Ne jemi Almirë?

I lexuam thirrjet, mllefin, shpërthimet e arsyeshme ndiesore të shumëkujt. Në pikën e tragjedisë si kjo me Almirin njeriu ka mirëkuptim madje edhe me teletellalët irracionalë, krijon empati çasti edhe me teofilët trukastruar që besojnë se jo shuarja e katërvjeçarit është aq me rëndësi por mungesa e tij në një festë fetare për nder të po atij palozoti që nuk e la në jetë, që e këputi me dhunë lulen që ia mveshin ta ketë krijuar po ai – palozoti! Manistët depresivë, po si religjiozët tjerë, i zhveshën nga minifundët daullet e tyre të hakmarrjes: dhëmbë për dhëmbë e sy për sy! Tragjedibërësit në bashkësi. Asnjeherë të aftë për të kapur esencën e frymës dhe natyrës së qenies që i përkasin!

Si ndodhi tragjedia?

Si gjithmonë në histori. Shqiptari pa një të sëmurë në urgjencë dhe ia lëshoi radhën. Kështu ka vepruar ai gjithmonë. Prandaj edhe nuk ka qenë kurrë pushtues, por përherë i pushtuar. Gabon? Romakët, persët, grekët o u zhdukën o s’janë fare. Ky plisibardhi mbijeton shekuj dhe ec e ec!

Ne jemi Almirë!

Almiri u bë viktimë e kësaj sjelljeje tereziane shqiptare për Tjetrin! Boban Iliç është dinamiti i një habitusi patogjen kolektiv që nuk duron shqiptarin. Oh sa mirë e njohin ata që janë përballur me vite me qenien që vuan nga ndjenja e mungesës së identitetit. Me plumb ndërmjet gishtave u ofronin zgjidhjen. Sa herë i lenin vetëm jashtë karaullave me mitraloza dhe i luteshin Zotit të tyre viktimat ta kapin vrapin. Por jo. Ata vuanin në vend duke pritur të vdes tjetri nga durimi i tyre. Kjo ishte arma e tyre, efektive dhe asgjësuese për të birin e dreqit dhe ëmës së tyre – sllavët kanë ngecur dhe ende nuk kanë zbuluar të mirën. Fatkeqësisht!

Botën e qytetëruar pikërisht me këtë natyrë e bënë shqiptarët për vete: i dëshmuan asaj se edhe në pikën më tragjike nuk imitojnë përbindëshit e tyre. Ata më lehtë vdesin me hipotekën e zemërbutësisë se të shndërrohen në kanibalë.

Shqiptarët s’janë Iliçë!

E dimë, po, e dimë dhe e kemi përjetuar në lëkurë se Bobani është vetëm instrument i një urrejtjeje të programuar. Ai është rritur nën presionin e «edukmit» për të urryer tjetrin. Gjersa mua «revolucionarit» të rreptë dhe më lodhte maksima e babait tim Zekë Lekës se dallimi në mes meje dhe tjetrit as sa një shtrese qepe nuk qenka e trashë, tjerët në mua shihnin kobin e tyre. Ah. Delja e shkretë në mes kaq shumë ujqish.

Almiri u vra se i ati i tij veproj si samarit. Se veproi si mirëbërës. Krimi nuk e duron të mirën pavarësisht motivit. Kush triumfoi? Almiri. Ky na bënë të mbijetojmë dhe fitojmë karshi çdo tragjedie!

Megjithatë ia vlen!
Më mirë Almirë të vdesim se Boban Iliçë të mbesim!

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...