Vetëm me një këmishë të paarnuar, më vonë jo vetëm si qytetari më i pasur, por duke u zgjedhur edhe si president i vendit të tij. Shkurt, por megjithatë.
PSKOGRAFI PRIMATËSH VII / Vetëm me një këmishë të paarnuar niset skamnori nga Mareci i Prishtinës drejt perëndimit për t’u kthyer dekada më vonë jo vetëm si qytetari më i pasur, por duke u zgjedhur për një kohë të shkurtër edhe si president i vendit të tij. Biografia e Behgjet Pacollit ka vetëm disa episode horizontale, faza të tilla kur jo pak analistë (të huaj) prisnin dhe prognozonin rënien tij, kapitullimin. Suksesi i tij (personal) në biznes nuk ka të ndalur. Në politikë? “Shpesh harron se shteti nuk është ndërmarrje dhe se jo gjithçka që ia thonë të besuarit e tij, është e mundshmja e vetme dhe maksimale”, na thotë një diplomat i huaj që është marrë gjatë me profilin e biznesmenit zviceran dhe politikanit kosovar. “Baca shpesh është naiv”, e di një i afërt i tij. “Jo naiv, jo” kundërshton eksperti i huaj dhe shpjegon “Pacolli është mediator” i lindur dhe i vjetër. Jo me paramendim, por natyrshëm tek ai janë shkrirë në një habitus; teknika e marketingut (shitjes) që e ka mësuar në perëndim dhe kultura fisnike, bujare shqiptare e mikpritjes dhe kuvendimit sipas zakoneve të “odave të burrave”. Është vërtet kjo “receta” e veprimit të zv/kryeministrit aktual të Kosovës dhe pronarit të shumë bizneseve gjithandej botës?
*
Emri i Behgjet Pacollit, në kronikat, depeshet, raportet dhe stenogramet e diplomacive dhe shërbimeve të ndryshme fillon të përmendet nga viti 1976 e këndej. Si përfaqësues tregtar kemikalesh të një firmë austriake në bllokun socialist (Rusi, Poloni, Bulgari dhe Jugosllavi) disa herë “përdoret” si ndërmjetësues, mediator i besueshëm dhe atë nga të dyja blloqet e sidomos anëtarët e Paktit të Varshavës. Po të njëjtat relacione i vazhdon edhe nga Zvicra në kuadër të firmës Interplastica Engineering and Trading SA (firma e themeluar më 1969 shuhet më 2001). Në vitin 1990 formon në Lugano të Zvicrës ndërmarrjen e tij Mabetex. Dy vjet më vonë – falë lidhjeve të vjetra jo vetëm tregtare – firma e tij fiton ankandin për rindërtimin, sanimin dhe restaurimin e Dumës dhe Kremlinit rus. Në mesin e konkurrentëve, ndërmarrja e tij kishte edhe firma të forta zvicerane e gjermane që synonin tregun e ndërtimit në hapësirat e ish-bllokut “komunist”. Ndërmjet lobeve në parlamentet kantonale dhe atë federal konkurrentët e tij nga viti në vit shtonin presionin ndaj qeverisë së Tiçinos për të bërë diçka kundër “firmës së kosovarit që krijon monopol në ish-bashkimin sovjetik”. Në vitin 1998 prokurorja zvicerane e Republikës së Tiçinos Carla del Ponte hap procedurën hetuese për “korrupsion ekonomik” kundër Pacollit. Thelbi i aktakuzës: Nëpërmjet privilegjeve (kredit karta të palimituara) ndaj anëtarëve të familjes së Jelcinit dhe Borodinit, Behgjet Pacolli ka fituar megaofertat për ndërtimin dhe sanimin e pallateve historike dhe politike ruse. Padia në fund doli joserioze (sepse në një formë të tillë “mikpritjeje” të klientëve të huaj, Zvicra është e njohur për nga tradita e saj) dhe u suspendua. Sot firma e Pacollit ndërton 40% të infrastrukturës së Kazakistanit dhe ka në dorë ofertat kryesore të vendeve, sidomos myslimane të ish-Bashkimit Sovjetik.
*
Po me këtë aferë rikthehet Behgjet Pacolli në Kosovë. Mediet vendore përkthyen dhe hiperbolizuan gjithçka. Pak analistë dinin se Behgjet Pacolli kishte vite që luante mediatorin ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe perëndimorëve në zgjedhjen e krizës kosovare-serbe. Kur kryediplomati zviceran dhe raportuesi kryesor i Parlamentit Evropian Ernst Mühlemann (1930 -2009) për Rusinë dhe Ballkanin deklaronte të besojë në “misionin e një biznesmeni jashtëzakonisht të aftë që ndërmjetëson ndërmjet shqiptarëve dhe kastës së Millosheviqit” (1996 Arkivi i Televizionit zviceran) aludonte në Behgjet Pacollin.
Aleanca për një Kosovë të re është vazhdimësi e një projekti të tij personal që e ka filluar shtatë vjet para partisë me emrin FORK (Fondacioni për Rindërtimin e Kosovës). Sa më shumë që Pacolli t’i largohet projektit të tij bazë (FORK) aq më shumë do të humbë partia e tij.
ANALIZA:
Në çështjet patriotike: Konstitucional. Si president i vendit dëshmoi se kishte aftësinë e pajtimit ndërmjet shtresave sociale dhe politike. Në politikë: Brenda: akuzohet të mendojë vetëm në përfitime për bizneset e tij ose shpresohet në kapacitetet tij në rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Në raport me faktorët tjerë politikë; i sinqertë dhe konstruktiv. Jashtë shtetit: posedon me rrjete jashtëzakonisht efektive për lobim ndoshta më pak për njohje sesa për të mirën e sferave tjera të shtetit kosovar. Ethosi: Modest, besimtar formal. Diagnoza: Nëse shtabi i këshilltarëve të tij do të dijë t’i ofrojë strategji në bazë të aftësive dhe rrjeteve që ka, Pacolli mund të jetë shumë i dobishëm për Kosovën, veten dhe partinë e tij!
NOTA JONË: Mirë!