Demokracitë e zhvilluara bëjnë çmos për të gjetur formulën më adekuate të koekzistencës së kombeve në paqe brenda një shteti apo më shumëve, në Kosovë duan edhe një komb që ndoshta edhe e sajojnë si të dalë nga ky që është – shqiptar, por urojmë mos t’iu ndodhë si «maqedonëve».
Si në shumë tema tjera edhe në këtë, rreth pyetjes se çka është kombi, ka një keqkuptim radikal. Mosmarrëveshjes i fryjnë kryesisht publicistë, poetë, kollumnist që po t’ua studiosh mënyrën e polemizimit nuk i dallon dot nga ata pseudoprofetët e «parahistorisë», të cilët betoheshin këmbeduar perëndia t’i ketë ngarkuar personalisht me misionin për tua normëzuar njerëzve jetën se si duhet të hanë, pinë dhe ti kryejnë ato punët tjera.
Kur i analizojmë tekstet ku tash e sa vite kacafyten autorët rreth kuptimit të nocionit komb të krijohet përshtypja se jo të «pashkolluarit» kanë problem ta ndajnë shapin nga sheqeri por pikërisht ata që ulërijnë të jenë ekspertët e fushës. Xhonglimi me paradigma, teza, definicione është eklatant – ato citohen, shkoqen, tjetërsohen aq keq saqë njohësit të tyre s’ka se si mos t’i rritet oreksi dhe dëshira për tu bërë censor i rreptë. Seleksionimi i argumentacionit në favor të njëdimensionalitetit personal, për ta mbajtur pra gjallë tezën e preferueshme është jo vetëm infantil por edhe neveritës. Shkurtë: jo vetëm debati por edhe vetë nocioni është banalizuar aq rëndë saqë sapo të përmendet ta shkakton diabetin.
II.
Megjithëkëtë njerëzit si duket kanë nevojë për këtë term, ata shprehen ë hutuar saherë përdoret «kombi» në këtë apo atë variantë. Prandaj si e para punë iu drejtuam fjalorit shqip-shqip. Aty si zakonisht, si për shumë nocione tjera historibërëse e kapitalomëdha i gjetëm gjashtë gjysmërreshta farekoti që i përngjanin më shumë një diagnoze psikiatri për pacientë se sa ndonjë sqarim qartësues. Ja në origjinal:
KOMB I m. sh.
1. Bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës. 2. spec. Shtet, vend. Lidhja e Kombeve. Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Edhe në fjalorët tjerë (tek ai elektronik ishte e shtuar edhe e drejta e vetëvendosjes dhe baballarët reaksionarë zogollianë) nuk gjetëm gjë serioze, prandaj detyrohemi që faktet neto rreth «kombit» t’i marrim nga enciklopeditë më aktuale të huaja dhe ato janë këto:
1. Aq sa mund të dokumentohet deri tash «natio» shfaqet për herë të parë në latinishte tek romakët dhe atë për grupet e huaja që jetonin në kuadër të imperium romanum, dhe që përdornin një gjuhë të përbashkët (pra jo latinishten), kishin rite, norma të dhe origjinë të përbashkët. Për këtë arsye romakët nëpërmjet dy ligjeve rregullonin raportin me etnitë e tilla dhe atë me: ius gentium = E drejta e popujve dhe me ius civile = e drejta e qytetarëve të perandorisë romake!
2. Në shekullin 16 dhe pastaj i kodifikuar në shekullin 18 me revolucionin francez «nacion»-i i përkthyer në shqipe si «kombi» përshkruan popullin me origjinë, histori dhe gjuhë unike si konstitues i shtetit, që më vonë do të quhet si «kombi titullar» i shtetit.
3. Nga këtu – pas revolucionit francez – marrin dhénë teoritë që mëtojnë ta shpjegojnë «kombin», përmasat dhe ndikimet e tij. Pothuaj çdonjëra shkencë e jo shkencë, doktrinë e ideologji ka një recetë të veten se si duhet të kuptohet «kombi»!
4. Kombi në shkencat sociale – Sociologu gjerman Ferdinand Tönies thotë kombi është «shoqëri e dëshiruar». Irlandezi britanik linduri në Kinë që vdiq në Batu të Indonezisë Benedikt Anderson thotë kombi është «shoqëri prezantuese e shpikur», ngase «shoqëria e tyre bazohet në psikë», kjo për arsye se anëtarët e shoqërisë nuk njihen personalisht face-to-face. Antropologu Clifford Geertz thotë se kombi është grup i lidhur në baza primordiale (nga baza e origjinës bazë, prejardhjes). Klaus Hansen thotë është kolektiv dhe Anthony D. Smith thotë kombi të jetë kombinim nocionesh ekzistuese.
Shkencat sociale, siç shohim, kryesisht rikonfirmojnë kuptimin dhe perceptimin e «kombit», bëjnë lojë fjalësh ose nuk merren me falsicitetin e definicionit por flasin jerm. Natyrisht që njerëzit e të njëjtës gjuhë dhe histori dëshirojnë së pari të bëjnë bashkësi me të vetët se sa me tjerët me të cilët as që merren vesh (Tönies). Në asnjë segment të definicionit «komb» nuk thuhet se njohja interpersonale, fiziko-direkte është kushti se pse një shoqëri e paraqet veten si komb. Jo njohja personale por kujtesa (thirrja në të kaluarën), identiteti (gjuha sidomos) dhe kontinuiteti kulturor (tradita, institucionet, vendet) janë kombformuese (Anderson). Geertz thotë atë që thuhet që nga fillimi i vënies në qarkullim të termit «nacion», Hansen s’ka pasur ide tjetër dhe Anthony Smith i metarializon edhe fragmentet terminologjike tjera në favor të kombit ashtu siç lexohej që nga fillimet e tij.
Në këtë linjë janë futur edhe plotë historianë, të cilët kombin e kanë përzier me ideologjinë nacionaliste, e cila është komplet një narrativë tjetër dhe s’ka të bëjë me atë se si duhet të perceptohet nocioni komb.
5. Kombi i OKB-së – Kjo organizatë më shumë është për sherr se për të mirë. Gati njëjtë si fjalori shqip-shqip më shumë huton se zgjidh probleme. Anëtare e saj mund të bëhesh vetëm si shtet, megjithatë ngul këmbë dhe nuk riaktualizon çështjen e ndërrimit të logos. Ose vërtet «imagjinon e shpreson» që një ditë nenet 1 dhe 55 të kartës së saj që thonë: Popujt kanë të drejtë në vetëvendosje, pavarësisht se a janë pjesë e një shteti apo jo ngase synohet një gjendje ku: «çdo popull ta ketë shtetin e vetë». Në këtë paragraf është e qartë se organizata dallon kombin nga shteti dhe atë bukur, por jo në logen kontradiktore të saj.
Përveç OKB-së janë edhe plotë shtete e organizata supranacionale që e përdorin termin jo në kuptimin e drejtë të tij, por edhe për shtetin duke e barazuar me nacion: nacionalja zvicerane për shembull! Zviceranët mund të thirreshin de facto poashtu në pjesën e kulaçit të gjermanofonisë (se kombi titullar është gjemanofoniku) si austriakët, mirëpo ata reagojnë me aversion ndaj një pohimi të tillë se nënkuptohen si qytetarë, shtetas e jo si allemanë. Pse atëherë quhen nacion? Sepse u është imponuar dhe nuk iu pengon se nuk i japin fare rëndësi në kuptimin siç bëjnë ballkanasit me komb-etni!
6. Kombi në shkencat politike = në këtë rrafsh shkencore rishfaqet problemi romak ndryshe. Perandoritë nuk ishin të krijuara nga «kombi titullar i demokracisë» por nga shkaqe tjera universale, respektivisht qytetare dhe diskriminimi i grupeve etnike vinte nga këto. Në kohën pas epokës së kombeve janë etnitë shumicë që diskriminojnë pakicat brenda shteteve – se kështu ua mundëson demokracia. Dhe ky nuk është më problem se si duhet ta konceptojmë kombin, por si ta bëjmë të mundshme jetesën e më shumë kombeve brenda një shteti.
Gjitha debatet përtej pyetjes së fundit nuk kanë të bëjnë me kombin se çka është ai (quaje si të duash kulturor, etnik, biologjik), por me problemin e barazisë qytetare brenda shteteve ku jetojnë më shumë se një komb – pra siç është rregulli. Domethënë kërkohet një shtet që vepron në baza të barazisë qytetare e jo në baza të përkatësisë kombëtare. Shtet mund të krijojë një komb apo disa prej tyre.
Qartë: jo ekzistenca e kombeve është problem por mënyra se si menaxhojnë ata jetën në koekzistencë me tjerët.
III.
KOMBI KOSOVAR?
Tash problemi ynë: a është Kosova komb? Nuk u krijua si i tillë. Si shtet i kombit kosovar. Kosova u krijua si Republikë e qytetarëve të Kosovës ku «komb titullar janë shqiptarët». Për së dyti herë. Publicistë të ndryshëm të Kosovës kërkojnë që kosovarët të trajtohen edhe si komb i veçantë. Kjo donë të thotë se ata kanë kopjuar (mësuar) iniciativën e Titos dhe Dimitrovit që nga një dialekt i bullgarishtes ta nisin ndërtimin e një kombi më shumë sllav brenda «konfederatës së tyre të imagjinuar» ballkanike. Dhe e bënë. Artificialisht. Me një facit: nuk shkon edhe gjatë kombi maqedonas do të jetë ai vërtet i imagjinuari se pa anëtarë ose ndryshe dhe që në fund do të bëjë çmos së paku për ta ruajtur emrin. Pse është kështu? Pikërisht se kombi nuk imagjinohet dot pa qenë të dhëna disa kushte konkrete si gjuha, vendet dhe mitet e kujtesës, varret, monumentet, shkrimi, simbolet, reliktet, ceremonitë, etnogjeneza dhe një varg tjerash (jo të shpikura idiotçe si ndonjë Buxhov). A bëhen këto? Njeriu kur donë edhe në hënë bënë pushime, por Kosova ka plotë probleme tjera më të rëndësishme, akute, konkrete se sa të merret me idetë qesharake të publicistëve religjio-eksesiv apo që s’dinë ta ndajnë kombin nga shteti .
Kosova është shtet. Ajo ka të drejtë të barabartë në kombëtarësinë shqiptare sa edhe shteti shqiptar, prandaj poaq ka të drejtë të quaj gjithçka kombëtare (në sajë të përbashkëtës dhe jo të veçantës, se të fundit as nuk e dinë) si; teatri kombëtar i Kosovës (se gjendet në atë rajon gjeografik të kombit), përfaqësuesja kombëtare e Kosovës – në futboll e kështu me radhë. Të dyja shtetet mirëpo duhet të mendojnë se a do t’i quajnë ato tilla – institucionet – nëse në to inkuadrohen edhe serbët, turqit, pra qytetarë që s’janë të kombësisë shumicë. Shtetet pra do të vendosin se si do të përfaqësohen e jo kombi.
Duhet të vendoset një ditë se shtetet e Shqipërisë, Kosovës a do të vazhdojnë të quajnë «kombëtaret» e tyre kështu apo ndryshe, si në realitetit edhe janë: ato me kushtetutë, ligje, formë funksionojnë si shtete qytetare e jo në sajë të Kanunit të Lekë Dukagjinit ( cili poashtu është kompilim të drejtash tjera mesjetare) apo në emër të gjakut, etnogjenezës, fesë e yjeve. E kjo nuk e dëmton kombin shqiptar, përkundrazi e lartëson – sa më shumë të njohë e pranoj tjerët aq më i madh bëhet!
Askujt nuk i duhet edhe më shumë se një komb. Shtete të afta, të barabarta iu duhen shqiptarëve pavarësisht se në cilin jetojnë. Jo gjithçka është konstruksion. Përndryshe ti mund të quhesh edhe perandori askush nuk të arreston për atë punë. Se si të shohin e pranojnë tjetër – është poashtu temë tjetër.