«Bandat me maska gati sa ma dhunuan Ajshen»

Në Zvicër vazhdojnë të vijnë azilkërkues ashkalinjë, romë dhe egjiptas. Ata thonë se ndiqen, rrihen dhe terrorizohen nga shqiptarët etnikë. Ndër to ka edhe plotë shqiptarë që mohojnë përkatësinë e tyre kombëtare me qëllim të sigurimit të azilit.

Rrahmoni (48) nga rrethi i Gjakovës përpiqet ta bëjë rrëfimin sa më brutal: «N’pikë të natës katër shqiptarë me tesha e maska të zeza, me revole e kallashnikovë na u futën në shtëpi dhe na renditen krejtve për murri». Intervistueses zvicerane i mbushen sytë me lot, sidomos kur Rrahmoni ia kris vajit, shtrëngon grushtat, merr frymë thellë e shpesh dhe tregon se si «banditët shqiptarët» ia ngjisin vajzës së tij 19 vjeçare Ajshes përflokësh dhe ia shkoqin teshat nga trupi. «O Zot – bërtita – na ndihmo. Vetëm Ajshen mos. Njëri prej tyre, që dukej të ishte shefi i bandës i ndali tjerët. E Ajshja mbet pa dhunuar. Na morën krejt sendet që kishim në shtëpi dhe na thanë: u japim tetë sahat afat që të zhdukeni prej Kosove». Të nesërmen familja e Rrahmonit niset për në ekzil.


E njëjta histori, pokështu siç e rrëfen Rrahmoni, aty-këtu me ca dallime të vogla, qëndron në shumicën e akteve të kërkuesve të azilit nga Kosova. Nuk mungojnë rastet kur ky arsyetim edhe ndez. Nëse jo për të fituar azilin, atëherë për të siguruar një qëndrim më të gjatë në Helevecinë e pasur.

Faktet – Duke filluar që nga mbarimi i luftës në Kosovë e deri sot (aktualisht rrallë) në Zvicër vazhdojnë të vijnë azilkërkues ashkalinjë, romë e serbë. Si azilkërkues deri tash janë paraqitur rreth pesë mijë persona. «Pjesa dërrmuese e këtij grupi thotë se kanë qenë të detyruar të ikin nga terrori i shqiptarëve etnikë» kështu në Entin Federativ për Migracion (BFM) dhe «pas hulumtimeve tona në terren, disave prej tyre edhe ua kemi pranuar azilin, sepse vërtet ka pasur ndjekje, sidomos pas luftës. Mirëpo ato janë raste të rralla». Të rralla? Domethënë brenda atyre 5 mijë azilkërkuesve të përndjekur nga kosovarët shumica e tyre rrejnë.

«Po», janë të bindur në Entin Federativ për Migracion, instancën kompetente për çështje të azilit. Çka i shtynë romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit të djallëzojnë fqinjët e tyre kosovarë?

Realiteti – Rahmonin e takuam përsëri, kësaj radhe para «barakës së azilantëve» në një fshat malor të Bernës. «O pasha Zotin prej nji kilometri larg e dita se jeni shqiptarët», na thotë duke e zgjatur dorën. I treguam se jemi të interesuar të shkruajmë për fatin e romëve në Kosovën e pasluftës. «O burra, unë den baba den shqiptar kam konë. Jo more, s’jam maxhup unë. Qe ky kojshia jem është tamam rom».

Rrahman P. na drejtoi në dhomën fqinje, tek familja e Nevruz Krasniqit. «Me shqiptarët e kam çu gjithmonë mirë. Asnjë telash nuk e kam pasur», na siguron Nevruzi. Atëherë pse gjithë ky teatër e djallëzim i kosovarëve «banditë dhe me maska të zeza». «Me çka me i ushqye këta dostat», na pyet Nevruzi duke bërë me dorë kah pesë fëmijët e tij që ishin shtrirë njëri mbi tjetrin.  

Pesha e ekzistencës – Po Rrahmani që ka mohuar identitetin, për të cilin kosovarët aq patriotë ta «heqin kokën»? «Identiteti? A hahet identiteti në vend të bukës o shoku gazetar?» na përmblidhet shqiptari trupmadh. «Jo nuk hahet» i themi dhe largohemi.

Në Entin Federativ për Migracion të Bernës e dinë  se «Pozita e pakicave, sidomos atyre që flasin shqip, në Kosovë është e mirë». Probleme kanë pasur ata që kanë bashkëpunuar me serbet në masakrimin e shqiptarëve, mirëpo ata si duket nuk janë nëpër kampet zvicerane të azilit, por në Beograd apo dikund tjetër.

Kur i pyetëm dy «romët», Rrahmanin, alias Rrahmonin dhe Nevruzin se  «ku mund ta gjejmë një familje rome që vërtet ka qenë e përdhunuar nga shqiptarët» përgjigja erdhi si në kor: «në këtë kamp s’ka të tillë»!

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...