ARTET NË KAFAZ IV / Çka hynë në kanonet e vlerave botërore të arteve e çka s’ia vlen të mbetet as në historitë e arteve nacionale? Keqkuptimi aktual është edhe historik.
Keqkuptimi zanafillën e ka që në reflektimet sipërfaqësore të Herder-it, Wieland-it dhe vëllezërve Schlegel, ndërsa si koncept të llojit e formulon Goethe (në kuadër të «letërsive botërore në marshim e sipër») si mekanizmin më efektiv të «kozmopolitizmit humanist» (1827) të tij, në bazë të të cilit, kulturat dhe popujt do të përbashkoheshin më së bukuri nëpërmjet një këmbimi, komunikimi të letërsive, arteve, udhëpërshkrimeve duke i përkthyer dhe ekspozuar ato përtej kufijve kombëtare e gjuhësore. Po nga këtu vazhdon edhe manifesti i duos Marks-Engels mbi internacionalizimin e proletariatit «kulturor» dhe mbi bazën e këtyre ngrihet dhe mbetet aty traktati «Gjuha universale (botërore) e poezisë» e multitalentit intelektual Hans Magnus Enzensberger.
Gjitha këto koncepte të sipërpërmendura mirëpo nuk ofrojnë bazën dhe metodën për kanunizimin e vlerave universale në arte e kulturë. Hierarkia e vlerave apo kanunizimi u mundësua më vonë nga shkencërimi i kritikës letrare, respektivisht nga Komparatistika (e cila përmbledh në vete gjitha fushat e vlerësimit si; estetikën, retorikën, narratologjinë në letra e inovacionin, teknikat, stilet, reciptimet, psikointerpretimet e të ngjashme në artet pamore) dhe fushat tjera që merren me studimin e prodhimtarisë kulturologjike humane.
Rekapitulueshëm shohim se kemi të bëjmë me dy segmente kryesore që (pa)mundësojnë universalitetin e vlerave kulturore të një gjuhe a kulture: Ekzistenca e vlerave me përmasa universale dhe disponimi i «mjeteve» për transportimin e tij përtej gardhit kulturor kombëtar. E sidomos në kushtet e sotme të globalizimit, marketingut të egër për diktim të konsumimit dhe konkurrencës masive ato janë të një rëndësie të veçantë.
- Në dy esetë pararendëse («Artet në kafaz» dhe «Frika nga diskurset e vetëzbulimit») pyetëm se pse shqiptarët nuk kanë depërtuar askund, sepse nuk i duan muzat? Jo. Nuk është ashtu. Nuk besojmë nëse në pesëdhjetëvjeçarin e fundit dikë e kanë dashur muzat më shumë se shqiptarët. Pse?
Sepse:
Shqiptarët kanë letrarë si Teki Dërvishi, Beqir Musliu që në prozë, poezi e dramë ishin radhitur pa dyshimin më të vogël pranë Musil-it, Camus-it, Johnson-it, Zweig-ut, Calvino-s, Roth-it. Madje në kategori të caktuara, për ca vende më lartë. Ata kanë Lazër Stanin që dinjitetshëm kishte ecur korridoreve universale bashkë me Dino Buzzati-n e Kurt Tucholsky-n. Ridvan Dibra do t’iu jepte ca leksione Henrich Böll-it dhe Günther Grass-it gjerman se pse arti dhe dashuria nuk mund të jenë skllave të modave të kohës e ideologjive edhe më hiç.
Sot me letërsinë aktuale të të rinjve; me prozën e Albatros Rexhajt, Ag Apollonit, me poezitë e Luljeta Lleshanakut, Blerina Rogova-Gaxha-s, Sabit Gecajt, Ana Koves, Lulzim Hazirit e disa të tjerëve, me dramat dhe pjesët e shkëlqyeshme të Jeton Nezirajt, me punimet e shkëlqyeshme e kontinentalisht ndoshta të papërsëritshme (sidomos për nga kualiteti dhe vija që përbën antologji e temash universale) të një fotografi si Fahredin Spahija; kultura shqiptare disponon me një kapital që jo vetëm se mund të bënte konkurrencë, por edhe më tepër, shumë më shumë. Nëse vërtet qenka kështu, pse atëherë bota s’merr vesh gjë se ç’pjellin shqiptarët?
Shqiptarët nuk kanë pasur as mbështetjen minimale nga sunduesit dhe diktatorët e tyre për të krijuar kushtet e nevojshme për një këmbim kulturor siç kërkonte Goethe. Ata që kanë dalë jashtë janë asistuar nga tiranët e djeshëm dhe si doktrinuesit e tyre vendeve të perëndimit. Institutet e dijes dhe studimeve kanë qenë shqipfolëse e jo të kulturosferës shqiptare.Komparatistika botërore nuk njeh punimet, studimet e ndonjë Ibrahim Rugove të djeshëm apo kritiku të sotëm objektiv e shkencor (?) që do të shpjegonte përmbajtjen e arteve shqiptare. Kur i lexon “studimet” dhe “sqarimet” e veprave artistike katalogëve për ekspozita më shumë të bindin që vepra e autorit të fotografive, pikturave, skulpturave të jetë kryekiçi më sentimental i rajonit ose hagiomitologji që të prish lukthin se sa të të shtojë interesin.
Nga ana tjetër përkthimet.
Shqipja ka pak fjalë por është gjuhë shumë e rëndë. Veçanërisht kur ajo është artistike. Sidomos kur e shkruan ndonjë laps kapitaloplotë si ai i Teki Dërvishit ose kur e poetizon ndonjë frymë si ajo e Beqir Musliut. Ose kur atë e gdhendin e farkojnë autorët që listuam më lartë me simbolikën dhe figuracion filozofiplotë të tyre, të cilin sidomos ata të shkollës së romaneve të gjata a la «Lufta dhe Paqja» tolstojane nuk e kapin dot. Se është kështu na dëshmon edhe bibliografia e përkthimeve të deritanishme në gjuhët e huaja, kryesisht në gjermanishte e anglishte.
Përkthyesit e deritanishëm – me plotë merita – kanë përkthyer lehtë poezi bukolike, formëkënge, të lezetshme, të kapshme, neorealiste, prozë formëprotokolli, të tilla që janë si reportazhe të zbehta e artezhveshura, mirëpo ata deri tani nuk kanë guxuar ta prekin një Teki Dërvishi apo ndonjë tjetër të kësaj kategorie.Shqipja nuk ka përkthyes seriozë – në asnjë gjuhë. Institutet shtetërore as që kanë punuar në këtë drejtim e autorët veçse kanë filluar të mësojnë anglishten.
Gjykuar nga faktet siç i shtruam këtu faji i mospjesëmarrjes së arteve e kulturës shqiptare në kanonet e vlerave universale më shumë kanë të bëjnë me faktorët përtej arteve vetë e jo me mungesën e atyre të cilët qëmoti e kanë merituar të perceptohen gjithandej botës.