Kodet psikotoksike

LAJMET – Çfarë asociacionesh mentale dhe shpirtërore mund të ngacmojë ta zëmë fjalia:Isa Mustafa duke qeshur dhe duke e përshëndetur në serbisht ia shtrëngoi dorën kryeministrit serb Vuçiç, i cili ia ktheu në anglishte» (frazë e huazuar nga mediat), në psikën e konsumuesit pa kushtetutë personale perceptimi?

Të spekulojmë.

Kjo mund të ishte piktura e brendshme që lexuesi (shumica) vizaton për skenën: Isa Mustafa është tip nënshtruesi, servil; i zgërdhihet kryeministrit të atij shteti që ushtroi gjenocid mbi ne dhe të cilin as perënditë nuk e shtyjnë të kërkoj falje. Ndërkaq kryeministri serb paska integritet; nuk ia varka fare dhe nuk ia kthen njëjtë por demonstron se nuk i duron lëpirjet.

Tani fjalia në një version tjetër:

«Kryeministri kosovar dhe homologu i tij Vuçiç u takuan sërish në Bruksel…».

Cili është dallimi ndërmjet këtyre dy titujve? Në esencë që të dy njoftojnë të njëjtën gjë. I pari, informatë kryesore, sugjeruese ka karakteret e dy protagonistëve, ndërsa i dyti takimin si aksion konkret dypalësh. Fjalia e parë nxit urrejtje (apo simpati, varësisht nga identiteti i recipientit) tek lexuesi, e dyta në formë neutrale sjell lajmin duke mos prekur autonominë reflektuese të lexuesit, pra ai ka lirinë të asociojë e mendojë vetë se si vlerëson dialogun kosovaro-serb.

Duke njohur mediat shqipe pyesim: Cili nga dy titujt është shkruar me paramendim, me synimin për të shkaktuar një efekt apo afekt të caktuar? Asnjëri. Secili prej të dyve është «vepër» e ndonjë redaktori që pa vetëdije transmeton botën e tij të brendshme (paragjykimet, ndjenjat, frymën) tek masa e lexuesve, pa u menduar gjithaq, ndoshta edhe në huti, hektik se si mund të ndikonte mesazhi. Mediat shqiptare nuk janë si ato perëndimore me redaktorë të stërvitur apo të angazhuar enkas (shefat e prodhimit) në raport me gjuhën që përdorin, titujt, mesazhin etj. Me përjashtime minimale, kjo është natyra e komunikimit, në relacionin media-lexues, në hapësirat shqiptare.

OPINIONET – Opinionistët janë kategoria publikuese që vetëm gjuhësisht (nëse ndodhë kjo mrekulli me rigorozitet) korrigjohen nga redaksitë dhe pasi është kështu ata janë uzinat më infektive në krijimin e disponimeve të masave që i konsumojnë. Kategoria – për shkak se çdonjëri autor sjell natyrën e tij personale – mund t’i grupojmë në tri drejtime: në neutralë (objektivë), pozitivë dhe negativë.

Neutralët janë autorë, të cilët për parim kanë objektivitetin. Gjatë thurjes së tekstit ata kujdesen vazhdimisht të përshkruajnë të gjitha palët, paradigmat me zërin autentik të tyre. Konstatimin personal qëllimisht e lokalizojnë qoftë grafikisht apo duke e nënvizuar si të tillë që të kapet nga recipienti si qëndrim i tij personal.

Negativët – që janë populluesit absolut të mediave shqiptare – identifikohen lehtë për nga toni që ua përshkon mbarë tekstin: përbuzin, përqeshin si zakonisht adresa abstrakte (pushteti, partia, organizata, grupi); mbi 80% e fjalorit të tyre përbëhet nga kode negative si «asgjë, neveri, skandaloz, nënshtrim, krim, kriminel, hajn, vrasës, evitim, padije» e të llojit. Fjalitë i kanë të ndërtuara gjithmonë gjykuese, pra jo të tipit: «Qeveria nuk aprovoi buxhetin për kulturë», por «Qeveria pa kulturë». Autori domosdoshmërisht krijon taborë tifozerike lexuesish ngase duke gjykuar sugjeron veten si instancë kompetente gjykimi e morali. Në këtë e sipër nuk ka rëndësi se a disponon me argumentet e mjaftueshme apo jo.

Pozitivë janë perfidët. Autorët që qëllimisht operojnë me kode pozitive dhe të mëshirëpasjes si: «atdheu i shkretë; ia dogjën ardhmërinë rinisë; shqiptarët vetëm vuajnë», ose në stilin «gjuha jonë e çmueshme prishet nga akademikët e paditur, të cilët nuk janë të këqij por ashtu i kanë pasur kushtet».

Në këtë tabor  bëjnë pjesë edhe grupet që tentojnë të imponojnë një agjendë apo një temë të caktuar në mendësinë e masave. Metoda u përngjanë truqeve të agjencive turistike, të cilat në vend të reklamës për një destinacion të caktuar (Kroacinë, Turqinë) botojnë artikuj pro natyrës, bukurive, mikpritjes, kulturës gazetave të mëdha – kështu duke sugjeruar parajsën. E njëjta ndodhë edhe në drejtim të kundërt. Në krahasim me negativët kjo subkategori është më pak e dëmshme se ka për bazë mashtrimin si këmbim për një shërbim dhe evitohet pasi «konsumatori» të jetë kthjellur. Ndërkaq negativët ndikojnë në sfera komplekse edhe organike të njeriut, duke ia demoluar sistemin nervor, duke nxitur depresione masive e të llojit.

LEXUESI – Lexuesi, pavarësisht nivelit të tij arsimor iu nënshtrohet përditë «aksioneve» të këtilla të manipulimit masiv nëpërmjet mediave. Për shkak të intensitetit dhe recipimit të shpejtë që imponojnë lajmet çdo mekanizëm mbrojtës pothuaj është i pamundur. Të paktë janë ata (profesionalët) që e kanë një «kushtetutë» personale perceptimi, pra janë të ushtruar si lexues të vetëdijshëm me problemin që trajtojnë.

Problemi i këtillë do të ekzistojë gjithmonë sa të komunikojnë njerëzit. Ky as që është qëllimi i këtij teksti. Siç thotë edhe titulli alarmi ka një adresat tjetër: mediat! Ato sepse ndikojnë shumë në gjendjen psikike, shpirtërore të masave. Nëse shumica e mediave të një hapësire kulturore prodhon kryesisht dhe vetëm publicistikë negative apo pozitive (sipas kategorive tona) shoqëria asnjëherë nuk mund të shpresojë në elita racionale, pragmatike që do të munden ndonjëherë të marrin timonin e përparimit. Elita të tilla nuk do të kenë sukses madje as po i more nga jashtë dhe i instalove në një hapësirë të tillë kulturore ngase do të përjashtohen nga masa ose të do të kuptohen kur edhe elitat do të operojnë me shigjeta psikotoksike. Është koha kur mediat shqiptare duhet të mendojnë seriozisht mbi gjuhën e tyre!

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?