Ideali për një histori objektive del iluzion. Mbetet motivi dhe synimi: të bëhemi pjesë e një historie universale paqeje apo ta bëjmë një si kjo e supranacionalizmit neosulltanik turk.
Bill Klinton tha: «Leif Erikson lundronte, Gutenberg shtypte, Galileo guxonte, Shakespeare poetizonte, […] Mozart kompononte, […] Einstein ëndërronte, Atatürk ndërtonte, Roosevelt udhëhiqte, Gandhi predikonte, Nëna Terezë shëronte, Mandela triumfoi». Shqiptarët janë dyfishtë protagonistë të kësaj historie universale. Njëherë si spekulues me turkmenin selanikas Ataturk, të cilin kanë qejf ta bëjnë për veti dhe herën tjetër drejtëpërdrejtë me Anjezë Gonxhe Bojaxhiun nga kryeqendra e vilajetit kosovar që osmanët e quanin Üsküb. Enigmatike është tendenca e bllokut «debatues» që katapulton shqiptarët si ndërtuesit e një shteti të huaj me biografinë e pushtuesit. Jo vetëm se në periudhën ataturkase kontributi i fesabartësve shqiptarë nuk njihet fare, porse ajo është pikërisht periudha kur këta me thonj, gjak e tërfurka mezi ndahen nga i njejti pushtim. Radhitja e Klintonit nuk është e rastit, sepse ato janë edhe etapat «zyrtare» të së ashtuquajturës «global history». Këtu shqiptarët radhiten si mundësuesit e lirisë para triumfit (Mandela). Nuk e dimë se a ka nder dhe ndonjë arsye tjetër më të madhe për krekosje se sa të të ulin në stacionin e shërimit të humanitetit? Ky pozicionim i përvetësuar nga lideri i ndjerë Ibrahim Rugova shërbeu jo vetëm për të zbutur shpirtërat ndjenjëçliruar kancelarive oksidentale por është madje edhe kuintesenca e paradiplomacisë shqiptare e cila bindi botën se kë duhet ta përkrahë në luftërat e fundit ndër ballkanikët.
Sheshas del se ky paradoks është religjioz e jo empirik, faktik: Ataturk edhe pse i huaj është mysliman e Nëna Terezë edhe pse shqiptare është katolike. Dy religjionet e «kurdisura» nga Ibrahimi/Abrahami si vijë përçarëse e historisë shqiptare?
VEZIRËT NË PRISHTINË
Demonizimi, sakralizimi, politizimi dhe poetizimi korruptojnë Historinë. Gjitha këto obduksione deformuese ndaj kadavrave të epokave të ndryshme kryhen nga kirurgët e njejtë: Qeveritë! Kërkesa më shpirtngarkuese e neosulltanatit të Ankarasë ndaj Kosovës është ta higjenizojë flajorin e ashpër ndaj osmanisë, asaj perandorie që identitetin modern të saj më shumë ia qendisën frashërit bashkë me pashatë trushkretë kapuçbardhë se sa seldçuket e shtrirë tendave plotëgra shkretëtirave të Azisë. Recep Tayyip Erdoğan kushtëzon marrëdhëniet me shtetin e ri me Histori. Vezirët e Prishtinës përlajnë bodrumet dhe modifikojnë për shtatë ditë pesëgjashë shekuj histori. Jo me shkencë, por me atentat ndaj saj. U përdhosën mjekët, poetët, kronistët mendjelehtë gazetave e portaleve, katundarët dhe gati gjithë shqiptarët. Dy kategori shoqërore devijojnë nga histeria: zgërdhihen itharët e dovletëve me uniformën e Nasradin Hoxhës dhe ikin skutave minjshëm «raca» e historianëve. Kjo e fundit ndoshta ka kryer punën dhe tash radhën defiluese ua kanë lënë ideologëve ashtu siç mendoi njëherë zëshëm regjisori dhe gazetari slloven Žarko Petan kur tha se historianët fasifikojnë historinë e politikanët ardhmërinë.
Megjithatë ky nuk është i vetmi problem i shqiptarit me historinë. Pas rënies së monizmit lufta për histori, pas politikës, është karakteristika dominante e shoqërive shqiptare. Dhe gjithë atyre që kanë probleme me intelektualitetin, identitetin, inferioritetin dhe ekonominë. Erdoğan herë quhet Oliver Schmitt, herë Noel Malcolm e rrallëherë Jakup, Hashim, Jusuf apo Bashkim. Vetëm shqiptarët dinë drejtë ta shkruajnë historinë e tyre? Ndoshta. Madje edhe Johann Wolfgang von Goethe më shumë nga froni i poetit thoshte se askush tjetër përveç atyre që e kanë përjetuar nuk mund të gjykojë mbi historinë. Me gjithë përkuljen dhe nderin ndaj Goethe-s dhe shqiptarëve pa e thënë nuk e lëmë: përvoja e historive nacionaliste gjak botën e ka bërë dhe sa herë që rizgjohet merr lugetërit e urrejtjes ndaj tjerëve me vete.
PARADIGMAT
Etnonancionalistët kërkojnë një model historie të prirë nga persepektiva e «lost cause», thelbi i së cilës mund të përshkruhej kështu: kemi humbur gjithmonë në histori sepse tjerët janë pisa. Kemi mbijetuar sepse jemi racë e fortë, «jem pra ilira» e jem tahira. Historianët me biografi profesionale moniste kanë litarëzuar për mesi teoritë që kanë bërë dhe japin shqelmat e fundit në mbrojtje të tyre. Religjiozët – siç thamë më lartë – bashkarisht kërkojnë (sugjerojnë) «ekzekutimin» e gjithë atyre që nuk kanë qenë të kishës ose xhamisë, kështu që në fund vetëm ateisti Enver Hoxha mbijeton. Politikat kulturore qeveritare të shqiptarëve s’çajnë kokën për histori. Një telefonatë mjafton për ta bërë versionin sipas urdhërit të sulltan Erdoganit. Nesër të thirrin nga Roma të njëjtën gjë do ta bëjnë. Historiografët e huaj konform mainstream-it mbizotërues kërkojnë dekonstruksionin e «rrëfimeve të mëdha nacionale» (Derrida, Lacan, Lyotard, Bartes) dhe hapsirave (Luhman, Bourdieu) si parakushte për një histori transnacionale, universale. Përkthimi në shqip i bie kështu: gjithë historitë kombëtare marrin pjesë në një konkurs shkencor ndërkombëtar ku pranohen kulmet historike. Me «kulme» nënkuptohet e mira në interes të paqes ndërhumane. Të seleksionuarat hyjnë në historinë universale të tjerat në flakë.
ILUZIONI DHE EINSTEIN –I
Nuk kemi nevojë për ndonjë erudicion për të kuptuar këto paradigma të gjitha ideologjike janë. Nuk kanë asnjë gram të bëjnë me rikonstruimin sa më objektiv të historisë sepse janë determinime aprioristike. Janë diktate që urdhërojnë instrumentariumin metodologjik shkencor se si duhet të operojë dhe çka duhet të shërojë. Ideali për një rikonstruimin sa më objektiv të historisë është iluzion. Historiani pagëhiç shqiptar nuk gjendet para dilemës se a të bëhet pioner i shkrimit objektiv të historisë apo oborrtar i korruptuar ideologjikisht. Dilema e tij më shumë është se në cilën kategori paradigmatike të rreshtohet: t’iu shërbejë atyre që qëllimisht zgjedhin «kulmet pozitive» në interes të një paqeje ndërnjerëzore apo të heshttë e të bëjë robotshëm histori me kërkesa sulltanësh dhe honorare vezirësh. Si do që të zgjedh historiani qytetari i zakonshëm prioritare po duket se ka një problem tjetër që flet me gojën e Albert Einstein-it «më shumë se sa historia mua më intereson e ardhmja, sepse aty e kam ndërmend të jetoj».