Keni vërejtur domosdo se mediat shqipe për çdo krizë na sorollatin me shpjegime figurash të një mendësie? Me ata persona që në histori, politikë, kulturë janë ose sillen injorante sepse nuk shpjegojnë dot, por kanë për strategji të ngulin në trutë e opinionit një porosi: atë të atyre që iu shërbejnë ose të veten njëdimensionale që nuk vlen për kokë të dytë.
Konspiratorë, alarmantë, «analistë» shkollë e gjuhëkëputur, zyrtarë e akrobatë fjalësh boshe na sjellin mediat si shpjegues të çdo teme e krize. Aty ndonjë Jazexhi që me vite paguhet nga shërbimet e lindjes për të helmuar me portale e aksione kundër perëndimit, ai pra që me vite përgatiti trutë e shqiptarëve të rinj për luftën e Shamit; këtu ndonjë Kastriot që ka zbuluar qëmoti se Obama është alien dhe ka ardhur ta shpartalloj Tokën në favor të planetit të Hyrës: atje një detashment tjetër kumtarësh bedelë të histerishëm që nuk qetësohen derisa sigurohen se opinioni i tyre nisi udhën si parafinë mbi ujin e ndotur të mendësisë shqiptare dhe gjithandej, patjetër altoparlantët postraumatikë si Lubonja i Tiranës, ai i Prishtinës, ai Shkupit, janë figurat që këmbë, sy e llapëhapur shesin pseudoversionet e tyre se si ndodhi dhe se çka duhet të ndodhë jo vetëm në tokat e gjuhës ku kanë nderin të shëmtojnë infosferat por edhe më gjerë, edhe më larg ngase globi del i vogël për ta.
Kjo ndodhë rregullisht e saherë të plas ndonjë krizë diku, brenda gardhit apo jashtë – nuk ka rëndësi, «ajkës» së plisave nuk i duhet kohë analize racionale, objektive, ngase të gjitha paraprakisht i di, më fortë se hyjnorët, më kristaltë se profetët, ajo i dinë të gjitha se beson e kalkulon me sy demiurgjësh, të tillësh që sajonin katastrofa imagjinare natën për t’i paralajmëruar ditën.
Kjo është gjendja e mediave të ditëve të fundit. Jo ajo e rrjeteve sociale ku çdo trushkretë mund të bëjë krahasimet më debile të mundshme, por aty ku redaktorë mendjemëdhenj pozojnë sikur të punojnë. Po çka te bëjnë ato të shkretat tjetër? Kështu pyesin dhe përgjigjen vetë: këta jemi ne! Ndonjë shikues me dy gram tru formënjëjtë pyet e ulërinë: këta jeni ju? Mos qofshi kurrë! Dhe sa po zbrazet racionali vazhdon të pyes:
1 – Si ka mundësi që në formatet televizive që shikohen me qindra mijëra shqiptarë të sjellësh pseudohistorianë, nxitës e prijës aksionesh protalibaneske, botërisht të njohur si të paguar nga shërbimet sekrete turke, arabe me rrogë e me shkollë ta shpjegojnë terrorizimin islamik dhe sulmin e Parisit me bombat e NATOS kundër Serbisë? Digjet e vuan dikush për të sjellë drejtësi për Serbi? Atë të Millosheviçit natyrisht. Sulmon ISIS perëndimin për këtë punë? Jo. Po kjo edhe s’ka fare rëndësi se nuk bëhet fjalë për analizë por për multiplikim të një propagande që është vetë nëna e krimit sidomos në Shqipëri: ajo ndihmoi ISIS-in të rekrutojë plisa me fëmijë.
2 – Si ka mundësi që për politikë, ekonomi, bagëti e bujqësi, terror në Paris, Shangai apo Bejrut, për homoseksualizmin, bletarinë e format e reja klonike të fekondimit të ekspozosh trione njëjtë nga Tirana, Prishtina e Shkupi që edhe asgjësë i përgjigjen me të njëjtën formulë të shpartallimit të autofrustrimit personal, gjë që nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë të bëjë me diçka përtej fizikut të tyre të thyer, po, mjerisht të përdhunuar ose të privilegjuar nga gjithë ne. Ai i Tiranës veçse nuk e kapërdinë çdo gjë që duket shqiptare nga urrejtja që ia detyrojnë traumat. Ai Prishtinës mirë që nuk e ka shpallur gjithë botën përtej Kosovës si iluzion që duket e që realisht nuk është, nuk ekziston. Ai i Shkupit edhe kuajt e bardhë i përshkruan si mushka të zeza apo si deve. Se ç’kanë të bëjnë këta me zhvillimet globale dhe efektin e tyre në shoqëritë shqiptare vetëm sponsorizuesit e tyre po aq injorantë mund ta dinë. Shtova këtyre edhe gjithë ata teorizues koti që për t’i ikur shpjegimit konkret strehohen citateve asgjëthënëse të ideologëve të shekujve të lënë pas dhe sallata nuk dallon nga koshi i bërllokut.
3 – Si ka mundësi që editorialet, komentet e shumicës së mediave të shkruhen nga autorë, tekstet e të cilëve vajtojnë nga padija, nga mungesa e informimit me atë çka ka ndodhur, çka e si ndodhë në ato kulturosfera të krizës. Tekste që të duken betejë e përgjakshme vetë, ku fjala përdhunon brutalisht e hapur fqinjën e saj; ku shkronjat sillen kundra njëra tjetrës si ndonjë i isis-it ndaj ndonjë perëndimori të rrëmbyer. Jo aq të ngushtë e të ngurtë nuk jemi; natyrisht se njerëzit e mediave duhet të komentojnë e analizojnë, mirëpo pse as Wikipedian joshqip nuk e shfrytëzojnë? Pse vjedhin në atë formë paragrafë të mediave të botës, të cilat në kompilim e sipër duken sikur gjysma e gjymtyrëve të kufomës së ndonjë viktime të Parisit të ketë fluturuar e përplasur mu në sheshin «Nëna Terezë» të Prishtinës?
Si ka mundësi… Eh si ka mundësi? Kështu është. Mediat shqipe sidomos atëherë kur duhet, gjatë krizës humbin rrugën qoftë edhe në sheshin më të ndriçuar të botës. E bëjnë me qëllim? Nisur nga përmbajtja, autorët dhe figurat që ofrojnë nuk besojmë. Thjeshtë nuk ua kap rradakja se ç ‘përgjegjësie kanë. Nuk janë në gjendje të mësojnë se janë shkaktare për mbizotërimin e opinionit konstruktiv apo injorant, se mundet të zgjedhin ndërmjet informimit objektiv apo dezinformimit për qëllime propagandash, paktesh e shtetesh të ndryshme.
Jemi vërtet këta e s’kemi ç‘bëjmë, siç na tha një redaktore që e konfrontuam me këtë mizerie? Jo. Plotë ka që nuk janë si mediat dhe figurat e tyre. Nuk qëndron problemi te mospasja e kuadrove analizuese edhe të problemeve kaq të komplikuara por thjeshtë sigurimi i ekspertëve sipas temës dhe problemit është punë e mundimshme dhe kushton. E këta që i shohim saherë hapim kanalet televizive dhe gazetat s’kanë punë tjetër, ngase gjithë ditën e lume presin ndonjë telefonatë redaksie për t’ia mësy për të llomotitur kot fare, kot mirëpo çorientueshëm, qëllimisht rrejshëm e duke nxitur opinionin dhe duke krijuar imazhe konform frymës apo kuletës së tyre.