si, edhe një përpjekje plus pasionit të madh të Italian për të kryer një detyrë patriotike, ai do të mbetet në histori si sinjal e pasqyrim i gjendjes së vërtetë të mendjes së sotme mondane mbi artin: Arte Povera do të thotë Art i Varfër. Mjetet që përdoren për të bërë veprën janë; uji, dheu, hiri etj. Qëllimi i këtyre artistëve është që «të zbulojnë kuptimin e zanafillës se si është krijuar gjithçka në këtë botë, pra edhe arti». Për këtë këta artist kanë një meritë të pakontestueshme të dëshmisë; postmoderna është larguar aq shumë nga arti saqë tashmë ka nevojë t`ia nis mësimit prej fillimi për ta kuptuar drejtë atë!
Ky është vetëm një segment i keqkuptimit të ecurisë dhe zhvillimit të artit dhe paralelisht mendimeve e teorive mbi të. Çka është art i mirëfilltë? A ka art në postmodernë? Apo vetëm garda imitatorësh e plagjiatorësh që kombinojnë fragmente stilesh të ndryshme për të krijuar të vetin?
Kjo është çështje me të cilën duhet të përballet kritika sot e nesër.
Arti edhe për këtë epoke do të mbetet në duar të individëve, krijuesëve të vërtetë, të cilët assesi nuk mund të jenë pjellë e institucioneve dhe teorive, por e vetë artit. Ai është institucioni i vetëm e pagëzimit apo mohimit të tyre.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...