Shteti zviceran hulumton mundësitë për integrimin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Në një farë mënyre, vetëm politikisht. Pasi që autorët e deritanishëm të projekteve janë organizatat private, aty-këtu të mbështetura nga komuna e kantone. Ndërsa kundërshtarët arrijnë që të eliminojnë këto projekte me arsye, të cilat nuk janë edhe fare të paargumetuara. Shqiptarët janë komuniteti më pasiv në lidhje me përpjekjen e integrimit. Problemet e tyre fillojnë që nga rregullimi i dokumentacionit të qëndrimit e deri në…EuroZëri do të trajtojë në vazhdime pengesat dhe mundësitë e integrimit të shqiptarëve në Zvciër, duke trajtuar çdo fenomen në veçanti me shembuj konkret dhe raste autentike.
Projekti «Urat» i lansuar kohë më parë nga organizata humanitare «Caritas» shqetësoi thellë parti politike zvicerane që të huajt i përdorin si kartë për të fituar simpatinë e qytetarëve me qëllim të realizimit të programeve të tyre. Në këtë kontekst, disa nga partitë shkuan edhe aq larg sa t`i lejojnë vetes akuza që për nga ngjajshmëria nuk janë fortë larg nga ato që u bëhen mbeturinave të nazizmit të LDB-së. Partia Popullore zvicerane, e cila për kryetar ka Ueli Maurer-in, ndërkaq praktikisht udhëhiqet (sipas mendimit të shumë mediave vendase) nga promotori ideologjik i saj Kristof Blloher kohë më parë bëri një kampanjë tejet të ashpër kundër projektit të përmendur më lartë. Përse u pengoi kaq shumë partive të bllokut të djathtë një projekt i tillë? Projekti «Urat» i Karitasit ka për qëllim vënien në kontakt të familjeve shqiptare me ato zvicerane me qëllim të njohjes së ndërsjellë. Njohje që do të zbusë ashpërsinë e paragjykimeve të shumta që kanë të bëjnë me imazhin e shqiptarëve të shumtë në këtë vend të vogël. SVP arriti që të bindë qytetarët e Zvicrës për të anuluar këtë projekt. Për këtë ajo parti bashkë me FDP e po të njejtit qytet harxhoi më se gjysmë milioni Franka në krahasim me 100 mijë frankat që duheshin për realizimin e këtij projekti. Edhe pse kjo parti arriti qëllimin e vet politik, Karitasi është në prag të realizimit të projektit, sepse të hollat u siguruan. Si? Jo ato nuk i dhanë shqiptarët e pasur që jetojnë në këtë shtet, por përsëri vetë zviceranët. Do përmendur vetëm një fakt: një zviceran me origjinë nga Cyrihu dhuroi 50 mijë franka për këtë projekt duke mbetur anonim. Ai organizatës Karitas i kishte shkruar; «i dorrëzoj këto të holla sepse kam mall për vendlindjen time, e cila ka filluar të humbë karakterin e bukur të pasurisë së shumë kulturave».
FAJI PËRSËRI JETIM
Zvicra dhe shqiptarët. Dy botë të ballafaquara me një murr në mes veti. Murr i ndërtuar nga frika, paragjykimet dhe keqkuptimi. Që të dyja deklarojnë se bëjnë gjithçka për të eliminuar këtë murr. Urrejtja nuk përmendet fare. Shteti thotë se është duke bërë gjithçka në favor të integrimit të familjeve të këtij komuniteti. Shqiptarët mendojnë se Zvicra është kundër prezencës së tyre në këtë shtet. Këtë e arsyetojnë me shumë fakte nga përditshmëria e tyre. Fakte, të cilat kanë të bëjnë me organizimin e jetës së tyre familjare. Organizata të ndryshme humanitare, që luajnë rolin e ndërmjetsuesit përbrenda këtij problemi, të ngritura nga vetë qytetarët zviceranë janë të një mendimi;»Zvicra është duke përdorur metoda të ndryshme diskriminuese për të minimalizuar numrin e të huajve në këtë vend, ku sigurisht se as shqiptarët nuk janë duke u kursyer». Që të tria palët, si shteti, shqiptarët ashtu edhe organizatat humanitare kanë dëshirë që të gjendet një koncenzus në mes tyre. Kërkimi i zgjedhjes nëpërmjet akuzës dhe paragjykimit ka vetëm një rezultat; ngritjen sa më të lartë të këtij murri. Të gjitha palët janë të vetëdijshme për këtë. Fatkeqësia: Ata vazhdojnë edhe më tej të kërkojnë fajin diku tjetër, duke llogaritur veten gjithmonë si palë me të drejtë të pakontestueshme.
Kjo mënyrë e të vepruarit dhe menduarit rreth një problemi kardinal siç është ky i konsolidimit të ndërmjetshëm shoqëror, padyshim se krijon pasoja për të gjitha palët pjesmarrëse. Zvicra vë në lojë imazhin e vetë human përballë botës si shkelëse e të drejtave të komuniteteve dhe të huajve. Shqiptarët mbeten të paintegruar, gjë që sjell rrezikun e shthurjes familjare, dezintegrimit, asimilimit etj.
Problemet e shqiptarëve në Zvicër janë të shumta. Ato fillojnë që nga konsolidimi i statusit të tyre në këtë vend e deri në pamundësinë e integrimit efikas të gjeneratës së tyre të dytë. Këtë problem e thellon edhe më shumë mosaprovimi i ligjit për integrim nga Këshilli Nacional, aprovim i cili do të ndihmonte në krijimin e bazës ligjore që shteti të merrte drejtëpërdrejtë pjesë në financimin e projekteve të tilla, siç bën sot Karitasi dhe Kanton Gjeneva bashkë me Ueli Leuenbergerin nëpërmjet Univerzitetit Popullor të Gjenevës.
LIGJI NË KONTRADIKTË ME VETVETEN
Në një fshat të Bernit takojmë Adem Berishën. Në Qendrën Informative për Cështje të të hujave (ISA) u informuam sipërfaqësisht mbi problemin e tij. Ademi, në Zvicër gjendet që nga viti 1988. Prind i gjashtë fëmijëve, pesë prej tyre të gjithë të mitur. Ka tri vite që Ademi përpiqet t`i bëjë garancion familjes së vet për ta marrë në Zvicër. «Nuk pata gëzim më të madh se sa kur morra vizën «B» (leje e përkoheshme qëndrimi), në atë çast mendova se përfundoi vuajtja ime për fëmijët…» fillon rrëfimin e vetë Ademi. Vetëmashtrim për Ademin. Marrja e vizës nuk i ndihmoi fare atij për t`i dhënë fund vetmisë.
E drejta civile respektivisht kapitulli i dytë i saj «E drejta mbi familjen», duke filluar prej nenit 90 e deri tek ai 251, jo vetëm që zbërthen formën se si duhet të duket një familje në shoqërinë Helveciane, por edhe detyron me ligj çdo individ që është duke jetuar e punuar në këtë vend në realizimin e obligimeve që ka ndaj familjes. Teoria e këtij ligji sigurisht se bie ndesh me praktikën e tij, po që se kihet parasyshë rasti Berisha.
FAMILJA SI VIKTIMË E MOSDIJES?
Dihet që, pas marrjes së kësaj lejeje, punëtori i huaj ka të drejtë të bëjë kërkesën për marrjen e familjes në këtë shtet. Për të bërë këtë kërkesë, punëtori i huaj duhet të plotësojë disa parakushte të definuara me ligj si; banesë tre-katër dhomëshe, sigurim shëndetësor për antarët e familjes, etj. » Ademi i plotësonte të gjitha kushtet, mirëpo ai në fillim e ka bërë kërkesën pa plotësimin e tërrësishëm të dokumentacionit të nevojshëm që kërkon Policia për të Huajt»-thotë avokati L. M., duke shtuar » Pas përgjigjes së parë ai ka humbur të gjitha shpresat dhe për disa muaj nuk është ankuar, gjë që e ka pasur si të drejtë. Kërkesën e re e kemi bërë para shtatë mujave..»Në lidhje me këtë; «Kur e bëra kërkesën e parë në polici, një inspektor më tha se nuk do të mund ta marr familjen time kurrë në Zvicër, sipas tij jemi bërë shumë këtu» Ademi është kategorik në mendimin e tij: Policia për të huaj shtynë me qëllim kërkesat që fëmijët e punëtorëve të kalojnë vitet e miturisë dhe të mos kenë më të drejtë për të ardhur në Zvicër. Ndërkohë, Avokati i ndihmon Ademit që ta marr në vizitë tremuajshe familjen e tij, me shpresë së brenda këtyre tre muajve policia do të vendosë mbi kërkesën e kësaj familje. Familja e Adem Berishës është duke numëruar ditët e fundit të qëndrimit në Zvicër. Adem Berisha që disa ditë ka mbetur pa punë papunë, kusht ky kryesor për të marrë familjen në Zvicër. Disa nga avokatët që janë duke përfaqësuar shqiptarët, që kanë të bëjnë me probleme të kësaj natyre, pranojnë se Policia për të Huajt është duke shfrytëzuar shprazëti të ndryshme ligjore për të fituar kohë, gjë që sjell në diskriminim praktik të të huajve. Adem Berishës*, sipas tyre nuk është i vetmi.
PASOJAT: SHTURRJA DHE SHKATËRRIMI
Astriti, djali më i madh i Ademit, i ka mbushur të tetëmbëdhjetat dhe tani më nuk është i mitur. Sipas të drejtës zviceranë mbi të hujat, ky djalosh ka humbur të drejtën për të iu bashkangjitur familjes në Zvicër. Po që se familja vijnë në Zvicër, ai duhet të jetojë i vetëm në Kosovë. Astriti deri para ardhjes këtu ka menduar se me të jatin e tij diçka nuk është në rregull:»Njerëz që punojnë këtu dhe që dijnë ligjin më thonin se është e pamundur që policia të pengojë ardhjen tonë këto. Ata thonin se Zvicra nuk është Jugosllavi. Unë dhe nëna ime mendonim se babai im ka ndonjë hall tjetër. Ose është me ndonjë zvicerane ose nuk do që të na shohë…» Tani Astriti është në Zvicër, këtu ai ka kuptuar se i ati ka humbur të drejtën për të marrë ate në Zvicër. «Një pjesë të fajit e ka edhe i ati im. Ai është dashur pas përgjigjes së parë menjëherë të reagojë. Këtu qenka shumë keq. A nuk paska asnjë parti a shoqatë shqiptare që u ndihmon punëtorëve duke ua përkthyer ligjet e rregullat e kësaj jete këtu…? Pyetet djaloshi tetëmbëdhjetvjeçar. Familja Berisha, që nga koha kur Ademi ka marrë «B» vizën ka jetuar në ambientit e konfliktit. Bedrija, e shoqja e Ademit ka jetuar tërë kohën nën frikë, mos vallë i shoqi i saj ka harruar familjen. Njerëz të ndryshëm i kanë sjellë asaj lajme të natyrës shpifëse. Astriti, si më i madhi nga fëmijët, ka filluar të kërcënohet se do të ikë nga shtëpia. «Njeriu duhet të bindet vetë për çdo gjë. Paragjykimi dhe jeta në frikë pothuaj gati e solli familjen tonë në buzë të shkatërrimit dhe shthurrjes» -thotë ajo duke lëmuar kokën e Skenderit, fëmiut trevjeçar të saj. Ai ka lindur bashkë me vizën «B» të Ademit.
VIKTIMAT E LIGJIT TË PADEFINUAR
Zyra e Ekspertëve mbi Familjen pranë Entit Federativ për Cështje të të huajve as që ka dëgjuar ndonjëherë për një shkelje të tillë të ligjit. Këtu përjashtohet çdo mundësi të ekzistencës së një rasti të tillë. «Ne nuk na është paraqitur deri tani asnjë ankesë që ka të bëjë me një shkelje të tillë të ligjit» -thotë një nga nënpunësit e këtij sektori shtetëror. Edhe sikur të ndodhë një gjë e tillë, Enti Federativ është ai i fundit që duhet të merret me të. Kompetencat kryesore në lidhje me ndarjen e lejeve të tilla i ka vetë Policia për të Huajt. Askush nuk do të pranojë se mund të ndodhë ndonjë diskriminim i tillë, siç paraqitet rasti i familjes Berisha. «Policia për të huajt nuk mund të veprojë në atë mënyrë, pasi atëherë ajo do të ishte krejt jashtë ligjit, të cilin ka për detyrë për ta mbrojtur. Cdo kërkese i përgjigjet brenda tre katër javësh. Deri tani asnjëherë nuk ndodhur që një kërkese mos i përgjigjet me muaj të tëra»-sqaron Bernhard Koller, zëdhënës i Drejtorinë së Policisë për të Huajt në Bern. «Vetëm Berni, brenda një viti shpërndan 90 mijë leje të tilla. Sikur ne të bënim një politikë të tillë diskriminuese, atëherë nuk do të kishte mbetur asnjë familje e huaj në këtë vend» vazhdon z. Koller. Argumenti i tij është krejt logjik. Mirëpo sa logjik është përpara Vendimit të Ministrit të Brendshëm, i cili u aprovua gjatë vitit të kaluar. «Para ca muajsh kemi marrë ligjin e ri të sjellë nga Ministri (Bundesrati) nëpërmjet të cilit precizohet numri, se sa ne si Polici kemi të drejtë gjatë vitit të shpërndajmë leje të huajve që kërkojnë të sjellin familjet e tyre në Zvicër». Sa është ai numër? Ndoshta 90 mijë. E ç`të bëjë Adem Berisha, po që se ai ka patur «fatin» të jetë 90 mijë e njëshi.
Kontradikta që lind në mes të së Drejtës mbi Familjen (E Drejta Civile) dhe Regulloreve të përvjetshme (që sillen më së shumti nga peticione qytetarësh në parlament dhe të cilat në të shumtën e rasteve edhe aprovohen) ka si produkt shkeljen e (pa)vetëdijshme të të drejtave të të huajve ose viktimëzimin e tyre për shkak të përkufizimeve dhe riaprimeve në ligj.
Ky vakuum të krijon përshtypjen sikur askush prej palëve në konflikt të mos jetë fajtorë dhe asnjëri të ketë të drejtë. Mbi të gjitha e kërkesa natyrore e çdo njeriu për të jetuar me familjen e tij është e drejtë e pakontestueshme natyrore. Për të menjanuar këtë konflikt të vazhdueshëm në mes të punëtorëve të huaj që kërkojnë sjelljen e familjeve të tyre këtu dhe shtetit, Konfederata zvicerane duhet sa më parë të predefinojë rregulloret e veta speciale ( të sjella viteve të fundit) në bazë të ligjit që ka në fuqi.
C`BËJNË SHQIPTARËT PËR VETI?
«Menjëherë pas plotësimit të kushteve të kërkuara nga policia solla familjen në Zvicër»-thotë dyzetepesë vjeçari Kujtim Palloshi nga Ferizaji. Ky nuk ka patur asnjë problem me policinë. «Mua më ka ndihmuar shumë gjuha. Kam njohur gjermanishten mirë, kështu që nuk kam patur probleme rreth kuptimit të formulareve, kushteve dhe kërkesave që i kanë bërë organet kompetente. Shumica e puntorëve tanë nuk e njohin gjuhën sa duhet dhe kjo u sjell atyre probleme të vështira në jetën e përditshme..» konstaton Kujtimi. Ky mendim i Kujtimit koincidon edhe me pyetjen e Astritit «a nuk ka asnjë shoqatë… shqiptare që t`u ndihmojë puntorëve dhe familjeve shqiptare duke ua përkthyer dokumentat, ligjin etj». Nuk ka!
Besim Hajdari është një mërgimtar i ri në Zvicër. Bashkë me familjen, ai ka ardhur në Zvicër para pesë vitesh. Asnjëri përveç vajzës së vogël së tij Blertës nuk di gjuhën gjermane. Që nga dita kur ka fituar dokumentacionin përkatës të qëndrimit ai është duke kërkuar punë. «Shtetit edhe nuk intereson për gjendjen tonë. S`ka njeri që interesohet për ardhmërinë tonë këtu…» ankohet Besimi. Shpesh herë këta kërkojnë ndihmë nga fqinjët zviceranë. «Është e vërtetë që kjo familje vjen shpesh tek ne për të na pyetur se ç`do të thotë kjo letër apo ajo letër. Ne e kemi vështirë pasi nuk duam të dijmë për gjithçka që ka të bëjë me jetën e tyre private. Përndryshe ata janë shumë të sjellshëm dhe korrekt» konsideron zonja Baumgartner familjen shqiptare Hajdari. Jo shumë zviceranë kanë të njejtin mendim mbi familjet shqiptare «Ata nuk punojnë, tërë ditën sillen rreth kopshtit, hanë pijnë e rijnë si pashallarë. Kurse ne të shkretit duhet të punojmë e të paguajmë për ta tatim» flet plotë nervozizëm një grua që banon karshi banesës së Hajdarëve.
GROPAT DHE PASIVITETI NGA MËRZIA
Mungesa e informimit korrekt nga ana e shtypit vendës mbi gjendjen reale të familjeve shqiptare, tek zviceranët krijon një psikologji injorimi dhe urrejtjeje tek zviceranët. Akuzat si; familjet e huaja, sidomos ato shqiptare, të ardhura viteve të fundit janë fajtorë për mungesën e banesave, punës si dhe rritjen e kriminalitetit janë të pavërteta. Një studim i vitit të kaluar i Qendrave të sipërpërmendura mbi gjendjen e familjes së këtij komuniteti shkruan; «Si zakonisht familjet shqiptare banojnë nëpër podrume apo nënkulme të shtëpive zvicerane, hapësirë banuese që para ardhjes së tyre nuk është shfrytëzuar…Të huajt si zakonisht punojnë nëpër kuzhina dhe ndërtimtari…Edhe të huajt paguajnë tatim, bile më shumë se pasanikët tonë… kriminaliteti, si zakonisht i lihet si mëkat të huajit, kështu ishte me italianët, turqit e më vonë, tash edhe me shqiptarët…» Këto janë fakte që duhet t`i lexojnë zviceranët për t`u bindur me të kundërtën.
Gropa e hapur në mes këtyre familjeve fqinje nuk i kontribon asnjërës palë.
Në një raport të ISA ndër të tjera potencohet edhe mospërfshirja e shqiptarëve nëpër projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me integrimin e familjeve të tyre. Ata as që dijnë për ekzistencën e projekteve të tilla. As që ua ka prezentuar dikush.
Familja Hajdari nuk ka dëgjuar kurrë për ekzistencën e institucioneve dhe shoqatave që ndihmojnë gruan dhe familjen shqiptare për integrim dhe mësim të gjuhës. BAFFAM, ISA, KPF etj. për të shoqen e Hajdarit Miradien , këto janë institucione që për herë të parë i dëgjon. Të gjitha këto që përmendëm më lartë janë organizata që më së paku kanë nga dy a tre projekte që kanë të bëjnë me integrimin e familjes së huaj në shoqërinë zvicerane. Shumë familje shqiptare me të cilat ne kontaktuam refuzojnë faktin mbi veprimin e ndonjë grupi apo projekti në favor të tyre. Këmbëngulësia e tyre jo që është vetëm e pabazë por edhe si një daklaratë për mërzinë dhe pasivitetin e tyre, pasi projekte të tilla jo vetëm që ekzistojnë, por edhe intensivikisht janë duke vepruar. Integrimi nuk bëhet vetëm duke pritur nga pala tjetër, por me pjesmarrje aktive vetë në të. (2005)
* Emrat e ndryshuar nga redaksia. Cuditërisht shumë persona frikohen nga pasojat sikur të jetonin në ndonjë dikaturë e jo në Zvicër.