«Shteti më ka rrëmbyer djalin 3-vjeçar»

-thotë prindi shqiptar Ibër Shabanaj me banim në Surssee të Zvicrës. Ndërkaq Labinoti, i biri i tij, tashmë shtatëvjeçar qanë pas prindëve të tij. Nëna e tij vazhdimisht lutë organet që t`ia kthejnë djalin e rrëmbyer. Këtë e bëjnë edhe motrat e vëllezërit e tij. Gjithë këto lutje përfundojnë në vesh të shurdhët. Shteti as që  do të jap sqarime në lidhje me tragjedinë e familjes Shabanaj. Ky rast nuk është i vetmi; nëpër Azilet zvicerane gjenden qindra fëmijë shqiptarë të ndarë nga familjet e tyre. Pse?

Në qytete të ndryshme të Zvicrës ka «azile për fëmijë». Qendra të tilla janë ndërtuar për jetimët ose për ata fëmijë, për të cilët nuk mund të përkujdesen prindët e tyre. Në të shumtën e atyre qendrave mbizotëron një disciplinë e konvikteve klasike të mesjetës. Azilet janë të mbushura plotë me viktima të shoqërisë së pasur zvicerane dhe prindëve që nuk kanë aftësi të mbajnë përgjegjësi për fëmijët e tyre. Nëpër këto qendra ka edhe fëmijë shqiptarësh që punojnë dhe jetojnë këtu. Si aterron një fëmijë shqiptarë nëpër këto qendra; ka raste kur prindët vertet nuk e merritojnë të kenë fëmijë. Ata të zhgënjyer nga pasioni i fëmijëve të tyre  për t`u kyçur në shoqërinë e vendit ku jetojnë përdorin dhunën deri në ekzagjerim, i maltertojnë dhe izolojnë ata nga bota e jashtme. Shpesh fëmijët ikin edhe vetë për të kërkuar ndihmë në organet përkatëse të vendit. Mirëpo ka raste të shumta, kur fëmijët e lazdruar, për t`i ikur kontrollit familjar gënjejnë, ndërkaq organet sociale mezi që presin për të prodhuar edhe ndonjë «jetim» pa verifikuar mirë rastin. Ka edhe raste kur Entet për të Rinjë, bazohen në thashetheme ose vetëm sa për të sanksionuar familjet e të huajve ua marrin fëmijën dhe ua dorrëzojnë në ndonjë azil për fëmijë. Për këtë dëshmon rasti që do të lexoni në këtë reportazh.

REVOLTË PRINDËRORE

Gjurmët formëvule që lenin pas këpucët tona të lagta nga furtuna e përzier me shi e borë, na ndjekën deri në pragun e shtëpisë së Ibër Shabanajt, në Kottenmattstrasse 18, të Surseesë zvicerane. Aty e gjejmë atë të rrethuar nga fëmijët, shoqja dhe kushërinjtë e tij. Shqiptari dyzet e tre vjeçar nuk mund t`ia nis rrëfimit të problemit të tij, pa u shoqëruar herë nga lotët e herë nga revolta e akumuluar gjatë tre viteve të fundit ndaj shtetit, fatit dhe gjithçka që ka ndihmuar në ndarjen më ndjenjëvrarëse të jetës së tij. I thyer në shpirt. Me sy të përlotur numëron cigaret mbi tavolinë. Atë e ka dërrmuar ndarja e dhunshme me djalin e tij më të vogël. Atij, para tre vjetësh,  ia ka rrëmbyer shteti fëmijën dhe ia ka sjellë në një «azil për fëmijë». Labinoti atëherë i ka pasur vetëm katër vjet. Ibra është një njeri i sanksionuar me dënimin më të egër që mund t`i bëhet një prindi, atij ia kanë marrë «sugarin» me zor, siç e quan ai përkëdhelshëm Labinotin që mungon në mesin e familjes së tij.

NË MES DY TEHËVE TË SHPATËS

Ibra, në Zvicër, gjendet më shumë se dy dekada. Si shumë shqiptarë tjerë hallexhinj edhe ky lëshon vendlindjen e vetë, Dobrixhën e Gjakovës, për të punuar në këtë shtet perëndimor me qëllim të sigurimit të ekzistencës së familjes së tij. (Kur bëjmë fjalë për familjen shqiptare, nuk duhet të nënkuptojmë vetëm të shoqen dhe fëmijët e tij, por aty duhet të llogarisim edhe vëllezërit, motrat, prindët etj.) Në dekadën e parë, pra dhjetë vitet e para, Ibra, vazhdimisht bën një luftë gërryese shpirtërore me vetminë. Relacioni punë-banesë dhe anasjelltas nuk i ka mundësuar atij heqjen e mallit dhe lehtësimin e vuajtjes për familjen që e ka lënë dy mijë kilometra larg Surseesë. Një fat tipik që personifikon jetën e miliona mërgimtarëve. Pas dhjetë viteve ai arrijnë që të plotësojë dëshirën për t`u bërë bashkë me pasardhësit e tij; «gjatë natës çohesha nga gjumi dhe ulesha përballë shtretërve me orë të tërra duke shikuar fëmijët dhe të shoqen. Më dukej vetja sikur të kem triumfuar mbi fatin që  dhunshëm donte të ma imponojë jeta. Nuk kishte gëzim të madh se sa të kesh fëmijët gjithmonë pranë vetes»- përkujton Ibra ditët e para të sjelljes së familjes së tij në Zvicër. Ashtu siç ndrrojnë stinët e vitit, ndrrojnë edhe etapat e fatit të njeriut; nuk shkon gjatë Ibra fillon të ketë presion nga pjestarët e rrethit të gjërë të familjes, të cilëve për shkak të harxhimeve të larta që ka Zvicra për familjet, ai nuk arrijnë më t`i financojë  ata. Presion që këtë njeri e vë në mes dy teheve të shpatës; nëse i ndanë paratë edhe për në atdhe, atëherë nuk do të mundet të mbajë familjen këtu, nëse e largon familjen atëherë do të fillojë ajo lufta e tmerrshme me vetminë, që Ibra nuk ka dashur t`i kthehet në asnjë mënyrë. I zhgënjyer, i vrarë në shpirt, i irrituar, si shumë tjerë, shpëtimin e kërkon tek gjetja e momenteve për t`i ikur realitetit, si disa vjetë më parë, gjatë qëndrimit larg fëmijëve të tij. Dhe ilaçi i ikjes nga realiteti, fatekqësisht, si për shumicën e njerzve në pozitën e Ibrës, është alkooli. Ai fillon të pijë për të mos iu paraqitur ëndrrat qortuese të antarëve të familjës së tij, duke e akuzuar atë për harrim apo distancim nga familja e tij që e ka rritur dhe bërë për të dalë në botën e jashtme. Ibra e di që alkooli nuk është shpëtimi  nga realiteti vrasës i jetës së tij, mirëpo ai nuk ka gjetur rrugëdalje tjetër. Ankesat e tij në organet e shtetit kanë përfunduar në shportë të hedhurinave. Fëmijët kanë qenë të vegjël dhe për të shoqen e tij ka qenë e pamundur ndonjë punësim, kur kihet parasyshë detyra e saj përkujdesëse për pesë fëmijët e mitur. Ibra si çdo i dehur tjetër, ulurinë shkallëve të banesës gjatë kthimit në orët e vonëta. Fillojnë telefonatat e fqinjëve në polici. «Për çdo natë kishim nga katër -pesë telefona nga banues të pallatit që ankoheshin për zhurmën që bënte Ibër Shabanaj»- thotë njëri nga nëpunësit e policisë së Surseesë. Me këtë fillon edhe historia që do të finalizohet me tmerrin e marrjes së fëmiut të tij më të vogël nga «Jugendamti» (Enti për të Rinj) i qytetit.

ZVICRA DHE EPOKA E JENICERËVE

Nëse dikush nuk ka kuptuar për gjendjen e të atit të tij apo për problemet e familjes ka qenë Labinoti trevjeçar, që sapo ka filluar të qëndrojë disa sekonda në këmbë dhe mezi që prodhon disa fjalë me dhëmbët e tij të porsadalur. Në derë paraqiten nëpunës të entit social që fillojnë presionin ndaj familjes për të denoncuar prindin si keqpërdoures i harmonisë dhe zhvillimit normal të fëmijëve. Ata u kërcënohen të gjithëve. «Edhe unë kisha presion në shkollë dhe në entin social për një gjë të tillë»- tregon vajza e tij e dytë Afërdita. Nëpunësit e Entit social kanë vendosur që ta sanksionojnë kosovarin Ibër Shabanaj me çdo kusht. Edhe pse kundër të gjitha ligjeve ekzistuese atij ia ndërprejnë rrogën deri sa të dorrëzojë Labinotin në «azilin për fëmijë». Pse? Kur e ëma e tij Hajnishahu, motrat dhe vëllezërit e Labinotit janë kallëzuesi më i mirë i një edukimi të drejtë familjar si dhe faktor i pakontestueshëm për tu përkujesur për të. Edhe kushërirja e tyre që banon një kat më lartë Nuria ka garantuar se mund të përkujdeset për Labinotin. Mos vallë Jugendamti i Surseesë i ka rritur fëmijët e tjerë të familjes Shabanaj që sot, bile kanë krijuar edhe familjet e veta dhe flasin gjermanishten më shumë se sa gjuhën shqipe (gjë që nuk është e drejtë ndaj gjuhës së tyre amtare). Apo mos vallë duan zyrtarët e Innerschweiz-it që fëmijët e Shabanajt ta shkoqin fare nga truri gjuhën e nënes së tyre. Kësaj pune ekspertët ia kanë venë emrin asimilim e jo integrim siç do që ta kualifikojë ndonjë politikan i Lucernit gjatë deklaratave të tij në mas mediat zvicerane.

Përshkrimi i ditës së marrjes së Labinotit nga shtëpia, që na e bën e ëma e tij Hajnishahja, i përngjan një drame eskiliane dhe përnjëherësh teatrit absurd të Beketit; «ai qante dhe fshehej nëpër dollapët e banesës që mos e gjejnë. Ata e kërkonin si të tërbuar…»- Hajnishahu duke rrëfyer këtë akt të dramës, që do të zgjasë katër vjet, vazhdimisht heq lotët nga fytyra e saj.  A ende nuk paska perënduar shekulli i XIV-të?- bëri kolegu im, të cilit seç i kishte rënë në kokë një skenë historike e kohës së osmanlinjve kur kanë marrë me dhunë fëmijët shqiptarë për t`i bërë ata jeniçerë. Kohë pas kohe, Ibra tashmë i përlotur, duke ngulçuar ndërpet të shoqen; «ma kanë marrë djalin, atë që më hiqte të gjitha vuajtjet dhe lodhjen që e sjellja në shtëpi për shkak të punës së rënde». Përshkrimi i Entit Social se kemi të bëjmë me një njeri që përdor dhunën jo vetëm që u demantua nga deklarat e pjestarëve të familjes që ne i intervistuam veç e veç, por as te Ibra sado që ta psikologjisnim nuk të lënte një përshtypje të tillë. Nëse dikush vajin pas fëmijës e konsideron so dhunë atëherë, kemi të bëjmë me një konceptim të çuditshëm të dashurisë prindërore.

DEFORMIMI I LIGJIT NË PRAKTIKË

Enti Social dhe Jugendamti ia mbajnë të vetes dhe vazhdojnë të thonë se më së miri Labinoti të qëndrojë në qendrën e përcaktuar. Ata as që duan të dëgjojnë për ligjet që kanë shkelur gjatë kësaj procedure.  Sepse ligji thotë; «1. një fëmijë mund t`iu merret prindëve vetëm në rast se ata që të dy janë nuk janë në gjendje për t`u përkujdesur për të, 2. nëse ata nuk gjenden në mesin e të gjallëve dhe 3. Nëse kosntatohet me dëshmi se ndaj fëmijës është duke u ushtruar ndonjë keqpërdorim si dhuna, keqtrajtimi etj.». Rasti i familjes së Ibër Shabanajt nuk përkon fare me situatat që i parasheh ligji. Dëshmitë për keqpërdorime ata thonë se nuk i kanë, për shkak të mbylljes në vete së familjes shqiptare. Nga ana tjetër familja e Labinotit akuzon shtetin t`ua ketë rrëmbyer fëmijën pa të drejtë. Avokatin e familjes Hans Büri si duket e ka kapluar gjumi i arrushave të alpeve zvicerane. Ai flen dhe një zot e di se kur e ka ndërmend për t`u zgjuar që të kërkojë drejtësi në emër të kësaj familjeje. Ibra tashmë e di se alkooli nuk i ndihmon dot për të kthyer djalin në shtëpi: «tash më ka mbetur vetëm të luaj mendsh. Tërrë ditën e kaloi duke menduar në djalin tim. Nuk mund të kuptoj se si ka mundësi të ketë një ligj të tillë, që lejon që dikush, kur t`i teket të ta marrë fëminë». Ibra ka të drejtë. A ka një ligj të tillë? Jo. Ka të atillë që keqpërdorin ligjin dhe askush nuk u bë zë. Tekefundit; Ibra është një i huaj, atij nuk i beson askush. Ai është pjestar i një komuniteti që s`ka asnjë zë zyrtar. Një shqiptar nga Kosova me një imazh të urryer nga opinioni vendës.

Po ç`thotë Labinoti?

«KAZERMA» E FËMIJËVE:  «TITLISBLICK»

E ejte. Në ora 15.30 kemi lënë takimin në «azilin për fëmijë: Titlis-blick» që gjendet në Wesenlinring- një paralagje e fshehur e qytetit të Lucernit. Labinoti ende nuk është kthyer nga «Kopshti i fëmijëve», që gjendet ca dhjetëmetra më largë. Në korridore mbizotëron era e urinës. Dyert e hapura na bëjnë të mundur që të shohim shtretërit e deformuar ushtarakë, të vënë një mbi një, me një tavolinë si ato të burgjeve në mes dhe aty këtu nga një vizatim i Kalimeros apo Miki Mausëve të Diznilendit. Lukasi, katërvjeçar, një fëmijë që ka fatin e njejtë me Labintoin na sulmon vazhdimisht me lojrat e tij duke na rënë në kokë. Atij ia tërheq vërjetjen një grua sipmatike me emrin Sabine, e cila na ndjekte pas duke lëshuar nga një buzëqeshje, që ia nxjerrte në pah gjysmën e dhëmbëve të nxirë. Ajo ishte e sjellshme dhe përpiqej të luajë rolin absurd të zëvendësimit të nënës për gjithë ato fëmijë fatkqinj. Me ne ishte edhe motra e dytë e Labinotit Afërdita, ndaj ne si gazetarë nuk na pranuan për të bërë reportazh për jetën e fëmijëve në ato kulla të ndara nga xhungla e qytetit. Për këtë askujt nuk iu bë vonë as të na japë ndonjë sqarim. Në telefon na thanë; jo dhe pikë. Prandaj ne përdorëm versionin e dytë e  ndoshta të pasinqertë, duke depërtuar aty si njerëz të familjes së Labinotit. Dhe ja Labinoti trupvogël. Iu hodh në prehër motrës së tij duke e përqafuar. Asaj bukuria iu shndrrua në një fytyrë tragjike të shtrembëruar nga dhimbja. Lotët ia prishnin strukturën e makiazhit që kishte vënë në fytyrë. Fillimisht Labinoti nuk donte që të na shikojë në sy për të biseduar me ne. Kishim bërë mirë që me vete kishim Afërsditën, e cila luante rolin e gazetarit që interviston Labinotin; «Ich fühle mich sehr shlecht, doch niemand antwortet  wen ich, am Mitternacht um hilfe bitte» (ndjehem shumë keq. mirëpo askush nuk më përgjigjet kur unë kërkoi ndihmë në mesantë)- bëri vogëlushi në dialektin e bujqëve të Lucernës duke futur kokën ndër jastëkin errëdjersë të shtratit të tij. Përderisa Afërdita përpiqej ta çelë vëllaun e saj ne bastisëm librat që gjendeshin mbi tavolinën e tij. Si duket aty më i lexuari ishte autori Thomas Hungerer, i cili njihet si shkrimtar i përrallave me hajna. Libri i tij i një formati të madh mbante titullin; » Tre hajnat». Ndoshta Labinoti kur do të dalë nga «hajmi» do të ketë marrë një zanat nga literatura e tillë, që një ditë do ta zëvendësonte njërin nga tre personazhët e Hungererit në përditshmërinë e realitetit zviceran, duke u bërë hajn. Thonë se edukata i bën njerëzit. Në banesën e Hajnishahut dhe Ibrës nuk gjetëm asnjë libër të atij karakteri, përveç ca lodrave dhe librave si; «Vitet e shkollës dhe… të Heidit» nga Johana Spyri; «Kuaj dhe ponyt» të Judith Campbellit dhe «Sinchen pas murri» të Ursula Wolfelit. Libra që kanë të bëjnë me dashurinë ndaj kafshëve dhe lojrat e gëzimet ndërmjet fëmijëve të vegjël.

LOTËT AKUZUESE TË VIKTIMËS

Pyetja e Afërditës; çka bën t`i natën para se të të zë gjumi?- na ndërpreu krahasimin që e bënim mbi litetarutën e hajmit dhe shtëpinë e prindëve të Labintotit. Ai me sy të skuqur çoi kokën dhe përgatitit fytyrën sërish për t`ia nisur vajit; «ich brülle, immer vor dem schlaf, brülle ich…». Pse? «Ich will zu meine Papi un mami, ich kann nicht mehr..»- rrahte me grusht mbi shtratin e tij shtatëvjeçari i dënuar me ndarje nga ato që e kanë lindur. Kur i thamë se ne duam që të ndihmojmë për të dalë nga ai «hajm», u çua në këmbë si një burrë i moshuar, dhe na propozoi si miqëve nëse donim t`i shohim fotografitë e tij. Ai u lehtësua, ndërsa ne filluam të kërkojmë rrugën për të ikur nga tregjedia e fëmiut me emrin e shkruar në një dërrasë të Azilit. Ne nuk qëndronim më dot. Shikimi me sytë e përgjakur që na e bënte Labinoti duke na pranuar si të afërm që do t`i ndihmojmë për t`iu kthyer ëndrrave të fëmijërisë në shtratin e vetë, ku nuk do të ketë nevojë të qajë çdoherë para se ta zërë gjumi, therrte ndërgjegjen tonë, prej të rriturve. C`faj ka Labinoti për sjelljen e të rriturve që pa të drejtë ia shkatrrojnë shpirtin duke ia errësuar sytë që në ditët e para të jetës së tij. Labinoti nuk është e vetmja viktimë; viktima të tilla ka me qindra. Fenomen që vërtet duhet bërë të zëshëm; shteti nuk ka të drejtë të marrë fëmijë, sa herë që t`i teket. Veçanarisht kur një gjë e tillë është fare e panevojshme dhe mund të sjell deri tek pasojat e shkatrrimit të familjeve. Ndërsa prindët shqiptarë duhet të mendojnë pak më kthjellshëm për veprimet e tyre ndaj fëmijëve që nuk kanë as kushtet për të «rrujatur lopër me fyell në dorë», sepse tashmë jeta ka fytyrë dhe kondita e zakone të tjera.

Labinoti  nuk donte të lëshojë dorën e motrës së tij. Afërdita mezi e durronte atë skenë të shëmtuar që ishte e detyruar ta përsëri vazhdimisht. Ai na përcolli me ëndrrën se ne së shpejti do t`i kthehemi për ta nxjerrë nga dhoma e tij e thatë, për në shtratin që ka në familjen e tij. Ai ishte i sigurtë se e ëma e tij Hajnishahu nuk do ta përplasë nga kati i dytë i shtratit në dysheme për ta zgjuar nga gjumi siç bën nëpunësja e atij azili për çdo mëngjes, dhe që Labinoti nuk mund ta therras me emrin Nënë, por ashtu siç quhet ajo: Rozmarie.

Labinoti vuante për shkak të mungesës së prindëve të tij. Ndërsa prindët qanin për fëmiun e tyre të rrëmbyer. Si ka hallet ndërgjegja e Jugendamtit të Surseesë në këtë tragjedi?

 

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...