I përçanë e bënë pikë e pesë shqiptarët brenda dhe tani kur ia dolën kësaj, vazhdojnë me dëshirën që pandeminë ta bëjnë gjithëshqiptare: fajin për gjendjen e mjerë të shqiptarëve në Maqedoni e paskan Tirana dhe Shkupi. Shpifje kjo apo në mos qenka bërthama e ndonjë të vërtete?
Timon mizantropi i Lukianit pasi humbi pasurinë dhe privilegjet e perëndisë, Jupiterit, e gjet fajtorin për dramën e tij: njerëzit, ata pranë, të afërtit e tij! Këta i mallkonte ai për gjendjen e skëterrë, skamjen, presionin ku përfundoi. Natyrisht nuk u shpallte dot luftë zotit dhe korrierëve të tij si Merkuri e Plutusi ngase ndyhej prej frikës sakaq i ikte mendje në vetëtimat e pamëshirshme të Jupiterit, prandaj ku ka adresë më të volitshme se tjerët? E pse nuk mallkonte shtrembëritë e veta? Ku ta katandiste edhe më tepër dreqoqenien e tij e të bërë pilaf pa bërë harakiri-në?
II.
Rrëfimi i Lukianit për Timon mizantriopin mu vizualizua edhe më gjallë se ato kiç-seralet turke të TV “Shenja”-s së Shkupit menjëherë sapo përfunduan zgjedhjet dhe u bënë të ditura rezultatet në Maqedoni. Barutin për këtë tekst e ndezi vaji i shkrimtarit nënmesatar nga Shkupi Kim Mehmeti që u botua gjithandej edhe në portalet e media iluzorisht serioze. Ai në atë fatvan e tij të radhës akuzonte mediat e Prishtinës dhe Tiranës për dështimin e radhës e historik (kontradikta s’ka nevojë për brirë plastike) se përse shqiptarët e Maqedonisë “paskan fituar betejat dhe humbkan luftërat?” Sipas tij kësaj radhe këto qenkan fajtore ngase paskan “zbuluar turkoshakët dhe islamistë dhe njëkohësisht paskan lavdëruar e lartësuar hajdutët dhe votuesit e LSDM-së”!
III.
Çka ndodhi në të vërtetë? Është e vërtetë se pati ndonjë media dhe opinion-bërës në Prishtinë që na thyen edhe atomin e fundit të respektit ndaj tyre se vërtet u përpoqën t’ua imponojnë njerëzve atje hajdutët dhe informatorët më të urryer të shërbimeve sekrete dhe agjenturave të ndryshme me prapavijë kriminele. Poashtu tashmë doli mbi ujë anësia e shtabit të apartçikëve të Edi Ramës në favor të shqiptarëve në kuadër të LSDM-së.
Mediat e Tiranës qëndruan stoikisht pasive gjatë kësaj dasme. Vetëm dy tri ditë para zgjedhjeve u aktivizua Blendi Fevziu me një debat. Shumica absolute e mediave në Prishtinë mirëpo u soll në mënyrën më objektive të mundshme duke dokumentuar burimin e përçarjes së madhe ndërmjet shqiptarëve në aq shumë parti; duke shpaluar se përçarja kryesore nuk vjen për shkak të opsioneve por për shkak të dytaborëzimit në pro-turk pseudo-islamë, të korruptuar dhe në forca minore me biografi antikorrupsioni. Dhe këtë nuk e bënë me ndonjë sherr por në bazë të fakteve. Filiala erdoganiste “Besa” që e propagandojnë tash e sa vite Kim Mehmeti me miqtë e tij në Prishtinë, Shkup e Tiranë është kryefabrika e përçarjes dhe fragmentarizimit në favor të defaktorizimit të elementit shqiptar brenda politikës në Maqedoni. Shqiptarët në vend se të kishin përballë dy kategori njerëzish; të korruptuar dhe jo të kurruptuar atyre u hynë në mes këta teofilët etikë-kastruar dhe shumëfish të korruptuar që manipulonin me “Allahun” e me gjithçka tjetër, kështu duke irracionalizuar mundësinë e selektimit opsional deri në pashtegësi!
Tani njëri nga përgjegjësit kryesor të kësaj përçarjeje masive në favor të tjerëve del dhe thotë se ata që na demaskuan dhe na penguan drejt përçarjes edhe më të madhe me fonde të korruptuara të Turqisë, Katarit dhe Kuvajtit i kanë fajet për dështimet tona, se përndryshe do t’ia kalonim BDI-së dhe tjerave për ta pasur pushtetin bashkë me këdo që të vinte në pushtet.
IV
Mediat e Prishtinës me sensibilizimin që bënë drejt sqarimit të taborëve garues e shpëtuan popullatën e Maqedonisë më mirë se dikur tjetër nga edhe mëpërçarja, mëkorruptimi jo vetëm material por edhe inhuman ngase rrezikohej që të manipulohet edhe më shumë me sakralizime të rrejshme drejt një masopsikoze skizofrene , që en mase mos dijë në fund as faktin se cilës kulturë i takojnë, ç’gjuhe vërtet flasin dhe për kë janë duke bërë punën e demonëve të Hades-it. Pas votimeve ata e panë tashmë realitetin se: kishin vërshuar kutive të votimit jo për vete por për tjerët, të cilët jo se nuk do i ndihmojnë por edhe dp të vazhdojnë duke i tallur edhe më shumë ngase fashistëve brenda tyre nuk u mjafton vetëm përçarja atje por ata duhet edhe më thellë të përçahen me Prishtinë e Tiranën që vepra të kosniderohet e fianlizuar si duhet.
Shqiptarët e Maqedonisë kanë problemet e tyre mirëpo dëshmuan se fashistët e tyre më shumë se tri vende nuk i morën dot, sidomos jo atje ku s’ka gjasa Kim Mehmeti me kolegët e tij të korruptuar nga të gjithë përveç shqiptarëve!
Apropos Timonit: ai kishte keqkuptuar njerëzit duke besuar se korruptimi material do t’ia mbajë skllavë edhe atëherë kur s’do jetë më i pasur ose edhe në raste kur ata duhet të vendosin se do rrijnë me të apo me perëndinë e tyre!