Kryeministri kosovar apelon për një politikë unike, gjithëpërfshirëse për dialogun me Serbinë. Thirrja i drejtohet opozitës, e cila me të drejtë qëmoti kërkon ndryshimin e qasjes në bisedat me shtetin serb. Përveç thirrjes «s’duam dialog», mirëpo cili është vizioni i saj?
Treni u nis për të nxit luftë. Si për inat të shumicës së akterëve, andej e këndej Jarinjës, lokomotiva ruse fazshëm shndërrohet në një lux in tenebris, dritë që u mundësoi ta shohin botën ashtu siç është e jo siç e imagjinojnë, duan ta bëjnë.
Qeveria e Kosovës u bind se nuk mundet t’ia sigurojë vendit sovranitetin me një politikë sikur të bazuar në epifanitë profane, të cilat shfaqen papritmas si dorë e padukshme për t’i mbrojtur njerëzit nga demonët e tokës.
Serbët kapën të vërtetën – ndryshe nuk do kërkonin telefonin e kuq – të jenë fare të pafuqi për të pozuar determinuesin e politikave në Ballkan. Ata sa më shpesh duhet ta dëgjojnë baladën e Sladja Allegros «Dreri i plagosur», refreni i së cilës është «da neće mi doći više nikada, nikada» (shqip: nuk do të më vijë më kurrë, kurrë), për tu bindur përfundimisht se Kosova kurrë, asnjëherë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë.
Ndërkohë ndodhitë ua huqën komplet matematikën strategëve të tyre:
NATO nuk do të dobësohet por do të forcohet edhe më shumë.
BE dhe bota trenin e shpallën si «provokim serbo-rus».
Mediat kanë vendosur t’i japin mendësisë serbe infuzionin e dhimbshëm e të padurueshëm me paranojën, e cila vjen e bindur e kategorike se: Putin do ta tradhtojë Serbinë duke njohur Kosovën për Kriménë.
«Nëse vërtet ka ndonjë dorë të padukshme, pra nëse besojmë ne epifanitë me engjëj mbrojtës, në perëndi e perëndesha të llojit që gjithmonë janë në anën e të shkretëve atëherë ato pa dilemë se janë në anën e shqiptarëve» – kështu shkroi një i «zgjuar» ditë më parë në rrjetet sociale.
Analiza është e drejtë kur kemi parasysh se serbët me trenin ishin shkaktarët që vulosën letrat e shumta të Qeverisë Mustafa drejtuar Mogherinit se dialogu në këtë mënyrë dhe me këtë sjellje ultranacionaliste, plotë provokime të Beogradit nuk mund të vazhdohet kështu.
Po si të vazhdohet ai?
II.
Opozita ka vite që akuzon qeveritë se dialogu është i njëanshëm. Kështu ajo shqyrton ngase në matje e sipër të intensitetit së rrugëtimit drejt Brukselit Serbia ka ecur dukshëm para e Kosova ka mbetur duke u përpëlitur korridoreve diplomatike me kërkesën për viza, lëvizje të lirë të qytetarëve të saj. Eksponentët kryesorë të vendit madje shpesh nuk ngurrojnë të mbjellin edhe ksenofobi ndaj perëndimorëve për të maskuar paaftësinë e tyre. Ata dështojnë me vite për ti përmbushur kërkesat. Shumëçka patën mundësi të realizojnë qysh para se në horizont e si kusht të shfaqej kufiri problematik me Malin e Zi.
Kritikat e opozitës janë më se të drejta. Aq sa duket i drejtë edhe konstatimi i anës së kundërt që thotë se bllokadën e shkakton edhe opozita, e cila nuk ka vizion tjetër përpos kërkesës histerike dhe radikale për të mos bërë dialog me Serbinë. E as kjo nuk është zgjidhja. Pa dialog Kosova izolohet dhe humbë, ngase këtë ia kushtëzojnë ata që e garantojnë ekzistencën e saj – ky është fakt! Gjithçka tjetër është demagogji për konsum të brendshëm.
III.
Pas përfundimit të takimit të fundit serbo-shqiptar në Bruksel kryeministri i qeverisë kosovare bëri apelin: «Do të merremi vesh në Kosovë me të gjitha palët e interesuara që të kemi dialog me përkrahje më të gjerë dhe të zgjedhim çështjet që nuk mund t’i zgjidhin në formë të tillë. Jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë me të gjithë. Të kuptojmë cila është mënyra më e mirë e përfaqësimit edhe e opozitës edhe e shoqërisë civile, sepse në dialog nuk është vetëm një subjekt, por të gjithë ata që kanë marrë votën e popullit».
Qeveria kosovare e ka kuptuar se politika nacionale e jashtme e shtetit të Kosovës duhet të jetë unike dhe me platformë gjithëpërfshirëse – si në gjitha shtetet me demokraci të konsoliduara. Këtë e ka Serbia madje më tepër se lejohet për dallim nga Kosova që nuk e ka fare.
Opozita e ka rendin tash të dëshmojë kreativitetin e saj. Shoqëria civile që Mustafa e radhit pro forma, ajo si ashtu nuk ekziston ose të atilla quhen OJQ-të me nga pesë veta që kanë hall vjeljen e të huajve dhe radiokracia e të cilëve nuk del nga zyrat e vogla që kanë.
Spektri politik në vend – opozitë e pozitë – duhet të ndajë politikën e jashtme të shtetit nga interesat e tyre të brendshme për hyrje-dalje në pushtet dhe të ulet bashkë me pozitën si apeluese për të arritur një konsensus me thelbin si të sajohet një platformë që mbron Kosovën dhe nuk e bllokon atë drejt integrimeve të domosdoshme në organizatat jetike për qenien e saj.
IV.
Nëse platforma nuk realizohet vetëm se opozita ka frikë se mbetet pa kauza magnetike për votues, atëherë edhe përgjegjësia historike për vendnumërimin e vendit i mbetet asaj. Nëse një platformë e tyre e përbashkët është e pamundur se pushtetarët aktualë ngulmojnë në fiksimet e tyre dhe nuk përfillin idetë e opozitës, atëherë ata kanë halle tjera e jo avancimin e vendit. Dhe përgjegjësinë e kanë edhe më me peshë se sa tjerët. Atëherë duhet bërë gjithçka që zgjedhjet të ndodhin sa më shpejtë.
Vetëm me një qëndrim nuk hyhet në marrëveshje: S’ka dialog! Kjo është e pamundur. Qeveria Mustafa de facto këtë gjë edhe ushtron që nga letra e tij BE-së për rikonfigurimin e bisedimeve – gjë që edhe i dha guximin Serbisë për trenin – mirëpo as kjo nuk është një rrugë përfituese për Kosovën se e bllokon dhe natyrisht e rrezikon pa nevojë jo vetëm në favor të planeve nacionaliste serbe.