ESE – DEMOKRACIA AUTOKTONE I / Në ç’ sistemi politik gjenden shoqëritë shqiptare? Në demokracinë pluraliste? Në fakt ata gjenden në një tranzicion dyfishtë subversiv, i cili paralelisht, nga njëra anë bllokon jetësimin e demokracisë kualitative e nga ana tjetër prish kulturën e tyre tradicionale të solidaritetit social.
Një urti pa autorë thotë: „Qeni i mbajtur përherë lidhur sa të zgjidhet ngarend i çorientuar dhe kafshon kë ta zë rrugës”. Kjo ishte njëra nga metaforat e preferuara, që publicistët e sferës veriperëndimore përdornin në fillim të reportazheve dhe analizave të tyre kur përshkruanin situatën e shoqërive në braktisje të monizmit. Në gjysmën e parë të saj, metafora përputhej me realitetin që ishte: masa njerëzish nga lindja ia mësynë perëndimit për të zbuluar botën, pa ditur fare se ku do të përfundojnë dhe si do të jetojnë. Të tjerët brenda vërdalleshin duke mos ditur çka të bëjnë me lirinë nudo e cila nuk ofronte asnjë garanci ekzistence. Pjesa e dytë e metaforës implikon spekulime, interpretime dhe pyetje: donin publicistët e sferës kapitaliste të alarmonin për turmat që ishin nisur për të „kafshuar“ mirëqenien e vendeve të tyre? Paragjykonin lindorët si njerëz me mungesë racionaliteti, pa sens për ligj, rend, kulturë e kuvend të postmodernës neoliberale? Apo ishte më shumë një kumt edhe më i thellë: popujt e dezorientuar, deri dje të mbyllur në hapësirën pas perdes së hekurt, nuk dinin se si ta menaxhonin veten jashtë realsocializmit dhe si kurrë më parë shfaqej shansi për t’ua bërë atyre – siç thotë Don Corleone në filmin legjendar „The Godfather“ (1972) – „ofertën që nuk kishin mundësi ta refuzonin kurrë”! Si dukej oferta e botës së lirë ndaj pjesës themelshembur të saj? Oferta ishte don-corleoneske ngase askush nuk njihte alternativë më serioze: pas komunizmit popujt e “tij” s’kishin ku shkojnë veçse drejt demokracisë pluraliste. Këtë të fundit, e përqafuan pa kushte, me eufori, madje edhe verbërisht edhe shqiptarët. Bënë mirë ashtu siç bënë?
I.
Dëshira e shqiptarëve për demokraci pluraliste dhe oferta për asistim e organizatave supranacionale dhe vendeve perëndimore nuk ishin isokrone vetëm për shkak të ngjarjeve globale gjatë përdhosjes së bllokut të kuq, ngase ato (interesi dhe ndihma) kishin një traditë të nisur qysh në fillim të viteve të 80-ta. Kosova, respektivisht diaspora shqiptare në SHBA dhe në veriperëndim të Evropës (pa të majtën e përqendruar në vendet gjermanofone) qëmoti lobonte korridoreve qeveritare e bodrumeve agjenturore me doktrinën ku kishte fuzionuar zgjidhjen e çështjes kombëtare me instalimin e demokracisë pluraliste. Se ky fuzionim ishte vetëm ideor, sipërfaqësor dhe jo i thelluar, shihet sot. Tash mund të thuhet pa spekuluar se programet e shqiptarëve për zgjidhje të çështjes së tyre kombëtare mjaftonin vetëm sa për nxitje të euforisë dhe mobilizimit spontan të masave e hiç për më shumë. Edhe më të papërgatitura elitat e atëhershme dalin në relacion me sistemin e ri politik – me demokracinë pluraliste. Të tilla janë ato edhe sot – njohin vetëm kornizat e funksionalitetit të sistemit politik në të cilin jetojnë: Qeveritë shqiptare duken sikur mos të dinë nga t’ia nisin, akademitë, elitat dhe shoqëria civile ngatërrohen për banalitete të përditshmërisë për t’iu shpëtuar problemeve të thella. Jashtë gardhit ballkanik e shqiptar, me të madhe diskutohen fenomenet që kërcënojnë demokracinë pluraliste jo vetëm në vendet transitore por edhe në ato vende që konsiderohen të konsoliduara.
II.
Mesazhi ishte i qartë: vendet e dala nga blloku i vendeve kuazisocialiste mund të aderonin në organizatat e perëndimit (BE, Bankat, NATO etj.) vetëm nëse pranonin (mos kishin ndonjë rrugë tjetër?) demokracinë si sistem politik. Jo çfarëdo demokracie por atë neoliberalen, ku përveç zgjedhjeve të lira, principit të shumicës, respektimit të opozitës politike, kushtetutshmërisë, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe mendimit të lirë kërkohej edhe respektimi i pakusht i pronës private dhe tregut të lirë; dy elemente këto të fundit që ekzistonin ose kufizueshëm e kontestueshëm (prona private) ose që gjendeshin në fazën më brutale ilegale (tregu i lirë) të tyre.
Kushti perëndimor pa dilemë se ishte teknokratik, hiperracional. Ai iu shtri mbi tavolinë liderëve të rinj e të papërvojë si një dummies-doracak i shkencave politike prej ku ata duhej të mësonin se si bëhen demokracia pluraliste dhe tregu i lirë. Për dallim nga tjerët vetëm akademitë dhe elitat çeke, polake dhe hungareze, hyrjen në sistemin e ri nuk e morën pa diskurse, studime dhe analiza rigoroze paraprake. Madje polemikat e ashpra çeke – ku merrte pjesë edhe vetë Vaclav Havel-i me bashkëpunëtorë – u bartën si diskurs edhe në mediat dhe konferencat shkencore të perëndimit evropian dhe në SHBA.
Si promotor të diskursit çekët kishin teorinë e shkollës së Frankfurtit. Atë botëkuptim që kritikon iluminizmin dhe me të edhe të gjitha llojet e liberalizmave si fabrika të çemocionalizimit, sendëzimit total të kulturave dhe frymës individuale si dhe rrjeteve tradicionale sociale shoqërore (Horkheimer / Adorno në „ Mbi kritikën e racionalitetit instrumental“ dhe „Dialektika e iluminizmit“: 1944 – 1947). Debati vazhdon edhe aktualisht dhe është i ndarë në dy dimensione dominuese: nga njëra anë janë korrektorët që kërkojnë më shumë barazi dhe drejtësi në ndarjen e mirëqenies dhe më shumë solidaritet në relacionin ekonomi – shtet – qytetarë si Michael J. Sandel (Justice: 2009), Amartya Sen (The Idea of Justice) dhe Kenneth Minogue (The Servile Mind: 2010) dhe nga ana tjetër kërcënojnë radikalët e popullarizuar që shkrihen akumulueshëm në teoritë e Hardt & Negri-t (Commonwealth – 2009), Eric Hobsbawm -it (How to Change the World: 2011) e të tjerëve, duke ofruar programe postrevolucionare për rikonfigurimin e demokracisë pluraliste nëpërmjet revoltës. Pas krizës së fundit financiare globale neoliberalët e Benthamit dhe Smith-it duket të kenë humbur çdo energji moralizimi dhe kanë përjashtuar veten. Ose nuk i dëgjon kush më.
Në sintezë që të dyja taborët debatuese (sa i përket diagnozës së gjendjes aktuale) nuk dallojnë, pikëtakohen në kritikën e Adornos dhe Horkheimer ose riaktualizojnë ato duke pranuar tezat e Minogue, të shtruara në veprën e tij „Mentaliteti demokratik skllavëror“ (Titulli në gjermanisht). Aty kristalizohen dy akuza themelore: Kapitalizmi i egër i libertarianëve (sa më pak shtet dhe sa më shumë kapital në duart e disave) rrezikon të mbys përfundimisht edhe fijet e fundit të çdo solidariteti shoqëror. Mbirregullimi (ligje, nene, rregullore për çdo ) shtetëror, kontrollues edhe i sferave subkutane, private, individuale (paradoksi qendror i liberalizmit) degradon demokracinë pluraliste në shkallë të Entertainment – it. Njëjtë siç akuzon edhe nobelisti peruanes Mario Vargas Llosa në veprën e tij më të re “Kultura e spektaklit – kush humbë kulturën e vetë, humbë veten” (Madrid: 2012).
Çka donë të thotë kjo për shoqëritë shqiptare, të cilat pikërisht falë solidaritetit të tyre të brendshëm historikisht edhe paskan mbijetuar?
III.
Në këtë debat shqiptarët s’janë të epokës. Për një arsye logjike: Edhe sot modelin e importuar të demokracisë pluraliste e trajtojnë si një libër të shenjtë që vetëm duhet lexuar, mësuar përmendsh, pa e vënë në pikëpyetje qoftë edhe nëse nuk ec, nuk implementohet dot. Dhe konsekuenca e kësaj sjelljeje është e natyrshme: as politikologu më i mprehtë i globit nuk dinë saktë të thotë se në ç’ sistemesh politike janë shoqëritë shqiptare realisht. Ose kemi të bëjmë me sisteme politike ku gjejmë elemente të demokracisë pluraliste (zgjedhjet e lira dhe këtu mbaron gjithçka), dëshmi të autokracisë, feudalizmit, monizmit, madje edhe vetë koncepti i demokracisë defektive i Wolfgang Merkel dhe Aurel Croissant (Demokracitë defektuoze në lindje: 2003) del tepër i butë, sidomos kur ndeshemi me nepotizmin, korrupsionin, burokracinë rakitike dhe simptomat paratiranike te liderëve shqiptarë. Nuk është koincidencë që gjitha këto devijime i kanë pikërisht vendet të cilat shtetin ligjor, demokracinë poluraliste dhe ekonominë e lirë të tregut i marrin vetëm aq seriozisht sa për të bindur botën për subvencione, të cilat humben rrugës ende pa mbrri në arkat e shoqërisë.
IV.
Akademitë, sociologët, politologët shqiptarë deri më tani kanë bërë një punë kolosale duke përkthyer e kopjuar njëpërnjëshëm vepra e ese të shumta teorike mbi demokracinë, që në perëndim ishin standarde deri para 30 viteve, mirëpo ato dalin fare të paafta për ta bërë atë që bënë çekët, polakët, pjesërisht edhe kroatët, sllovenët, të cilët me studime konkrete (jo plagjiaturë debatesh terminologjike të para 20 viteve) serike shkencore, konferenca e debate analizuan demokracinë pluraliste në kontekst me traditat, kulturën, mentalitetet dhe psikologjinë e masave të tyre. Në bazë të këtyre studimeve ato shoqëri formuluan kushtetutat, ligjet dhe sistemin arsimor të tyre. Madje edhe vetë shoqëritë e konsoliduara demokratike si Zvicra, Gjermania, Norvegjia, SHBA-të, angazhojnë herë pas here institute private e akademike për të bërë studime në këtë drejtim: të shqyrtojnë nivelin kualitativ të demokracive të tyre. Shqiptarët nuk e bënë këtë asnjëherë. Ata nuk kanë diskurse rreth specifikave të tyre identitare, kulturore, historike në relacion me sistemin politik që synojnë. I dinë të gjitha, mirëpo nuk ua donë?!
Me këtë sjellje shqiptarët gjenden në një transicion subversiv. Dhe atë të dyfishtë: njëherë kundër instalimit kualitativ të demokracisë pluraliste dhe së dyti kundër identitetit, kulturës dhe vlerave të tyre tradicionale, disa prej të cilave padrejtësisht diskreditohen si relikte primitive e që në fakt mund të eksportoheshin si shembull i solidaritetit dhe rrjetëzimit social. Hipoteza se shqiptarët asnjëherë e asnjë punë nuk e bënë si duhet në historinë e tyre në këtë rast gradon veten në definicion!