Letërsia dhe feminizmi

Taslima Nasrin me librat e saj: «Sham» dhe «Kënga e një nate të zymtë…» fitoi dënimin me vdekje nga fundamentalistët islam. Në brendinë e kësaj së keqeje ajo gjeti një të mirë: u bë e popullarizuar dhe e pasur. Edhe pse librat e saja nuk kanë ndonjë vlerë artistike, kjo nuk pengon që librat e saj të ribotohen pandërprerë. I vetmi hall i saj tani, është që sa më shpejtë të ikë nga roli i pionit që shfrytëzohet për thellim të luftës tradicionale në mes orientit dhe oksidentit e anasjelltas. Së fundi artsisti nuk duhet t`i shërbejë një aventure të tillë.

Një shoqëri letrare e Bernës hapi mbrëmjen diskutuese rreth librave të shkrimtares së përndjekur nga Bangladeshi Taslima Nasrin. Për njëri nga librat e sa: «Kënga e një nate të zymtë-gratë në mes religjionit dhe emancipimit». Në këtë shoqëri letraro-filozofike, shpesh-herë diskutohen tema e vepra të karakterit kontestues, ku ftohen krijues të zhanreve të ndryshme. Sigurisht, gjatë përshëndetjes, emri im me tonacion musliman u bëri përshtypje mysafirëve të mbrëmjes: «Jam shumë kurreshtar për të dëgjuar mendimin tuaj mbi librin»- më përshpëriti në vesh Dr. M.W,, teologe nga Baseli. Ajo është e njohur si autore e një varg librash mbi diskriminimin e gruas në botën e tretë, e veçanarisht në vendet islamike. Një feministe e ekzagjeruar! Keni lexuar romanin e Taslimës «Sham»? Pasi i thashë që e kam lexuar: «Si mendoni…?». Mirë, po pa vlera aq të dukshme letrare, i mungon arti, më duket si vepër e thatë, e prirur nga një urrjetje tash më e marrë nëpër duar miliona herë!Besoj se shpirtin e saj e pushtoi tërbimi dhe urrjetja. Edhe unë po të kisha bërë aq shumë për një krijues siç ka bërë ajo për Nasrinin do të isha tërbuar, gjë shumë e natyrshme. Mirëpo, as unë nuk pata ndonjë faj, vetëm se shpreha mendimin tim. Pas diskutimit të saj, kryetari i shoqërisë K. G. për fat të keq shqiptoi edhe një herë rëndë emrin tim. Zonja W. e hapi fletoren e saj.

TRASHËGIMA NGA KULTURAT E PËRMBYSURA
Në shumicën e kulturave të lashta gruaja ka qenë synonim i dashurisë, shumimit dhe ka gëzuar respektin si shtyllë e organizmit dhe zhvillimit të familjes dhe shoqërisë. Në mbretërinë e parë Assiro-babilonase të Akadit, nën sundimin e së cilës gjendeshin Siria, Babilonia dhe Elami, përkundër ashpërsisë dhe moralit pothuaj të egër të mbretit Sargon, gratë kishin të drejtën e votimit gjatë marrjes së ndonjë vendimi të rëndësishëm mbi ardhmërinë e pushtetit të tyre. Kështu vepruan edhe Mikenët, Lidët, Kretasit, etj. P.sh. Mbreti Hamurabi (1947-1905 p.e.s.) në ligjet e tij të famshme, në mënyrë të theksuar kërkon respekt sa më të lartë ndaj gjinisë femërore. Në Epin e Gilgameshit hyji i diellit është Aja, një femër, Ishtareja hyjnesha e dashurisë është poashtu femër. Pozita e femrës vjen e keqësohet tek pas lulëzimit të Antikës. Grekërit dhe romakët, edhe pse metodën e shpalljes së hyjnive dhe zotërave të tyre e morrën nga kulturat që vetë i përmbysën dhe faruan, në esencë ata nuk tregonin gjithaq respekt ndaj saj. Për këtë na dëshmon arti dhe letërsia e krijuar atë kohë. Të gjithë ata, që njohin «Iliadën» dhe «Odisenë» e Homerit dhe që kanë studiuar epokën para tij, shpejtë do të konstatojnë se aty janë të akumuluara të gjitha vlerat e kulturave që përmendëm më lartë, mirëpo të përshtatura dhe aktualizuara për kohën kur ka jetuar vetë Homeri. Homeri, Euripidi, Sofokliu, Eskili etj. njihen si themelues të artit tragjik. Në këtë periudhë ndër perlat e vlerat e larta, që edhe sot i shërbejnë përparimit mendor human, lindi edhe kulti i Helenës. Dihet që, ajo lëshoi burrin e saj Agamemnonin për t`u martuar me mbretin e Trojës. Pas ikjes së Helenës në Trojë, filloi lufta në mes këtyre dy mbretërive, e cila përfundoi me përmbysjen e Trojës, djegien e një civilizimi dhe tradite aq të lashtë. Shkaktare: Helena. Një femër! Përse u tragjedizua kaq shumë tradhëtia e një gruaje, kur para saj kishin ndodhur mijëra tradhëtira në mes klaneve për të marrë pushtetin, pjesmarrës të të cilave ishin kryekëput meshkuj. Sa e sa kultura ishin zhdukur deri atëherë nga luftërat në mes popujve të ndryshëm. Për shkak të përmbysjes së Trojës? Trojanët nuk arritën të pushtojnë mendimin njerzor për të bindur atë për krimin grek. Grekërit bënë veprat me të cilat edukohet sot (sigurisht dhe nesër) bota krijuese. Vetëm Helena ishte fajtore për krimin ndaj qytetërimit trojan? Sigurisht: Jo!

KULTI I FEMRËS DHE RELIGJIONET
Sidomos shpjegimet religjioze në raport me prejardhjen e njeriut përulën edhe më shumë dinjitetin e femrës në shoqëri. Vetë versioni biblik se Evën e ka krijuar zoti nga një brinj i Adamit dhe se mëkatin e parë e bëri ajo duke ngrënë mollën e ndaluar flet për shumçka. Pse pikërisht Eva doli nga Adami e jo anasjelltas. Sa dijmë ne sot në shekullin njëzet e një është femra ajo që lind e jo mashkulli. Përse Eva bëri gabimin duke marrë të hajë mollën e ndaluar e jo Adami. Kush është dëshmitar i kësaj ndodhie? Zoti?. Ndërkaq, Islami përkundër përparësisë që ka për zanafillën kur predikon prejardhjen e njeriut prej balte (për të dyja gjinitë në mënyrë të barabartë) femrën e konsideron si pronë të pakontestueshme të mashkullit. Ai ka të drejtë të vendosë për fatin e jo vetëm të një gruaje,por për shtatë a tetë…syresh?! Kërkesat e Islamit ndaj gruas janë shumë të ashpra dhe deri në maksimum të pabarabarta në relacion me gjininë e kundërt.
Hovi më masiv kundër dinjitetit të gruas u zhvillua gjatë ardhjes në fuqi të Inkuizicionit. Papa Lucius III, themelues i doktrinës inkuzicionare —e cila i legalizua në të gjitha kishat katolike të botës— ndërtoi përballë pothuaj, të çdo kishe nga një kapellë për djegie dhe ekzekutim të shtrigave dhe njerzve dajllëzorë , të cilat shërbyen për disa shekuj me radhë për likuidim dhe terror ndaj më se një milion njerëzish.

EPOKA E DJEGIES SË SHTRIGAVE
Në fillim të shekullit katërmbëdhjetë Anglia pushtoi Francën dhe detyroi ikjen e familjes mbretërore të Karl VI. Francezët iu nënshtruan poshtërisht këtij pushtimi dhe nuk mendonin më në ndonjë rezistencë eventuale. Një vajzë e re kërkon nga ca ish-komandantë që t`i japin ushtarë për të çliruar Orleansin (seli e mbretit). Me sharrje, nënçmim në baza gjinore dhe të moshës (Johana i kishte shtatëmbëdhjet vjetë) e përzunë nga sheshi. Për Anglezët, kërkesat e saja nuk paraqitnin ndonjë rrezik. Ajo ishte ende një fëmij. Mirëpo Johana arriti të grupojë njerëz dhe pas një sulmi të organizuar mirë, mundi anglezët çliroi Orleansin dhe solli mbretin Karli VII në fron. Trimëritë e Johanës përshkuan tërë vendin dhe ajo u shpall heroinë. Inkuizicioni që ishte pjesa më e dukshme e pushtetit të atëhershëm anglez nuk mund të durronte një gjë të tillë. Johana ishte intelegjente, me një kulturë jashtëzakonisht të formuar sa që dijnte në mënyrë të mrekullueshme se si fuksionon inkuizicioni. Kështu që, i ikte çdo prite të organizuar nga anglezët. Kur anglezët panë se kapja e saj ishte e pamundur u futën në bisedime me Karlin e VII (ende të ri në moshë) dhe mashtruan ate në mënyrë dhelprake për të dorëzuar Johanën. Së fundi ajo ishte vetëm një femër!! Dhe kështu ndodhi ajo u dorëzua vetëm se ishte një femër. Me 30 mai 1431, pasi që i famshmi teolog Dr. Nikolas Midi ia lexon gjykimin, Johana digjet në turmë të drunjve si shtrigë. Ky ishte falenderimi i mbretit francez për ndihmën që Johana i bëri atij për t`u kthyer në fron. Politika e djegies së shtrigave do të vazhdojë pastaj deri në fund të shekullit shtatëmbëdhjetë, mu në mes të Evropës së kulturuar.

MËKATET E GJENIVE
Figura e Johanës u bë objekt frymëzimi për shumë emra të njohur të letërsisë botërore. Ajo shërbeu si simbol i konsolidimit të femrës në jetën shoqërore dhe si viktimë e padrejtësisë gjinore. Me kultin e Johanës u morrën: Uiliam Shekspiri, F. Shilleri, P.I. Cajkovski, Bertolt Brehti, Viktor Flemingu etj. Mbi kultin e Johanës u shkruajtën më se djetë mijë libra shkencorë dhe letrarë. Poqëse parashtrojmë mënyrën se si autorët trajtuan historinë e Johanës do të ndeshemi me dy mëkate të mëdha ndaj pozitës së femrës. Fatkeqësisht autorë të këtyre mëkateve janë pikërisht dy mendjet më të mëdha të kohës, në të cilën ata jetuan. Dy emra dhe njerëz gjenial që ka historia e letërisë së përbotshme: Shekspiri dhe Shilleri. Është e qartë shkalla e ndikimit të tyre në zhvillimin e vetëdijes mondane. Prej këtu rezulton gjithashtu edhe madhësia e gabimit të këtyre dy gjenive: Shekspiri në veprën e tij «Henriku VI» paraqet Johanën si një shtrigë të keqe, e cila kishte për qëllim përmbysjen dhe poshtërimin e qytetërimit anglez, e jo si një heroinë franceze që kishte për pasion çlirimin e atdheut të saj. Sipas studiusve të paanshëm të Shekspirit rrjedh ky konkluzion: Shekspiri, dramën «Heinriku VI» e ka bërë për t`iu imponuar klasës së lartë borgjeze si nacionalist me qëllime të caktuara. Paraqitja e një heroine franceze (atëbotë anglezet kanë urrejtur deri në marrëzi francezët) me karakter të dobët dhe ekstravagant i ka mundësuar atij respektin kulminant në shoqërinë e atëhershme. Sado i madh e gjenial të jetë Shekspiri në ketë punkt të historisë së tij del si një profiter klasik, i cili përdor fjalën artistike për qëllime të ngushta komoditeti. Ndërsa Shileri, përkundër fotografive dhe kronologjive që ka pasur në disponim gjatë bërjes së pjesës teatrale «Virgjëresha nga Orleansi», ai i jep asaj tiparet e një mashkulli me fytyrë të gabuar, pra femre. Në supozimet e disa prej monografëve të Johanës konstatohet në këtë mënyrë gabimi i Shilerit: ai nuk ka mundur të durrojë se si një femër ngritet mbi gjithë atë histori të famshme franceze, të përbërë nga meshkuj! Sado absurd të duket konkluzioni, në një studim më të afërt të veprës së tij në fjalë, krijohet bindja e plotë e vërtetësisë rreth përfundimit të autorëve: se ai nuk ka pranuar aq ëmbël të jap energjinë e vetë artistike për heroizmin e pakontestueshëm të një femre. Shekspiri i kohës së trazirave të mëdha religjioze dhe Shileri i ndikuar nga bota antike nuk bënë kurrgjë tjetër përveç se dëshmuan qëndrimin e filozofive, prej të cilave mblidhinin dijen dhe formimin kulturor të tyre. Viktimë përsëri mbeti femra!

FANATIZMI EKSTREM SI PENGESË KONSOLIDIMI NDËRGJINOR
Ajo që deri tani mbetet e pashqyrtuar është pyetja se ç`kontributi dha femra për përmirësimin e pozitës së saj në shoqëri. Antika, inkuizicioni, islami, disa nga krijuesit botëror, etj kanë kontribuar dukshëm në misterizimin e figurës së femrës. Cilat ishin përjekjet e gjinisë femërore për të ndryshuar këtë gjendje. Ku mbeti mbrojtja e saj? Deri në vitin 1900, vitin e trazirave të organizuara nga zonja Pankhurst në Londër, për të drejtën e femrës në zgjedhje dhe pjesmarrje në pushtet, pothuaj nuk u bë asgjë masive në këtë drejtim! Në vitet e gjashtëdhjeta paraqiten organizatat e para feministe, me programet e tyre për ndryshimin e pozitës së femrës në shoqëri. Ata, si çdo ekstrem tjetër kaluan në fanatizëm inkuizicionar kundër ekzistencës së mashkullit. Kjo mënyrë e të vepruarit ruhet deri në ditët e sotme. Koha, të cilën ne jemi duke jetuar paraqet një fotografi të mjerueshme sa i përket rolit të femrës: prostitucioni, ketu në perendim është bërë një ndër bizneset më të praktikuara të moralit njerzor. Pra, kemi të bëjmë me dy armiq të përbetuar të feminizmit. Sipas z. Taslima Nasrin me mashkullin islam dhe sipas feminizmit perendimor me mashkullin sundimtar dhe patron të gjinisë femërore!

NË SHËRBIM TË LUFTËS NË MES OKSIDENTIT DHE ORIENTIT
Përmbledhja me kolumna «Kënga e një nate të zymtë- gratë në mes religjionit dhe emancipimit» që ka për autore Taslima Nasrinin, nuk është i ngritur në bazë të kulturës historiko-shkencore në lidhje me pozitën e femrës në shoqëri. As që përbëhet nga një materie serioze për ndryshim të ndonjë psikologjie të caktuar. Cdo kapitull i saj ndërtohet me shembuj nga jeta e përditshme, raste diskriminuese ndaj femrës në Bangladesh. Probleme të tilla ka edhe në vendin tim, me një traditë qytetërimi mijëvjeçar. Edhe ne shqiptarët si gjithë popujt e tjerë jemi të ballafaquar me probleme të këtij karakteri. Jam më se i bindur se çdonjeri këtu ka fakte të bollshme për të bërë libra voluminoze për shkeljen e të drejtave dhe lirive individuale të femrës në Evropë. Mjafton të vizitojmë një orë: San Paoilin në Hamburg, Posterdamin apo Bundesgasen në Bern. Ky është një problem me përmasa universale. Nuk ka të bëjë vetëm me një shtet apo kontinent të caktuar, por është planetar. Taslima Nasrin i është nisur një përpjekjeje shumë të qëlluar: ndryshim të koncepteve islame ndaj gjinisë femërore. Kjo është ajo vlerë që duhet patjetër respektuar.Asaj duhet t`i jepen sugjerime dhe kurajo për të bërë këtë në mënyrë pak më të shëndoshë, sepse për të kundërshtuar një ideologji, religjion a fe, e cila sundon më se njëmije e treqind vjet nevojitet një revolucion mendor, një strategji të bazuar në fakte bindëse si hiostorike ashtu edhe aktuale. Nga përvoja kemi mësuar se me një urrejtje të ashpër fanatike (feministe) përveç se nuk mund të ndryshojmë kurrgjë konkrete, tërbojmë edhe më shumë ekstremin tjetër. Më qartë: feminizmi duhet të jetë shumë më i butë, dhe si parim të parë të ketë emancipimin e vetvetes, pra femrës. Femra duhet të zvogëlojë pjesmarrjen e saj (tash masive) në bizensin e prostitucionit dhe nënshtrimin. Vetëm në këtë mënyrë do të vijë në shprehje logjika e shëndoshë dhe mirëkuptimi në mes dy kundërshtarëve tash më të mërzitshëm. Tasrinin nuk duhet ta mbivlerësojmë dhe mashtrojmë duke i thënë se ka vlera shumë të larta artistike dhe filozofike, vetë për arsye të interesit të dikujt për të shfrytëzuar ate si pion në luftën e oksidentit kundër orientit dhe anasjelltas. Asaj duhet thënë se është viktimë e përndjekur nga fanatizmi islam dhe viktimë që përdoret në mënyrat më të ulëta nga feminizmi i ekzagjeruar evropian. Eliminimin e këtij keqkuptimi historik në mes të dy gjinive duhet kërkuar tek ligjet e natyrës. Ajo ka paracaktuar rolin, aftësitë, dhe varrësinë reciproke në mes mashkullit dhe femrës. Sipas kësaj logjike, ata duhet në mënyrë të barabartë të vendosin mbi organizimin dhe përjetimin e jetës së tyre. Mendimi mondan i gjinisë mashkullore: femra, për shkak të karakterit të saj të butë e të thyeshëm duhet të jetë nën patronatin e mashkullit është ekstremisht i gabuar. Ashtu siç është i gabuar mendimi feminist mbi gjininë e kundërt: meshkujt janë produkt yni natyror, prandaj edhe jeta e tyre duhet të varret nga ne!

SHQIPTARI ME EMËR ARAB
Në fund të diskutimit dr. W. kërkoi që t`a shoqëroja në kafenenë e shoqërisë. «A nuk jeni ju arab». Jo. «Më ka irrituar emri juaj me origjinë arabe. Më falni», ajo tërë kohën kishte menduar se jam ndonjë bashkëvendës i Taslima Nasrinit. Kësaj i ka ndihmuar edhe ngjyra ime esmere, apo ku t`a dijsh. Edhe pse pranonte arsyetimet e mia në lidhje me zanafillën e humbjes së respektit ndaj gjinisë femërore…«Nuk patët të drejtë me gjykimet rreth feminizmit sot, ai është moderuar, avansuar…Taslima Nasrin ka thënë atë që ndodhë në vendin e saj». «Dakord, ajo ka përshkruar pozitën e vështirë të femrës në Bangladesh dhe emancipimin e saj në baza islame. Dhe kjo vlen shumë. Mirëpo unë nuk jam dakord me mënyrën se si ajo do që të luftojë kundër fanatizmit dhe skllavërisë», pasi ia thashë këto fjalë, edhe njëherë më kundërshtoi: «Ju nuk mund t`a merrni me mend se çfarë skllavërie zhvillohet atje». Po, po e di se çfarë skllavërie zhvillohet atje, sidomos pas leximit të veprave të Tasrinit. Madje edhe ajo si simbol kundër skllavërisë, në shtëpinë e saj ka një skllave me emrin Lili. Keni lexuar «esenë» e saj «një dhomë vetëm për mua», aty tregon qartë për hasmërinë e saj kundër skllavërisë dhe raportin me Lilin dhjetvjeçare! Dr. W. qeshi dhunshëm: «Sa e vlefshme do të ishte sikur ju të mbronit botën e femrës nga diskriminimi». Një gjë të tillë edhe jam duke e bërë. Gjatë tërë kohës përderisa kam diskutuar parasyshë më ka qëndruar ajo fizionomia e thyer e Lilit të vogël duke pastruar brekët e zonjës mjeke. Ky ishte kulmi, ka gjasa të kem gabuar. Zonja W. më tha duke ikur: «po të kisha forcë do të ju digjsha si Johanën anglezët!». Duke u kthyer në shtëpi, përpiqesha të kuptoj përse z. W. më tha ashtu: si duket është e frymëzuar më shumë nga metodat e inkuizicionit se sa nga lufta e Johanës. Dhashtë Zoti mos të ketë fuqi ajo të marrë ndonjë pushtet. Do të na djeg të gjithë meshkujve në turma drunjsh!

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...