Meliza, ditën studente natën prostitute

Në Zvicër prostitucioni është legal. Si vendësit ashtu edhe të huajt (komunitetet) ndihmojnë dukshëm në zhvillimin e këtij «biznesi». ndër këto të huaj, padyshim se një rol të veçantë luajnë edhe shqiptarët. Shumica e pjestarëve të këtij komuniteti janë të interesuar që mos flitet fare për probleme të këtij karakteri, pasi sipas tyre ato janë shpifje e armikut.  Një pjesë e sheh si të arsyeshme ekzistencën e fenomeneve të tilla. Ndërkaq ka edhe të tillë që prostitucionin e kanë zgjdhur si profesion mbijetimi. A ekziston prostitucioni tek shqiptarët e Zvicrës?

Jeta e dyfishtë

Meliza J. bën jetë të dyfishtë. Ditën studion në njërin nga Univerzitetet e Zvicrës, ndërsa natën punon për një «agjenci shoqërimi». Kështu quhen zyrat për shitjen e femrave. Cmimi i saj, për një orë,  është katërqind franka zvicerane. Ajo është e pajisur me një telefon dore (natel) dhe veturë opel-kadet. Gjatë një nate ndodh që të ketë deri më pesë porosira. Që do të thotë ajo fiton dymijë franka. Njëzet përqind prej të cilave duhet t`ia japë shefit të saj. Përse erdhi Meliza J. deri në këtë situatë? Para dy vitesh, në Tiranë Meliza njohton zviceranin Beat Kelin, pronar i një firme në Olten. «Që në takimin e parë u dashuruam. Ju nuk do të besoni, por ishte vërtet një dashuri pa prapavijë.», përpiqet të na bindë Meliza, edhe pse ne nuk treguam asnjë shenjë dyshimi. Pas dy ditëve, nga njohtimi i parë i tyre, dy të porsadashuruarit kurorizohen në konsullatën zvicerane në Tiranë. «Pas mbërritjes sime në Zvicër, qëllimi kryesor ishte që të regjistrohem në njërin nga universitetet e këtij vendi» thotë Meliza, duke larguar flokët e derdhura nga sytë. Në Tiranë, ajo ka të mbaruar një vit të fakultetit ekonomik. Të njetin fakultet është duke zhvilluar edhe këtu. Nuk shkon më shumë se tetë muaj, kur Meliza tash më ka mbaruar semestrin e parë, fillojnë problemet bashkëshortore: «Ai kishte pasur për qëllim që unë t`i shërbejë si skllave. Gjithmonë tentonte të më bind se ne të Lindjes nuk mund të kryejmë shkollë në Zvicër. Jemi të paaftë për një gjë të tillë…». Ky mendim mbizotëron tek shumica e zviceranëve që kanë kryer nga një zanat apo shkollë të mesme profesionale. Pas një viti e gjysmë bashkëshortësi Meliza J. ndahet me gjyq nga burri dhe fillon jetën e saj të pavarur. Ajo ka pasur fat që gjyqi ka lejuar qëndrimin e saj këtu. E pavarur po, por prej nga të ardhurat për të finansuar shkollimin dhe për të siguruar ekzistencën. Për të arsyetuar punën e tanishme, Meliza nevrikoset: «Tërë kohën kam kërkuar punë pa sukses. Lusja njerëz që i njihja nëpër Olten për të më ndihmuar. Ata iknin. Disa prej tyre, bëheshin zemërgjërë dhe më ofronin ndihmë. Mirëpo ndihma e tyre shtrohej me një kusht: si këmbim t`ua falë trupin sa herë që t`u kujtohet…». Këto «disa» Meliza thotë se janë të gjithë shqiptarë, që më herët i kanë mbajtur ligjerata se si një shqiptare nuk mund të jetojë me një të huaj etj. etj. Tipike! Për të shkatërruar shqiptarët e zënë vendin e parë, ndërsa për të ndihmuar diçka atëherë të kërkojnë….! Kur Meliza J. konstaton se s`ka asnjë ndihmë, atëherë vendos që të kthehet në vendlindjen e saj. «Për fat një shoqe e kursit nga Rusia më njohtoi për punën që ajo bën për të finansuar shkollimin. Ajo më ndihmoi që të dalë nga kriza..» Rusët na kanë dalë në «ndihmë» ne shqiptarëve në çdo krizë apo jo..? Gjetjen e agjencisë «Escort service» kjo shqiptare e re e quan fat! Sot kur ajo bisedon me ne, nuk skuqet fare për «aktivitetin e saj të natës». Familja e saj në Shqipëri mendon se ka një vajzë që është duke studiuar në Evropë. «Vetëm vëllau im i madh di për punën që bëj. Ai jeton këtu në Zvicër. Është i martuar me një plakë për arsye të letrave». Flet me krenari Meliza për familjen e saj, e cila gjendet në rrugë të ekspres-pasurimit. Melizës i duhen edhe gjashtë muaj të merret me këtë «profesion» dhe pastaj nuk do të punojë më për agjencinë në fjalë. Së paku ajo kështu deklaron. Ndërkaq ne e dijmë se fakulteti , të cilin ka filluar zgjat pesë vite! Dhashtë Zoti që Meliza mos të qëndrojë në këtë pozitë deri në mbarimin e plotë të fakultetit.

Versionet e shumta të një historie

Për të kompletuar sa më shumë të dhëna rreth fatit të Melizës kërkojmë nga ish-burri i saj Beat Kälin një takim. Tridhjetvjeçari ka ngulur kokën në njërën nga maqinat e tij dhe na lutë që të presim pakë. «Po të doja unë, ajo nuk do të qëndronte asnjëherë këtu. Një gjë e tillë u bë me marrëveshje. Mirëpo pas marrëveshjes ajo u xhindos dhe filloi të shpifë. Ka shkuar aq larg saqë edhe në rrethin e miqeve tanë të përbashkët trillon historira nga më të ndryshmet». Beat K. duket si djalë i sinqertë. Në pyetjen tonë, për përpjekjen e tij për të ndaluar Melizën në shkollim e sipër ai deklaron: «Unë e regjistrova në fakultet. Po të mos doja ajo nuk do të kishte mundësi të paguante regjistrimin, as shkollën e gjuhës dhe asgjë tjetër…tani ajo ka të drejtë të flasë çka të dojë». beati nuk dijnte gjë për profesionin e ish-shoqes së saj. Në dalje na luti që të përshëndesim Melizën po e takuam.

Cila histori është e vërtetë? Që të dyja duken të besueshme! Një gjë është tash definitive, e vërtetuar : Meliza J. është prostitute!  Kësaj jete rebeluese, kjo vajzë e re i ka hyrë me qëllim për t`u pasuruar. Mënyra se si ajo do që të pasurohet është tepër e vështirë. Që tani, nga gjestet që ai bën duke biseduar, kuptojmë se është futur në botën e krizave psiqike. Përveç gjithë kësaj ajo është duke thithur hashish. «Kjo më lehtëson pak për të pranuar në shtrat edhe njerëz me konstrukte të çuditshme, që janë krejt kundër shijes sime, pleq të moshuar edhe dy herë më shumë se prindërit e mij, etj.» Meliza para se të fillojë të shes qenien e saj, sigurisht ka menduar se do të mund t`i zgjedh meshkujt. Përkundër faktit që dihet se ata që merren me një gjë të tillë, janë skllave të epshit të atij që paguan. Pasuria e Melizës sillet (sipas saj) rreth njëzet mijë frankave. A do t`i dalin këto të holla asaj në qoftë se pas ndonjë muaji do të duhet të shtrohet në ndonjërën nga klinikat psikiatrike të Zvicrës. Ia bëmë me dije se shërbimet shëndetësore të këtij lloji në këtë vend janë astronomikisht të shtrejnta. Kjo ishte e vetmja gjë që mund t`ia thonim një femre, e cila me plotë «vetëdije» ushtron «profesionin e vet, për një qëllim shumë të qartë: për t`u pasuruar.

Misioni i “psikopatëve”

Falë zemërgjërësisë se Meliza J. dhe koleges së saj ruse Sllavenka Malinov na u mundësua që të organizojmë një takim me zëvendësshefen e tyre Verena Rohr. Kuptohet edhe ky takim, krejt profesional kushtonte katërqind franka në orë. Ajo na tregoi listën prej tetëdhjetë emrash që punonin për këtë zyrë. Trembëdhjetë ndër të cilat me përkatësi shqiptare. «Shqiptaret janë korrekte dhe shumë të kërkuara, sidomos nga bashkëkombasit e tyre…». Nuk u habitëm fare me këtë konstatim të Verenës. Kurreshtjes sonë për të ditur se a ka probleme gjatë këtyre takimeve «ndërshqiptare» iu përgjigj Meliza: «Fare pak. Herë pas here ka ndonjë psikopat, që pasi kryen punën fillon të na mbajë ligjerata mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, çështjen kombëtare, etj. gjëra këto që nuk na hyjnë në punë fare!». Tipike! Pas lezetit shqiptarët e këtij lloji gjithmonë kanë apetit ligjërimi politik, moral e ku ta dijsh çka tjetër.

Inspektori i policisë kundër krimit (kripo) Andrea F., i angazhuar në komisionin kundër prostitucionit në Bernë, ka të dhëna më precize rreth pjesmarrjes së shqiptarëve e shqiptareve në këtë lloj «tregtimi»: «Ju keni patur mundësi të merrni informata vetëm nga një burrim, për arsye se studimi dhe zbulimi i rasteve të tilla, për shkak të natyrës që kanë, është shumë i rëndë. Në mbarrë territorin zviceran këtë «zanat» ushtrojnë më se treqind femra. Pa llogaritur këtu edhe meshkujt – homoseksuelë si dhe organizatorët shqiptarë që jetojnë nga përfitimet që i nxjerrin nga furnizimi i «agjencive të shoqërimit. Pa ndihmën e vetë komunitetit në denoncimin e rasteve të tilla ne nuk do të kemi shumë sukses. Për të parandaluar dikë që mos merret me prostitucion ne duhet të kemi prova kundërligjore. Siç e dijni edhe ju vetëm marrja me prostitucion për burokracinë tonë nuk është vepër kriminele. Nena duhet demaskimi i njerzve që qëndrojnë në prapavijë». Mendimi i këtij ispektori është se shumica e shqiptareve që kryejnë këtë punë janë viktima. Pak ka nga ato që e bëjnë për arsye të tronditjeve psiqike nga pozita sociale apo nga ndonjë arsye tjetër. Lufta e policisë kundër këtij tregtimi seksual, në të shumtën e rasteve edhe dështon. Për arsye sepse viktima që ka se çfarë të dëshmojë para organeve të ndjekjes ka frikë nga shumë faktorë: nga organizatori i shitjes së saj, publikimi i punës që kryen etj. «sidomos tek shqiptaret një vetëdenoncim i tillë është pothuaj vrasës për personen apo personin në fjalë. Në bazë të përvojës sime kam zbuluar diçka: shqiptarët janë seksualist anrkik, mirëpo fshehurazi, ndërkaq hapurazi janë moralistët më të fortë të Evropës», shton inspektori. Asnjë mendimtar shqiptar nuk do të kishte mundur të formulojë më bukur këtë konstatim. Jeta e dyfishtë e Melizës, ndoshta ka të bëjë edhe me mënyrën e jetës morle të shqiptarëve si tërrësi.

Kavalierët dhe shpricat

Për të shkuar në drejtim të Parlamentit zviceran në Bernë duhet të kalosh nëpër rrugën «Bundesgasse». Anash kësaj rruge gjendet një park i vogël, ku fshehen narkotikët dhe shiten femra me çmime fare lirë. Jo si nëpër agjenci. Cmimi më i lartë i këtyre femrave është dyqind franka zvicerane. Me ndihmën e njërit nga nëpunësit e policisë së vendit identifikuam dy shqiptare. Njëra, vendin e punës e kishte në Bundesgasse, ndërkaq tjetra në rrugën kryesore Bern-Freiburg. Mendimi i nëpunësit të policisë se këto që të dyja janë viktima të ndonjë metrapazi na nxiti edhe më shumë për të bërë gjithçka që t`u afrohemi atyre.

Një orë para mesnatës zhytemi në parkun e qendrës së qytetit. Botë në vete: ca njërëz janë shtrirë përreth fontanës së parkut me shprica të përgjakur në duar, një plak dridhet përmbi një karrige, dhjetra gra ecin lartë poshtë duke pritur kavalierët e natës. Ndër to dallojmë trupin e vogël të Nadies. Porsa i afrohemi na thotë shkurtë dhe qartë: «hundert-cvancig». Pranojmë me kusht që të vijë për të pirë bashkë me ne. Tërë kohën jemi të pushtuar nga frika që mos të ikë, porsa të kuptojë se jemi gazetarë. Për ate se jemi shqiptarë, as që patëm ndërmend t`i tregojmë. Sjellja e saj e përmbyllur në vete tregonte qartë se Nadija është viktimë dhe asgjë tjetër. Gjithë ajo që donim ne ishte të dëgjojmë historinë e saj, qoftë edhe e mbushur përplotë të pavërteta. Ajo nuk kishte natyrë llafazanie. pas shumë përpjekjeve dhe premtimeve që do t`ia paguajmë tërë kohën vetëm të qëndrojë me ne, gjoja për të na bërë shoqëri, u çlirua për të thënë ndonjë fjalë. «Jam nga tetova, ju nuk e dijni ku gjindet ai qytet apo…?». Rebeshi i pyetjeve që ia bëmë rreth qytetit në fjalë ishte vetëm një përforcim i maskimit tonë si joshqiptarë. Paragjykimi i nëpunësit të policisë se Nadie Kamberi është viktimë ishte më se i drejtë. Nadia kishte ardhur në Zvicër me premtimin se do të gjejë punë në një apotekë. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të farmacisë në Kosovë dhe flet në mënyrë të përkryer gjuhen angleze.»Dashnori» i saj, gjithashtu nga Tetova, me vizë «B» në Zvicër, e ka «ikur» nga familja duke e mashtruar se në Zvicër do ta martojë. Pas ca ditëve Nadia merr vizën «B» por jo nga «dashnori», por nga një njeri krejtësisht tjetër. Këtë ai e justifikon se ai nuk ka të drejtë të martohet. Ajo do të jetojë tek ai, letrat janë krejt formale! Më vonë kupton Nadia se personi në fjalë është i martuar me zvicerane dhe se ajo duhet të ushtrojë zanatin e shitjes së trupit nëpër sheshet e qyteteve të Zvicrës. Kërcënimet, rrahjet dhe maltretimet, frika nga moskthimi në familje e shtyejnë Nadien që mendërisht të defromohet, të mbyllet në vete dhe të pranojë fatin e paracaktuar nga një kriminel shqiptar. «Nuk kam zgjedhje tjetër përveç se të grumbullojë fshehurazi pak të holla dhe të ikë diku ku nuk do të më gjejë askush». Ajo është e raskapitur, natyra e saj nuk i përkon fare «detyrës» që ushtron. kthimin në familje as që do ta mendojë. Porsa përmendën denoncimin që duhet ta bëjë në polici, u çua nga tavolina dhe iku në terr. Nadia duhet ndihmuar po si?

Policia është e paforcë për të ndihmuar diçka në këtë drejtim. Organizatat tjera që merren me këto probleme ndihmojnë vetëm atëherë kur personi i dëmtuar shkon të kërkojë ndihmë, gjë që ndodh tepër, tepër rrallë. Nadia, sigurisht se nuk është e vetmja viktimë e këtij lloj kriminaliteti. Në mbarë perendimin janë të formuara grupe kontrabandistësh që tregtojnë me vajza të reja shqiptare. Për të parandaluar këtë krim duhet denoncimi i tyre, si nga policitë vendëse ashtu edhe nga organizatat e komuniteteve.

Jeta në autokombi

Pas dy vjetë kurrore me të shoqin e saj Luljeta F. nga Prishtina, le djalin dhe ndahet nga burri. Arsyeja e thjeshtë: ai nuk mund të jetojë vetëm me një mashkull. Vendin e punës e ka përreth stacionit hekurudhor të kryeqytetit, në rrugën kryesore për në Freiburg. Selia: një autokombi i vjetër, në të cilin ka sistemuar orenditë. Një shtrat të gjërë prej lëkurë, frigoriferi, pasqyra dhe një tavolinë me dy karriga. Prej nevojtores (wc) nuk ka asnjë gjurmë. «C`më duhet nevojtorja, a nuk shihni mali a !?» tallet Luli (kërkoi nga që ta thërrisnim kështu) me ne. Kjo grua e e trashë, me një sy më të mbyllur se tjetri, e veshur me pantollona lëkure, nuk ka asnjë dro. Kur i thamë se interesohemi për të shkruar në një gazetë sikur u gëzua: «në gazetë a? pashni Zotin mo ma nxjerrni syretin, se pastaj kush u del n`qoshe krejt baushtellashave. Kam punë boll edhe pa ta». Luli nuk ka frikë nga familja, shteti apo farefisi, por nga vërdallimi i shqiptarëve, të cilët sipas saj, pastaj nuk e lënë «rehat».

Maria Huber, përgjegjëse e sektorit për çështje të grave të huaja, pranë Qendrës Informative për çështje të të huajve është e informuar mirë për gjendjen e grave të implikuara në prostitucion. Ajo na informon për ekzistencën e një projekti që ka të bëjë me ofrimin e ndihmës grave të ardhura nga Lindja, të cilat janë të «angazhuara» në sferën e prostitucionit. «Ne nuk dijmë për të gjithë. Aty ku shohim se nevoitet ndihmë, lëshojmë aktivistët tanë në veprim e sipër. Suksesi i tyre, sa u përket femrave  shqiptare është fare i vogël. Ata frikohen, ikin, nuk duan që punën, që ata bëjnë ta shohin si të dëmshme për jetën e tyre. Disa prej tyre frikohen nga arsye tjera, të njohura për ne. Këtu qëndron problemi tek shteti: duhet sjellë një ligj strikt që parandalon prostitucionin publik, ndërkaq numri i agjencive dhe «klubeve të natës» të zvogëlohet fare ose të shuhen fare». Zonja Huber është kategorike në qëndrimet e veta. Mirëpo zanat, si duket nuk shtypet me dhunë. Historia njerzore na argumenton një gjë të tillë. Deri më sot nuk pati pushtet që mundi të shkul rrënjësisht këtë «zeje të vjetër».

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...