Çka tash – hoqët dorë edhe nga islami?

«Besa», «Shenja« dhe satelitët e saja pavetëdijshëm, me reagimet e fundit hoqën dorë nga Islami. Ajo kuaziteza që thotë se brendësinë e njeriut e njeh më së miri kur ai mllefoset del të jetë e vërtetë: Sa më shumë t’i bësh nervoz aq më shumë kallëzojnë se kush janë; manipulues ordinerë me masa!

Paraqitja e Berat Buzhalës në «Opinion»-in e Blendi Fevziut nxori nga kokona dorën dirigjuese të teopartisë «Besa». Ende pa përfunduar emisioni u futën në aksion: portali «Almakos», që e bën i biri i Kim Mehmetit, portali «Lajm» që e bënë një zëvendës i Kim Mehmetit aty, revista «Shenja» ëma ideologjike e djemve të partisë në fjalë si produkt i botuesit islamik Logos-A dhe portale tjera periferike në Gostivar që i financojnë vetë.
Çka thonë këto:

SHENJAT
«Shenja» doli me shpejtësinë e «Orient Express»-it për të thënë se Buzhala bëri aluzion dashakeq kur lidhi emrin e revistës dhe TV-së së tyre me «Shenjën» e Said Kutbit, ideologut, idetë e të cilit dhe ato të dalat modifikueshëm nga aty si gylenizmi i pushtetëzuar në erdoganizëm, të jenë baza e frymës së partisë «Besa». Kutbi i pari kërkoi që Islami të jetë shenja, baza dhe kompasi i ndërtimit të njeriut dhe një bote të re ku Zoti ka sovranitetin absolut (Hākimiyyat Allāh), ideologji që duhet t’i kundërvihet shtetit nacional, demokracisë dhe sovranitetit të ndonjë populli të veçantë (të fundit Gylen e modifikon në favor të nacionalizmit dhe vlerave andollake turke). E kjo sipas tij arrihet duke luftuar xhahilinë (injorancën, prandaj potencimi i këtyre të jenë intelektualë) dhe duke pushtuar sistemet në konkurrencë nga brenda.
Kush e ka ndjekur bilbliografinë botuese të këtyre që nga viti 1990 (me financa kryesisht nga Turqia dhe Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit të Maqedonisë) me lehtësinë më të madhe, pra lexuesi të jetë edhe analfabet funksional, e kupton se e njëjta frymë tentohet të instalohet në mendësinë e shqiptarit. Atë frymë pseudointelektuale që e përfaqësojnë edhe Milazim Krasniqi në Prishtinë dhe të ashtuquajturit orientalistë gjithandej hartës etnike shqiptare.
Tash dalin këta të «Shenja» dhe thuan jo ore çfarë, Berat Buzhala bën aluzion, çka implikon se nuk qenkan ashtu. Pra nuk janë me Islamin si sistem etik edhe politik të rregullimit të shoqërive.
Jo a? Atëherë as ato që i botoni nuk dini t’i lexoni? Atë që Bertrand Russell e quante «dije të padobishme» paskeni prodhuar? Kur gënjyet veten, atëherë apo tash? Ose nuk gënjeni por jeni skizofren që vetëm një gjë mundeni: të lexoni emrat nga e prapa siç bëni me emrin e gazetës «Express» për ta dekoduar si «serpska». E kjo vërtet kërkon intelektualitet kutbian!

KIMEJA SI INTELEKTUAL
Paralelisht me ta, një fatwa e shkruan edhe «babai ideologjik» i tyre Kim Mehmeti si shënim me titullin «”Intelektualizmi” deshqiptarizues». Për nga titulli besova se këta vërtet qenkan penduar dhe ia nisën të tregojnë publikisht të vërtetën. E para; se Kim Mehmetin e shqiptarizuan gazetat kosovare nga serbishtja dhe maqedonishtja duke ia përkthyer tregimet. E dyta se deri kah fundi i viteve të 90-ta nuk pranonte të flas shqip por vetëm maqedonisht se fyhej të jetë shqiptar. Sa u bë gjoja i tillë i lexoi dy libra nga Logos -A dhe u bë intelektual. Çdo i sinqertë mirëpo qe e ka lexuar dhe e dëgjon e dinë se Kim Mehmeti mund të jetë plak katundi por kurrë intelektual – i mungon edhe dija bazë e një gjimnazisti që kalon në mënyrë modeste klasat. Pikërisht ky tash del dhe thotë se ata që kundërshtojnë ideologjinë e «Besës», pra ata që e demaskojnë si ideologji tjetërsuese të identitetit shqiptar qenkan të padijshëm e jo-intelektualë e ky po, ngase kuptuaka drejtë ata që dalin me flamuj turk rrugëve, me flamujt të ISIS, që shkoqin diploma, që lëshojnë mjekra, ikin në Siri (rekrutuesit e të cilëve sot janë militantë në Besa) të duken si vehabistë dhe bëjnë apele për braktisje të shkollës, festave e gjithçka që nuk është në katalogun e shtetit islamik.

E KORRUPSIONI?
Në të gjitha këto reagime «intelektuale» nuk akuzohet Berat Buzhala mirëpo për ato që ai më së shumti nënvizoi në atë paraqitje: korruptimin, mënyrën e financimit! Përkundrazi thuan se ata si Buzhala të qenkan të paguar, ata që flasin se prej nga paguhen këta. Kësaj i thonë zënie-me-presh-në-dorë, ngërç, ai momenti kur s’dinë si të mbrohesh dhe akuzon tjetrin për atë që bën vetë. Ose dilni thoni se i keni shpërdorur edhe gylensitët, edhe erdoganistët, edhe turqit aty, edhe besimtarët me islamin për të ardhur në pushtet se de facto as që brengoseni për këto punë. Reagimet këtë e thonë: se hiqni dorë nga Islami! E këtë nuk ua kërkoi kush. Përndryshe njerëzit do ishin racistë. Çka nga ju është kërkuar vazhdimisht është të mos përdhunoni ndjenjat dhe identitetet e njerëzve ngase jeni profiterë injorantë dhe të korruptuar si në xhep ashtu në frymë. Keqpërdorni ndjenjat, skamjen dhe pashkollimin e masave për të hy në pushtet dhe ta çoroditni shoqërinë më shumë se çdo taraf tjetër xhahilësh – sipas Sayd Qutbit gjithmonë.

Dhe hiqni dorë nga ajo etiketa islamofobë se poashtu u del skizofreni: nëse vërtet besoni në Islam atëherë e dini se ç ‘thotë Kurani për të korruptuarit, hajnat, manipuluesit me masa dhe nisur nga kjo nuk besoj se dikush tjetër ka më shumë arsye të ketë frikë nga xhehnemi se sa ju!

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...