Mini-aleksandri i Maqedonisë

Gruevski provokon dhe shantazhon vazhdimisht shqiptarët dhe interesat e këtyre të fundit në rajon. Tirana dhe Prishtina sillen si pula kokulura dhe të lënë përshtypjen se i kanë borxhe të mëdha «Liliputit nga Shkupi». A ka ardhur koha për një reagim djegës, si kontribut të emancipimit të një shteti që rrezikon paqen në rajon?

Thonë se vërtet beson të jetë Leka i Madh i kohës së sotme. Në fakt tjerët e thirrin me shpoti “Liliputi nga Shkupi”, mirëpo me energjinë e tij të dëmshme, nuk duhet banalizuar assesi. Gruevski del edhe më arrogant se Millosheviqi dikur, ndaj të huajve. Qoftë edhe si karikaturë e ish-liderit serb, maqedonasi rrezikon ta destabilizojë rëndë rajonin. Nëqoftëse jo më gjerë, ka gjasa që jugun ta shndërrojë në zona komitësh dhe miniushtri etnike apo religjioze. Pos kësaj, rrezikon të riaktivizojë sidomos shqiptarët në vende të ndryshme të Ballkanit që ta ndihmojnë në shembjen e “Republikës” së skicuar e implementuar nga Tito dhe Dimitrov, e jetësuar në “komb” edhe me ndihmën ceremoniale e naive të shqiptarëve të të gjitha trojeve.

Pse shkarkoi Gruevski dy ministrat e tij menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë?

Ngase të huajt me fakte ia dokumentuan që ata me disa shqiptarë të brendshëm e të jashtëm, organizonin operacione kundër shtetit. Me një fjalë, ai nuk dinte çfarë të bëjë dhe për ta mbrojtur veten, pasi tashmë dihet se edhe vetë ka qenë pjesë e “komplotit”, dogji ministrat. Me këtë mirëpo nuk u mbyll cështja. Ai vazhdon të provokojë dhe nxisë për të njëjtën temë. Dakord, nuk i ka mbetur gjë tjetër. Megjithatë tjerët duhet t’ia thyejnë shpatën e ndryshkur që e konsideron antike, duke e nxjerrë nga përdorimi. Bashkimi Evropian dhe grupi i ambasadorëve (dje a pardje) i bënë thirrje kryeministrit maqedonas t’u përmbahet marrëveshjeve të Përzhinos rreth zgjedhjeve dhe reformave se përndryshe…!

Përndryshe çfarë?

Asgjë.

Ndërkombëtarët duhet të përdorin ultimatume, sidomos ndaj një kryeministri me njëmijë dosje kriminale, të involvuar në të gjitha krimet kundraqytetare, sidomos ato që vrasin përtej “kopesë hyjnore” që ai e konsideron antike, edhe pse ajo ka nisur të jetojë nga 1945-ta e këtej.

Përveç trazimit të vazhdueshëm me divizione ushtarako-policore serbo-maqedonase të fshatrave e lagjeve të banuara kryesisht me shqiptarë, ai edhe ndërkombëtarisht operon si një filialë veçanërisht antikosovare, edhe kundrashqiptare po se po, përherë dhe gjithandej ku mbërrin. Edhe më intensivisht se kundër grekëve dhe bullgarëve që nuk ia pranojnë identitetin. Në serinë e kësaj strategjie dyfytyrëshe është edhe shkarkimi i ambasadorit me origjinë shqiptare, Agron Buxhaku, nga kukulla e tij me sinjaturën e presidentit, Ivanov.

Se si veprojnë shqiptarët brenda, kundër një politike kaq antishqiptare shihet: njëra pjesë bën teatër etnofolklorik pa asnjë shans të faktorizimit e tjetra, ajo koketuesja me Gruevskin, duket të jetë zhytur aq thellë në të bëmat e tij, sa veç krrokama koti lëshon, ngase në praktikë bën çmos ta shpëtojë Gruevskin, e me këtë edhe veten.

Sa do të zgjasë kjo aventurë komike e Gruevskit? Edhe sa do të lejohet kjo lojë qesharake me ambasadorët e huaj, opozitën? Deri ku mund të lejohet kjo sjellje arrogante antishqiptare e të voglit, që rron me fiksimin të jetë më i madhi i Evropës Juglindore?

Kjo sjellje e Shkupit zyrtar do të zgjasë deri atë ditë kur shtetet shqiptare nuk sillen si pula kokulura por ndërmarrin masa, vënë embargo në segmente sensible, reagojnë në instancat ndërkombëtare në mbrojtje të “pakicave” të veta (pa i dëgjuar liderët e brendshëm se janë fare kot) dhe denoncojnë luftën e hapur dhe të maskuar kundër interesave vitale të shteteve të tyre. Këtë së paku e meriton Maqedonia. Ndërsa ndërkombëtarët, ngadalë por sigurt, binden se pa mobilizimin supraetnik të një “koalicioni kundër së keqes dhe krimit”, që do të ishte i vendosur në heqjen e imunitetit dhe vetë kryeministrit, duke e bërë gati për në burg, Maqedonia nuk del nga kriza. Nuk do të dalë kurrë nga kriza. Reagimi i shteteve shqiptare në këtë kontekst nuk do të ishte politikë kundër një shteti të caktuar, por ndihmesë konstruktive për ta ruajtur paqen në rajon dhe Evropën Juglindore.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...