Me Heliodorin dhe Volterin gjeografisë së imagjinatës për të kuptuar esencën e udhëtimit në art.
Ajo kishte vendosur të jetojë e privuar nga dashuria. Priftëresha Kariklea nateditë i shtrihej pranë këmbëve të mermerta Artemisias, perëndeshës së fëmijëve dhe grave që t’i shpëtojë të fundit nga tmerret e botës. Një ditë mori bekimin e saj, duke u «mallkuar» me dy provime; me një dramë dhe një mrekulli: Kariklea dashurohet dhe detyrohet të ikë botës.
Në konstruktin e Erosit perëndesha ia shfaq Karikleas Teagjenin thesalez, i cili me bukurinë e tij edhe meshkujt i rrëzon për toke e lere më gra e perëndi. Nën trupin e thesalezit, priftëresha mirëpo mund të shtrihet e shkrirë vetëm mijëra kilometra larg tempullit të Delfit. Nis shtegtimi ujërave të Mesdheut. Moti i keq i detyron të ndalen në ishullin Zakynthos. Aty robërohen nga një bandë piratësh të pamëshirshëm që me çdo kusht duan të bëjnë ca seanca erogjimanstike me të bukurën e Delfit. Skllavërohen dhe ndahen nga hordhi piratësh në konkurrencë. Pas një kohe Artemisia i bën sërish bashkë, ngase piratët i sjellin që të dytë në Nidelta të Egiptiti për t’i shitur. Gruaja e perandorit të Memphis-it Arsakeja sapo shoh Teagjenin e bukur i këputen gjunjët nga epshi dhe donë ta eliminojë Kariklean. Edhenjëherë hyn në aksion Artemisia dhe i flet në vesh burrit të Arsake-s Oroondates-it. Ky urdhëron që dy të dashuruarit t’i shkojnë në pallat. Pa sukses. Hordhi etiopianësh i zënë rob dhe i dërgojnë tek mbreti i tyre Hydaspes. Ky gjithë sa plas nga lumturia se më në fund i gjeti «kurbanët» për zotërat e tij kanibalë. Sërish Artemisia përvesh krahët. Mbreti zbulon Kariklea të jetë e bija e tij. Që nga ky çast e deri në fund të jetës Kariklea dhe Teagjeni nuk lënë luadh, shtrat e çarçaf të kryeqytetit Meroë të Etiopisë pa e ndukë e shkoq gjatë betejave të tyre epshore. Dhe Lukiani gjuhëhelmtë i Samosatës do të shtonte: Artemisia sigurisht se shkrihej me vetveten duke parë dy titanoidët e zhytur në seks.
UDHËTIMI SI UTOPI OSE GËNJESHTËR
Përshkrimi është substanca e romanit «Aithiopikà» të Heliodorit nga Emesa (289-360). Të kësaj kategorie homeriadash janë pothuaj të gjitha veprat, romanet, epet deri në shfaqjen e legjendave, reportazheve të rrejshme të tregtarit dallmat Marco Pollo gjatë shekullit 13, të cilat çuditërisht nga historia e letërsisë merren në indeks poashtu si vepra adekuate artistike, çka s’janë. Stabilizimi vjen me ciklin pesëvëllimësh të romaneve parodike dhe utopike të François Rebelais «Gargantua dhe Pantagruel» (1532 – 1564) mbi botën e pervertuar. Rebelais, respektivisht kapitulli i tij utopik «L’abbaye de Thélème» që huazohet si brum nga «Utopia» (1516) e Thomas Morus-it shkakton një llavë zhanrore në të cilën udhëtimet nuk kanë më synimin standard; shpëtimin e një fatumi interpersonal nëpërmjet dashurisë (Odiseu, Kariklea dhe Teagjeni me qindra trashëguesit e tyre letrarisë universale), por udhëtojnë kërkueshëm drejt në bote të re, utopike. Andreas shkruan «Christianopolisin» (1619), Cmpanaella «Civitas Solis»in (1623) dhe Bacon-i «Nova Atlantis»in, sa për t’i përmendur të mbijetuarit.
Dy figura e thyejnë këtë modë: Gottfried Wilhelm Leibniz dhe Docteur Ralph, alias François-Marie Arouet alias edhenjëherë Voltair-i!
GJITHA TË KËQIJAT E KËSAJ BOTE
Filozofi optimist Panglos (shqip = llapëmadhi) që ligjëronte «matafiziko-teologo-kosmolo-nigologjinë» i pati fajet. Një ditë gjersa baronesha e re Kunegunde shëtitej kaçubave të pallatit të metadorit të Westfalen-it Hans Jost Kurt dëgjoi ca psherëtima intensive. Magjistri Panglos kishte mbërthyer nga mbrapa gruan e tij dhe i provonte ca hipoteza të fizikës eksperimentale. Baronesha e bukur dhe e re, po si Artemisia që ndiqte paraeksplodueshëm muskujt e thesalezit bodybilder mbi trupin e priftëreshës së saj, edhe kjo si ndryshe përpos të nxehet e nxihet për një mashkull. Vrapas niset drejt pallatit dhe në portë ja Kandidi! Oh Kandidi! Shkaku u bë Panglos-i e veprimin bëri Kandidi. Të nesërmen të dytë, Kandidi dhe Kunegunde fshihen pas një muri spanjoll. Puthjet trembin bylbylat. Ajo lëshon fustanin për dhe ky ulet në gjunjë dhe, dhe aty pranë kalon Baroni, i cili bëhet shkaktari që përzë Kandidin nga pallati dhe e detyron atë botës. Asaj bote poaq të tmerrshme siç e pamë tek Heliodori 14 shekuj më herët. Në ikje e sipër Kandidi bie në dorë të ushtrisë primitive bullgare dhe kupton se diçka nuk shkon me teorinë e Panglos-it që thoshte të jetojmë «në botën më të mirë të mundshme». Të njëjtët, bullgarët kanibalë pra, sulmojnë Westfalinë dhe vrasin e djegin gjithçka që ua kap syri. Ikë kontinentit mu në mes të tërmetit fatal të Lisbonës. Këtu, në kulmin e tragjedisë gëzohet ta gjej Kunegunden e përdhunuar qindra herë nga bullgarët, marinarët, skllavopronarët, tregtarët çifutë dhe piratët dhëmbëpalarë. Sërish ikë, udhëton për ta shpëtuar jetën. Tash me një shoqërues Cacambo-n mbërrin në Paraguai ku takon të vëllamin e Kunegundes, të shndërruar në jezuit. Pas gëzimit të bashkimit të dytë ia fusin njëri tjetrit shpatat në bark dhe njëri vdes. Jo Kandidi por jezuiti që s’mundej të parafytyroj skenën ku një qytetar i zakontë ia heq teshat nga trupi një baroneshe edhe pse të përdhunuar nga dreqi e i biri. Në El Dorado mbush Kandidi thasët me diamantë e ar. Në Surinam takon enjë filozof tjetër Martinin që është e kundërta e optimistit Panglos, një pesimist që vetëm Shopenhaueri që lindë sapo vdes Volteri (1788) mund të jetë dhe askush tjetër. Nga Parisi në Kostandinopojë dhe dramës së udhëtimit i vjen fundi: Aty Kandidi takon Kunegunden e tij, tashmë aq të shëmtuar saqë vetëm si kuzhiniere vlen. Aty takon edhe Panglosin e konsideruar të vdekur. E shëmtuara, i pasuri, dy filozofët njëri pesimist e tjetri optimist vendosin të jetojnë sipas motos së pesimistit Martin: «Le të punojmë pa u menduar, është e vetmja mënyrë për ta bërë jetën të durueshme» dhe Kandidi që njeh rrëfimin rreth Odiseut dhe Penelopës ia kthen: «Sa bukur e the … mirëpo kopshtin duhet patjetër ta kultivojmë». Cilin kopsht?
NDËRMJET FIKTIVES, FAKTIVES DHE KIÇIT
E qartë: Kandidi i Volterit është një vepër kundër optimizmit të filozofit gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz, i cili besonte se përkundër të gjithave humaniteti të jetojë në «botën më të mirë të mundshme». Volteri udhëton botës për t’i dëshmuar gjermanit që përtallshëm e çemëron në Llapëmadh (greqishte = Panglos) se Zoti dhe Njeriu veprojnë me pamëshirë; se bota është ferri vetë dhe se ajo nuk ndryshon me optimizëm të verbër por vetëm me përndritje, me luftë që si armë ka dashurinë infektive, ngase vetëm kjo e fundit do ta ndryshojë botën nga gjendja siç është. Vërtetë?
Teoria polemiste e Volterit mirëpo ne na intereson më pak se sa modeli se si letërsia, arti përdor ecjen, udhëtimin si proces ndërmjet nisjes dhe finales së shpjegimit të botës. Nga njëra anë kemi letërsinë me përmbajtje të rëndë filozofike e artistike (Heliodori,Volteri, Sternes), në mes atë të kiçit (Pollo, Karl May, Jule Vernes) dhe në anën tjetër atë faktiken, respektivisht reportazhin. Brenda këtyre tri kategorive cili është kontributi i prozës shqipe.
EKSKURS: UDHA SHQIPTARE RRETH VETES
Udhëtimet e shkrimtarëve shqiptare janë kryesisht historikorrigjuese, rekurrente. Shumica e shkrimtarëve shqiptarë nuk udhëtojnë botëve (i)reale, utopive, sferave të përtejësisë e këndejësisë për ta krijuar një botë për vete, por postohen në një skenë «reale», historikisht të rrëfyer, dhe nga aty reimagjinojnë botën në stilin e Karl May-t. Këtë edhe e bëjnë mrekullueshëm ashtu siç bëjnë dy a tre autorë që përpunojnë kohen dje dhe sot, fenomenet brenda kulturës së tyre, por nuk udhëtojnë dhe kjo ka një arsye konkrete: mungon materiali, kapitali i njohjes, gjeografia, historia, njohuritë mbi kulturat, epokat, historitë, qytetërimet, mitologjitë, paradigmat filozofike, realitetet aktuale vendeve, shoqërive, pra mungon gjithçka nga ajo me çka disponojnë trashëgimtarët e Volterit. Maksimumin që kemi në letërsinë shqiptare është shqiptarizimi i Romeos dhe Xhulietës në Hanife dhe Ilir, që donë të thotë imitim i zbehtë i atyre skenave tashmë një miliard herë të konsumuara brenda opusit re-kreativ human. Ata pak autorë që kanë pasur «fatin» realisht të udhëtojnë, e kanë bërë udhëtimin vetëm fizikisht ngase në çdo paragraf u shkëlqen trasta që e kanë marrë nga shtëpia.
UDHËTIMI I FLETOREVE TË ZEZA
Si tek Heliodori ashtu edhe tek comedia erudita e Volterit (që përdorëm si shembuj përgjithësues) shohim se në letërsi Bota barazohet kushtimisht më Udhëtimin! S’ka letërsi universale pa lëvizje. Përkundër këtij fakti, se përmbajtja, materiali, pjesa më e madhe, absolute e veprave letrare është udhëtimi (qoftë i bazuar në skena reale apo plotësisht të imagjinuara) ky segment është më i pahulumtuari siç argumentoi njëri nga studiuesit më të spikatur të drejtimit Peter Brenner me studimin e tij «Parastudim mbi historinë e një zhanri» (1990), pas të cilit katedrat anglosaksonike e deformuan edhe më tepër temën me teoritë e tyre farekoti të «travel writing»-ut, që më shumë na mëson për gjeopolitikën e globit se sa për esencën e udhëtimit në art.
Aktualisht vazhdon të mbizotërojë ky model proze që udhëtimin botëve, kulturave, mendësive, realiteteve e ekspozon si vuajtje, ferr, tmerr, si zonë barbarësh, si teatro nga lloji i atyre që Augustini dhe Pontifexi Maximum Scipio Nasica donin t’i djegin bashkë me aktorë. Leibniz donte ta ndryshojë këtë gjendje, mirëpo nuk ia doli, ngase as ai nuk diti t’i japë përgjigje pyetjes së Volterit: pse njeriu si qenie në mesin e kopshtit disahektarësh me lule të Kostandinopojës automatikisht me sy kap atë grumbull plehu sa një shuplakë në një cep të tij?
Ka letërsi të madhe ku udhëtimi është emancipim, njohje, hapje, pasurim (jo me diamantë si Kandidi), bukuri? Me siguri se po, dika diku, mirëpo edhe në këtë shekull njeriu mbetet magnet i negativitetit që e konsideron si energji jete, prandaj ky model letërsie vazhdon ta mbajë tregun dhe mendjen e mondanitetit. Duhet edhe njëherë që poezia të triumfojë mbi zhanret tjera që bota të të rimbushet me frymë për një udhëtim më të bukur se ky mbizotëruesi!