“Profeti” Ibrahim Rugova

Shqiptarët e historisë nuk i kanë sakralizuar heronjtë dhe mitet e tyre në perëndi, profetë, të shenjtë, hyjnorë. Për këtë arsye ndoshta ata as nuk janë themelues e kultivues të ndonjë religjioni lokal, siç i gjejmë me shumicë brenda versionit ortodoks sllav të krishterimit apo subsaharës, tek aborixhinët dhe fiseve të shumta afrikane.

Gjersa aborixhinët dhe shumica e grupeve etnike afrikane hyjnizojnë kafshë të caktuara dhe paraardhësit e tyre si simbole që i mbrojnë nga egërsia e natyrës; për të mbajtur kompakt grupin, klanin; në praktikat e kishave lokale ortodokse sllave dhe sekteve të ndryshme islame, manizmi (lat. Manes = shpirtrat e të vdekurve) është bërë konstruktori elementar i identitetit politik, nacional apo religjioz. Kisha maqedonase që nga vitet e 90-ta e këndej i ka shpallur të shenjtë 12 komitë që kinse kanë luftuar për shpëtimin e kombit maqedonas. Kisha serbe nuk ndalet së hyjnizuari çdo të ftuar në Gjykatën e Hagës – dhe atë për së gjalli. Osama Bin Laden dhe qindra “martirë” tjerë tashmë rrinë varur xhamive e shkollave islame anekënd botës si shpirtra që mbajnë të hapur lidhjen me Allahun. Kjo tendencë hyjnizimi së fundi shtohet edhe ndër shqiptarë: shpallja e personaliteteve të vdekura si hyjnorë, profetë – madje ata më të hershmit janë shpallur tashmë edhe si perëndi. Vjen kjo formë fabrikimi profetësh e mrekullibërësish nga kisha katolike, lëvizjet e reja politoislame apo veç tash shqiptarët kanë mbërritur stadin e zgjimit të fiseve afrikane dhe subsaharës duke kuptuar se duhet më shumë respekt ndaj primatëve të vdekur dhe simbolit të tyre, shqiponjës?

2. Jo vetëm militantë në ekstazë e quajnë studiuesin e letërsisë dhe ish presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova profet, të shenjtë, por edhe “studiues” që punojnë instituteve më të larta të arsimit kosovar i kanë hyrë sferës së iracionalitetit religjioz, duke prodhuar skena hiperbolizuese që flasin për vetitë jotokësore dhe patjetër hyjnore të pacifistit kosovar. Luftëtari Adem Jashari është figura tjetër që ka zënë vend mbi oxhakun e shumë familjeve shtëpive, kullave, shkollave. “I shenjti Adem Jashari nisi luftën kundër serbëve dhe ne fituam”, “profeti Ibrahim Rugova është kreatori i pavarësisë”. “Zoti ynë Skënderbeu” e të ngjashme lexojmë, dëgjojmë për çdo ditë.

3. Matematikani gjerman Ferdinand Frobenius (1849 – 1917) sot nuk do të kishte të drejtë me tezën e tij se manizmi rrjedh nga Zoolatria (hyjnizimi i kafshëve në Indi, Egjiptin e vjetër). Së paku jo kur janë në pyetje shqiptarët. As se presioni për të hyjnizuar është relikt primitiv nuk qëndron. Shqiptarët gjenden në shek. 21 apo jo? Dhe mitet janë të nevojshme për kujtesën, kultivimin e traditës dhe kulturës. Po, mirëpo problem nuk është respektimi dhe kujtimi i personaliteteve të caktuara, por iracionalizimi i tyre. Deponimi i tyre në një sferë me synimin për t’i shpallur të “paprekshme”. Studiuesit e jashtëm nuk i prekin “hyjnorët” e popujve për arsye të së kamufluarës “political correctness” e të brendshmit (që shqiptarët i presin aq gjatë) nuk do të kenë as komoditet e as ngé të shpallen blasfemik, tradhtarë e spiunë dhe do të merren me tema të tjera. Këtu qëndron krimi i këtij hyjnizimi! Personalitete interesante, kontributorë në lirinë e shqiptarëve nuk studiohen e respektohen shkencërisht, por gjithçka që u dhurojnë atyre janë ritet injorante, pamfletet kultizuese të hobihistorianëve dhe këngët banale të korit të idiotëve. E të fundit duket sikur sakralizimin mos e bëjnë nga respekti që i djeg për Rugovën a Jasharin, por më shumë për tu fshehur pas të vdekurve sepse si të gjallë iu duket vetja kotë. Dhe pas shumë viteve kur të dal rastësisht ndonjë i huaj me një monografi shkencore mbi Ibrahim Rugovën a Adem Jasharin, shqiptarët do ta bëjnë copë me sharje dhe do ta mallkojnë për blasfemi, fakte mirëpo, dokumente nuk do të kenë në shtëpi. Hyjnorët s’kanë nevojë për to. Së paku jo kasolleve të tyre.

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...