Sekularizimi* nuk nënkupton asgjësimin e ndonjë religjioni apo botëkuptimi, përkundrazi ai është i vetmi sistem që mundëson sociodiversitetin, koekzistencën e shumëve brenda një hapësire. Ai shërben si preventivë për ruajtjen e paqes shoqërore sidomos në ato hapësira të cilat përbrenda kanë ideologji e subidentitete me synime ekspansioni global. Sa vlen ose sa praktikohet sekularizimi ndër shqiptarë?
«Tirania funksionon edhe pa besime, ndërsa liria jo», kështu mendonte Alexis De Tocqueville (1835) i shekullit të 19-të. Nëse liria nuk mund të funksionojë pa besime (religjione) atëherë çfarë jete bën ajo me to? Pas francezëve (Laicité, 1789) SHBA-të qenë të dytat që në vitin 1791 kushtetutën e tyre e hapën me nenin e parë nga Bill of Rights që në histori hyri si «Wall of Separation» e iluministit Thomas Jefferson-it e që thotë: «Kongresi nuk duhet të aprovojë asnjë ligj që ka të bëjë me themelimin e ndonjë religjioni apo që ndalon ushtrimin e ndonjë religjioni…».
MODELI AMERIKAN
Në vitin 1995 ish-presidenti amerikan Bill Clinton do ta shpalojë paradoksin para studentëve me fjalët: «Në këtë kohë të hipersekularizimit global SHBA – të, në kuptimin konvencional të fjalës, janë më religjiozet ndër vendet e industrializuara». Mirë a keq? Pasardhësi i tij Georg W. Bush që alkoolizmin e mundi nëpërmjet anglikanëve dhe metodistëve ende pa u bërë president njihej si fundamentalist i lëvizjeve evangjeliste amerikane, organizata të cilat patën ndikim shumë të madh tek presidenti sidomos në politikën e tij ndaj Lindjes së Mesme dhe të ashtuquajturës Botë e Tretë. Për shumë kronistë të kohës, kjo fazë presidenciale amerikane për historiografinë do të jetë ndoshta më kritikja, jo vetëm për politikën diskriminuese ndaj ndonjë pjese të globit por më shumë edhe për balancin brendasocial ose siç e prognozoi tri vite para nominimit të Bush-it për kryetar gjykatësi i «Supreme Court of the United States» Harry A. Blackmun: «Nëse Qeveria imprimaturën e saj e vë në shërbim të një religjioni të caktuar transporton mesazhin e përjashtimit të të gjithë atyre që nuk janë pjesëtarë të religjionit të privilegjuar» (1997)!
Shikuar nga aspekti ligjor Georg W. Bush nuk ka shkelur «First Amendment»-in e kushtetutës amerikane e as ndonjë kod tjetër që rregullon detyrat e presidentit të shtetit. Besimi i tij është e drejtë garantuar në fjalinë e dytë të po të njëjtit amendament. Amerikanët e dinin religjiozitetin e kandidatit para se ta votonin; ku qëndron problemi? «Georg W. Bush gjatë fazës elektorale nuk bënte evangjelizëm por siguronte mirëqenie, premtonte siguri dhe rikthimin e imazhit të SHBA-ve në superfuqi me ndikim. Edhe gjatë odiseadave luftarake në vendet arabe ai – megjithatë – nuk ishte aq i paditur që të misionojë me dashurinë e Krishtit (sepse do të ishte edhe kontradiktore) por ia futi çdo amerikani frikën në palcë nga terrorizmi ekzistent islamik, ndërkaq në thelb shumicën e vendimeve i merrte si fundamentalist, gjë që më vonë edhe e konfirmoi duke thënë se «lutja (e krishterë) është standard në qeverinë time» (Der Spiegel: 01.02.2001). Nominimi i politikanëve të njohur fundamentalistë si John Ashroft (i akuzuar për racizëm nga demokratët) dhe Robert Zoellick në poste ministrore vuloste spekulimin për «pushtimin perfid dhe të suksesshëm të politikës nga një religjion i caktuar».
Nëse sekularizmi amerikan doli i pambrojtur nga kapja e shtetit prej religjiozëve sa të mbrojtura janë shtetet shqiptare në këtë kontekst?
MINISTRITË FETARO-POLITIKE
Zhurma më e madhe për rrezikun nga fundamentalizmat vjen nga Shqipëria. Me të drejtë. Atje as kisha ortodokse progreke e as qarqet katolike (grupi i deputetëve katolikë) nuk i fshehin aspiratat e tyre për ta zënë politikën ose nëpërmjet saj ta popullarizojnë besimin e tyre si prima doctrina. Organizatat islamoradikale edhe pse të organizuara si në sferat tjera shqiptare (nga atje rekrutohen oratorët dhe agjitatorët për në vendet tjera) nuk e kanë të njëjtin ndikim si në Kosovë dhe Maqedoni. Kjo jo për arsye të nivelit të lartë të analfabetizmit në të fundit, por më shumë për shkak të support-it qeveritar: Në Maqedoni radikalizimi i religjionit ndër shqiptarë përdoret nga shteti si favor sidomos në fushën diplomatike të tij dhe në Kosovë për shkak të infiltrimit të segmenteve islamoradikale në qeverinë aktuale. Rasti i Kosovës, respektivisht dështimi i shtetit për të mbrojtur sekularizmin ka ngjashmëri – për nga metoda horizontale (e jo vertikale), sepse suksesi ka mbërritur deri në nivele ministrore e drejtorësh e jo deri në presidencë e kryeministri – me atë të SHBA-ve.
Organizata si AKEA, Vëllazëria Myslimane me nënsatelitë të ndryshëm tash e më shumë se katër vite lobojnë dhe rekrutojnë njerëz që janë në qeveri dhe të tillë që u kanë ndihmuar të futen atje. Nëpërmjet Memli Krasniqit AKEA ka arritur që ta legalizojë veprimtarinë e sajë si „bamirëse“ dhe botuese (promovohen libra të Milazim Krasniqit, Nexhmedin Spahiut e të linjës) pa e bërë transparente qëllimin dhe financimin e saj konkret. Synimi qendror i AKEA-s është ajo që për herë të parë Ahmet Davutoğlu› e bëri publike në 70 vjetorin e neosmanistit dhe ballkanologut prof. Halil Incalik të Universitetit të Bilkenit (këtu ka bërë Masterin edhe Hajredin Kuçi) në pallatin e Kulturës së Stambollit më 14. Nëntor 2009: «Incalik na ka mësuar ne (nxënësve të tij) që nga viti 1965 e deri më 2008 që nëpërmjet diplomacisë tonë turke ta rikthejmë praninë tonë gjithandej. Me „libra në këmbë“ ne do ti pushtojmë prapë hapësirat tona“. Doktrinë që me hollësi i njëjti e shpalon në «Stratejik Derinlik: Türkiye’nin Uluslararası Konumu» (Thellësia strategjike: Pozicioni ndërkombëtar i Turqisë. Stamboll: 2001). Përveç kësaj AKEA në raportet e ndryshme të perëndimit gjendet në listën e organizatave militante, ku bëjnë pjesë edhe brigada të caktuara terroriste në Siri, Irak – dhe që financohen nga një fond i veçantë i shërbimeve sekrete turke edhe pse kjo transaksionet semilegale i bënë nëpërmjet ministrit të pakicës turke. Ministri Krasniqi dhe Mahir Yagcilar jorrallë (dhe më së shumti) merr pjesë në ceremonitë parimisht fetare të kësaj organizate madje edhe duke përshëndetur e kënduar në arabishte. Kjo donë të thotë se të dy vënë ministritë ku janë në shërbim josekular, shtetëror sepse njëjtët si ata ministrat e Bushit të akuzuar për racizëm sabotojnë dhe minojnë paanësinë e shtetit në shërbim të një religjioni (madje edhe të një shteti tjetër) apo etnie të caktuar.
Po në të njëjtën variant tentuan të kapin sa më shumë ndikim edhe sauditët nëpërmjet shefit të AKR-së Behgjet Pacolli. Përpjekje bëjnë edhe religjione tjera – në Kosovë më shumë nga frika se sa nga ekspansioni.
EKSPANSIONET HYJNORE
Në shoqëritë si këto shqiptare, ku diversiteti religjioz përmban të gjitha të mirat dhe të këqijat abrahamite dhe joreligjioze sekularizimi është i karakterit ekzistencial. Kushtetuta e shteteve shqiptare duhet të jetë më strikte, më rigoroze se sa ajo e SHBA-ve. Ashtu si në Francë duhet të jetë, pa asnjë vrimë nga mund të dalë orteku i abuzimeve të mundshme: religjionet janë të ndara nga shteti dhe gjithandej ku është shoqërorja s’kanë çka kërkojnë mësimet fetare.
Asnjërës nga religjionet prezente ndër shqiptarë nuk iu mungon mesazhi i ekspansionit, të qenurit më e drejta, më e vlefshmja, më fitimprurësja, më meritorja për shoqërinë. Kjo maksimë mund të mbahet e kufizuar në letër e këngë vetëm me një shtet të disiplinuar që ua njeh të gjithëve të drejtën e ushtrimit por nuk i le t’ia hanë kryet njëri tjetrit dhe të demolojnë koekzistencën në paqe saherë që të zgjohen agresiv apo se kanë folur me ëngjujt për t’i mbyt gjithë jobesimtarët apo për ta çuar mesazhin e Zotit deri edhe në atë cep të globit ku jetojnë vetëm pinguinët.
Çdo model tjetër përveç sekularizmit dhe laicitetit do të shpiente në thellim të armiqësimit ndërmjet taboreve të fiksuara në pseudokonceptet e tyre, grupe që doktrinat edhe pse i kanë referencë duket mos t’i kenë kuptuar fare por verbërisht e instrumentalizueshëm i përshpirtërojnë si melheme antidepresioni e eutanazie!
GLOSAR
(si janë përdorur termet në këtë tekst)
Sekularizimi = Proces mental i ndarjes së shtetit nga religjioni.
Sekularizëm = Ndarje konkrete e shtetit nga institucionet religjioze).
Laicizmi = Sipas konceptit Ferdinand Buisson që luftonte për shkolla të çliruara nga besimet fetare.