Dyvëshat

Psikografi primatësh III – Organizatat dhe institucionet (4) /  Lëvizje a parti? “Vetëvendosje” është parti që lëvizë. Si gjithë tjerat? E majtë, e djathtë, neoliberale, marksiste apo anarkiste? As vetë ajo nuk e dinë!

Ajo nuk donë t’i nënshtrohet askujt. Perëndimorëve edhe më hiç. «Vetëvendosja» kërkon që kosovarët të menaxhojnë fatin e tyre pa assistentë, instruktorë dhe tutorë! Vetë. Pasiqë të huajt duhet të ikin e këta të shtëpisë – partitë tjera, qeveria – qenkan të korruptuar, servilë dhe jopatriotë, atëherë suma e kalkulimit del e paradhënë: VV ëndrroka ta bëjë Kosovën si vetë. Si donë vetë. Synim që jo vetëm realpolitikën, por edhe vetë iluzionin e deliros për spital?
Kritikët pikërisht këtu thonë ta kenë lokalizuar kryeindikatorin e natyrës totalitare, ksenofobe, antidemokratike të VV-së. Me këtë strategji dybinarëshe, pra me shporjen e mbikqyrjes së huaj dhe me shpalljen e gjithë tjerëvë si destruktorë ajo implikoka synimin për monosundim të vendit.
Oratorët e VV-së denoncojnë kritikën si shpifje. Edhe sinteza e kërkesave publike të eksponentëve të kësaj partie, pas çlirimit të tyre nga parullat për konsumim ditor, na thotë të njëjtën, se: ajo nuk donë faremëshumë se të marrë pushtetin; do ta ndryshojë kushtetutën, për të eliminuar diktatin e huaj; do të ndalojë korrupsionin dhe do të kujdeset për një shtet me demokraci funksionale për të mirën e popullit të Kosovës. Dhe? Çka këtu të keqe? Asnjë kushtetutë në botë nuk është e pandryshueshme. Të huajt vetë stërpërsërisin se nuk preferojnë ta kalojnë pleqërinë në Kosovë. Të gjithë deklarohen kundër korrupsionit dhe, veçanërisht, partive veçse nuk iu plasin mushkëritë nga dashuria e madhe që ia ofrojnë popullit.

Ku qëndron senzacionalja, tjetërfarja që dallon këtë parti nga tjerat?

Kritiku mezi pret: “Ata bllokojnë rrugët dhe përdorin dhunën, thejnë rregullat e demokracisë, rendit, ligjit”. Edhe shumica e partisë në Qeveri nuk ngurron ta përdor dhunën, madje as policët nuk i kursen. Shumica prej tyre madje, kur vjen puna, edhe luftën e kanë zanat.

Çka tjetër?

Megjithatë dëshirat dhe qëllimet e VV-së, përtej gardhit të Republikës së re, fabrikojnë frikë: «Po a nuk ka nisën të gjitha tiranitë e mëvonshme me këtë formulë; me përmbysjen e sistemit ekzistues dhe me zëvendësimin e tij me Njëshin që pastaj i dikton rregullat e lojës?», thonë në Bruksel. «Po, dakord, por duhet pasur parasysh gropën në mes të asaj çka dëshiron dhe asaj çka mundet VV-ja, gropa madje është aq e madhe sa që jo vetëm Kosovën por mbarë hemisferën perëndimore mund ta përpinte. S’ka forcë ajo sa për ta marrë aq seriozisht», mendon një analist cinik vendor, i cili duket ende të ketë mbetur i papërlarë nga simptomat e paranojës vv-iste!

STATUSI – Si çdo grup tjetër edhe “Vetëvendosje” perceptohet në bazë të simbolikës, paraqitjes publike, aksioneve konkrete dhe personave që e udhëheqin. Për nga struktura,organet partiake dhe aksionet (edhe në paraqitjen online) publike, rrugëve dhe nganjëherë para dhe në parlament partia e Albin Kurtit nuk dallon nga simotrat e majta evropiane; Antifashistët, autonomët, antiglobalistët kanë të njëjtën formë organizimi, hierarkie dhe aksioni. I vetmi dallim ndërmjet “Lëvizjes” kosovare dhe tyre është se “revolucionarët” gjithandej planetit nuk janë të integruar në parlament, ndërsa VV po. Madje shikuar nga persepktiva historike ajo shpërfaq inovacionin e radhës: jashtë Kosovës, integrimi në sistemin ekzistues (“mundja e hasmit nga brenda“), ka qenë dhe është specialitet i populistëve të djathtë e jo i së majtës. Kjo e fundit e ka shfrytëzuar atë gjithherë (socialdemokratët) për të siguruar një copë pushtet e jo për të bërë revolucion. Pra më shumë për vetësocializim dhe vetemancipim politik brende sistemit në zhvillim e sipër se sa për hallet e rënda të klasave, kërkesat e të cilave instrumentalizonte.

Edhe Vetëvendosja – po si të gjitha organizatat e majta botës – vlojnë nga pluraliteti intern i paradigmave, ideologjive, doktrinave, të cilat e hedhin organizatën herë në murrin e ekstremit të majtë e herë para rënies në humnerën e ultranacionalistëve dhe fanatikëve tjerë që vërdallen Kosovës së pasluftës.

Kjo është arsyeja se pse VV kur vetëpyetet online: «Lëvizja juaj ka etiketime si “e majtë”, “revolucionare” apo edhe “anarkiste”. Sa janë të sakta këto cilësime?»

Vetëpërgjigjet: «Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë mveshur një numër i madh etiketash, të cilat përfshijnë tërë rrezen e gjerë të etiketave ideologjike (…) Ne jemi Lëvizje gjithëpopullore e cila synon një Kosovë që ngrit kapacitetet dhe aftësitë për ta realizuar vullnetin politik dhe për të përmbushur të drejtat dhe interesat e qytetarëve të vet. Natyrisht që modeli që duhet ndjekur për ta realizuar këtë duhet të ndërtohet në bazë të rrethanave dhe mundësive ekzistuese. Këto synime dhe rrethana janë në qendër të ligjërimit dhe angazhimit politik të Lëvizjes. Kjo është përmbajtja e cila merr emër në fund. Pse nguteni me emrin, ndërkohë që nuk interesoheni për përmbajtjen?» (Dekonstruktime, VV – online 14.10.2013).
Përkthyeshëm kjo thotë: «Nuk e dimë as vetë çka jemi». Sugjerimi: «Shikoni përmbajtjen»! Dakord. Cilën?

“Jemi Lëvizje gjithëpopullore” dhe “angazhohemi edhe për ndryshime radikale shoqërore e politike që do të mundësonin respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtave civile dhe drejtësisë sociale për të gjithë dhe secilin në Kosovë pa kurrfarë diskriminimi” (Dekonstruktime, po aty).

Mirë. Tiptop. Por çka i duhet më shumë irritim jashtëvetëvendosësit kur përmurret me faktet; se edhe të tjerat thonë se janë gjithëpopullore; se Kushtetuta e Kosovës është bërë në sajë të kartave të të drejtave lirisë siç i kanë shtetet perëndimore dhe se VV donë da demontojë pikërisht këtë kushtetutë? Çka të thotë kosovari neutral kur ligjet kosovare – janë si ato gjermane – sa i përket ndalimit të çdo diskriminimi social, ekonomik, politik, fetar? Qeveria – është e zeza e vendit – do të thonë oratorët e partisë. E kjo është krejtësisht diçka tjetër. Po në sajë të çkahit të besojë qytetari se vv-isti qenka imun ndaj korrupsionit? Cila është garancia?

DIAGNOZA – “Vetëvendosje” thotë se donë po atë çka thonë se donë shumica e opozitës plus atë që s’do të mund ta bëjë kurrë: ta ndryshojë kushtetutën e Kosovës pa ndërkombëtarët! Ajo sillet dhe funksionon si një lëvizje standarde sociale dhe njëkohësisht vepron edhe si parti politike. Kjo nuk shkon. Ose e ha tregu vetëm si performancë për arsye manipulimi të masave. Në kushte të mungesës së një “proteste” civile (pa betejën për pushtet) VV do të bënte punë edhe më të mëdha se sa që bën kështu. Pluralitetin që e asocion me sjelljen demokratike të sajë ndaj paradigmave në popull është floskë. Atë pluralitet paradigmash të sintetizuar në program e kanë zhvilluar ca nga partitë perëndimore, mirëpo ato së pari kanë programe dhe kanë vendosur të jenë vetëm parti që luftojnë për pushtet me premtimin se do të bëjnë reforma në bazë të kërkesave të masave e nuk iu bëjnë po atyre ultimatume të ndrrojnë mendje se qenkan në hipnozë e se medikamenti i vetëm është dyvëshi.

Nga kjo analizë shohim se në rrasfhin realpolitik nuk premton asgjë më shumë se pjesa tjetër e opozitës. Në rrafshin dëshiror po, por ajo nuk ka as profil, as program konrekt, as resurse e as elektorat për zotimet që bën. Shumë zhurmë për asgjë?

GROPË!

*(Çelësi i vlerësimit: KOT – për akterët që janë sa për të qenë. GROPË – për organizatat destruktive, veprimtaria e të cilave bllokon, retardon ose pengon progresin shoqëror dhe URË – për subjektet me karakter kompetitiv dhe që – edhe me gabimet e mundshme – kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe përparimin e shoqërisë.)

Related

Pedagogët

Nota me pare. Profesorë që me dekada nuk kanë bërë update në dije. Pedagogët nuk respektohen më si dikur. Pse? Në ç’situatë gjenden shkollat shqiptare?

Serbët

Serbët e veriut janë më të torturuarit e Kosovës. Jo nga shumica por nga shteti i tyre amë, i cili i keqpërdor për strategjira politike që s’kanë asfare të bëjnë me fatin e tyre. Përkundrazi ata përdoren kundër ardhmërisë së tyre.

Katolikët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 3 / Po të...

Myslimanët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 2 / Myslimanët janë komuniteti më i madh religjioz ndër shqiptarë. Dhe më i pandehuri të sabotojë rrugën sekulare dhe proevropiane të Kosovës. Ata heshtin. Vetëm radikalët e tyre flasin.

Embassy of the USA

Psikografi primatësh III - Organizatat dhe institucionet 7 /...