Përveç luftërave tjera ku ndeshen për ta vrarë njëri tjetrin popuj, shtete e kultura, ekziston edhe lufta historike e gjeniut kundër despotit dhe anasjelltas. I pari dijet dhe njohjet e fituara mbi botën, lirinë, njeriun dhe natyrën e tij i ka shpërndarë si p frymë të re pavarësisht mediumit që ka pasur në disponim. I dyti, tirani, që poashtu përdor përherë një doktrinë, filozofi, fé për të mbajtur njeriun në psikokafazin, të pranguar këmbeduar brenda sistemit të tij, ka qenë historikisht, tash e tri mijë vjet të regjistruara nga kujtesa njerëzore, armiku i përbetuar i të parit. Gjersa gjeniu, i cili që nga iluminizmi e deri në postmodernë perceptohet si triumfatori, demiurgu i frymës së lirë, tirani është demoni, ati i së keqes absolute. Se pse është kështu e jo ndryshe – natyrisht me përjashtime – përpiqet ta argumentojë ky ese. Dhe jo vetëm kaq. Në këtë tekst flitet nga një perspektivë aq të munguar në letrarinë globale – atë të epistemocidit1! Studimet e deritanishme në këtë drejtim përfolin apo janë të përqendruara më shumë tek dëmet ndaj materialiave e nuk tregojnë kujdesin as minimal për njerëzit, bartësit e frymëve gjeniale që sot frekuentojnë si vektorë mentalitetesh, shkollash, filozofishë, kulturash, popujsh e paradigmash. Interesante në këtë tekst na doli edhe njohja për shqiptarët, përndryshe përherë të kursyer nga krimet e përmasave globale universale ndaj diçkaje sublime apo lirisë së tjerëve; kësaj radhe, brenda epistemocidit si krim i veçantë bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Në ç ‘formë dhe si?
I.
Gjatë vapës provinca hinde Karnataka nuk dallon nga shkretëtira subtropike namibiane Kalahari. E vetmja simfoni që herë pas here shpon murin hermetik të megasaunës përvëluese është ajo e mizave në kor me mushkonjat, të cilat edhe pse pas veti lënë dissonanta veshacaruese, dëshmojnë megjithatë endejetën fshatrave të braktisura të subkontinentit aziatik. Më 30 gusht të vitit 2015, kjo «harmoni» monotone gati e përhershme, u çrregullua nga një motoçikletë që zhurmshëm çante mëngjesin e Dharwad-it, qendrës kulturore të provincës. Dy të rinj, të veshur në të zeza, parkojnë motoçikletën para shtëpisë së poetit, akademikut dhe kritikut 77 vjeçar M.M. Kalburgi. Njëri prej tyre i bie ziles. Uma Devi, e shoqja e poetit hapë portën. I riu thotë të jetë studenti i profesorit dhe se dëshiron të flas me të. Uma Devi instruon të riun kah duhet të ecë për në studion e poetit dhe niset kuzhinës për t’ia bërë çajin mysafirit. Dy krisma. Umas i përplasen enët në dysheme. Vrapthi e në histeri, sa mbërrin në dhomën e ndejës, gjunjkëputur bie mbi gjakun ende të ngrohtë që shpërndahet parketit si harta e një miti të ri. Aty, ajo gjen të shoqin e saj përdhé, të ekzekutuar, me dy plumba; njëri në ballë, tjetri në gjoks.