Pablo Neruda – liriku gjenial dhe agjitatori banal

Më 12 korrik të këtij viti u mbushën 100 vjet nga lindja e poetit kilean Neftali Ricardo Reyes y Basualto alias Pablo Neruda: njërit nga lirikët më të lexuar dhe më të kontestuar të shekullit XX. 

Sot ai konsiderohet si njëri nga lirikët me ndikimin më të madh të shekullit njëzet. Me 12 korrik u bënë njëqind vjet nga lindja e tij. Pablo Neruda. Njëherazi poeti më i kontestuar dhe më i lexuar i epokës. Shumë kritikë të sotëm madje Nerudën e kosniderojnë si Picasso të lirikës. Megjithëkëtë, edhe sot e kësaj dite, nuk është i paktë numri i atyre kritikëve e ekspertëve që kanë alergji ndaj kileanit ekstravagant «poetit që artin e vet e vuri në shërbim të marksizëm-stalinizmit dhe ia shtoi jetën edhe më shumë se sa duhej kësaj doktrine vrasëse», thonë ca ekspertë që kanë emër të njohur në shkencat e letërsisë. Instrumentalizimi politik i lirikës nerudiane megjithatë burrimin kryesor e ka tek vetë autori, si në cilësinë e njeriut-qytetarit ashtu edhe në atë të poetit. Edhe sot e kësaj dite, në sfera të caktuara të etérit letrar, mbizotëron bindja se Neruda është sinonimi më adekuat i poetit në shërbim të komunizmit global. Bindje, e cila nuk është edhe e padrejtë. Latinoamerikani Neruda ka prodhuar edhe mjaftë vepra që blloku komunist i përdori për shpëlarje trushë. Libra eksperimental për të poetizuar «Manifestin komunist» të sivllezërve ideologjikë Marks-Engels. Eksperimente të dështuara, jo vetëm se dështoi ai sistem në praktikë, porse Neruda aty ka dështuar si poet. Në krahasim me poetët tjerë socrealistë të kohës ai nuk është as mesatar.
Padrejtësia që bartë me vete ky opinion është rreziku i përgjithësimit dhe viktimëzimit të mbarë veprës lirike të poetit në emër të një fragmenti të jetës, në favor të një segmenti të caktuar, i cili edhe pse i rëndësishëm në biografinë e autorit, është vetëm njëri nga gjymtirët e fizikut korpulent krijues (?) të tij.
Veç postmortum – atëherë kur vepra e një autori mund të merret si e përfunduar – kritika pati mundësi të zbret nga tribuna e flaktë e paragjykimeve, spekulimeve dhe anësimeve në laboratorin e studimit objektiv dhe shkencor sa i përket stilit, kualitetit dhe origjinalitetit të lirikës së Pablo Nerudës. Deri sa ishte gjallë autori opinioni rreth tij – ashtu siç u tha më lartë – ishte i ndarë njejtë si ai rreth blloqeve politike gjatë sundimit të Luftës së Ftohtë: në komunistë dhe antikomunistë (kapitalistë).
Pikërisht për shkak të namit si «lirik i komunizmit në Amerikën Latine» si dhe vajtjeve e ndjetjeve të herëpashershme në vendet e bllokut komunist, u bënë të njohura ndërkombëtarisht vetëm librat me këngë e himne antikapitaliste dhe u përheshtën librat e parë që shënojnë zanafillën e suksesit dhe rëndësisë së tij si lirik.  

HARAÇET E POEZISË POLITIKE

Mirëpo çështja esenciale për t’u sqaruar në këtë kontekst është: sa objektive mund të jetë një teori a kritikë që fiksohet vetëm tek fragmenti e qëllimisht (apo diletantisht) në emër të tij përpiqet ta mohojë tërrësinë e një bote krijuese aq gjigante, shumëdimensionale dhe epokale siç është vepra lirike e Pablo Nerudës. Poezia politike me temë e motiv marksist e Nerudës është madje pjesa më e vogël e krimitarisë së tij.
Kualifikimi i veprës së Nerudës në «poezi të keqe» dhe «poezi të mirë» edhepse iriton absolutistët (rob të motos: ,“s’ka poezi të mirë e të keqe, por vetëm poezi”) dhe ithtarët e përbetuar të tij është definicioni më i drejtë që mund të thuhet për këtë poet, ashtu siç mund të thuhet për çdo poet tjetër, që i ka shërbyer ndonjë «dobësie morale» të kohës në të cilën ka jetuar.

Pablo Neruda, nga njëra anë urrehej nga antikomunistët (në gjithë botën) e nga ana tjetër keqpërdorej në vendet komuniste dhe nga qarqet kulturore të majta të perëndimit si «zëri i shpëtimit human nga fashizmi nëpërmjet idealit komunist».

Tendenca për të vënë veprën e Pablo Nerudës nën optikën e objektivitetit sa vjen e përforcohet. Përtej këtij keq(e pjesërisht drejt)kuptimi – ashtu siç na është servuar edhe regjimet e mëhershme ballkanase – gjatë studimit të veprës së tij përballemi me një poetike jashtëzakonisht komplekse, lirikë që gjatë etapave të zhvillimit të saj (dhe të tij) na përball jo vetëm me stacionet e një poeti në kërkim të unit a origjinalitetit të vet, por edhe me zhvillimin e stileve të modernës e më tepër me aftësinë e harmonizimit të atyre drejtimeve në një majë të vetëm lapsi. Për ta kuptuar drejtë Nerudën, pa rënë pré e manipulimeve jashtëletrare së pari duhet njohur gjithë vepra e tij voluminoze.
E, Rrugëtimi nëpër veprën e tij është gjithçka tjetër se sa i lehtë, sepse nuk kemi të bëjmë me një poet, me një stil, por me shumë poetë, me shumë stile, me një botë plotë specifika të veçanta të kulturës së pasur latinoamerikane dhe me një «animal politique» të majtë që jorrallë e viktimëzon qëllimisht artin në favor të bindjeve ideologjike sikur të kishte të bëjë me një «zambak të sokulluar me një leckë të urinuar», siç e quan peozinë në njërin nga manifestet e tij.
Përveç «rrëshqitjes së tij fatale mbi akullin stalinian» ç’ofron tjetër vepra e poetit Pablo Neruda, i cili qysh në moshën 20 vjeçare, si student bëri një libër me lirikë, që për vite me rradhe ishte bestseller në hapësirën latinoamerikane?

SUKSESI I NJË PSEUDONIMI LATINOÇEK
Neftali Ricardo Reyes y Basualto lindi më 12 korrik të vitit 1904 në qytetin jugor të Kilit me emrin Parral. Disa muaj pas lindjes së tij i vdes e ëma, Rosa, nga tuberkulozi. I ati i tij, një puntor i hekurudhës nuk pret gjatë dhe martohet me një grua tjetër, të cilën – kështu biografët e Nerudës – Ricardo e konsideronte si «një të huaj të rastësishme në jetën e tij». Qysh në moshën dhjetëvjeçare, në «Liceo de Hombres de Temuco» fillon Ricardo të shkruaj poezi dhe artikuj për gazetat lokale. Me të marrë vesh i ati i tij konservativ për vjershat «amorale» të të birit (kryesisht poezi dashurie) ia ndalon kërcënushëm publikimet e mëtejshme. Ricardo – përndryshe qysh si fëmijë me karakter rebeli – i nënshtrohet urdhërit të babait dhe gjatë dy vjetëve të ardhshme nuk do të botoj më gjë.
Në moshën dymbëdhjetvjeçare, rastësisht, në një orë letrare Ricardo kërkon një autogram nga shkrimtarja (e cila më vonë do marë çmimin nobel për letërsi) Gabriela Mistral. Ende pa përfunduar mbiemrin e Ricardos në faqen e librit të saj, Mistral çohet në këmbë dhe e përqafon poetin e ardhshëm duke e lutur që të «shkel urdhërin e babait» e të vazhdoj të shkruaj. Kështu edhe ndodhë. Një emër tjetër, por me të njejtin stil dhe elan, pas dy viteve shfaqet në gazetat kileane. Jo Ricardo R. Basulato, por Pablo Neruda. Një pseudonim latinoçek (mbiemrin Neruda Ricardo Basulato e merr në shenjë nderimi ndaj poetit social kombëtar çek Jan Nepomik Neruda 1834 – 1891) që njëzet vjet më vonë do të legalizohet edhe zyrtarisht si firmë e vërtetë e kileanit.
Duke filluar nga viti 1917 e deri në vitin 1920 Pablo Neruda i mbledh të gjitha shpërblimet më të rëndësishme të vendit dhe më gjërë për letërsi. Më 1921, për të «ndjekur gjurmët e nënës» regjistrohet në shkollën e lartë pedagogjike të vendit me pasionin për t’u bërë mësues. Po në këtë kohë, pra në moshën 19 vjeçare, ai boton përmbledhjen e tij të parë «Crepusculario», e cila arrin një sukses mesatar. Gjë që nuk thuhet dot për veprën e tij të dytë «Veinte poemas de amor y una canción desesperada» (Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi), e cila emrin e Pablo Nerudës e bëri tepër të njohur jo vetëm në botën latinoamerikane por në mbarë botën.

JETA OSE POETI SI «ANIMAL POLITIQUE»
Me përfundimin e studimeve për mësues të gjuhes frenge Neruda nuk hyjnë në profesionin e mësuesit, ashtu siç pritej, por në atë të diplomacisë. Më vitin 1927 emërohet si zv/konsul në Rangun të Birmanisë, për të vazhduar mëpastaj si konsul në Sri Lankë (ku funksionon edhe si këshilltar i Kongresit Panhindian), Xhakarta, Singapur etj. Gjatë viteve të qëndrimit në këto vende, i dëshpëruar, i përlarë nga vizionet apokaliptike, dhe i vetmuar deri në depresion shkruan kryeveprën që konsiderohet si bestselleri i lirikës së të gjitha kohërave «Rezidimi në Tokë».
Vitet e mëvonta i kalon si konsul në vendet si Argjentina dhe Spanja ku edhe shkruan veprën tjetër të rëndësishme « España el corazón» (Spanja në zemër).
Viti 1945, pas kthimit nga Spanja, Pablo Neruda angazhohet aktivisht në skenën politike të vendit: më 18 tetor 1945 zgjidhet si senator i Partisë Komunsite të Kilit, post të cilin ai e humb me publikimin e shkrimit kundër presidentit Gabriel Videla (të cilin e ndihmon gjatë elektoratit) «Yo acuso» (Unë akuzoj) dhe kërkohet me fletarrest. Falë popullaritetit të madh të Nerudës regjimi nuk e zbulon dot vendqëndrimin e tij. Një vit më vonë detyrohet të emigrojë. Stacionet: Argjentinë dhe natyrisht Moskë, pastaj në Varshave dhe Budapest, për të përfunduar pastaj në Mexiko Cyti.
Në vitin 1950 Pablo Neruda bashkë me poetin turk (poashtu emigrant) Nazim Hikmet fiton «çmimin ndërkombëtar për letërsi» të Bashkimit Sovjetik. Tre vite më vonë po nga i njejti vend shpërmblimin «Stalin». Shpërblim të cilin ai e «kthen prapë» pas vdekjes së diaktorit rus më 1956, kur Nikita Hrushov zbulon krimet staliniane. Nga kjo pikë fillon Neruda ti «rishikojë» bindjet e tija rreth komunizmit, gjë që vërehet qartë në veprat e botuara pas kësaj date. Në të njejtën kohë vendos të kthehet në atdhe. Atje ai tashmë nuk arrestohet por zgjidhet si kryetar i «Lidhjes së Shkrimtarëve» të vendit.
13 vite më vonë, Partia Komuniste e Kilit fut Nerudën si kandidat për president të vendit, nga e cila kandidaturë tërhiqet në favor të mikut të tij të ngushtë, socialistit Salvador Allende, i cili pas zgjedhjes plotëson dëshirën e Nerudës për ta dërguar si ambasador në Francë. Më 21 tetor të vitit 1971 Neruda merr çmimin Nobel për Letërsi. Një vit më vonë, i sëmurë nga kanceri, tërhiqet nga posti i ambasadorit për të përgatitur veprat e mbetura në dorrëshkrim.
Deri në grahmën e fundit Pablo Neruda nuk tërhiqet nga përzierja në politikë. Në vitin 1973 e publikon librin, shkatrrues për famën e tij, si poet me titullin «Nxitje për vrasje të Niksonit dhe lëvdata për revolucionin kilean». Më 11 shtator të po të njejtin vit, në atdheun e tij jep shpirt demokracia, duke u zëvendësuar me juntën ushtarake të Pinoçetit. Një ditë më vonë demolohet shtëpia e tij në Santiago, ndërsa me 24 shtator vdes Pablo Neruda.
Gjatë jetës së tij Pablo Neruda shkruajti më shumë se dyzet përmbledhje me poezi, përkthime dhe mijëra reportazhe e artikuj të ndryshëm. Pesë nga veprat e fundit të tij u botuan pas vdekjes së tij.
I rritur jetim. Në konflikt të përhershëm me njerkën; i formuar në kushte të mjerimit social e ekonomik dhe në një qytet ku mbizotëronin; varf
ria dhe epidemitë; i ati i tij konservativ përpiqet t’ia ndalojë dhuntinë dhe pasionin për të cilin ai jeton: Letërsinë; atdheu i tij vlon nga brigadat fashiste dhe naziste; si konsul përballet drejtëpërdrejtë me jetën nën kolonitë perëndimore – a nuk janë këto predispozitat më të përsosura për ta detyruar intelektualin e atëhershëm që të pranojë si fé doktrinën komuniste?

VEPRA: POETIKA E KLAUSTROFOBISË
Poezitë e para, të botuara në formë vepre, të Pablo Nerudës janë në ndikim të pararendësve të modernismo-s latinoamerikane, atyre poetëve që njihen si përfaqësues të «poésie pure», tematika kryesore e të cilave përshkohet nga reflektimi i fortë i botës së brendshme – pasqyrimi i pakompromis i gjendjes shpirtërore e frymore të intelegjencies së kohës. Në këtë frymë janë ngritur veprat: «Crepusculario» (e përkthyer në gjuhë të ndryshme si «Muzgu i mbrëmjes dhe agimi», Santiago 1923) dhe «Veinte poemas de amor y una canción desesperada» («Njëzet peozi dashurie dhe një këngë dëshpërimi», 1924).
Me veprën «Tentativa del hombre infinito» («Përpjekje e njeriut të pafundshëm»,1926) Neruda shihet se po braktis modernizmin latinoamerikan të «poezisë së pastër» dhe kërkon strehim në rrymat e avantgardës evropiane të kohës. Pjesa dërrmuese e veprës është ndikuar sidomos nga surrealistët francezë. Edhe në veprat tjera pas këtyre vërrehen ndikimet e formave dhe rrymave të ndryshme në poezinë e Nerudës. Megjithëkëtë nuk mund të flitet për një poet të patalentuar që jeton nga kolazhi i formave dhe temave për të bërë artefaktin me firmë të veten. Vërtetësinë e kësaj teze e konfimron kryevepra e Pablo Nerudës «Residencia en la tierra» («Rezidimi në Tokë» 1933). Arsenali simbolik e metaforik, që autori e përdor në poezinë e kësaj përmbledhjeje, nuk përngjason më me temat e «besuara» të puristëve, as me ato të surrealizmit francez e më hiç nuk u ngjan atyre të frymëzuesit të tij në kohën e pubërtetit, lirikut Carlos Sabat Ercaty nga Uruguai.
Me «Residencia en la tierra» Neruda vulos stilin e vetë poetik, por duke mbetur në kategorinë e autorëve të «poetikës së brendshmërisë»: imazhet gjuhësore; forma dhe mënyra e konstruimit të tonit brenda vargjeve; kontinuiteti formëmjaltë i skenës poetike; sidomos tematizimi i shpirtit të epokës dhe publikimi i tij në formë lirike, të përpijshme nga të gjitha shtresat etj. bëjnë që poezia e Nerudës të shndrrohet në njërën nga «manifestet» më efektive në Historinë e Letërsisë, sa i përket «infektimit» lirik të masave, dhe atë në plan global.
Këtë vepër Neruda e shkruan në fazën më të keqe të jetës së tij, atëkohë kur jetën e tij e mbizotëronte vetmia e thellë, neveria ndaj një bote, së cilës kufomat i shërbenin si dekoracion urban dhe vdekjen e kishte të vetmen rit ceremonial e shkak festimesh. Pa asnjë mundësi ikjeje ai ishte i detyruar ta përcjell me sy çdo ditë – përtej dritareve të rezidencës së tij në Azinë lindore ku shërbente si konsul – tërbimin e njerzve me veti kanibale. Edhepse kjo vepër atij i solli njohjen ndërkombëtare, më vonë Neruda do të vë në dyshim aspektet estetike të saj, madje duke u përpjekur të distancohet nga pjesë të caktuara për shkak të brutalitetit që mbajnë në vete, gjë që nuk ka penguar aspak që në botën e Shkencave të Letërsisë «Residencia en la tierra» të mbetet e respektuar si njëra ndër kryeveprat e lirikës së përmasave universale.

Metamorfoza – braktisja definitive e «poetikës së brendshmërisë» – ndodhë në Spanjë. Atje ku Neruda idolizohej si «mbret i lirkës» nga klubi i letrarëve që festonin 300 vjetorin e poetit të nënçmuar të barokut Luis de Góngora, ndër të cilët gjendeshin edhe F. Garcìa Lorca, R. Alberti, V. Aleixandre etj. Në këtë kohë ai jo vetëm në poezitë që botoheshin në revista të ndryshme letrare parasinjalizonte ndarjen agresive nga e ashtuquajtura «poésie pure», por edhe teoretikisht u vu në luftë aktive kundër saj, duke e bërë manifestin e njohur poetik «Para una poesía sin pureza» (për një «poezi impure»). Apeli për një «poezi të papastër» do të definohet në mënyrën: «e shpërdorrur nga puna e dorrës si nga të tharti, e përzier me djers, erë urine dhe aromë zambaku». Poezitë e atykëtushme dhe manifestin do ta kompletoj në vitin 1937 me veprën «España en el corazón» (Spanja në zemër). Prej këtu fillon Pablo Neruda, njeriu i angazhuar politik dhe peoti kritik, të marrë anën politike, duke u bërë njëherazi zë i të majtëve në Luftën Qytetare të Spanjës kundër Juntës fashiste të Frankos. Shumica e analistëve mendojnë se: Neruda hyjnë në komunizëm pikërisht në kohën kur jeton në Spanjë për shkak të miqësisë me Lorca-n. Kritikës pse Neruda nuk i mbetet besnik asaj që e njeh më së miri, natyrës, ai i përgjigjet me poezinë e njohur deklarative «Explico algunas cosas» («Sqarimi i ca gjërave»):

«Ju pyetni pse Poetika e tij
nuk rrëfen për Tokën, për gjethet
për vulkanët e mëdhenj të atdheut të tij?
Ejani, shihni gjakun rrugëve,
ejani shihni
gjakun nëpër rrugë,
ejani shihni pra gjakun rrugëve

…..
Me rënien në kontakt me ideologjinë e komunizmit natyrisht se nis edhe faza e afrimit thellë e më thellë me të të ashtuquajturën letërsi socrealiste. Ithtarët e tij në Perëndim shndrrohen në kundërshtarët më të rreptë, injoruesit e deridjeshëm në vendet e bllokut komunist pas vitit 1949 fillojnë ta përkthejnë dhe mitizojnë. Përtej kësaj gare natyrisht se teorikë dhe shkenctarë të mirëfilltë amerikanë, gjermanë, etj. fillojnë të flasin për «poezinë e bukur apolitike» dhe «atë të keqe politike» të Pablo Nerudës. Kjo ndarje është e saktë në kontekst me cilësinë e lirikës. Jo për arsye se mund të jemi komunistë apo akomunistë, kapitalistë apo fashistë, porse vjershat e Nerudës të shkruara në këtë fazë, në funksion të agjitimit ideologjik s’janë gjë të tjetër veç se parulla të thata ku muzikaliteti, mjeshtëria e plasimit të brendshmërisë nëpërmjet imazheve gjuhësore e strukturore (skenike) humbin paritetin, domethënë humbet zërin ajo këngë aq e bukur latinoamerikane, ajo lirikë e natyrës nerudiane duke u shndrruar në paragrafe të rimëzuara e ritmëzuara me qëllim të poetizimit të «Manifestit Komunist». Artistikisht: eksperiment kot! Neruda – zarzavate për senduiç në luftën mes blloqeve të acarruara ideologjike.
Kulmi i paradës nerudiane në shërbim të partishmërisë, marksizëm-stalinizmit, shënohet me «Odétë elementare» në tre libra e gjithsejt 500 faqe si dhe në veçanti me librin «Las uvas y el viento» («Pëllumbat dhe era», 1954).
Kthimi i tij paralel tek rrënjët sa i përket krijimtarisë së tij nuk i ndihmojnë të ketë respektin e merituar. Krahas poezisë politike socrealiste ai, po në të njejtën kohë boton «Canto General» («Kënga e Madhe», 1950), një ep poetik, homerik për historinë, kolonializimin dhe pavarësimin e popujve autoktonë të Amerikës Latine si dhe vepra «Los versos del capitán» («Vargjet e kapitenit» 1952), poezi kushtuar gruas së tij të tretë Matilde Urrutia ku Neruda bën përkryerjen e lirikës mbi dashurinë, të cilën e ka nisur në veprën «Njëzet peozi dashurie dhe një këngë dëshpërimi» të vitit 1924.
Kjo humbje e virgjërisë së neutralitetit dhe angazhimit jo vetëm intelektual por edhe militant politik i kushton Nerudës injorimin total të tij nga bota jokomuniste deri në vitin 1973, kur në atdheun e tij Kili ndodhë puçi ushtarak dhe në perëndim shpërthen një simpati për rezistencën e poetit, me ç’rast fillon edhe botimi i tij.
Edhe pse nuk duhet injoruar ky fakt: pas zbulimit të maskrave staliniane Neruda nis të shprehë dilemën, dyshimin dhe njëkohësisht zhgënjimin e tij të hapur karshi doktrinës dhe sistemit që për më shumë se 20 vjet aq shumë e kishte hyjnizuar. Falë kësaj gjendjeje Neruda i kthehet vetes, pra atij poeti autokton që ishte para se të mbrrinte në Spanjë. Me librin «Estravagario» («Ekstravagancat», 1958) motivi dhe tema politike zëvendësohen elementet autobiografike, kujtesën dhe natyrën. Në «Estravagario» Neruda për subjekt të lirikës bën sërish veten. Deri në vitin 1961 pasojnë edhe katër përmbledhje të tjera poetike me tema nga më të ndryshmet që për bosht kryesisht kanë botën dhe kulturën latinoamerikane. Prapseprapë Neruda edhe pse braktis mënyrën socrealiste të krijimit si stil ai nuk i tradhton idelaet e tij të majta dhe herë pas herë e nxjer nga një libër «kundër imperializmit, krishterëve të rremë dhe fashistëve» në dritë, siç është rasti me librin e shkruar në formën e epit të vjetër spanik «Canción de gesta» («Epi i heronjve») kushtuar revolucionarëve përreth kubanezit Fidel Castro.
Njëra nga veprat kryesore të Pablo Nerudës në fazën e vontë të tij është «Memorial de Isla Negra» («Memoriali i Isla Negra-s) që është fillimi i «lirikës autobiografike» (1964) e që do të pasohet libra të shumtë që trajtojnë tema si: Dashuria («La baracola», 1967), Natyra dhe Materia («Arte de pajaros, 1969), Politika («Fin del Mundo», 1972) etj.
Në veprat e fundit, me gjithë pesimizmin, dëshpërimin dhe zhgënjimin ai krijon një si testament të shpresës duke u thirrur në forcën e intelegjencies politike që do të ngadhjnjejë mbi sistemet brutale e tiranike. Një thirrje e vonuar? Jo, një apel i bërë në fillim të jetës së tij poetike e që e përsërit në fund të jetës së tij fizike.

DERI NË QINDVJETORIN TJETËR
Neruda vdes duke i mbetur besnik ideologjisë së tij, që e kishte përqafuar që në fëmijëri (kjo shihet nga artikujt e parë të tij). Jo aq ndaj doktrinës komuniste si të tillë, por besnik ndaj «misionit» të tij të përjetshëm për t’i mbrojtur shtresat më të dobta të humanitetit. Ato shtresa që atë e shoqërojnë tërrë jetën; që nga lagjeja e vendlindjes së tij në Parral ku «fëmijët mbanin barkun me dorrë nga uria», e deri në vendet aziatike të kolonizuara ku po të njejtit «fizikusa të imët hyjnin ndër tavolinat e aristokratëve për të mbledhur grimcat e bukës që binin nga tavolina». Nuk do të thotë që ky justifikim e lanë nga mëkatet që ka bërë me himnizimin e një ideologjie që doli po aq e egër si të gjitha diktaturat brutale të historisë së njerëzimit, por ai nuk mund të jetë as shkaku i injorimit të veprës së tij madhështore, lirikës së tij gjeniale, e cila po si në këtë qindvjetor të lindjes së tij do të mbijetojë duke u festuar edhe në shumë qindvjetorë tjerë që pasojnë. Njëra nga aspektet që artin e bën të çuditshëm, psikologjisht misterioz dhe kryesisht të pakapshëm për logjikën e papërkryer njerzore është kontradikta që përmban në vete. Ajo kontradiktë dhe shumëvetësi që karakterizon edhe lirikun gjenial kilean Neftali Ricardo Reyes y Basualto alias Pablo Neruda.
Bernë, 12-13 korrik 2004

Related

Saga mbi derrin në Berlaymont

Recension rreth romanit më të ri të autorit austriak...

Houellebecq – profet apo maniak?

Autori në modë Michel Houellebecq e ka një program...

Madame Bovary, ose arti si mjet tradhtie ndaj femrës

Ajo shkaktoi shembjen e Trojës. Ajo nuk i rezistoi...

Xhamilja ose puropoetika

Dashuria në letërsi – një megatemë komplekse apo aq...

Fantomi i operas – ose historia e shëmtisë, artit dhe dashurisë

Personazhi i fantomit të operës është fascinumi më i...