Maqedonia antishqiptare apo vetëm gjeoracizëm?

Primatët politikë sabotuan shejntërimin e Nënë Terezës në Romë. Ky veprim i tyre rishkaktoi një valë akuzash e fyerjesh në kurriz të shqiptarëve të Maqedonisë. Historia e një mallkimi të padrejtë publik!

Mosshkruarja e primatëve etnikisht shqiptarë të Maqedonisë në shenjtërimin e Nënë Terezës, me të drejtë rishpërtheu akuzat ndër më të tmerrshmet ndaj „turko-arabëve“, „tradhtarëve“, „fundërrinave“, „mbetjeve e mbeturinave“, me një fjalë u përdorën fyerjet më të rënda të mundshme. Fyerje, që pas leximit të këtij artikulli besoj se iu kthehen si faturë e merituar autorëve të tyre. Kështu ngase ato, akuzat janë prodhim i një injorance të thellë, mosnjohje të terrenit dhe u ekspozuan më shumë si mllefe të projektuara ndaj „vetes“ se sa ndaj rajoneve tjera. Konkretisht: akuzat më shumë fyenin se manifestonin keqardhje.

Pse mendojmë se akuzuesit, zbuluesit e antishqiptaritetit të popullatës shqiptare atje ushtrojnë vetëm gjeoracizëm në modusin e projeksioneve? Ja pse:

ALI AHMETI DHE MENDUH THAÇI
Mosshkuarja e Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit del e motivuar nga shumë arsye mirëpo që kanë të bëjnë personalisht me ata e jo me realitetin etnodemografik e identitar të banorëve të atjeshëm. BDI ka marrë teposhtën dhe ka më shumë kriza të brendshme se sa të jashtme. Ali Ahmeti nuk shkoi në Romë nga frika e po asaj Maqedonie imagjinare siç kundër së cilës luftojnë akuzuesit. Ai nuk donë (asocio me partitë kosovare) të nervozojë as shtresën edhe më të keqe apo fanatike të shoqërisë duke shpresuar se votat edhe të tyre mund ta shpëtojnë. Asnjë kalkulim tjetër këtu nuk hyn në punë ngase Ahmeti është ateist dhe shqiptarocentrist. Menduh Thaçi i bën të njëjtat kalkulime. Ky madje, nëse opinioni nuk e ka harruar, e përdhunoi edhe vetë mentorin e tij Arbër Xhaferin që nuk i duronte aspak dovatë, duke ia kënduar mbi varr edhe një herë tallkinin. Poashtu besoj të mos ketë harruar opinioni betimin e tij ndaj shefit të shërbimit sekret maqedon. Pra këta dy primatë sot e aktualisht kanë poaq legjitimitet përfaqësimi politik e moral sa kanë ata të lëvizjes „Besa“ me mentorë herë Erdoganin e herë Gülenin, pra në stilin kush të jap atje vrap!

HISTORIA E RE
Deri kah mesi i viteve të 90-ta në xhami shkonin rregullisht vetëm pleqtë, të pensionuarit dhe atë në numër fare të vogël. Përjashtime bënte ramazani, atëherë kur gjitha kafeteritë lëshonin perdet që mos dukeshin ata duke pirë brenda dhe gjithë shkonin në taravi – më shumë ashtu sa për sy e faqe se sa të dinin një varg të vetëm nga Kurani. Imamët dhe imamet vinin mblidhnin para si të çmendur gjatë ramazanit dhe blinin golfa, zastava dhe bënin seks me dashnore sllave në vetura, arave të Pollogut.

Xhamia si institucion ishte totalisht indiferente ose destruktive në relacion me problemet shoqërore, politike e kombëtare. Më shumë bënte keq se sa mirë.

Pas rënies së monizmit u krijuan plotë parti shqiptare, etnocentrike dhe të gjitha unisono doktrinë rekrutuese e kishin patriotizmin folklorik. Jo përmirësimin e gjendjeve dhe marrjen e të drejtave, por fjalor me mic sokola e shote Galica. Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë u zhgënjyen ngase varfëria dhe problemet e tyre u thelluan më shumë. Diskriminimi u bë edhe më brutal, për arsye se ai bëhet edhe më i padurueshëm kur beson ta kesh lirinë e s’din çka të bësh me të. Të lodhur nga pa-efekti i patriotizmit folklorik të partive dhe primatëve ata të çorientuar filluan të kërkojnë ndihmë nga ata që më së pari u dilnin përballë. Në Maqedoni mbërritën agjenturat, shkollat e Gülenit, të cilët gjithandej hapën shkolla të ulëta, të mesme dhe të larta. Shumica vetëm tek ata mund të bënin shkollë se këto „patriotiket“ dhe shtetëroret të korruptuara dhe lëshonin në studime vetëm ata që kishin para. Pas Gülenit ia mbërriti konkurrenca: që të dyja këto agjentura deri më tani më aktive janë në tri qendra të caktuara: Shkup, Gostivar dhe Kumanovë (Harta 01). Pas tyre si magnet hynë në konkurencë edhe iranianët dhe sauditët – të fundit qysh në kohën e Jugosllavisë nisën shkollimin e shqiptarëve si imamë!

Harta01
Harta 01

GOSTIVARI, SHKUPI E KUMANOVA
Pse Gostivari, Shkupi e Kumanova u bënë qendrat nga operojnë organizatat fundamentaliste dhe ato erdoganiste? Gostivari gjithmonë ka belbëzuar turqisht. Ka belbëzuar e jo folur ngase familjet përbërëse të qytetit e që „flasin“ turqishten në shtëpi janë nga Malësia e Gostivarit, Luma e Shqipërisë, Dibra e vise të tjera ku s’ka pasur asnjëherë minoritet turk. Prandaj edhe mezi kuptohen nga turqit e Stambollit. Është fshati (tashmë komunë) Vrapçisht aty afër ku turqishtja është gjuha e shumicës dhe po-ashtu e përbërë nga Malësia e Pollogut ku turqishtja as që ka ardhur ndonjëherë në shprehje. Pra këta s’janë as minoritet turk, as mbetje osmane siç thotë Davotuglu por sot deklarohen ashtu dhe duhet respektuar. Për Turqinë dhe arabët natyrisht se ky Gostivar kështu ishte qendra më e përshtatshme nga aty për të ndarë ndikimin e vetë kulturor. Megjithëkëtë, qyteti është i vogël dhe inteligjencia e saj lokale është refuzuese e „modës së mbetur nga koha alla turka“. Ndër ta ka autorë të njohur, fotografë e intelektualë të të gjitha fushave. Shikuar nga ky kontekst Gostivari është shumë më pak efektiv në erdoganizëm se sa Prizreni e Vrapçishti shumë më pak se Mamusha dhe ato 38 komunat ku turqishtja është shpallur gjuhë zyrtare. Minoriteti 3% turk në Maqedoni nuk i ka ato privilegje që ta ketë turqishten gjuhë zyrtare edhe atje ku s’shkon kurrë si në Kosovën e Hashim Thaçëve.

Shkupi është kryeqyteti dhe si i atillë vetvetiu afin për operime të atilla. Aty sillen edhe autorë me ndikim si Kim Mehmeti me divizionin e tij, të cilët të parët u vunë në shërbim të organizatave turke (ashtu si për ata jugosllave e mëpastaj Soros-it dhe çdokujt që vjen), të cilat nëpërmjet islamit si mjet agjitimi përhapën idenë e fesë para kombit – ngase të dytin e kanë në duar Ali Ahmeti e Menduh Thaçi – kështu sugjerimi, ngase realiteti është: as mediat e as institucionet nuk veprojnë ngase ose të korruptuara ose pa mjete.

Qendra e parë afër Shkupit (madje duke filluar që nga lagjet anësore të saja) është Kumanova. Njëra nga komunat më të lëna pasdore dhe me pjesëmarrje më të madhe në luftën e UÇK-së në Kosovë dhe në Maqedoni, ku bënin pjesë edhe imamë që më pastaj u çoroditën në agjentë të organizatave politikoilsamike.

KUNDËRTHËNIET
Megjithatë, shumëkush pyetet me të drejtë; pse me gjithë këto baza financiare – shihet në propagandën e tyre ku derdhen miliona, jo vetëm rrjeteve sociale – që kanë organizatat si „Besa“ nuk arrijnë të masivizohen aq sa për të krijuar si në Kosovë Parti Drejtësie, Fjala, LISBA, për të kapur aq shumë Nexhmedinë Spahijë, Salih Kabashë,  RTV21 (që tash ka hy edhe në Maqedoni se nuk i mjafton Kosova) e TVKoha që mbytën masat me seriale turke e propagandë osmanike, pse „Shkëndija“ nuk ka aq mjekra vahabiste si nacionalja e Tiranës, pse Tetova nuk shndërrohet në faltore bajrami si në Tiranë, pse kur shqiptarët e Maqedonisë gjithmonë qenkan më fanatikë dhe konservatorë, pse atëherë nuk kanë bazë për ta bërë partinë më të madhe të tyren? Pse Bashkësia e Myslimanëve nuk është si BIK që vjedh bashkë me fanatikët por bën luftë më shumë me e të fundit se tjerët? Ja pse? Ngase nuk janë më fanatikë. Partitë neoosmane nuk kanë ku i gjejnë bazat. Shqiptarët e Maqedonisë janë vetëm më ritual dhe më të urtë dhe pa intelegjenci që i përfaqëson. Por jo joshqiptar. Shiheni hartën nr. 1 dhe numëroni vendbanimet e qytetet dhe do të ndesheni me Tetovën (qyteti është më shumë me kosovarë të ardhur viteve të 60-70 se me vendorë e nëpër fshatra nuk e gjen ekstrermistë ose të atillë vetëm sa për ti përqeshur), Strugën, Dibrën, Ohrin, Velesin, Manastirin, Mavrovën, Rekën, rajone ku jo vetëm se nuk pranohen radikalët, por nga këtu ka nisur rizgjimi i shqiptarëve ortodoksë – shih hartën nr. 2 – (deri vonë të deklaruar si sllav) dhe atyre torbeshë (deri tash te deklaruar si maqedon mysliman) që tashmë flasin shqip dhe nuk janë të radikalizuar për asnjërën fe, përkundrazi. Madje ka vite që ky ndikim ka përlarë edhe dy rajonet e fundit historike nga Shtipi e tutje ku njerëzit kthehen në origjinën e tyre.

KONSTATIME
Siç shohim akuzuesit bëjnë punën e tri qendrave indoktrinuese të lartpërmendura duke i shtyrë shqiptarët e Maqedonisë me zor të identifikohen me agjenturat që duan t’ua imponojnë Stambolli, Riadi dhe qendra tjera. Gruevskit dhe Ivanovit u konvenojnë këto veprime si të agjenturave ashtu edhe atyre masave që i vulosin shqiptarët e Maqedonisë si erdoganistë, turq e arabë. Maqedonia shqiptare nuk është antishqiptare, ajo gjendet në një krizë orientimi si gjithandej. Ajo s’ka as media, as elita të guximshme si diku tjetër që do t’u bënin ballë këtyre tendencave me zyra shumëmilionëshe, prandaj përtej tyre dëgjohet vetëm zëri i të këqijve të tyre. Jo të këqij se besojnë, porse instrumentalizojnë fenë për të tjetërsuar sa më shumë Maqedoninë reale në favor asaj imagjinares që e duan ata.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...