«Analistët» vazhdohet të jenë kategoria më e përqeshur dhe e nënçmuar rrjeteve sociale dhe ndejave interpersonale. Pse? I ka të gjitha fajet Edi Rama me portalin e tij, apo problemi qëndron diku tjetër.
S’ke ku i ik temës: Analistët e mediave shqiptare janë bërë kategoria më e përfolur, përqeshur e bisedave virtuale dhe atyre interpersonale fizike odave, kafeneve e gjithandej sapo niset ndonjë diskutim «mbi hallet e botës, atyre shqiptare» e të llojit.
Paragjykohet se ky difamim masiv doli nga një studio e Baton Haxhiut pas një debati me Edi Ramën, pra nga e ashtuquajtura aferë e «portalit». Ata që ndjekin me vëmendje zhvillimet në botën e mediave, mirëpo e dinë se degradimi i «autoritetit» të «analizuesit publik» ka nisur qëmoti, shumë më herët dhe afera në fjalë vetëm se gërgati kraterin e vullkanit për të shpërthyer në llavë luledjegëse.
Nga vjen vërtetë ky aversion kaq masiv? Disa thonë në kor: «kurrë nuk ia qëlluan për diçka». Tjerët besojnë shumica e tyre, analistëve «të mos dijë as se çka fletë», pra nuk është në temë. Të tretët i akuzojnë të jenë gjithmonë në shërbim të ndonjë agjende interesi. Lista e pandehjeve është e gjatë.
- HIPOTEZA
Në thelb ne besojmë se burimi i këtij përroi nënçmues për kategorinë e «analistëve publikë» vjen nga keqtrajtimi i termit Analysis. Ky term përjeton po të njëjtin përdhunim si ai i Intelektualit. Shqiptarët i quajnë vetë njerëzit analistë dhe intelektualë dhe pastaj si duket ua lexojnë kuptimet në fjalor termeve, i krahasojnë me prodhimin e të kualifikuarve si të tillë dhe zhgënjehen. Tërbohen kur shohin se i dekoruari nuk meriton «titullin e nderit» dhe nisin tiradat fyese kundër personit, diplomave dhe qenies së tij.
Pra matematika e thotë kështu: faji është i mentalitetit e jo i personave dhe grupeve të veçanta.
Po mirë ç ’është analiza dhe kush analisti?
- ANALIZA
Për nga etimologjia e fjalës analysis vjen nga greqishtja dhe donë të thotë zgjidhje. Galileu, Leibniz, Newton dhe sidomos Leonhard Euler e bënë fushë shkencore të Matematikës krahas gjeometrisë dhe algjebrës dhe Fizikës. Sot ajo përdoret po aq në hulumtimin kualitativ sociologjik, ku natyrshëm (se këtu nuk bëjnë punë vetëm numrat real, kompleks etj.) janë kyçur edhe metodat interpretative dhe hermeneutike si dhe në shumicën e shkencave natyrore dhe atyre humane.
«Analiza është hulumtim sistematik, gjatë të cilit objekti apo subjekti në studim e sipër ndahet në elementet e tij kauzale, përbërëse dhe hapësinore për tu kuptuar, perceptuar dhe lokalizuar. Pas njohjes së elementeve ato riradhiten dhe vlerësohen në sajë të relacioneve dhe efekteve që prodhojnë veç e veç dhe në fund përbashkohen në sintezë. Është e fundit ajo, sinteza pra, që ia mundëson analistit të interpretojë, konkludojë dhe prognozojë», kështu duket definicioni më i kompletuar i Analizës hë për hë.
Si duket një proces analitik konkret në bazë të këtij definicioni?
- KONKRETISHT ME NJË SHEMBULL
Këtyre ditëve u aktualizua tema se Putin donë të shtrijë dominimin e tij në Ballkan nëpërmjet Serbisë. Për ta analizuar këtë pohim çka i duhet një analisti.
1. Biografia totale e Vlladimir Putinit – që nga fëmijëria e deri sot. Kjo nënkupton historinë e Bashkimit Sovjetik 1917 – 1991, psikogramin e Berija-s si epigon në habitus i të cilit është, çka lexon, cilët ka për idhuj. Leximi i literaturës që preferon ai.
2. Kronika e sundimit: fjalimet, shkrimet, veprimet në raport me brenda dhe ato me jashtë.
3. Relacionet zyrtare dhe private me primatët e popujve ballkanikë.
4.Qëndrimet e ministrive të punëve të jashtme dhe të brendshme.
5. Studimi i analizave, biografive por et contra dhe atyre objektive.
6. Historinë e pansllavizmit rus dhe atij sllavojugor.
7. Projektet e rezistencës nga anët tjera. Historinë e relacioneve dhe betejave.
Këto janë vetëm disa nga elementet që duhet një analist i «çështjes» t’i ketë bërë si detyrë shtëpie dhe paraprakisht para se të dalë të japë sintezën, interpretimin apo prognozën me atë se çka mund të ndodhë apo mbi atë çka në të vërtetë është. E njëjta vlen edhe për ata që flasin për politikat e brendshme, për Islamin, për demokracinë, për kombin. Pa i njohur gjitha paradigmat, historitë, psikografitë, patografitë, veprimet, e një çështjeje nuk ka analizë.
Për këtë arsye në botën gjermanofone një ndër drejtimet më të reja universitare është ai që quhet «Zeitgeschichte», drejtim që bukvalisht donë të thotë «Histori e kohës», por që është diçka tjetër; është një kombinim i historisë së re (nga 1900) me politologjinë dhe që synon analizën e proceseve shoqërore, shtetërore, globale duke thirrë me sistem të kaluarën e fundit për t’i dekoduar proceset aktuale dhe për të prognozuar efektet e mundshme.
- ANALISTËT
Shumica absolute e atyre «analistëve» që dalin për çdo ditë e për çdo natë mediave nuk kanë as kohë për analiza të njëmendta. Disa prej tyre shihet që edhe po u dha dy muaj kohë nuk dinë të bëjnë analiza. Si duket mbizotëron një bindje tek njerëzit se ai që ka kryer shkencat politike, sociologjinë, historinë apo është poet mundet të japë përgjigje apriori për kozmosin, bletat, lulet, Putinin, arabët, politikat vendore e alienate. Kjo nuk shkon. Studimi i fushave, proceseve, analiza është punë e djersitshme dhe kërkon një bazë dijeje, të cilën nuk e manifeston pothuaj asnjëri prej atyre që zënë ekranet me frizurat e tyre të këndshme për çdo natë. Kjo ngase edhe nuk punojnë, por kanë përvetësuar një ves të keq të interpretimit të proceseve duke u nisur nga instinkti.
Kemi të bëjmë pra me një divizion komentuesish instinktive të ngjarjeve ditore që nuk vetëdeklarohen si të tillë por vetëquhen e thirren nga tjerët si analistë.
Natyrisht se në mediat shqiptare ka edhe analistë të njëmendtë, të atillë që edhe për shkak të përvojës konkrete, dijes, seriozitetit dhe habitusit bëjnë analiza që rrallë dështojnë. Mirëpo këta mund t’i numërojmë në gishta dhe nuk janë këta që lodhin shikuesit për çdo natë dhe i ndihmojnë poshtërimit edhe të analizës si disiplinë shkencore e lere më të vetes. Shikuesit mund të jenë të «pashkolluar» por aq inteligjent sa për ti kapur huqjet permanente dhe ekskursionet atematike të «analistëve» që tentojnë të fshehin padijen janë.
Propozoj që – pavarësisht se si i thirrin mediat dhe ata veten – t’i quajmë komentues instinktivë të temave aktuale e jo analistë. Natyrisht ata që janë as që kemi nevojë t’i pagëzojmë se janë.
Aversioni i shumicës ndaj «analistëve« është pra i arsyeshëm.