Etnoradioskopi

Kryq e tërthor hartës shqiptare. Nga Helvecia në Gostivar, nëpër Prishtinë e Tiranë për t’u kthyer prapë aty ku s’kishim qenë kurrë më parë: në Muçibabë.

 Oksidenti po degjenerohet. Kina ka nis udhën të bëhet superfuqi.Orienti kërcënohet me mjekra, çyçekë dhe shami. Europa mohon të ketë pohuar se djepi i kulturës së saj ka qenë në Greqi. Altinit ende nuk i hiqej syve ëndrra e natës: do kanibalë ferrexhebardhë ia kishin rrëzuar shqipen nga qielli dhe ia shqyenin me thonjë, dhëmbë e thika si të përdalë.

Sfida të shumta kanë sërish shqiptarët gjihandej: islamistët ua sabotojnë idenë e tolerancës ndërfetare; amerikanët dhe europianët u urdhërojnë të «trusin» se ua lëshojnë serbët prapë në qafë – siç foli me gojën e tyre miku ynë Avni Rudaku; Erdogani ua fut kokës shpuzore sa herë që ta marrë malli për djemtë e anadollit. Vetëm Hashimit nuk i bëhet vonë. Ai, para stacionit të autobusëve shet libra të vjetër dhe thotë «paj këta që ikin nuk po blejnë libra të rinj». Shqiptarët e Maqedonisë bëjnë gjueti pas minifundave- iu duken më të gjatë se duhet e në Shqipëri se nuk pushojnë së kënduari refrenin «Dita, nata, erdhi Hita, iku Hata» dhe anasjelltas.

Dy shtete, plot vende, disa fe e dialekte e gjithandej i njëjti njeri – shqiptar!

Tiranë
Edi Rama fitoi. Sali Berisha ende nuk ka shkuar. Meta i di punët e veta. Asgjë nuk ka ndryshuar. Kryeqyteti është ndarë në dysh: në tropojanë malok që kanë frikë për robë e shtëpi dhe në neoenveristë të «qelbur që nuk kanë ngé për shqiptari». Mediave u paska ikur momenti kur u shpallën zgjedhjet. Shumica ende tifozojnë për këtë apo atë lider, për njërën apo tjetrën parti. Policët e pushtetit aktual qysh tash paskan nisur t’i organizojnë jetimët të lypin para hoteleve ku frekuentojnë të huaj e vendorë që do të punojnë nëpër ministri. Disidentët (kështu e quajnë veten) dhe Nihilistët tok bëjnë gati një strategji të re. «Iku Sala po ç’i themi këtij shkërdhatës tani», pyet njëri e sakaq tjetri: Bregoviq pra! «E të paçim mëndjen or gjeni», festojnë në kor intelektualët sigurimin e ekzistencës me moton «edhe pas Salos Salua».

Gostivar
Shumica ndihen të tradhtuar. Nga politika dhe patriotët u ka ardhur në majë të hundës: për inat të nacionalistëve kanë vendosur mos llafosen më shqip. Janë lodhur se gjithë jeta në komunizëm u shkoi duke ruajtur e pastruar gjuhën nga «shkijet», e ç’fituan?Liderë njëkohësisht edhe pacientë Perëndimi dhe kryetarë që duan t’ua bëjnë punën e Zotit, duke ua ndaluar ujin e bukën? Kështu thonë dhe me dorë në zemër e syfiksuar pjesës së mbrapme të do grave në kalim e sipër japin selam: «turk elhamdurilah, mashallah, mashallah!».
Për çdo ditë autobosët plot për në Shkup. Atje qenka inkrearnuar Sulltani me shokë. Me vete ka edhe tapi saudite nga Meka dhe Medina; shëron gra, bën synet poshtë e në tru dhe përbetohet të mos jetë manjak seksual, se edhe kur gabon gjithçka për Allah e Milet e bën dhe për hir të babës Dovlet.

Muçibabë
Jo shumë larg qenka Muçibaba nga Gostivari. Një haxhi i shtyrë nga Hoxha i katundit i thotë Idrizit: «kallzoma kryqin katalik i dreqit». Heroi shqiptar injoron haxhinë dhe bën gojën gurrë. «Kallzoma se t’i shkuli mustaqet». Statuja nuk flet o haxhi, i bërtet Seferi prej një mjegulle mbi Prishtinë. «A po a?», përdhoset Haxhia dhe ia shkul mustaqet, ia merr alltinë, ia fut do boksa barkut dhe përplas për toke Idriz Seferin. «Kuku ça i bëne Idrizit, Haxhi shkreta» i thotë i pari i kulturës që e sheh. «Ani si e lypi e gjeti kataliki, dreqi». Kur haxhia nga kulturaxhiu dëgjon se Idriz Seferi paska qenë mysliman çartet krejt: «Ah hoxhë shejtanin, ia mora ftyrën fisit…» dhe niset me dorën në brez drejt xhamisë.

Në kryeqytet thanë: Skandal! Po pse skandal e jo vetëm akt vandal. Sepse hoxha e ka nxit. E kush e nxiti ministrin e Kulturës ta dëbojë demonstrativisht portetin e «Nënë Terezës» nga zyra? Pse hoxha? Sepse edhe ministri – thonë – se ka përdorur të njëjtin kod si haxhia, domethenë i ka thënë fotografisë: «kallazoma atë senin katalikja dreqit dhe pasi ajo e ka injoruar ky e ka dëbuar, krejt thjeshtë.

Pseudorefreni
Oksidenti po regjenerohet. Jo Kina s’do të bëhet supërfuqi, është vetëm ideologji. Mos kini frikë nga Islami se nuk pushtohet bota duke qenë internati më i madh i të pashkolluarve të globit. Evropa qëmoti ka hequr dorë nga eurocentrizmi, kulturalizmat dhe legjendat. Më së shumti ajo është distancuar nga horrorpërrallat ballaknike; ato me thika, superraca dhe krekosje darvinisto-biologjike.

Altini veç ëndërr ka parë se askush nuk ia shkalafit dot shqipen. Avni Rudi ka të drejtë se vërtet aleatët e Kosovës kanë rënë në hall me ta: jo sepse nuk duan që shqiptarët, respektivisht kosovarët të pavarësohen maksimalisht, porse kanë frikë se s’do të mbijetonin as për një ditë – jo për shkak të armiqve të tyre, por për shkak të vetvetes. Jo gjithë shqiptarët e Maqedonisë ecin për te Sulltani, së paku jo të arsimuarit dhe ata që njiherë kanë shkelur botën jashtë periferisë ku sundon hoxha. Edi, si duket, e ka seriozisht; do ta bëjë Shqipërinë, e shqiptarët s’kanë ku ikin jashtë hartës së tyre.

 

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...