100 ditë vetëmallkim!

100-ditëshi i kësaj qeverie gati u bë. Kolumnistët, opinionistët mprehin lapsat para sajimit të provanive të radhës. Intensitetin e njohim, atë vertikalin: keq – shumë keq – tmerr – katastrofë – kataklizëm! Opozita do të dalë me listën e dështimeve të mëdha se të voglat as që i kap letra. Ajo bashkë me mediat do t’i bastisin biografitë e qeveritarëve deri në atë fazë kur të fundit as opinga e brekë nuk kishin. Do t’i denoncojnë zhurmshëm kapitalistët e krimit më shumë për t’i faktuar e bërë sa më të besueshme «teoremat» e tyre se sa vërtet të tregojnë me fakte se ku de facto është kapur shteti nga «fukarenjtë, katundarët, komunistët, komandantët» e djeshëm dhe milionerët e sotëm.

Kryeministri aktual do tentojë që edhe dështimeve t’ua ekspozojë anën tjetër të medaljes. Ato që i trajton pozitive do t’i dekorojë me djersën, suksesin, virtytin. Të paarriturat do t’i shpall premtime udhës për tu realizuar. Gjithçka do të bëhet mirë – ky do të jetë mesazhi i sukulluar nga sugjerimet perfide brenda materialit gjuhësor të politikanit.

100-ditëshi i zhveshur nga interpretimet e palëve në grindje, mirëpo ishte ky në konture të trasha:

NEGATIVET

Të gjitha palët humbën shumë kohë para formimit të qeverisë. Me muaj u ushtrua një trysni marramendëse psikopolitike mbi qytetarin. Shumë kohë shkoi me (ç)emërimin e kuadrove të reja. Shumë poste u ndanë – më shumë se duron buxheti i shtetit – për të qetësuar militantët partiakë. Aty këtu regjistrohen aksione hakmarrjeje partiake sa i përket ndarjes së posteve brenda burokracisë dhe atë në disfavor të sigurimit të një kontinuiteti profesional të shërbimeve. Në sektorin e kulturës – thuhet – se më së tepërmi ndihet hakmarrja në baza partiake. Shpërthimin e ikjeve qeveria nuk e menaxhoi si duhet, reagoi shumë vonë dhe atë në mënyrë sikur të priste radhën për ta kondoluar ndonjë familje që kishte humbur aksidentalisht njerëz. Qeveria vazhdon me stilin e vjetër të bërjes dialog me Serbinë: me të njëjtë njerëz, me të njëjtën jotransparencë dhe mendjemadhësi provinciale si përherë. Qeveria ende nuk e ka bërë hapin më jetik të saj, me të cilin do të dëshmonte seriozitetin karshi shtetit ligjor: të bëjë reformat në gjyqësi dhe ta sqarojë në mënyrë rigoroze raportin me EULEX-in. Ajo ende nuk ka aplikuar kërkesën për në Këshillin e Evropës. Reagoi shumë vonë ndaj kërkesave të opozitës në aferën «Jabllanoviç dhe Trepça».

POZITIVET

Isa Mustafa tregohet shumë më senzibël në komunikimin me opinionin se sa Hashim Thaçi. Së paku nëpërmjet rrjeteve sociale merr qëndrim personalisht dhe me tone të veta, jo të shkruara nga suflerët dhe administratorët. Paralajmërimi dhe kërkesa për krijimin e komisioneve kundër krimit të organizuar ishte e para ndërmarrje konkrete dhe deri diku e besueshme se qeveria e re nuk do të jetë avokatja e militantëve të saja të korruptuara porse në mënyrë rigoroze do të ndjek çdo të inkriminuar, pavarësisht origjinës partiake.

Gjatë të ashtuquajturit eksod qeveria zhvilloi një komunikim të prerë dhe të vendosur me shtetet e Evropës dhe ato fqinje sa i përket çështjes së refugjatëve: nuk demonizoi qytetarët e saj por ishte shumë decide që ata të kthehen në vendin e tyre, pasi nuk disponojnë me përparësi brenda ligjeve për azil në vendet që synonin.

OPOZITA

Organizimi i protestave ishte suksesi. Mosmbajtja e tyre në kontrollin e nevojshëm dështimi. Defekt ishte edhe përplasja, respektivisht argumentimi i temave të protestës; në çështjen e Trepçës nuk kishte asnjë kontekst përmbajtjesor ndërmjet versionit qeveritar dhe atij opozitar, prandaj nga shumica me arsye u perceptua si luftë për pushtet. Pas protestave faktorët përbërës të opozitës kanë marrë rrugët e tyre të veçanta: Vetëvendosje kërkon republikë socialiste. AAK shanë qeverinë e djeshme dhe të sotme vend e pa vend. Nisma – duke përjashtuar këtu shpërthimet emocionale-publicistike të Jakup Krasniqit – vazhdon të mbetet partia më konstruktive brenda gjithë spektrit politik kosovar.

SHOQËRIA DHE MEDIAT

Përtej organizatave politike shoqëria është e paralizuar. Organizatat fetare kanë filluar kthjellimin e tyre dhe nuk koketojnë – së paku publikisht jo – me rryma e organizata që i bëjnë dëm demokracisë, lirisë dhe vendit.

Mediat mbeten më aktivet në rajon. Shumicën e temave, agjendën e nxisin Express, Zëri, Koha Ditore, KlanKosova dhe KTV. Kryesisht në mënyrë konstruktive mediat e përmendura mund të llogariten si fuqia e katërt e shoqërisë. Ato lëngojnë në aspektin e raportimit objektiv dhe diskursit intelektual. Shpesh humbin kontrollin ose bëhen të njëanshme e diktateske ose shquhen nga njëanshmëria ose indiferenca.

100 DITË SI PARA TYRE – Nuk mjaftojnë aspak 2492 për ta ndërtuar një shtet të fortë. Aq ditë sa ka Kosova që nga Pavarësia e sot. Italia nuk ia ka dalë as për 50 vite ta shpor korrupsionin. Kush e lexon gazetën gjermane BILD mendon se kemi të bëjmë me një vend ku vetëm vriten, priten e vjedhin. Greqia gjendet para falimentimit më shumë për shkak të mentalitetit sesa nga mungesa e resurseve. Franca ende merr subvencione agrare nga BE. Partia më e madhe në Zvicër janë ksenofobët dhe miliarderët që me pare duan ta blejnë shtetin dhe shoqërinë. Natyrisht se shumëçka mund të bëhet më mirë, por duhet kohë dhe durim. Njëri nga problemet më të mëdha që ka Kosova nuk janë vetëm problemet që presin zgjidhjet, por janë edhe krrokamat e shoqërisë në stilin: vdiqëm, mbaruam, na mbytën, pra është ajo psikozë që paravdes çdo shpresë dhe vret çdo motiv apo obligim të politikanëve dhe të çiltërve që vërtet të përveshen e të bëjnë të pamundurën për vendin.

Më shumë duket sikur shumica të mallkojë veten se pse është si është se sa që të dëshirojë më të mirën. Po si Volteri në Londër: Hyde Park. Ditë me diell e vitit 1727. Një turmë e vërsulur drejt tij ulërinë: «Vareni. Është francez». Volteri i ngurosur nga tmerri i bërtet turmës: «Anglezë, doni të më vrisni se jam francez? Po a nuk më ka dënuar mjaftë Zoti që s’jam anglez?» Turma i aplaudon iluministit francez dhe shkapërderdhet.

Kjo e shpëtoi Volterin se ishte në Angli, por nuk e shpëton kosovarin që do të rrijë në Kosovë. Me këtë mentalitet nuk ndërtohet vendi, prandaj mosbesimi reciprok: secili mendon të jetë më i keq se tjetri dhe i miri gjendet vetëm jashtë kosovarit. Jo. Kështu nuk bëhet shteti.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...