Përveç komunikimit banal si «F… yourself» dhe «lol» deri në alivanosje, në rrjetet e shqipëruara sociale dhe forumet e mediave, shtohen thirrjet për linçime, difamimet, shpifjet, nxitjet dhe denigrimet. Si reagojnë mediat?
Ka mbaruar ajo kohë kur vuaje duke dërguar letra me gomar nga krahina në kryeqytet për ta fituar një mendim konfirmues apo refuzues për atë qe ke shkruar. Të rrallët merrnin ndonjë mesazh shpresëdhënës. Shumica ose vazhdonin të krijonin nga inati ose kërkonin me huti ndonjë zanat tjetër. Për ta bërë sa më vizuale këtë histori le të kujtojmë atë anekdotën rreth dilemës së Rousseau-së pas marrjes së letrës nga Voltaire. Kur i pari mori letrën e patriarkut të kulturës franceze të asaj kohe, i cili e uronte në shkrimin e radhës të ketë shpallur suksesshëm njeriun kafshë, autori i kontratës sociale u rras në depresion saqë seriozisht kacafytej me dilemën të mos shkruaj më. Si do të qëndronte puna nëse Rousseau të jetonte në epokën e Facebook-ut. Ndoshta nuk do të brengosej fare nga fjalët e ashpra të «Kandidit optimist» dhe do të rigjeneronte veten me shifrën e lartë të «like»-ve në fund të postimit të radhës. Miqtë do ta shpëtonin nga dilema dhe depresioni. Sot gati se nuk përsëritet më një histori e tillë. Çdokush që ndez kompjuterin depërton si urith labirinteve maksimalisht të rrjetëzuara të World Wide Web-it dhe me apo pa vullnet zhytet në listat e makinave të kërkimit, kështu duke amshuar veten si tag, keyword apo qoftë edh si «hieroglifë» të padekodueshme që ka gabuar epokën dhe panevojë është multiplikuar qindra herë në ditë nga php-skriptet e automatizuara.
Individët që me qëllim dhe plan duan të krijojnë identitetin e tyre në rrjet shfrytëzojnë rrjetet sociale apo formularët e kontaktit të mediave të ndryshme për tu shprehur, për të «filozofuar», për të qenë aktiv apo edhe vetëm sa për të ndarë frustrimin personal duke ulëri bashkë me gjithë miqtë dhe miqtë e miqve.
PËRGJEGJËSIA E MEDIAVE
Sa e shëndetshme është kjo cezurë? Kjo kulturë e re komunikimi publik?
Ka vite që ekspertë, filozofë e moralistë të ndryshëm kërkojnë përgjigje rreth këtyre pyetjeve dhe nuk dalin dot nga kafazi i botëkuptimeve të përvetësuara, të cilat shtrihen që nga anarkizmi total (Julian Paul Assange) e deri tek shpirtngushtësia totalitare e censorëve kinezë. Debati pra i nisur që nga dita (1989) kur Sir Timothy John Berners-Lee hodhi hypertekstin e parë në rrjet nuk do të përfundojë kurrë.
Në këtë vërshim të pakontrolluar interaksioni virtual sidomos gazetat, mediat elektronike, botuesit kanë përgjegjësi edhe më të madhe se sa që kishin dikur. Deshën apo jo mediat, po si institutet e arsimimit bartin përgjegjësi, jo për fenomenet e pashkaktuara nga ato, si për shembull për atë vokabularin e egër të reperëve ose për «F… yourself» -stilin e SMS-gjeneratës, por për legalizimin apo injorimin e kësaj (a)kulture komunikimi.
FJALA E LIRË DHE (ANTI)CENSURA
Një miku jonë që punon si redaktor në njërën nga gazetat relevante na tha: «Paj nuk e di, ne nuk i përzihemi webmasterit. S’ka censurë më o mik, liri shprehjeje e mendimi. Le të bëjnë muhabet mileti». Ky ishte statement-i, përgjigja e tij pyetjes tonë se nëpër ç’ redakture kalojnë komentet e lexuesve. Dhe ja rezultati: « Ktyne berrllogave te politikes te Kosoves duhet me iu marr nga nji veshk e me i fut ne burg. Hashimit me ia marr dyjet…» (Zëri) ose «A ka vend që si ke shti hundët o bir i M.M. që lujke me çika të reja», «e ku je K.. Kali…», (Express) «E paske kenaqe krejt o H. Ne po e kuptojme qe nuk ke aspak dinjitet kombetar e njerezor…» (Koha ditore).
Këto janë disa nga shembujt e marrë nga forumet e ca mediave kryesore kosovare. Qëllimisht nuk janë zgjedhur ato më brutalet. Dhe problemi shikuar më thellë nuk qëndron vetëm tek «gjuha» perverse e user-ëve, por më shumë tek shpifjet e tyre «ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike». Shumica e komenteve që analizuam as që kanë të bëjnë me temën. Ato përdorin temën si shkas për të fyer, stigmatizuar, paragjykuar.
Se monologët, shpifjet nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalën e lirë dhe luftën kundër censurës e kupton madje çdo gjysmalfabet. Dihet përbotshëm se fjala (shprehja) para se të bëhet e lirë (publike) duhet që të mos kalojë kufijtë minimalë të nivelit kulturor. Qëndrimi i dikujt kundra apo pro dikujt tjetër nuk guxon të futet në mullinjtë e multiplikimit publik pa u konfirmuar parimisht në aspektin nivelor të shprehjes e pastaj, çka është me rëndësi, redaksitë duhet evituar çdo apel difamues e denoncues me «plumba e konopë».
TERAPIA E USER-ËVE DHE MEDIAVE
«Pasha zotin më luajnë mëndët me nuk qenë interneti». Kjo është thënie e një të njohurit tonë për të cilin dimë se për çdo muaj e ndërron psikiatrin. Ky herë pas here kërkon që t’ia lexojmë ndonjë koment që ka shkruar për tekstin e këtij apo atij autori. I çuditshëm në këtë histori është paradoksi se qoftë në faqen e tij të Facebook-ut e qoftë në websitin e tij nuk e gjen asnjë shprehje si ato që i shkruan në forumet e mediave që i frekuenton. Në këtë rast forumet luajnë rolin e terapistëve psikikë të user-ëve dhe webmaster-ëve. Mediat si psikiatër të masave të të frustruarve? Ndoshta. Faktet flasin edhe për një zhvillim tjetër shqetësues: fatkeqësisht do prej tyre shërbejnë edhe si fabrika të infektimit të diskutimit publik dhe «legalizimit» të komunikimit ordiner. Kuazipolemika qe s’janë hiçgjë tjetër përpos protokolle fyerjesh dhe përgojimesh banale.
Edhe pse shumëkush dëshiron që masmediave (gazetat, televizionet etj.) tu mohojë pushtetin ato natyrshëm e kanë flamurin në formimin e kulturës së komunikimit publik. Me këtë edhe përgjegjësinë. Ato nuk duhet të imunizojnë lexuesin me një komunikim të tillë, sepse automatikisht sugjerojnë shpifjen, sharjen, fyerjen dhe ofendimin si shtylla normale të anticensurës dhe fjalës së lirë. Edhe pse urrejmë çdo censurë, në këtë rast suspendimi i mundësisë së komentimit do të ishte shumë më i dinjitetshëm se ç’ është niveli i tyre aktual.