Recension rreth romanit më të ri të autorit austriak Robert Menasse «Kryeqyteti«, Suhrkamp 2017.
Sidomos nga euroskeptikët dhe mediat konservative evropiane, romani i fundit i shkrimtarit austriak Robert Menasse hasi në kritikë tejet pozitive. Epitetet si «romani më i madh europian», «Apologjia më e bukur për kontinentin» (kupto: oksidentin) e të ngjashme janë refrenet më të përsëritura. Libri i radhitur pas «Origin» të tashmë religjiokonspirantit banal Dan Brown dhe psikotrilerit «Fluganst 7A» të Sebastian Fitzek, radhitet në vendin e tretë të shumicës së listave bestsellerë.
«Kryeqytet» është vërtet roman që duhet lexuar patjetër. Jo se është përnjëmend epokalo-universal për nga tema dhe intensiteti olimpik artistik, nuk është as i dobët, porse ai duhet recipuar pasiqë është autobiografia me e bukur e një letrari që dështon për shkak të vegëlsisë së tij. Robert Menasse instrumentalizon tema aq të mëdha për hakmarrje personale – kjo s’ka dilemë dhe lëndimi është i një historie histerike 15 vjeçare.
PROLOGU – Këndej rrethit Rond-point Robert Schuman: Kush e shpiku mustardën? I mbijetuari i Ausschwitzit David de Vriend, i shtangur në dritaren e tij merret me një enigmë krejt tjetërfare: ç’kërkon ajo derrkuce trukërcyer që është hutuar ashtu para Berlaymontit? Si e ka emrin vallë; mos është vetëm derr e hiç femërore? «Aha» – bën Davidi – «kjo ishte e gjitha, kjo ishte jeta» para se të braktis përfundimisht banesën drejt azilit për pleq matufë.
Brenda në Berlaymont: Cipriotja Fenia Xenopoulou, drejtoresha gjenerale për kulturë e Komisionit Europian vërdallet korridoreve e shkopsitur, zgafulluar edhe më me nervozë se ai derri para pallatit. Ajo e ka një detyrë të rëndë: ta shpëlajë imazhin e nxirë, përtokë të BE-së. E si? S’di njeri. Mblidhet, kopsohet, mbërthehet, shtrëngon rripin e pantallonave ajo dhe vepron si çdo burokrate e zakonshme: Referenti Martin Susman dhe ish-profesori Alois Erhart, shefi i Think-Tank-ut të Komisionit, duhet ta gjejnë një ide dhe atë subito. E këta ende pa marrë frymë sa nevojshëm dinë emrin e lugatit historik që do i nxjerrë nga kriza: Ausschwitzi! Matufi David de Vriend do ta bëjë listën e ende të mbeturve gjallë?
Larg Berlaymont-it, drejt qendrës së kryeqytetit: Komisarit të Policisë për Krime Kapitale i vjen një urdhër ta bëjë të pamundshmen; atij i kërkohet ta mbyll një hetim rreth një vrasje me paramendim që tronditi Brukselin. Për shkaqe politike dhe të sigurisë postnacionale, kontinentale, globale, natyrisht.
Në shesh është tubuar një numër i madh brukselianësh dhe kërkojnë emrin adekuat për derrin e tyre.
KRITIKA – Romani nga një pjesë e kritikës u klasifikua si tragjikomedi redundante, konglomerat pleonastik e i shkapërderdhur qindra librave dhe fejtoneve semifiktive të mediave europiane e asaj që është rithënë aq shumë herë nga inteligjencia në modë e më së tepërmi nga vetë autori. Dhe ajo çka është thënë dhe sintetizueshëm mund të shprehet njëfjalishëm qenka kjo: Bashkësia Europiane është një kolos i mykur që nëse vazhdon kështu nuk e ka gjatë!
E vërtetë. Ky është mesazhi qendror i gjithë «Big Project»-it të Menasses dhe atë që nga viti 2002 e deri sot. Të njëjtin aksion për të imputuar këtë si-aksiomë të «BE-ja drejt dështimit» e ushtrojnë dhjetëra autorë, ndër ta plotë filozofë, politologë dhe historianë prominentë. Megjithatë Menasse dallon nga shumica e tyre: Ky përshkruan historinë në modusin e alarmantit që ka frikë se do të dështojë një ideal i madh europian dhe tenton mobilizimin, sensibilizimin me të gjitha mjetet në disponim, ndërkaq tjerët reflektojnë në kuadër të një prognoze të përmbyllur, në stilin fukujamesk se edhe kjo histori mori fund: BE s’ka shanse!
Ia del Menasse qëllimit të tij apo acaron edhe më shumë diskursin në favor të fundohistorikëve pesimistë?
BRUMI REAL – Në vitin 2002, i financuar nga dy fondacionet «Het beschrijf» (Bruksel) dhe «Admiral Charity Fonds» (Vjenë), Robert Menasse qëndroi për disa muaj në kryeqytetin e BE-së për të «reflektuar mbi oksidentin gjatë natës» – ashtu siç e përshkruan ai rezidimin atje. Po me këtë fjali rreth reflektimit nator mbi «tokat e mbrëmjes» (= Abendland), ai edhe hap librin e tij që rezultoi nga ky qëndrim aty, eseun me titull «Lajmëtari europian – Mllefi i qytetarëve dhe paqja europiane» (Zsolnay: 2002). Pas botimit të këtij libri 100 faqesh Menasse u bë referuesi dhe adresa e parë saherë që duhej një fjalëmbajtës për çështjet europiane salloneve ceremoniale të perëndimit. Në gjithë këtë veprimtari ia foli pozitivisht për burokracinë e Bashkësisë e Evropiane, e cila bëka luftën lapidare kundër diktatit të shteteve nacionale. Kjo kategori administratorësh bënte çmos për të implementuar një kulturë postnacionale (ideali personal i autorit) paneuropiane. Menasse lavdëron gjithandej «sizifët» e kancelarive dhe komisioneve kundër agjencive dhe ministrive nacionale, të cilat janë aty vetëm nga motivi për të zhvat më shumë se tjetra nga fondi i përbashkët dhe asgjë tjetër. Dukuri më se e vërtetë.
Në romanin më të ri të tij mirëpo, në «Kryeqytet» ai rrëzon gjithë këtë superligjeratë që e ndërtoi vetë për 15 vite me radhë.
Çka ndodhi?
Bërthama e romanit është kritika ndaj Komisionit Kulturor të BE-së, respektivisht atyre që donin 50 vjetorin, jubileun e kësaj organizate ta festojnë me «Ausschwitzin» si mnemotopin dydimensional: 1. Po mos të kishte ndodhur holokausti nuk do ekzistonte kjo bashkësi dhe 2. Si alarm për një Europë që duhet të bëjë çmos të mos lejojë luftëra – kështu e zbërthen pjesa dërmuese e kritikës gjermanofone mesazhin parësor të librit. Kur të jemi zhytur në lekturë mirëpo shpejt konstatojmë se ky perceptim, kjo tezë e kritikës është e pamundshme- nuk qëndron aspak. Atë që kritikon autori aty lavdëroi për dekadegjysmë vetë.
Motivi del edhe më i ulët se sa i shkon një shkrimtari të formatit me shumë çmime e epoleta ndërkombëtare.
Romani «Kryeqyteti» është fiksion i ngritur mbi një obsesion që paralajmërohet qysh në librin «Lajmëtari…» (2002). Aty ka një paragraf mizogjin thotë kritiku i gazetës «Die Zeit» Andreas Isenschmid dhe ai i drejtohet
drejtoreshës gjenerale të resorit për kulturë në KE, Themis Christophidou. Isenschmid me siguri flet për kapitullin 8, fq 21, rreshtin e fundit ku Menasse jofiktivisht shkruan: «..ka edhe përjashtime, kur njeriu gjendet në drejtorinë gjenerale për kulturë (mirëpo kjo është një histori tjetër)», kështu ai pas listimit të mrekullive brenda pallatit Berlaymont.
Dhe historia tjetër është ky: Romani «Kryeqyteti» ku kryepersonazhja është Themis Christophidou me emrin e saj fiktiv Fenia Xenopoulou. Është ajo derri që vërdallet sheshit përballë BE-së? Grekja dhe gjithë ata emisarë kombesh, të cilëve as që mund t’ua kap portali madhështinë e idealit të madh europian? Vetëm pyesim nuk paragjykojmë. Si ashtu romani nuk ka dështuar vetëm për këtë gjë.
ESKPERIMENTI LETRAR – Fondi faktografik, real, mbi të cilën ngritën plurirrëfimet e Robert Menasses është fenomenal. Lexuesi që depërton thellë anatomisë mentale të autorit shpejt kupton kolazhin e stileve që përdor (paramendueshëm) ai për ta bërë romanin personal; rrëfimet – përveç kryeprotagonistes dosido – popullohen nga një ensemble «tipash pash veti» musiliainë; biografitë dhe ndodhitë paralele, që i lidhë vetëm hapësira e rrëfimit dhe koincidenca ta fusin frikën se saga do të zgjatë proustianshëm, po aq gjatë, shtatë vëllime duke kërkuar «kohë të humbura», ashtu si në ata romanet ku autori shkruan nateditë duke shpresuar që rrëfimi vetë t’ia tregojë autorit se kur është fundi; jorrallë procesi i rrëfimit ta shkakton diabetin si tek Procesi i Kafkës kur e lexon në botime të ndryshme dhe të bën vazhdimisht të bërtasësh në vete; a nuk ishte ky kapitull para të dytit, ç’kërkon ky këtu tash dhe çka donë të thotë autori me këtë misticizëm të panevojshëm? Robert Menasse megjithatë nuk e ka tempon e Musilit e as shkrimin si mjet shërues siç e përdorte neurotiku Proust. Menasse donë t’ia bëjë procesin Fenia Xenopoulou-së, prandaj edhe i vret gjithë së bashku. Si?
EPILOGU – David de Vriend del nga azili nëpër qytet. Matufëria ka mbërritur kulminacionin. Vërdallet metrostacionit Maelbeek. Një eksplodim i rëndë bën kërdinë. Ndër viktimat jo vetëm David de Vriend por edhe zonja Xenopoulou, referenti i saj Susman dhe ish-profesori Erhart. Aha njëri nga stafi i zonjës i shpëton atentatit me bombë, Oswiecki, i cili vdes më herët në një aksident ngase nuk donte ta shkelë një të mbijetuar të holokaustit që u hodh nga treni.
Duhet thënë se metrostacioni Maelbeek ku Menasse në fund i ekzekuton të gjithë – ngase ai ne roman nuk e thotë – është njeri nga vendet ku më 22 mars të vitit 2016 terroristët islamikë vranë 32 njerëz.
Çka sugjeron me këtë Robert Menasse? Se jo autori por terroristët islamikë do t’ua bëjnë procesin Xenopoulou-ve, Oswieckive, derrave që rrezikojnë BE-në? Pyetjet e kanë një të mirë: janë edhe më të mbrojtura gati se sa fiksionet. Veçanërisht ato që dalin nga lukthi i resentimenteve të një shkrimtari të madh e njeriu jashtëzakonisht të vogël.