Teza më re e akademikut Rexhep Qosja është: Ismail Kadare është një mit i krijuar nga diktatura enveriste. Sa qëndron një tezë e tillë dhe çka synon akademiku mjekërbardhë nga Prishtina me fushatat antikadare?
1. KRIMI DHE ARTI
Johann Wolfgang von Goethe. Këtë emër sigurisht se e njeh çdokush. Atë që pothuaj e di vetëm një numër i kufizuar njerëzish është storia që pason: në moshën e tij 23vjeçare, gjeniu gjerman përjashtohet nga gjimnazi i Kreuznach –ut në akuzën të ketë keqpërdorur seksualisht nxënësit (meshkuj) e mitur të tij.
Detaje të këtilla mund të gjejmë në biografinë e çdo krijuesi. Oskar Wilde është burgosur poashtu me një akuzë të njëjtë. Balzaku gjithë jetën e tij e kaloi duke u fshehur nga borxhlinjtë, respektivisht njerëzit e mashtruar nga ai. Shumica e krijuesve ose kanë bërë vetëvrasje ose janë helmuar nga opiumi e narkotikë të tjerë. Lista e skenave të tilla është gati po aq e gjatë sa edhe vetë biografitë e shumicës së gjenive të historisë kulturologjike njerëzore.
Cila është pesha e detajit të sipërregjistruar nga biografët specialistë të Goethes, karshi veprës së tij «Fausti»?
Hiç! Pse? Sepse elementet biografike nuk kanë asnjë fuqi ndikuese, as degraduese e as favorizuese në raport me vlerat artistike që i ka krijuar Johann Wolfgang von Goethe.
Ato, detajet biografike pra, nuk kanë madje forcë për t’ia ndryshuar opinionin as ndonjë lexuesi të pasionuar të veprës «Justine dhe vuajtjet e virtytit» që të heqë dorë prej saj. Me faktin, se autori i këtyre katër librave, Donatien Alphonse François – Marquis de Sade ka qenë një dhunues prostitutash, shërbëtoresh, meshkujsh e femrash, recipientin mund ta dekoncentrojmë vetëm për ca sekonda, ama nuk ia ndryshojmë atij dot frymën që të mos përjetojë artin e autorit si diçka gjeniale dhe fascinuese.
Pse jemi të paaftë për ta bindur një recipient që mos të lexojë Marquis de Sade-n as me faktin, i cili dëshmon se ai ka qenë kriminel? Sepse Marquis de Sade më shumë se gjithçka tjetër është gjeni i filozofisë dhe letërsisë. Sekuencat biografike, sado të tmerrshme të jenë ato, mbeten të parëndësishme përballë influencës së përjetshme që ushtron kryevepra artistike e tij.
2. ÇËSHTJA
Tani ta parashtrojmë pyetjen që mundon këtyre ditëve trurin e Rexhep Qosjes dhe atë të disa intelektualëve tjerë shqiptarë: Cili është krimi i Ismail Kadaresë që mund ta varroste atë si shkrimtar?
I ka shërbyer diktaturës së Enver Hoxhës? E ka marrë në qafë një djalosh – dhe gjithë familjen e tij – që ka qenë i dashuruar në vajzën e tij? I urren myslimanët? E ka bërë diktatura Mit, domethënë shkrimtar të madh pa qenë hiç?
Para se të bastisim akuzat e mësipërme po pyesim edhe njëherë: Ka edhe diçka tjetër?
Nuk ka? Ok.
3. «MORFOLOGJIA E NJË FUSHATE» I
Nuk ka kaluar shumë kohë që akademiku Rexhep Qosja ndezi një debat duke iu kundërvënë tezave të Kadaresë rreth identitetit shqiptar. Çdokush që ka analizuar ecurinë e atij debati sigurisht ka konstatuar se polemika edhe pse sipërfaqësisht lente përshtypjen e një diskutimi serioz mbi çështjen e identiteteve të shqiptarëve, ai ishte i ndërtuar kryesisht nga preferenca banale, inate dhe qëllime të ulëta diskreditimi e mposhtjeje. Nivel banal që e përforcuan – si shumë herë – edhe mediat e ndara në dy tabore – redaktorët e të cilave me komentet e tyre nuk dallonin nga ata tifozët që në fytyrë mbajnë të vizatuar flamuj e portrete lojtarësh dhe fyejnë si të çartur lojtarët e skuadrës kundërshtare. Parasëgjithash ama ishte qëndrimi patriarkal i dy diskutantëve qendrorë që polemikën e mortalizoi qysh në nisjen e saj. Debati dështoi pikërisht në këtë segment të tij: dy «baballarëve» të kombit u mungon gjerësia intelektuale sa për të heq dorë nga posti moral që pretendojnë (lexo edhe: identitetet tona). Polemikat u përngjanë më shumë atyre skenave nga filmi «Një çift i çmendur» (1993) me Walter Matthau dhe Jack Lemmon, në të cilin këta dy luanin rolet e dy fqinjëve grindavecë, dy pleqve gati të matufosur Max Goldman dhe John Gustafson që në luftën e tyre kundër vetmisë donin t’ia hanin kokën njëri –tjetrit.
Pra një polemikë, e cila jo se nuk nxori asnjë «të vërtetë» relevante e as ndonjë tezë të respektueshme mbi identitetet shqiptare, por përkundrazi i degradoi në meséle kafenesh edhe ato pak përfundime serioze shkencëtarësh e historianësh.
4. «MORFOLOGJIA E NJË FUSHATE» II
Këtyre ditëve Qosja u rishfaq me një tezë tjetër. Përsëri Kadareja. Teza u shpërnda rrufeshëm nga të gjitha mediat shqiptare. Kësaj radhe nuk është «antimyslimanizmi» i shkrimtarit gjirokastrit që ka irrituar historianin e letërsisë nga Vuthajt, por frika e tij se masat po harrojnë se Ismail Kadare edhe pse shkrimtar i merituar nuk është hiçgjë më shumë se produkt dhe mjet i komunizmit, i cili e ka shfrytëzuar autorin për të manipuluar dhe mbajtur të hipnotizuar masat e asaj kohe.
Pasi që Kadare, si në radhën e parë ashtu edhe në të dytën, nuk ishte ai që ndezi konfliktin, të shohim se cili është qëllimi i Qosjes dhe çka donë ai të na komunikojë me tezat e tij rreth shkrimtarit, me të cilin aq shumë krenohen gjithandej shqiptarët?
Po të shohim se sa logjike është akuza më e re e Qosjes rreth mitit komunist Kadare?
«Një prej miteve të tilla që komunizmi ka krijuar për nevojat e veta është Ismail Kadareja, sado shkrimtar i merituar që është». Këtë e tha Qosja. Pse pikërisht Kadareja e jo për shembull Agolli? I dyti është poashtu shkrimtar i mirë, i meritueshëm dhe ka qenë – këtë e dinë edhe studiuesit e jashtëm e lere më Qosja – më besnik dhe më shërbyes ndaj diktaturës se ç’ka qenë Kadareja apo ndonjë shkrimtar tjetër. Pse diktatura komuniste nuk e bëri «mit» një si Agolli , njërin nga poetët më të talentuar të asaj kohe dhe njëkohësisht zëri më i spikatur i sistemit enverist?
Deri në vitin 1971 jo Kadareja, por Agolli ka qenë ai që sistemi kishte nisur ta ndërtojë edhe si «mit» duke e pozicionuar në postet kyçe të kulturës dhe arteve. Jo diktatura vendosi ta ndryshojë strategjinë e ta bëjë Kadarenë «të madh» duke tradhtuar besnikun e vetë të denjë Agolli. Ishte suksesi i Kadaresë me romanin e tij «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» që ndryshoi (kupto: detyroi) sistemin të krijojë një raport të ri me shkrimtarin Kadare.
Studiuesit seriozë të Kadaresë, të cilët kanë hulumtuar ngritjen e tij deri në përmasat e një shkrimtari universal, sigurisht se kanë analizuar edhe kritikat e specializuara jashtë gardhit kombëtar dhe jashtë ideologjisë komuniste që i bëheshin veprës së Kadaresë. Kritika të botuara qysh në fillimet e viteve të shtatëdhjeta në hapësirën anglofone, në atë skandinave, gjermane e greke (1971 -73) e që trajtojnë romanin «Gjenerali i ushtrisë së vdekur». Kritikët e këtyre vendeve – edhe njëherë me përjashtimin e atyre voxave prosocrealistë dhe atyre që nuk dallonin artin e shkrimtarit nga sistemi ku ai jetonte – flasin unisono për një «shkrimtar gjigant nga një vend i izoluar». Që nga ajo kohë e deri sot shumica e veprave të Kadaresë i nënshtrohen votës rigoroze të mediave më prominente të Evropës. Gjithë kjo po ndodhë se njëherë i paska urdhëruar Enver Hoxha ata ta ndërtojnë Kadarenë si mit? Apo edhe më bukur: intriga e diktaturës enveriste paska qenë aq e përkryer saqë e gjithë bota perëndimore është mashtruar duke shpallë një shkrimtari epokal pa qenë ai hiç i tillë?
Me gjithë «respektin» ndaj zgjuarsisë së klasës komuniste shqiptare dhe vetë Enver Hoxhës një meritë të këtij lloji s’kemi se si a pranojmë asaj.
E ç’të bënte diktatura e gjorë shqiptare atëkohë përveç se t’i nënshtrohej autoritetit të shkrimtarit të saj dhe të përpiqej me të gjitha forcat që ta shfrytëzoj atë? Diktatura me zhdukjen e Kadaresë nuk do t’i kishte problem vetëm kritikat e hemisferës «dekadente», por edhe të asaj së vendeve aleate, sepse edhe atje festohej shkrimtari Kadare.
Pushteti enverist andaj bëri atë që ai mund të bënte: vuri Kadarenë në shërbim të vetë aty ku mundej. Në episode të caktuara ai (pushteti) edhe pati sukses.
5. DIKTATURA DHE KADARE
Padyshim se Kadare pas këtij «gjunjëzimi» të diktaturës është përdorur nga sistemi. Nuk mungojnë as vepra e shkrime që patjetër të kategorizohen si ditirambe e manifeste propagandistike dhe që dëshmojnë për shërbimet e tij vullnetare në favor të diktaturës. Ashtu siç nuk mund të diskutohet fakti se shumica e tyre janë – të flasim me fjalorin e Lasgushit – m… dhe se disa prej tyre me gjithë elementin ideologjik që kanë janë të shkëlqyeshme.
Gabime të këtij lloji ka bërë Kadare. Ashtu siç i kanë bërë një varg shkrimtarësh të mëdhenj që kanë jetuar në sistemet komuniste ose i kanë idealizuar ato (Brecht, Neruda, Sartre e shumë të tjerë). Poashtu është e vërtetë se Kadare – në krahasim nga të tjerët – vuan edhe nga mania e retushimit të veprave të tij. Nga mania për të fshirë çdo gjurmë që e lidhin me diktaturën, nga e cila mani rezulton edhe përpjekja e tij e tejdukshme për të konstruktuar detaje të reja që do ta shpalonin atë si disidentin numër një të vendit.
Përveç këtyre gabimeve – të cilat ne i konceptojmë si të tilla – dhe atyre që kanë formën e padive e që u përmendën më lartë Kadare mund të ketë edhe defekte të tjera që do të zbardhen më vonë nga biografët e tij dhe do të marrin udhë për në raftet e akademive të ndryshme ku ligjërohet letërsia. Më shumë jo.
Një pjesë e konsiderueshme e romaneve të tij tashmë janë pjesë e bibliotekës universale dhe nuk ka gjasa që ato ndonjëherë të hiqen nga aty. Jo se komunistët e Tiranës duan ashtu, por se vepra të caktuara të tij e kanë vendin aty dhe askund tjetër.
6. REZULTATI I NJË FUSHATE
Nëse vërtetë qëllimi i vetëm i kundërshtarëve të Kadaresë është që ta komprometojnë atë nëpërmjet dromcave të «pamoralshme» biografike të tij (të cilat deri tani janë shpërndarë qindra herë dhe vazhdojnë të mbeten në nivelin e spekulimeve), atëherë ata duhet të dorëzohen para facitit të përbotshëm që u trajtua më lartë: edhe në rastin e Kadaresë sekuencat e veçanta nga biografia nuk do të kenë ndonjë peshë relevante karshi vlerave të tija letrare e intelektuale.
Qartë? Atëherë pse këto vërsulje, të cilat tashmë e kanë humbur karakterin e sulmeve spontane, ngase ato përmbajnë një sistem dhe koherencë programatike dhe kanë një synim të caktuar: komprometimin e Kadaresë!
Një komprometim që edhe në kontekstin historik nuk sjell asgjë tjetër përpos humbje kohe, fyerje e elozhe çasti për dy personalitete që po të merreshin me dhuntitë e tyre në prozë e në shkencë në vend se kohën ta kalonin duke sharë apo mbrojtur veten nga akuzat e ndërsjella, do të mbeteshin dy figura të respektuara që duhej dëgjuar e konsultuar. Kështu ata bëhen të padurueshëm dhe ndihmojnë që truri shqiptar ende të mos shërohet nga infeksionet e arkaike e komuniste.
7. «PANTEONI I RRALLUAR»
Është fare e qartë se akuza e Qoses rreth racizmit të Kadaresë ndaj besimit islam dhe myslimanizmit nuk ishte promotori që kishte shtyrë atë në polemikë, por Kadareja vetë. Ekzistenca edhe statuti i tij. Po të mos ishte ajo tezë e Kadaresë Qosja do të gjente diçka tjetër. Ashtu siç e gjeti këtyre ditëve sagën rreth mitit komunist.
Me konstatimin: «Kadareja është mit i komunizmit» duke ia varur pastaj këtij konstatimi fjalinë anësore e të pavlerë «pavarësisht meritave të tij si shkrimtar» Qosja tenton ta bind opinionin shqiptar se Kadare është prodhim i komunizmit, i cili pastaj, gjatë kësaj rruge ai edhe i ka bërë ca gjëra që mund të merren si merita. Përballë fakteve që përmendëm më lartë dhe shumë të tjerave që nuk radhiten dot në këtë tekst, duket sheshazi se Qosja nuk është objektiv. Duket qartë se ai shpif. Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin ai ka për qëllim dëmtimin e personit Kadare.
Pse? Çka beson Qosja të përfitojë në këtë betejë të pakuptimtë?
Më i logjikshmi ndër të gjitha spekulimet është ai kompleksit të inferioritetit. Qosja vuan nga xhelozia. Kadarenë e njeh «gjithë bota» e Qosjen e vë në pikëpyetje madje edhe gjysma e klubit të akademikëve dhe shkencëtarëve, duke shpallur studimet e tija të përgjysmuara dhe diskriminuese ndaj një numri shkrimtarësh me vlerë, të cilët janë anatemuar nga socrealistët e ku ai ka marrë pjesë aktive (këtë e pranoi edhe vetë) bashkë me asistentët e tij nga Tirana e Prishtina.
Ndryshe nuk kemi se si i shpjegojmë sjelljet e Qosjes.