Edhe pas 25 vjetëve jete në Zvicër, një familje shqiptare i ka të mbyllura të gjitha dyert e integrimit. Bümplici dhe shumë lagje të tjera zvicerane nëpër qytetet e mëdha janë shndrruar në Geto shqiptare, ku partitë e ekstremit të djathtë kanë gjetur fushëveprimin e tyre. Të rinjtë e kualifikuar me profesione të ndryshme, vetëm për shkak se janë «kosovo-albaner» duhet të trashëgojnë fatin e prindërve të tyre si; puntor krahu. Mungojnë projektet shtetërore dhe vullneti i vendosur i shqiptarëve për të krijuar procesin intenziv të integrimit.
Grupe nxënësish që flasin gjuhë të ndryshme, të cilat nuk i përngjajnë fare gjuhës së vendit; gra të mbuluara me shami në kokë me fëmijët e tyre shtrrnuguar përdore dhe zëri i përmbytur i shoferit të autobusit janë elementët mbizotërues të autobusit numër 14 që bartë udhëtarët për në lagjen Bümplic, në veri-perendim të kryeqytetit zviceran. Të pazakonshme janë – në krahasim me linjat tjera të komunikacionit në qytet – kontrollet e shpeshta të kondukterëve blu me toki-vokit e varrur për rrypit të pantollonave. Për 15 minuta udhëtim nga Stacioni Hekurudhor i Bernës deri në stacionin «Post» të Bümplicit, tre herë u kontrolluan biletat. Kësaj dite, siç duket, asnjëri prej udhëtarëve të mëngjesit «nuk e kishte harruar abonentin në shtëpi». Përse kaq shumë kontrolla në këtë linjë? «Janë linja ku më së shumti frekuentojnë të huajt»- na u përgjigj Kristian M.- udhëheqësi i grupit të kontrollit. Ai dhe kolegët e tij janë të bindur se të huajt shpesh udhëtojnë pa bileta. Gjë që për ne atë ditë u dëshmua e kundërta. Që të tri grupet e kontrollorëve zbritën «të zhgënjyer» nga autobusi pa zënë asnjë «peshk», pa arritur që t`ia ngjesin në shpinë ndonjë udhëtari dënimin pesdhjetë frankësh. Agim E. që na shoqëronte ne për të bërë këtë reportazh, dukej imun ndaj gjithë kësaj; «gjatë çdo udhëtimi për në banesë apo qytet mbaj vazhdimisht në duar biletën». Këtë ai nuk e bën edhe kur udhëton në drejtime tjera të qytetit. Në linjat tjera kontrollet e tilla janë të rralla. Ky është akti i parë i skenës teatrale të lagjes së Bümplicit ku jeton pjesa dërrmuese e shqiptarëve të këtij qyteti.
TRADITA E NJË KOMUNITETI NË «BAUSTELLE»
Ndërtesat e larta dy-trembëdhjet katëshe, betoni i hirtë i të cilave demostron një ftohtësi therrëse dhe përdhunuese për vetë natyrën e gjelbërt përreth, janë të populluara kryesisht me shqiptarë. Para godinave, që i përngjajnë arkitetkturës së «lulëzimit» socialist nëpër lagjet e reja të Stalingradit rus, luajnë fëmijë të vegjël në gjuhën e tyre amtare. Aty- këtu shohim ndonjë zviceran që hap sytë lodhshëm dhe njëkohësisht reflekton një shikim kurreshtar ndaj çanteve tona të fryera. Na merr mendja se ç`mund të mendojë kalimtari vendës mbi përmbajtjen e çanteve tona. Sigurisht, ai nuk mendon se aty gjenden aparate të iniçizimit dhe fotografisë, por krejt diçka tjetër.
Në katin e nëntë, në fund të Frankenstrasse-s jeton familja e Bajram Eminit dyzet e nëntë vjeçar. Bajrami në Zvicër ka ardhur para 25 vitesh. Pra në vitin 1973. Familja e tij katërantarëshe që nga viti 1977 jeton po në të njejtën lagje. Që të dy fëmijët; Agimi (20) dhe Blerta (19) kanë lindur dhe janë shkolluar në Bernë. Ata e flasin gjuhën zvicerane aq sa për të mos i dalluar se nuk janë të vendit. Agimi ka mbaruar shkollën e mesme të tregtisë (Kaufmänische Lehre) dhe punon në Migros si treansportues perimesh, ndërsa Blerta ndihmësmjeke (Arztgehilfin) është duke punuar në një puntori të pastrimit kimik. «Pasi nuk gjeta vend pune në profesion u detyrova të lajë tesha. Më mirë të punoj diçka se sa të ri tërrë ditën duarkryq në shtëpi»- thotë Blerta e pakënaqur me profesionin e saj. Agimi është i bindur; «si shqiptarë nuk na pranojnë nëpër vende pune për të cilat kemi kryer shkollën, edhe ne do të mbarojmë si prindët tanë, nëpër vende pune kur kërkohet angazhimi fizik». I ati i Agimit, që nga ardhja në Zvicër punon në një firmë ndërtimi, e cila i takon njërit nga politikanët bernezë që angazhohet deri në maksimum për reduktimin e numrit të të huajve. Pse nuk ndihmojnë miqët zviceranë që këta dy të rinj të inkuadrohen në vende të merituara pune? A ka ndonjë organizatë apo shoqëri që angazhohet në integrimin profesional të të huajve në Bernë? Jo. Asgjë. As projekte të tilla nuk ekzistojnë.
KLASËT SPECIALE PËR TË HUAJT
Shoqja e Blertës, Mariana , e cila ka qenë në shkollë bashkë me të di të arsyetojë mosangazhimin e zviceranëve për të ndihmuar familjet shqiptare; «Blerta shkollën nëntëvjeçare e ka kryer në një klasë për të huaj, ku ka pasur hiç më shumë se dy a tre zviceranë bashkë me pedagogun, kështu që lidhjet kanë qenë të kufizuara. Pastaj kohën e saj të lirë e ka kaluar këtu në Bümplic, ku zviceranët janë fare të pakët. Kjo lagje, dihet që është e populluar kryesisht me të huaj, një farë lloji rezervati i tipit amerikan për indianë». Kontaktet e kësaj familjeje me vendësit janë pothuaj inekzistente. Se Bümplici i përngjan në esencë një rezervati indianësh nuk mund të kontestohet, dallimin do ta gjenim vetëm nëse cergat e rafshnaltave të pluhurta të Kalifornisë i zëvendësojmë me blloqet e betonta të Zvicrës.
Përse shumica e shqiptarëve janë të pozicionuar në një lagje të vetme?
SI U KRIJUAN GETOT?
Benjamin A. nëpunës i komunës së Bumplic-Betlehemit di të sqarojë origjinën e këti problemi: «Gjatë vënies së marrëveshjes me Jugosllavinë e atëhershme për transportimin e forcës së punës, në Bümplic u ndërtuan barake ku flenin sezonierët nga ai vend. Dihet që shumica e njerëzve që vijnin për të punuar këtu ishin ata me përkatësi nacionale shqiptare. Mendoj se kjo ka rezultuar nga fakti se ata edhe atje kanë qenë në profesion të diksriminuar dhe kanë qenë të detyruar që të braktisin vendlindjen dhe familjen e tyre dhe të të vijnë këtu për të bërë punë të rënda. Atëherë popullata zvicerane, përkundër vetëdijes së kishte për nevojën e forcës së huaj, nukd donte që puntorët të posedonin banesa normale. Kështu pas disa vjetëve këto puntorë fitonin të drejtën e qëndrimit dhe sillnin familjet e tyre, natyrisht aty ku jetonin. Nga kjo sot edhe e kemi Bumplicin kështu, që i përngjan një getoje shqiptarësh, gjë që pengon jashtëzakonisht integrimin e tyre në jetën zvicerane». Nëse shteti është faktori fajtor që shqiptarët kanë mbetur të ndarë nga jeta e shoqërisë, ç`kanë bërë shqiptarët për t`u integruar? «Mundësitë kanë qenë gjithmonë të këtilla»- thotë Bajram Emini duke ilustruar këtë mendim me faktin se ai edhe pse e bën punën e polirit që nga fillimi i punës së tij ka mbetur ndihmës puntor që thërritet sa herë që dikujt t`i bjerë lopata nga duart nga kati i pestë në tokë. Poliri i Bajramit, L.N. njëzet e nëntë vjeçar, ka frikë për shkak të shefit të flasë me emër. Ai vërteton fjalët e Bajramit duke thënë; » Bajrami më ka mësuar mua se si duhet të punojë». Në pyetjen se si ka mundësi që ky të jetë shefi i tij, ai u përgjigj shkurtë; «Unë jam zviceran, shefi im ka alergji ndaj shqiptarëve». Alergjia e shefit të tij është e çuditshme kur dihet se në këtë firmë punojnë vite të tërra më se 20 shqiptarë. Ndoshta shefi i Bajramit është aq i mençur sa të ndajë politikën nga biznesi personal.
POLITIKANËVE IU PENGON INTEGRIMI I TË HUAJVE: PSE?
Monika B. nga Enti për Punësim i Bernës e njeh rastin e dy të rinjve, të cilët menjëherë pas mbarimit të shkollave të tyre janë regjistruar në listën e kërkuesve të vendit të punës. Ajo pranon se; «kur ju propozojë firmave ose ndonjë mjeku kandidatët ata menjëherë më pyesin për origjinën e tyre. Gjithçka mbaron kur kuptojnë se ata vijnë nga Kosova ose Shqipëria dhe se janë shqiptarë». Është ky një diskriminim në baza nacionale dhe njerzore? «Po». Konfirmon Monika B. duke rrudhur krahët e pafuqi për të ofruar ndonjë model se si mund të zgjidhje ky problem. Mirëpo ajo e di se kush duhet të lëvizë diçka nga vendi në këtë drejtim; politika. Si? Ende nuk ekzston asnjë ligj i aprovuar që do të mundësonte financimin dhe zhvillimin shtetëror të projekteve për integrimin të huajve me qëndrim në Zvicër. Kjo është e vërtetë thotë njëri nga Komisioni Federativ për Cështje të të Huajve. «Instancat shtetërore, Parlamenti dhe faktorë tjerë janë në kontradiktë të thellë për këtë punë»- pohon me keqardhje Sekretari gjeneral i këtij Komisioni dr. Rene Riedo, i cili ka disa vite që pret bashkë me shtabin e tij që dikush të lëvizë vërtet diçka në këtë relacion.
KSENOFOBËT KANË GJETUR FUSHËVEPRIMIN
Duke lëshuar Bümplicin, dalim në anën tjetër të qytetit, në Muri. Lagje ku nuk mund të gjesh pothuaj asnjë shqiptarë. Ndonjë kamarier restoranti apo mund të dëgjosh ndonjë grup puntorësh që shtrojnë asfalt duke lëshuar ndonjë fjalë që mund t`i përngjante gjuhës shqipe. Ky është edhe një fakt se shqiptarët e Bernës janë të izoluar. As nëpër shkollat e Murit nuk mund të gjesh ndonjë fëmijë shqiptar. Nëse do që t`i gjesh ato, shko në Bumplic më thotë njëra nga mësueset e shkollës së këtushme. Pse këtu nuk banon asnjë shqiptar? Muri njihet si lagja e pasanikëve të Bernës, lagja e «nivelit të lartë» siç kanë dëshirë ta quajnë veten vendësit. Pasojat e izolimit të të huajve në një vend gjithë së bashku janë të mëdha. Këtë e dëshmon edhe njëherë më shumë ky argument: SD (Partia e Demokratëve zviceranë shefi i të cilëve gjendet këto ditë para gjyqit për racizëm) të vetmin poligon veprimi dhe suksesi në Bernë e ka në Bümplic. Integrimi i njeriut në një shoqëri të huaj nuk bëhet duke e izoluar atë e sidomos edhe më pak mun të inkuadrohet ai në jetë kur ia lëshon në qafë ata që i urrejnë të huajt për vdekje.
Geto të tilla shqiptarësh nuk ka vetëm Berna. Ato gjenden në të gjitha qytetet e mëdha të Zvicrës. Mënyra e eliminimit të tyre ekziston. Mirëpo për këtë duhet baza ligjore për t`ua hequr frikën zviceranëve nga «të huajt e rrezikshëm» dhe vullneti i madh i Agimit dhe Blertës për të mos hequr kurrë dorë duke kërkuar të drejtën e vetë njerzore e profesionale deri në fund.