Imazhi i thyer i Helvecisë

Hovi i populistëve dhe politika e imigracionit. Populizmi i djathtë në Zvicër është në rritje e sipër. Në zgjedhjet e fundit, partia e djathtë populiste SVP u bë  partia më e fortë e vendit. Pasqyron suksesi i kësaj partie diçka specifike për Zvicrën apo është vetëm kallëzuesi i një trendi që vërehet në shumicën e vendeve evropiane?  Studiuesi zviceran Damir Skenderovic ka hulumtuar këtë zhvillim dhe përpiqet të japë përgjigje.

Zvicra. Shembulli i multikulturalizmit dhe demokracisë së drejtpërdrejtë. Vendi në të cilin katër kultura të ndryshme kanë arritur që të bashkëjetojnë në paqe. Deri para ca vitesh ishte ky imazhi që shumica e kishin për Zvicrën.

Sot është ndryshe. Ka disa vite që në shtypin botëror Zvicra merret si shembull i një vendi me politikë restriktive të azilit dhe ku e djathta populiste ka marrë hov. Një paragjykim i padrejtë ? Vetëm pjesërisht, thonë analistët jashtë dhe brenda Zvicrës duke aluduar në sjelljen e saj  jo dinjitoze ndaj imigrantëve. Kush është fajtor për një sjellje të tillë?

«Partitë e së djathtës populiste kontribuojnë dukshëm në këtë drejtim», kështu analiza. Në fakt: Në asnjë vend tjetër evropian nuk kanë mundur populistët e djathtë të kenë traditë dhe të korrin një sukses të tillë si në Zvicër.

Historiani zviceran Dr. Damir Skenderovic është njëri nga autorët e studimit «Partitë e djathta populiste dhe politika zvicerane e migracionit», studim që paradoditësh u prezantua në Bernë. Ne biseduam me të.


Dr. Damir Skenderovic cili është rezultati i studimit tuaj? Është pra politika zvicerane e migracionit restriktive, siç paraqitet gjetiu në botë,  apo jo?

Dr. Damir Skenderovic: Pyetjes suaj nuk mund t’i përgjigjem shkurt vetëm me një jo apo po. Si në shumicën e vendeve të tjera industriale edhe politika zvicerane e migracionit ka bërë një zhvillim të shumanshëm dhe atë në shtresa të ndryshme. Nga njëra anë ka një politikë, e cila merret me definimin e rregullave të hyrjes në Zvicër, pra me rregullimin e migracionit, ku bëhet fjalë për atë se; sa emigrantë mund të vijnë në një vend? Kush mund të vijë? Preferohen parimisht punëtorët? A munden imigrantët të marrin edhe familjet me vete? Në këto aspekte Zvicra ka një politikë relativisht liberale dhe atë që nga vitet e 50-ta. Si rrjedhojë e kësaj është edhe përqindja e lartë e imigrantëve këtu. Zvicra me 20 përqind është vendi i dytë – pas Luksemburgut – në Evropë për nga numri i lartë i imigrantëve.

Nga ana tjetër kemi dimensionin në politikën e migracionit, i cili merret me çështjen se;   si sillemi me të huajt që jetojnë në këtë vend. Dhe në këtë drejtim – siç del nga studimi jonë – politika është e rezervuar dhe restriktive. Që nga vitet e 80-ta e këtej, populistët e djathtë e kanë luftuar çdo nismë që ka pasur të bëjë me reformim të politikës së migracionit, reforma, të cilat pastaj edhe janë refuzuar në votimet popullore.  

Një politikë liberale ndaj të të ashtuquajturve «gastarbajterë» dhe një politikë restriktive të integrimit?

Dr. Damir Skenderovic:  Njerëzve u lejohet të vijnë në Zvicër si imigrantë të punës, kjo nga arsye ekonomike dhe utilitariste, prandaj edhe me politikë të migracionit nënkupton njeriu këtu në radhë të parë «politikën për gastarbajterë».

Mbizotëron një ngurrim kur bëhet fjalë që imigrantëve t’iu jepen më shumë të drejta sociale dhe politike me qëllim që ata të inkuadrohen në jetën shoqërore të vendit, parakushte të rëndësishme këto për shanse të barabarta në shoqëri. Në këtë drejtim zhvillohet një politikë ngurruese karshi imigrantëve, e cila manifestohet pjesërisht në Ligjësi dhe sidomos në rezultatet e votimeve të ndryshme në këtë aspekt.

Pra, kemi të bëjmë me një politikë restriktive. A mund ta quajmë një politikë të tillë si ksenofobe?

Dr. Skenderovic : Në aspekte të ndryshme mund ta kualifikojmë atë si politikë të përjashtimit. Si në mbarë Evropën ashtu edhe në Zvicër mbizotëron një skepsë, një mosbesim ndaj «tjetrit» (të huajit) që mund të çojë deri në armiqësi ndaj të huajve. Megjithatë Zvicra nuk është e vetmuar apo prijësja në këtë  drejtim, ajo radhitet në mesataren evropiane.

Kemi të bëjmë me një fenomen evropian?

Dr. Damir Skenderovic: Ashtu është. Një zhvillim që nuk është i ri, mirëpo që veç dy dekadave të fundit, me integrimin evropian në politikën e rregullimit të Migracionit, ka marrë një dimension institucional. Flitet për Kështjellën Evropë, e cila thënie nuk bazohet hiç më pak se sa në traditën e gjatë të Eurocentrizmit. Përveç kësaj, disa vende, të cilat gjatë kohë janë konsideruar si vende liberale, kanë ashpërsuar politikën e tyre ndaj imigracionit. Për shembull Holanda: Atje zotëron një tendencë për tu bërë sa më restriktiv, parasëgjithash në sferën e azilit, mirëpo edhe në atë të integrimit. Ata supozojnë deri tani të kenë qenë tepër liberal me politikën e tyre të multikulturalizmit, prandaj edhe e shohin të nevojshme që ta ndryshojnë atë politikë. Të njëjtat zhvillime i hasim në Austri, Danimarkë apo Itali.

Pra, kritika vazhdon të ashpërsohet edhe në vendet skandinave, të cilat deri dikur gëzonin namin e vende liberale karshi migracioneve të tyre. Një sërë anketash evropiane flasin se në vende të caktuara ekziston një masë e konsiderueshme mosbesimi ndaj imigrantëve, pra se ekziston një potencial armiqësor ndaj të huajve.

Zvicra sipas jush nuk është rast special. Supozimi se Zvicra luan një rol prirës në Evropë sa i përket politizimit të temës së migracionit qenka i gabueshëm?

Dr. Damir Skenderovic: Edhe këtu duhet të keni parasysh shtresat dhe rrymat e ndryshme politike të një shoqërie. Në Zvicër, i ashtuquajturi «diskurs i mbipopullimit nga të huajt», i krijuar në fillim të shekullit 20-të, ka ndikuar dukshëm në sjelljen e shoqërisë ndaj të «huajit». Ky diskurs nuk është mbështetur vetëm nga partitë e djathta, por edhe nga administrata dhe sindikatat. Gjatë viteve të 60-ta janë krijuara partitë e parë të së djathtës ekstreme, të cilat për temë qendrore mobilizimi kanë shfrytëzuar migracionin. Këta parti kanë luajtur një rol prirës në mbarë Evropën. Nën petkun e të së ashtuquajturës «lëvizje kundër mbipopullimit nga të huajt» ata integruan «tezën e mbipopullimit» në programatiken e tyre nacionaliste dhe në atë të politikës së tyre të identitetit. Në përbërje të këtyre partive gjendeshin ndër të tjera edhe «Nationale Aktion» e krijuar gjatë vitit 1961 në Gjenevë, «Vigjilenca» e krijuar më 1964, poashtu në Gjenevë dhe Lëvizja Republikane e vitit 1971. Të gjitha këto kanë qenë parti të vogla dhe të ndara, që në parlamentin kombëtar kanë luajtur vetëm një rol margjinal, mirëpo të cilat nëpërmjet të mjeteve të demokracisë së drejtpërdrejtë i kanë bërë vazhdimisht presion politikës zvicerane të migracionit. Kjo situatë u ndryshua nga fillimi i viteve të 90-ta e këndej. SVP arriti që të nxjerr nga skena këto parti të vogla të së djathtës populiste, duke marrë vetë timonin në dorë.

Në disa media keni thënë se «SVP ka pasur shumë sukses sepse ka ditur me mjeshtri të shfrytëzojë frikën ndaj të huajve». Çka mendoni me këtë?

Dr. Skenderovic: Kjo është një çështje që diskutohet shumë ndër shkencëtarë: Deri në ç’masë partitë përfaqësojnë opinionin që mbizotëron në popullatë dhe e shfrytëzojnë atë disponim armiqësor ndaj të huajve në politikë? Apo ndikojnë ata me pozicionet dhe kampanjat e tyre në krijimin e orientimeve politike tek zgjedhësit, duke evokuar kështu qëndrime armiqësore ndaj të huajve? Unë mendoj se këtu ekziston një reciprocitet: Nga njëra anë partitë ndikojnë në perceptimin e fenomeneve shoqërore, nga ana tjetër njerëzit krijojnë vetë imazhe duke shfrytëzuar burime tjera si mediet, shkollat, familja etj. Njeriu jeton në rrethin e tij social dhe ndikohet nga ai.

Qëllimi i partive të djathta populiste – si SVP – është që Migracionin ta paraqesin si një problem shoqëror, si një konflikt me potencial, me qëllim që pastaj të profilohen si zgjedhës të këtij problemi.

Ata evokojnë imazhe të frikës, të rrezikut, flasin se imigrantë të caktuar janë të paintegrueshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë e vendit. Në këtë mënyrë ata përpiqen të legjitimojnë  një politikë të përjashtimit ndaj të huajit (dhe një të inkuadrimit „në grupin e vetë“), kështu duke fuqizuar një imazh dualik të botës dhe shoqërisë, imazh që dallon ndërmjet «nesh» dhe «atyre». Këtë politikë ekskluzioniste e ka përdorur SVP në mënyrë programatike dhe strategjike dhe atë me sukses.

Politikë e përgjegjshme do të ishte ajo, e cila vazhdimisht do të bënte të qartë se grupet nuk janë të mbyllura dhe se identitetet kolektive nuk janë formacione statike, porse ata vazhdimisht ndryshojnë. Se kush cilit grup i takon është çështje e paqartë, respektivisht kriteret përcaktuese në këtë drejtim ndryshojnë pandalshëm. Përpos kësaj është tejet e rëndësishme që individët vetë të munden të përcaktohen e të vendosin se cilit grup duan t’i takojnë e cilit jo. Shkurt: Përkatësia në një grup nuk është diçka përfundimtare dhe e përjetshme, ky proces është i lumshëm. Merreni një shembull konkret: një polak dhe një ruse jetojnë në Britani dhe kanë një vajzë, e cila ka lindur dhe është rritur atje. Si ta quajmë atë: ruse, polake, britanike, evropiane, kozmopolite? Me rëndësi është që ajo vetë të mundet të vendosë se cilit grup i takon – nëse patjetër është e nevojshme të përcaktohet për diçka.

SVP është parti ksenofobe?

Dr. Damir Skenderovic: Unë do të thosha se ajo bën një politik të përjashtimit dhe izolimit dhe atë jo vetëm në temat e migracionit, por edhe në çështjen e integrimit evropian. Kjo përputhet me agjendën dhe programatikën e partive tjera të së djathtës populiste. Ato të gjitha bëjnë një politikë të Identitetit dhe karakterizohen nga një ideologji ekskluzioniste, e cila priret nga një «pabarazi natyrore e njerëzve» dhe që përmban elemente nacionaliste dhe të armiqësisë ndaj të huajve. Si parti të së djathtës populiste ato përfaqësojnë një botëkuptim antipluralist, i cili e ndan shoqërinë në dy pole: në popull «të vërtetë» dhe në elitë të «pandershme».

SVP u zgjodh nga një elektorat, i cili mendon në mënyrë kompakte njëjtë si ajo. Mos përpiqeni ju me studimin tuaj që ta shpërlani shoqërinë nga përgjegjësia, duke u përpjekur që gjithë barrën për këtë politikë restriktive ndaj imigracionit t’ua hidhni vetëm partive të djathta populiste?

Dr. Skenderovic: Fillimisht është mirë të sqarohet diçka: në zgjedhjet e fundit parlamentare, që u mbajtën në tetor të këtij viti, 28.9 përqind e zgjedhësve votuan për SVP. Mirëpo nëse kemi parasysh të gjithë zgjedhësit potencialë, atëherë vetëm 14 përqind kanë votuar për këtë parti. Nëse marrim gjithë popullin zviceran si madhësi referuese, atëherë rezulton se as një i dhjeti nuk ka votuar për SVP-në. Kjo relativizon suksesin e kësaj partie.

Tash t’i kthehemi pyetjes suaj: Ne në studimin tonë kemi hulumtuar në radhë të parë rolin e partive populiste në politikën zvicerane të migracionit. Në Zvicër – e kjo vlen edhe për vendet tjera evropiane – deri tani nuk është bërë një studim i tillë. Pra është e kohës që studime të tilla të bëhen edhe mbi sjelljet e aktorëve të tjerë politikë karshi imigracionit. Është interesante të shihet se si kanë vepruar partitë e mesit, sindikatat dhe socialdemokratët në këtë drejtim.

Në studimin tonë ne kemi hulumtuar edhe marrëdhëniet e partive populiste me partitë tjera. Këtu vjen në shprehje fakti se Zvicra posedon një traditë të gjatë të politikës së konkordancës, që do të thotë se partitë qeveritare nuk përjashtohen, por integrohen në sistem. Kjo konkretisht do të thotë se ndaj SVP si një parti me «kapital historik» dhe pjesëmarrëse në qeveri nuk ushtrohet një strategji demarkuese, por integruese. Për këtë arsye bartin partitë tjera me siguri përgjegjësi sa i përket politikës restriktive ndaj të huajve. Me këtë strategji integruese ata i kanë ndihmuar SVP-së që të legjitimojë politikën e saj ndaj imigrantëve.

Nëse kthejmë shikimin në të kaluarën vërejmë se jo gjithmonë ka qenë kështu: Që nga vitet e 60-ta e pastaj partitë e djathta populiste konsideroheshin si parti jashtë sistemit dhe si të tilla përjashtoheshin nga çdo lloj integrimi. Pra ato përballeshim me një strategji demarkuese. Përkundër pozitës që kishin ato megjithatë ndikonin shumë në formulimin e politikës për të huajt, sepse bllokonin çdo reformim të politikës së imigracionit. Duke filluar nga vitet e 80-ta e këndej kjo çoi deri edhe tek pasivizimi i partive tjera në këtë drejtim. Kjo thjeshtë nga kalkulimi : «nëse ne vazhdojmë me reformat tona mëtutje do të pësojmë humbje edhe më të mëdha në votime».

Nëse Zvicra do të ishte e përballur me një imigracion nga një rajon tjetër, pra me një migracion nga Gjermania e jo nga Ballkani, a do të kishte SVP megjithatë shanse për tu bërë kaq e fortë si tani?

Dr. Damir Skenderovic: Njëri nga rezultatet me rëndësi i studimit tonë është edhe konstatimi se partitë e së djathtës populiste kanë kontribuar shumë në kulturalizimin e diskutimeve rreth migracionit. Ata jepnin dhe japin interpretime rreth fenomeneve të migracionit, interpretime që kanë të bëjnë me dallimet kulturore ndërmjet popullatës vendëse dhe grupeve të ndryshme të imigrantëve. Me këtë ata kanë ndërtuar një logjikë të përjashtimit ose inkuadrimit që bazohet në dallimet kulturore. Më lejoni të bëj një krahasim konkret, një shembull: nëse dikush vjen nga Gjermania ose Holanda në Zvicër atëherë thuhet se ai vjen nga i njëjti «rreth kulturor» dhe se ai e di se cilat janë normat dhe zakonet këtu, se ai di se si njeriu sillet në këtë vend dhe me të kemi më pak probleme. Ndërsa nëse dikush vjen nga ndonjë vend jashtevropian, në veçanti nga vendet arabe ose nga vende të caktuara të Evropës juglindore atëherë thuhet se ai i takon një «rrethi të huaj kulturor», të cilin është shumë rëndë për ta integruar.

Së pari: është gabim që të krijosh një lidhje ndërmjet kulturës së origjinës dhe mënyrës së sjelljes, pra ndërmjet origjinës dhe sjelljes. Në këtë kontekst injorohen faktorë tjerë shumë më relevantë si statusi social, arsimimi, situata socioekonomike, etj, faktorë këta që kanë shumë më shumë ndikim në sjelljen e njeriut se sa gjitha të tjerat. E dyta: njeriu niset nga një definim statik i kulturës dhe mendon se ai nuk pëson ndryshime pavarësisht se cilave ndikime i u është nënshtruar. E treta: Ky mendim bazohet  në gjenerailizime dhe nuk merr parasysh dallimet që bartë çdo individ për vete.

Ky kulturalizim ka çuar deri në përjashtimin e «tjetrit», të emigrantit. Në Evropën juglindore njerëzit thuan se Zvicra atje luan një rol domethënës si «faktor për instalimin e paqes» dhe si «specialiste e multikulturalizmit», ndërsa në «shtëpi» zhvillon një politikë përjashtuese ndaj imigrantëve. A nuk është kjo një kontradiktë?

Dr. Damir Skenderovic: Si shumë vende të tjera edhe Zvicra është pluraliste. Në këtë vend ekziston një traditë e gjatë e të qenurit i hapur, një traditë e të drejtave të njeriut, kozmopolitizmit dhe angazhimit humanitar, madje edhe ndërmjet grupeve që prijnë diskutimin e temave mbi imigracionin.

Me rëndësi është – dhe kjo vlen për çdo vend dhe jo vetëm për Zvicrën – që çdo shoqëri t’ia parashtrojë këtë pyetje vetes: në bazë të cilave tipare perceptohet «tjetri»? Cilat tipare i përcaktohen atij dhe pse? Kush dhe pse ka nevojë për ta identifikuar «tjetrin» si të tillë? Historia më re në Evropën juglindore na dëshmon se mekanizma të tilla të të menduarit kanë po të njëjtën mostër, mekanizma që atje fatkeqësisht mbaruan në një katastrofë.

Siç e dini ju politika në shumicën e vendeve të Evropës juglindore vazhdon të jetë një politikë e parimit të identifikimit të «tjetrit». Identiteti kulturor, nacional dhe etnik vazhdon të konsiderohet si kriteri kryesor i përkatësisë që mban të bashkuar grupin, kriter ky që ndikon në gjithë jetën e individit atje. Njeriu lind në një bashkësi të caktuar etnike dhe kështu e ka një «kartë identiteti» të përjetshme, e cila e formon atë si njeri. Sjellja individuale përcaktohet nga identiteti kulturor e etnik, jo nga statusi social i tij; se ç’profesion, ç’përgatitje profesionale ka e kështu me radhë. Këtë lloj të të menduari e gjeni gjithandej; në Zvicër, në Evropën juglindore në ShBA…

Për Zvicrën, shikuar nga jashtë, një sjellje e tillë habit. Kjo për arsye se Zvicra shumëkund gëzon imazhin e një vendi multikulturor, dhe merret si shembull në këtë drejtim, si një shoqëri që vërtet ia ka arritur jo vetëm që të harmonizojë katër kultura dhe gjuhë të ndryshme, por edhe të krijojë institucione dhe mekanizma vendosëse që e mundësojnë një bashkëveprim të efektshëm. E vetmja ngecje në këtë drejtim ndodhë në transformimin e këtij «multikulturalizmi vendës» në një «multikulturalizëm të ri», cili është tepër me rëndësi për shoqërinë e sotme me shumë emigrantë.

Dr. Damir Skenderovic

Ka mbaruar Historinë e Kohës, Historinë e Re, Etnologjinë dhe Gazetarinë në Universitetin e Freiburgut. 1999 – 2002 ka studiuar në Qendrën për Studime Evropiane të Universitetit të Nju Jorkut.  Ka qenë bashkëpunëtor shkencor në projektin  «Racizmi dhe politika në vitet e nëntëdhjeta», të cilin e udhëhiqte profesori i njohur Urs Altermatt. Disertacionin e ka mbrojtur me temën «E djathta radikale në Zvicër. Kontinuitete të pasluftës dhe transformime të reja». Përpos studimit «Partitë e djathta populiste dhe politika zvicerane e migracionit»,  ai është edhe bashkudhëheqës i Projektit të Fondit Nacional Zviceran SNF «Gjuha dhe politika e identitetit». Aktualisht është profesor ordinar dhe ligjëron në Universitetin e Freiburgut dhe atë të Lucernit.

.

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...