«Krimi» dhe ndëshkimi i Kosovës

Historia e një vendi që morri përgjegjësinë për krimet që u bënë ndaj tij. Ose cilat janë filialet serbe në Kosovë që ndihmojnë sabotimin e shtetit?

Faktet deri dje: Shteti serb provoi ta dëboi me dhunë popullatën kosovare. Ata që rezistuan i vrau. Ekzekutoi mijëra fëmijë dhe gra që nuk dinin apo nuk ia dolën të iknin. Qindra femra u dhunuan para fëmijëve, prindërve apo vëllezërve të tyre. Protokolleve të viktimave ka edhe skena që përshkruhen kështu: „para se ta ekzekutonin me plumba burrin, më dhunuan para tij“. Të konfirmuara më vonë brenda ekspertizave ndërkombëtare. Forenzikja Sue Black, kapitullin për Kosovën e hap me thënien e Pufendorf: „nga të gjitha fuqitë e natyrës njeriu është më mizori“. E ka fjalën për serbët. Jo njëherë Black në librin e saj „Gjithçka që mbetet“, gjersa rrëfen për ekzumimin e kufomave shtron pyetjen: „a mundet njeriu ta përshkruajë me fjalë torturimin, panjerëzinë, mizorinë dhe vrasjen kaq brutale të fëmijëve?“. Po, serbët e dëshmuan se munden. Para pas dy luftërave botërore dhe kudo që shkelën në historinë e tyre. Ashtu u sollën edhe dje në Srebrenicë, në Krushë të Madhe e gjetiu Kosovës, Bosnjës.

Këtij humanocidi postmodern i dolën përballë shtetet perëndimore. Bombarduan Serbinë vetëm sa për t’i dëshmuar se janë në gjendje ta shkatërrojnë krejt, nesë nuk ndalej. U tërhoq. Kosovarët u kthyen në tokën e tyre të djegur. Sërish duke cituar zonjën Black: „Me javë shumica e tyre, ende pa gjetur strehën diku, varrosën kufomat e njerëzve të tyre, dogjën kadavrat e kafshëve para se të këto të zhdukeshin fare nga insektet dhe qentë e tërbuar“.

Faktet sot: Bërnabiç, kryeministrja serbe para disa ditësh tha: „Shteti serb nuk ka bërë gjenocid në Srebrenicë. Ishte krim (…)“. E gjenocidi çka është? Shfarosje dinjitoze e njerëzimit për realizimin e ëndrrës hyjnore të Serbisë së Madhe? Jo këtë element duam ta vëmë në pah, por tjetrin: Shteti serb ende funksionon sipas logjikës së Millosheviçit. Po të kishte mundësi do ta vazhdonte po atë formë lufte me pasojat siç i përshkruan Sue Black. Ja që s’mundet më ashtu. Ajo mundet ndryshe: duke detyruar vëllezërit, motrat, familjarët dhe patriarkët e atyre viktimave që përshkruam lartë që serish t’i servilen; të kërkojnë paqe gjunëpërtoke me shtetin serb, sikur të ishin shkaktarët e krimit viktimat e jo xhelatët.

Pse ndodhi kjo? Ngase „kosovarët janë të trashë“, siç më tha një tashmë ish mik imi për shqiptarët jashtë vijave londineze? Nuk janë kosovarët trutrashë. Nuk mjafton të jesh vetëm i trashë nëse gjitha mediat i vë në funksion të politikës serbe, duke përsëritur akuzat e tyre se ata që luftuan kundër tyre qenkan kriminelët e vërtetë të luftës; se shteti yt edhe pse endefoshnjë nuk është dhe nuk do bëhet kurrë shtet dhe ofkama korale që janë vaji dhe titujt kryesor të gjithë atyre kur mungojnë në pushtet.

Jo pra nuk është punë vetëm trashësie kjo. Jo se sidomos kamikazeria, vetëmallkimi, repulsioni i paqes, tjetërsimi vullnetar kërkojnë një inteligjencë të skajshme që të mundesh afektet t’i transformosh në proces të përhershëm e të pafund.

Pse e bënë këtë? Se nuk e duronin më jetën e lerë më lirinë pa serbët? Jo.

I detyruan! Miqtë e tyre nuk e izoluan krimbërësin por viktimën e tij. Këtyre ju ka mbetur të veprojnë si Eritrea që bllokadën agresore të Etiopisë e lufton duke organizuar shtetërisht importimin e gjithë fëmijëve të moshës nga 10-16 si azilkërkues në perëndim.

Intervenimi i botës së demokracive liberale për ta çliruar Kosovën nga cytocidi shekullor serb ishte hap i paparë ndonjëherë. Për të parën herë në historinë e hominidëve, humanizmi u vetëvizatua si formë konkrete. Për këtë arsye kosovarët, madje edhe atëherë gjersa varrosnin kufomat e fëmijëve dhe grave të tyre, gjenin forcë që në vend të luleve – edhe toka ishte shkrumb e hi – të hidheshin vetë mbi tanket e NATO-s duke puthur e përqafuar ushtarët. Këtë dashuri dhe këtë besim të madh e pokerizuan perëndimorët në disfavor të Kosovës dhe vetes.

Esenca e këtij pokerizimi është kjo: detyruan viktimën të jap përgjegjësi pse u përpoq të mbrojë veten. Nuk kërkuan përgjegjësi nga shteti krimebërës, përkundrazi bënë çmos që ta avancojnë gjithandej. Për ta shkoqur nga Rusia? Nuk ia dolën. Donin që shteti të ndryshojë kursin millosheviçian? Nuk e bëri. Donin që shteti serb të pranoj krimet e të kërkoj falje nga viktimat? Nuk e bëri. Çka donin atëherë instancat e BE-së dhe asistentët e tyre amerikanë, britanikë, turk e xhibutianë? Vetëm premtimin se nuk do vrasë më kur nuk mundet?

Në Hagë ishin edhe të dyshuarit shqiptarë. Për serbë s’ka Gjykatë speciale.

U sollën kështu që të shtyjnë mineralizimin e masave me lloj lloj ideologjish ngase këto do të ndiejnë, shohin, përjetojnë këtë diskriminim total, poshtërim dhe përulje duke i detyruar të ulen jo me pasardhësit, por me akterët vetë të etnocidit ndaj tyre të djeshëm? Të ulet përballë tyre ende në fazën postraumatike që Sue Black e rrëfen me gjendjen e njërit nga bashkëpunëtorë e saj: „Ai kishte frikë t’i mbyllë sytë se nuk donte të ridëgjojë familjarët e tij duke u dhunuar dhe vrarë nga paramilitarët“!

E kërkuan nga Kosova të pamundshmen. Ua dhanë. Humbën.

Në fund të ekspozesë të këtyre fakteve vetëm një sintezë, vetëm një përfundim logjik lejohet: u bë krim ndaj Kosovës dhe ajo ndëshkohet për këtë! Tjerat janë floska për diplomaci.

Çka tash?

Do ta shpëtojë nga kjo gjendje kur të vijë opozita në pushtet? Asnjëherë! Janë të së njëjtës kategori mentale e sociale si ata që janë në pushtet. Shumëkush nuk e kupton një gjë themelore: kriminaliteti, nepotizmi dhe dukuritë tjera të një shoqërie nuk luftohen duke ndihmuar Serbinë që ta sabotojë shtetin; duke shpifur e shpikur gogolë, escobarë e cosa-nostra pa asnjë fakt të vetëm në dorë dhe pa qenë as instanca qoftë edhe simbolike e drejtësisë në shoqëri. Duhet të kesh defekte të rënda morale, njerëzore e intelektuale që të kërkosh nga tjerët mos të takohen me kryeministrin e vendit tënd se qenka kriminel lufte dhe hajn, duke pasur si të vetmet argumente ekzistente dokumentet e Gjykatës së Hagës që janë kundër ulërimës tënde dhe floskën jo-instancore në favor të propagandës serbe se shteti ku jeton ti udhëhiqet nga kriminelët, të paaftët, hajnat, debilët. Retorikë që implikon: serbet kanë të drejtë! S’kemi mundësi të bëjmë shtet dhe më mirë provincë autonome serbe se sa kështu.

Pa shtet ligjor s’ka drejtësi! Nëse vret apriori, ab ovo madje, idenë e shtetit s’do drejtësi dhe ligj se edhe vetë je kriminel por nuk e thua hapur. Akuzat pa argumente e sollën Eulexin – dështoi! Në fakt vetëm një javë punë e Policisë së Kosovës ka sjellë më shumë rezultate kundër krimit se sa Eulexi në gjithë historinë e tij. E pikërisht ky segment nuk u pranua dje. Nga Eritrea, Sudani, Serbia, Kina e të llojit. Nuk dridhet Daçiçi nga frika se do ta kërkojë Interpoli me urdhër të Kosovës. E dinë se e ka azilin e siguruar nëse jo në Hungari tek Osman Aga. Frika e tij ka përmbajtje tjetër: Ai e di se nëpërmjet Interpolit shteti i Kosovës do ta ndërkombëtarizonte veten me segmentin më të fuqishëm të saj – Policinë, e cila me përkrahje zyrtare ndërkombëtare jo vetëm brenda vetes e brenda vendit por edhe për rajonin do të bënte shumë kundër krimit.
Sipas kësaj që themi këtu diagnoza e faktorëve që dështuan dhe dështojnë Kosovën janë: Gabimi i perëndimit në raport me Serbinë dhe detyrimi i viktimës të sillet si autori i krimit; lufta agresive e Serbisë me asistencën e mediave, OJQ-vë dhe primatëve politikisht të papjekur të Kosovës, nëpërmjet të cilëve ajo dëshmon shtetin e dështuar kosovar madje me referenca «dëshmitarësh okularë» dhe paaftësia intelektuale e shoqërisë kosovare për të ofruar doktrina/skenarë paralel për zhvillimin e shtetit.

Kosova – shteti, gjendet në një fazë kur duhet të mobilizojë gjitha kapacitetet e mundshme në një laborator, ku do të djeg edhe qelizat e fundit të trurit të saj në kërkim të një strategjie afatgjate të ekzistencës apo mos-ekzistencës. I ka këto kapacitete? Dyshoj rëndë. Post-trauma kamikazike as që e ka ndërmend të largohet – nëse doni ta analizoni mirë për ta njohur me përsëafërmi sëmundjen që e potencojmë, u mjafton që me një tool për kolazhe fotografike t’i renditni portretet e primatëve të partive, ministrave, shtetit, presidencës, opnionbërësve rrjeteve sociale e mediave dhe do të kuptoni ku qëndron problemi.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...