Snobë janë ata njerëz që vuajnë nga kompleksi i epërsisë dhe që mendojnë se meritojnë postin e Primatit. Sish që mendojnë të jenë të gjithëdijshëm dhe trajtojnë të tjerët sikur të jenë infantilë, injorantë. Snobizmi shqiptar është implikativ: ai epërsinë e shpifur e maskon me potencimin permanent të vullnetit në favor të shoqërisë.
«Idiotin» e Dostojevskit, «Gjeniun» e Dreiser-it, «Lolitën» e Nabokov, «Emil»-in e Rousseau-së etj. i gjen në çdo katalog të kryeveprave universale letrare. Kësaj liste mirëpo çuditërisht se i mungon njëra nga kryeveprat, ndoshta edhe nga më të qëlluarat në mesin e atyre që janë përpjekur ta përshkruajnë njërin nga karakteret e përhapura humane: «Book of Snobs» e William M. Thackeray-t (1868) nuk radhitet pranë atyre titujve që radhitëm lartë. Pse? Jo, nuk besojmë, se diskriminimi i është bërë Thackeray-t për shkak se kanonet e letërsisë botërore i sajojnë vetë snobët. Domethënë qenie të atilla që autori edhe më bukur se tek «Libri i snobëve» i lakuriqëson në romanin e tij «Vanity Fair, or, a Novel without a Hero» (1847 – shqip mund të përkthehej si «Panairi i dendizmit – një roman pa hero»). Personazhet kryesisht të paemër të Thackeray-t janë dendi arrogantë që «majmunërisht», me thonj e koketeri duan të ngjiten sa më lartë hierarkisë shoqërore. Energjia e luftës së tyre burimin e ka në fiksimin të jenë më të veçantë se të tjerët, por që ja fati keq ua ka demoluar qëllimisht shkallët që mos ngjiten atje lartë, në piedestal. Shikuar mirë kjo është sëmundje. Madje tepër e rëndë. Është luftë kundër diçkaje që nuk ekziston, ose siç thotë shkrimtari Oliver Hassencamp: «Snobizëm është të luftosh kundër dallgëve, aty ku s’ka ujë». Kryesimptomi i epidemisë në fjalë manifestohet me epërsi intelektuale, arrogancë dhe injorancë ndaj tjerëve.
Është modë të mendohet se vetëm shkrimtarëve, poetëve, në veprat e tyre imagjinatëplotë iu lejohet komoditeti i dendizmit, thjeshtë sepse saherë që ata të zihen ngushtë me një kritikë të tillë kanë mundësi të thonë; «jo unë, por personazhi im, jo personazhi por këtu ka diçka biografike» e kështu deri në çmendje. Gabim. Shkrimtarët, artistet në kontekstin e kategorive shoqërore, në këtë drejtim janë minoritare, sepse shumicën e përbëjnë tjerët.
KRYESNOBËT
S’ka si të jetë ndryshe: listës së snobëve më të infektuar në shoqërinë shqiptare i prijnë politikanët. Ashtu e donë natyra e punës që kanë. Ata janë të detyruar të jenë demagogë, të bëhen sikur për çdo mëngjes të ulen para një globi të qelqtë ku janë kondensuar trutë e gjithë qytetarëve për të parë e dëgjuar se çka donë populli sot. Lidhin kollaren, ia fusin me shkelm gruas, e cila ende nuk ka mbaruar me lustrimin e këpucëve dhe si rrufeja shfaqen kuvendeve e para mediave për të plasuar të vërtetat e ditës.
Shtresa e dytë, herë pas here me një potencial edhe më të madh se ç ‘kanë politikanët, janë gazetarët, opinionistat mediave të ndryshme. Ata që dy publicistët dhe gazetarët gjermanë Markus Metz dhe Georg Seesslen i quajnë «makina të budallallosjes – fabrikat e stupiditetit» (Berlin; 2011). Sa hapim gazetat lexojmë udhëzimin e publicistit XY se si të dalim nga skamja; na tregon se kush jemi; ka duhet të ecim; na qorton se kemi harruar në cilin kontinent jemi; na shanë e përlanë me citate hundëve se nuk e kemi kuptuar në shkrimin e parafundit; ne të gjorët nuk ia kuptojmë as shkrimin e radhës, sepse ka harruar ai vetë se ku e kishte fjalën. Në çastin kur u themi se diku, dika kemi lexuar edhe një variantë tjetër të së vërtetës, se citatet e tij nuk janë përkthyer si duhet dhe kombinohen jashtë kontekstit dhe në mënyrë tendencioze dhe se ai do bënte mirë që të na i plasojë të gjitha variantet ekzistuese që ne vetë të zgjedhim çka na vijnë lezet, atëherë, atëherë e dini çka ndodh. Na deplason gjithë qelizat e trurit me mesazhin e radhës: Injorantë – na thotë dhe ne strukemi. Snobët janë agresivë për nga natyra.
Shtresën e tretë të popullatës së snobëve – sa keq, s’kemi ka i ikim atij proverbit kinez që së fundi ma përmendi miku im, kitaristi dhe përkthyesi Nehat Kollçaku e që mund ta përmbledhim në thënien «si mileti ashtu pushteti» – e përbëjmë ne, respektivisht mentaliteti snobik i shqiptarit për t’u paraqitur i dijshëm dhe i aftë në të gjitha fushat e mundshme. Që mos bëhemi edhe më abstrakt se sa që jemi po e marrin një ilustrim nga përditshmëria.
LIVE
Dhjetor 2012. Në një restorant në rrugën e pufeve Langstrasse të Zürich-ut takohemi gjashtë shqiptarë. A është doktor i shkencave natyrore, B shkruan poezi, C është historian, politikolog apo kështu diçka, D është pronar restoranti, E shkruan tekste pa lidhje portaleve dhe F është autori i këtij teksti që nga snobizmi moti ka harruar se si ta quajë veten.
B: Pasha Zotin popull ngaeprapa po jemi?
D. Pse bre burrë kush ta prishi?
E. Mirë e ka B se përnjime hajvan popull jemi he nënën.
A. Kuku C a e mban mend atë shkrimin tem që e botova në gazetën BS?
C. Po si jo. Aaa shumë mirë e kishe qendis.
A. Po kush na e varrën neve burrë. Atje poshtë menojnë se han dituri me lugë.
D. He pra prandaj i kemi punët mozotmakeq, se njerzit si ju (drejtuar A dhe C) nuk e udhheqin popullin.
F. Pse nuk shkoni atje poshtë t’ia hapni sytë popullit?
A. Prit prit edhe pak. Se populli nuk ha bar. Do vie dita jonë.
C. Mos u bën merak se po zihet diçka.
(A zgërdhihet).
E. Hajde ishalla. Mos na harroni mua dhe F.
U bë pushteti i ardhshëm. Ai doktori i shkencave natyrore mezi kaloi me disertacionin e tij të dobët dhe tash punon në një firmë private zvicerane për kafshatë goje. Politikologu poashtu me dr-mr tituj jeton nga subvencionet zvicerane në sajë të projekteve ku shqiptarët vizatohen me bisht dhe shkruan sikur me arnuar tirqe me tekstile Stambolli. Pronari i restorantit na «lodhi» saherë që i vjen ndonjë letër për t’ia lexuar se s’di të lexojë as gjermanisht as shqip. Poeti ende nuk ka dalë nga malet e Karadakut se po i numëron drunjtë aty. Autori i këtij shkrimi (F) shumë shpesh as derën e banesës së vetë nuk është në gjendje ta gjejë e lere më të mësojë popullin. Gjithë defekta. Megjithatë «po zihet diçka» dhe së shpejti do ta udhëheqim popullin.
MOTIVET E SNOBIT
Ndoshta nuk e kishim regjistruar atë skenën lartë po të mos na kishte nxitur për shkak të karakterit që ka; ajo është omniprezente në çdo ndejë shqiptare. Pa prit e kujtuar gjendesh para specialistësh të bujqësisë, aeronautikës, publicistikës, politikës, ekonomisë, jurisprudencës, djathbërjes, lopëshërimit, filozofisë, informatikës, pushtetit, popullit. Dhe sa të fillosh të merresh me kapacitetin intelektual të tyre, me biografinë, me gjendjen e tyre sociale, të bie të fikët dhe i lutesh Zotit mos të zgjohesh më aty ku ishe, por diku, në një ishull ku s’shkel këmbë snobi.
Nuk na intereson për «popullin». Për politikanët, publicistët dhe gjithë të tjerët edhe më hiç. Hall e kemi veten se si të ushtrohemi që apriori t’i mësojmë vetë gjërat mirë para se ato t’ia shesim plot poza masës. Domethënë duke shkruar t’ia shtrojmë vetes gjitha tezat dhe antitezat e një problemi për t’i mësuar për veti dhe kur t’i kemi mësuar ndoshta bindemi se informimi apo edhe motivi jonë iluminist deri atë moment nuk paska qenë hiçgjë tjetër përveç se maskë, manifestim i snobizmit tonë. Ndoshta edhe humbim punën apo shoqërinë pas këtij kthjellimi. Sigurisht se keq, ama ky është çmimi: o snob o jo! Zgjidh dhe merre.