Përkitazi me shkrimin „Mbi poezinë e viteve tetëdhjetë në Kosovë”, botuar në ‘Koha ditore’ e datës 15 qershor 2002 të autorit Ismail Syla.
Kohëve të fundit, në masmediat shqiptare po vërehet një tendencë për të vënë në diskutim proceset letrare, respektivisht karakterin e letërsisë së krijuar gjatë kohës gjersa shqiptarët jetonin nën diktatin e shoqërisë moniste. Përpjekje, e cila deri tani ka mbetur brenda kufinjve të hipotezave dhe komenteve të lira, pa ndonjë argumentim të merituar shkencor. Përkundër mangësisë totale në lidhje me materializimin e mendimit që tentojnë ta plasojnë, përpiluesit e teksteve të tilla dalin tepër interesantë dhe atë për arsye të motivit që i inspiron për të ndërmarrë një aksion të tillë si dhe qëllimit që përpiqen ta arrijnë.
Ekzistojnë dy tipe qëndrimesh në këtë drejtim: I pari përbëhet nga autorë që parimisht kultivojnë një “teori” nihiliste karshi gjithçkaje që është bërë deri tani në aspektin kulturor, me pretendimin e ngritjes së një Kulture e Mendimi të Ri shqiptar, pa trashëgiminë – pra në emër të një lloj revolucioni kulturor dhe: Tipi dyti mohon periudha e grupe letrare në favor të ngritjes në piedestal të një grupi, klani ose brezi të caktuar letrar. Përderisa tipi i parë këtë e bën për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve nihiliste ndaj kulturës, ky i dyti – të cilit i takon Ismail Syla – priren nga predisponimi për t’i shërbyer një klani, i cili në bazë të aktiviteteve të deritanishme po shihet se ka aspiratë (nëse Syla përdoret si zëdhënës) që të marrë timonin për të drejtuar politikën kulturore në Kosovë. Me shkrimin (kumtesën) e lexuar në Tryezën e Mitingut të Poezisë e të botuar në ‘Koha ditore’ Ismail Syla nuk dëshmon vetëm gatishmërinë për t’i shërbyer klanit në fjalë por ai ekspozon edhe origjinën e bindjeve të tija që me siguri burrimin e kanë para viteve të tetëdhjeta, – periudhë që ai mëton ta nënçmojë pa sukses – një qëndrim i stërkequr ndaj vlerave artistike, formë qasjeje që ne e njohim nga idhtarët e teorisë zhdanoviane. Pse?
“Hermetizmi: sharlatanizëm estetik?!”
“Kjo poezi (mendohet në atë të viteve të 60 dhe 70 –ta) nga njëra anë ose politizohet dhe bëhet instrument i politikës ditore ose shket në një lloj sharlatanizmi estetik, të një lloj arti për art dhe një mbylljeje hermetike, që edhe si eksperiment nuk e kalon testin themelor të poezisë, atë estetik letrar”. Ismail Syla shkruan se autorë të ndryshëm të këtyre viteve kanë shkruar në interes të politikës së ditës dhe atë duke dëmtuar vlerat e letërsisë shqipe. Autori ka plotësisht të drejtë! Ashtu siç kanë bërë pjesa dërrmuese e shkrimtarëve të painternuar të Shqipërisë Socialiste gjatë pesdhjetë viteve të fundit.
Tepër tendencioz – dhe për rrethanat e sotme në interes të politikës së ditës mbi kulturën – në shkrimin e Ismail Sylës del qëndrimi i tij ndaj “lagjes së shrallatanëve estetik, të një lloj arti për art dhe një mbylljeje hermetike” ku bëjnë pjesë edhe autorët si Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Eqrem Basha, Musa Ramadani, Shaip Beqiri e Ramadan Musliu. Kritikë tipike soc-realiste e formaliste! Jo vetëm se ai përpiqet të hudhë në erë në mënyrë militante autorë të dëshmuar për nga vlerat letrare dhe për nga roli që kanë luajtur për të shkëputur Letërsinë Shqiptare nga shemat famoze të Institutit Gorki, duke ia rihapur kësaj letërsie rrugën e kthimit nën lëkurën e identitetit të vet, por nga mënyra se si ai sillet ndaj rrymave, botërisht të njohura letrare si hermetizmi, asaj “L’art pour art” ose siç e shqipëron autori “art për artin”. Ismail Syla hermetizmin dhe “artin për art” e quan sharlatanizëm estetik. Bombastike! Idioteske!
E, sipas teorisë së z. Syla gjithë simbolistët, që njihen si hermetikët më të thellë si: Baudelaire, Verlaine, Rimbaud, Mallarmé, Verhaeren, Huysmans, Maeterlinck, Swinburne, Wild, d’Anunzio, Jimenez, Dario, Block, Hofmansthal, Rilke, qenkan sharlatanë estetikë. Ani de, pse jo, nëse thotë z. Syla, atëherë…!
Nëse Ismail Syla kur lidh hermetizmin e “art për art” –in mendon në simbolikën e tepruar që kanë pëdorur këta autorë për t’u ikë anatemimeve nga pushteti i atëhershëm, atëherë është diçka tjetër. Por praseprapë nuk ka fare të drejtë. Sepse poezia nuk është pamflet politik ku vritet e pritet e qërrohen hesapet me armiqtë e kombit por artefakt që i ka ca huje të tjera. Ndërkaq sa i përket vlerave të autorëve të sipërpërmendur, se ata kanë dështuar në testet e tyre, ma merr mendja se z. Syla, pasi që merret me kritikë di aq sa duhet për vlerat artistike, estetike e me këtë edhe vlerat kombëtare të këtyre autorëve, pavarrësisht në ato e kanë përqafuar hermetizmin e simbolizmin për qëllime të mbijetesës (që s’e besoj) apo për shkak se shpirtërisht i takojnë asaj garde krijuesish universalë.
Medituesit e plogshtë: Shkreli dhe Podrimja
Me të njejtin ton autori i kumtesës sillet edhe me Din Mehmetin, Ali Podrimjen dhe Azem Shkrelin. Autocenzorë, meditues të plogshtë, injorues të temës së atdheut në veprat e tyre, ripërsëritës etj. Këto kualifikime vënë në pah edhe një segment tjetër të z. Syla: Ai ose nuk i ka lexuar fare veprat e këtyre autorëve, ose i ka shfletuar ato në autobus, ose instinktivisht i urren. Çdo sqarim tjetër, sidomos në lidhje me vlerat poetike të Podrimjes dhe Shkrelit, do të ishte alogjik.
Me theks të veçantë Ismail Syla, në mbarë tekstin e tij, e lidhë vlerën e krijimit artistik me mungesën e temës konkrete mbi atdheun (që padrejtësisht ua mvesh autorëve të apostrofuar). Pra Syla vlerësimet e tij kritike, sipas këtij teksti të botuar, i bën në bazë të asaj se sa gram patriotizëm ka vepra. E, si z. Syla e koncepton patriotizmin, jo, më mirë se si ai arrin të lidhë bindjet e tija patriotiko-letrare njëkohësisht duke punuar më metodën e vlerësimit marksist një Zot e di.
“Fjalori i Gjuhës së Sotme” shpëton letërsinë shqipe
Gjithë këto stigmatizime autori i bën për hapur paragrafin e tij “Ambienti kulturor dhe emancipimi”, domethënë i bën për justifikuar teorinë e tij se pse Letërsia Shqipe fillon në vitet e tetëdhjeta. Sëpari dhe kriteri themelor që autorët e viteve të tetëdhjeta i bën të veçantë, sipas autorit, është botimi i Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe nga Tirana. Arsyeja e dytë është “ndikimi i poezisë së mirë shqipe” nga Kadareja, Agolli e Arapi tek autorët e viteve të 80-ta. Pra këta autorë bazamentin estetik të krijimit e kanë gjetur tek treshja tiranase. Nëse është kështu (që sipas leximeve të mia të autorëve të viteve të tetëdhjeta që i përfol z. Syla, përpos ca përjashtimeve, nuk mendoj të jetë kështu) atëherë zotëri Syla shpalon edhe më qartë se prej nga i merr kriteriet për të bërë vlerësime. Në vitet e tetëdhjeta Kadareja krijonte ende në Tiranë, domethënë ende s’kishte dalur në Francë, dhe reflektonte në bazë të shemave që i kishte mësuar në Institutin Gorki të Moskës, ndërsa sa i përket Agollit s’ka nevojë për koment.
Fakti i vetëm dhe që del serioz – mendohet si konstatim e jo si përkufizim i drejtë – në tekstin e z. Syla është ai i dallueshmërisë në mes gjeneratave të tjera dhe kësaj të viteve të tetëdhjeta: Dervishi, Musliu, Beqiri, Ramadani etj. konsiderohen si negativë për shkak se janë të inspiruar nga krijuesit botëror si Baudleri, Mallarmé, Beketi, Wilde e të tjerë, ndërsa si pozitivë e poetë të suksesshëm këta të frymëzuiarit nga Dimri i Madh, Shoku Zylo etj. Me gjithë respektin për veprën e madhe të Kadaresë dhe Fatos Arapit a nuk duket ky krahasim pak si absurd, qesharak e i padrejtë?
Kur demonët shkruajnë në vend të autorëve
Poetët që Ismail Syla merr në mbrojtje janë autorë të njohur dhe kanë vlerat si dhe pozitën e tyre të meritueshme në skenën letrare shqiptare. Pra nuk janë autorë minioritarë në plan të vlerave artistike. Autori thotë “Sipas shijes dhe bindjes personale nga letërsia e pesdhjetë viteve të fundit në Kosovë unë do të veçoja dy demonë krijues të dy poetëve që mendoj se janë më të mirët në letërsinë e kësaj ane. Ata janë pikërisht të brezit që u formuan në vitet e tetëdhjeta Adem Gashi dhe Abdullah Konushevci”.
Kjo është finalja !
Hasta la vista bejbi!
Nuk mund të spekulojmë me atë se si janë ndier autorët e apostrofuar kur kanë dëgjuar këtë klithje absurde të favorizuesit të tyre, kritikut që si duket do që të bëhet teoricineti i parë që zbuloi letërsinë e njëmendtë shqipe pas një eskurzioni të kotë të saj brenda pesë dekadave? Apo ata janë dakord dhe të bindur se z. Syla ka të drejtë? A qëndron spekulimi në lidhje me ekzistencën e një klani që përpiqet të krijojë monopol mbi kulturën në Kosovë, siç kanë bërë dikur ata që Syla i qorton në tekstin e tij?