Republikat e sociopatëve

Polici, qytetari, i riu, plaka, studenti, gazetari sillen sikur ta kenë vetëm një synim: ta dëmtojnë sa më shumë shtetin, respektivisht të përbashkëtën. Ndodhë kjo sepse shqiptarët nuk kanë kulturë sociale apo problemi është edhe më i thellë. 

Udhës së kombit. Sapo hymë në Shqipëri na ndalën dy policë të këputur nga vapa: «Një çik më ngadalë ore!», i tha njëri prej tyre grahësit që ende nuk kishte kapur udhën si duhet pas daljes nga parkingu i një restoranti. «Ja», bëri grahësi duke ia zgjatur dorën me pesë euro. Polici gëlltiti monedhën në grusht dhe na ktheu shpinën. Iku. Pas një oshëtime hapim një të përditshme shqiptare. Editoriali: «Kosova nuk është shtet». Tema kryesore: «Qeveri hajnash». Opinioni: «Apel për vrasjen e qenëve endacakë të cilët po tmerruakan sidomos klerikët që ende pa gdhirë duhet të shkojnë t’ua plasin veshët altoparlantëve minareve të kryeqytetit».

98% të Letërsisë Shqipe e kisha hedhur në shportë – kështu tha një kritik i ri, që dyshohet të ketë lexuar gjithë bibliotekën shqiptare. Jo vetëm bijtë e funksionarëve e politikanëve sulmojnë pa dronë më të vogël policët dhe byrokratët e shtetit, por shumica duket të ketë averzion ndaj uniformave që përfaqësojnë shtetin.  Raportet që na tërbojnë sytë rreth korruspionit në ndërmarrjet private, shtetërore, në institucionet e arsimit dhe sferave tjera të përditshmërive shqiptare, tashmë janë bërë megabibliotekë në vete.

«Mos bre burrë mos e hudh bërllogun aty» i tha një shoqërues yni një qytetari prizrenas që doli nga vetura me një thes të madh dhe do lojëra të prishura fëmijësh dhe i përplasi ndër një urë. E ai: «ç’a ke bre…mos ta ka ble baba urën?». «Jo» dhe varri kokën shoqëruesi jonë.

ANALIZA E PARË
Çka mund të filtrojmë nga rrëfenja lartë: Policë të korruptuar përballë qytetarit të korruptueshëm; Media që pa fijë djersitjeje hulumtimi konkret përpilojnë editoriale propoetike e formaktakuzash dhe lexues që konsumon gjithçka  për të ushqyer paragjykimet dhe për të rimbushur me energji motorët e depresionit; apel të hapur për vrasjen e kafshëve të lira; mohim ekstravagant të letërsisë shqiptare pa thënë psenë e pa treguar fare letërnjoftimin mandatues se kush, kurë, pse me çka na dëshmonë urtësinë që do të na shtynte t’i besojmë; kemi përdhunim të ambientit me mendësinë e lirisë për të kontaminuar çdo copë toke që rastësisht nuk është «vakëf» apo e ndonjë personi konkret që do t’i dilte zot dhe qytetarë të zot vetëm deri aty sa për të pyetur dhe për të heshtur.

I zgjodhëm vetëm ato sekuneca të përditshmërisë shqiptare që janë më masive, më të shpeshta apo më «normale». Padyshim se çdo njeri mund të bërtasë i zoritur: nga dolëm gjithë sociopatë? Ndërsa racionali do të bëj diçka tjetër: ai do t’i vihet pas kauzalitetit për të kërkuar arsyet dhe mundësitë se si mund të dilet nga sociopatia kolektive.

TEORITË
Kur rrëfimin lartë ia përsërisim kulturopsikologut Prof. Dr. Hede Helfrich nga Universitetet Chemnitz (Gjermani) dhe Dalian (Kinë) ai as që rrudh ballin nga habia. «Është krejt i zakonshëm aversioni ndaj gjithçkaje që prezanton shtetin», na thotë ai. Pse? Sepse kjo – sipas tij – ndodhë tek të gjithë shoqëritë, etnia shumicë e të cilave ka pasur gjatë kohë statusin e të robëruarit. Sa më pak liri aq më shumë depresion dhe aq më shumë përmbysje, revoltë dhe dëmtim të «fajtorit». Në etnopsikologji, ashtu siç lulëzon disciplina e posttraumës individuale e rezultuar nga ndjekja politike e ekzistenciale etablohet me sukses edhe ajo e dignozës së posttraumave kolektive. Modelin më të përshtatshëm «shërues», shkencëtarët e këtij domeni e shohin tek angazhimi i shtetit nëpërmjet projekteve konkrete në arsim, institucione sociale, sidomos ato të shëndetësisë (për shoqëritë e tzraumatizuara) dhe ligjeve me qëllim të krijimit të kushteve dhe rregullave të koekzistencës së qytetarit me qytetarin dhe me speciat e gjësendet tjera.

KULTURA SOCIALE DHE SHTETI
Manifestimet asociale që liston kjo «doktrinë» vërtet përkojnë me shumë aspekte të asocialitetit qytetar që janë omniprezente në përditshmëritë shqiptare, mirëpo me diagnozën e kësaj teorie nuk shpjegojmë dot apelin për ekzekutimin e qenve; ç’faj  ka ura dhe ambienti në këtë kontekst? Po polici që gjoja është i shtetit? Mos shqiptarët, përveç të tjerave, kanë mungesë të kulturës elementare në sjelljen sociale?

Miles Hewstone dhe Robin Martin – që të dy të njohur për shkak të studimeve afatgjata rreth ndikimeve dhe interdependencave sociale – janë të mendimit madje se kultura, rendi, dhe rregullat sociale bëjnë shtetin e jo anasjelltas. Sipas këtyre «bazat zgjedhin përfaqësuesit e tyre, prandaj çdo ndryshim duhet të nisë nga poshtë  – lartë e jo anasjelltas». Përgjegjësia, nëse iu besojmë këtyre atëherë i bie mbi supe më shumë shoqërisë civile, individëve «e sidomos familjeve».

«Jo» thotë profesori Helfrich dhe na përkujton sërish tezat e tij rreth shtetit, lirisë dhe organizimit të shoqërive dhe ligjeve nga këto. Sidomos vendet të cilat sapo kanë dalur nga diktaturat ose luftërat, sipas tij dhe dy sociopsikologëve Thomas Kessler dhe Amélie Mummenedey, pra vendet ende në kaosin e riorganizimit shoqëror duhet të jenë shumë më intensive në ndërtimin e ligjeve dhe rregullave që shoqërisë i japin përmbajtje, strukturë dhe funksionalitet të mbarë? Cila shtete? Këto shqiptare? Po thonë ekspertët që vetëm gjeografikisht dinë për qeveritë e shteteve në fjalë. Po presim shtetet atëherë?

get_img

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...