Martesa me “kosova-albaner” – in e urryer

Një shqiptar i ri nga Kosova braktis atdheun për shkak të skamjes së madhe. Ai udhëton për në Zvicër. Aty dashurohet në një zvicerane, e cila i ofron martesë.  Prindët protestojnë. Ata nuk duan që vajza e tyre të martohet me një «Kosovo-albaner». Lind një fëmijë; konflikte rreth emrit. Marrëdhënjet keqësohen. Urrejtja fillon të ndërtojë pushtetin ndër dy njerëz që deri dje përbetoheshin mbi kokën e njëri – tjetrit, por si duket rrejshëm!

Bora e parë sapo ka krijuar pëlhurën e parë mbi qytetin e vjetër të Mitrovicës. Fundnëntor i vitit 1998. Acarri i dhunës së pushtetit serb shoqërohet me atë të ftohtit që ka ngrirë dritaret e shtëpive. Nëpër rrugë enden ca qenë duke u dridhur dhe policë të armatosur rëndë që bëjnë gjuetinë pas hijeve të njerzve që më nuk janë aty. Fëmijët dhe të rinjtë janë mbyllur bashkë me mësuesit dhe profesorët e tyre nëpër bodrume dhe bëjnë leksione. Ata mezi mbajnë lapsin në duar. Fytyrat e skuqura, me hundë dhe vesh të ngrirë, luftojnë me shpirt për të mos shkëputur procesin e edukimit të tyre. Këmbngulësia, vendosshmëria dhe dashuria ndaj arsimit shihet në sakrificën e tyre. Në mesin e shkollarëve të ngrirë të bodrumeve të qytetit gjendet edhe Agron Jashari njëzet e një vjeçar, student. Zëri i profesorit të tij herë pas here ia ndërpret skenën e përjetuar të mëngjesit. Atij vazhdimisht i del përpara fytyra e së ëmës dhe të atit, prej të cilëve është ndarë në mëngjes i përlotur. Kur Agroni çohet në mëngjes për të shkuar në shkollë gjen prindët duke qarë mbi tavolinën e Kuzhinës. Përditshmëri! Fat i thyer i një epoke të pamëshirshme e të rëndë kosovare. I ati i Agronit deri para luftës ka punuar në minierat e Trepçës. Verës ai mundet të dalë në treg e të bëjë ndonjë para për të financuar të birin dhe shoqen e tij, mirëpo dimri është faza e mundësive të ngrira. Dritaret pa xhama dhe koftori pa drunj janë edhe një presion plus i gjithë mizerieve që sjell jeta. Për Agronin sikur nuk ka alternativë. Mu në zemër të leksionit ai vendos; do t`iu dalë në ndihmë prindëve. I riu shqiptar vendos që më kurrë mos të përjetojë mëngjese të tilla. Po si?

MALLI PËR LOTËT E NGRIRË

Nga miq të tij Agroni ka dëgjuar se në perëndim njeriu mund të gjejë mundësi pune e sistemimi. Përveç kësaj ai shpesh sheh vendës që vijnë në pushime me vetura të shtrejnta dhe që kanë rregulluar familjet e tyre si ma mirë. Ndihmat nga shoqata të ndryshme nuk e mbajnë gjallë dot më familjen e tij. Ata janë simbolike dhe nuk mund të mbulojnë kërkesat e një familjeje për një vit. Nëpërmjet një agjencie turistike, me të holla të marra hua, ai niset drejt shpëtimit ekzistencial të tij dhe të familjes-drejt Perëndimit. Njeriu gjithmonë lidhet për një shteti ku mendon se ka njerëz të njohur, të cilët shpreson se do t`i ndihmojnë në njohjen  e jetës atje. Pas një jave udhëtimi nëpër shtegje të ndryshme ilegale Agroni futet në Zvicër kur paraqet kërkesën për Azil. Nga organet zvicerane të Azilit nga Baseli kufitar me Gjermaninë ai dërgohet në një qendër refugjatësh të Lucernit. Që nga ditët e para Agroni merr kontakt me njerëzit që i ka njohur dhe që kanë ditur për gjendjen e familjes së tij për të gjetur punë. Disa prej tyre i kanë ikur takimit e ca të tjerë kanë ofruar punë që nuk janë përshtatur me karakterin dhe formimin e studentit nga Mitrovica.  Përpjekjet vazhdojnë, por në dukje nuk shihet asnjë rreze shpresëdhënëse. Fillon zhgënjimi të përzihet bashkë me mallin për lotët e ngrohta të prindërve në mesin e shtëpisë së acartë të dimrit kosovar. 

VALLJA E PARË E NJË ROMANCE

Natë e Vitit të Ri 1998. Qendra për Refugjatë bashkë me një komunitet fetar të Lucernit organizojnë festë. Qytetarë zviceranë kanë sjellë në lokalet ku mbahet festa gjithçka që i duhet një atmosfere të tillë. Ndër ta ka të rinj dhe të reja. Në kulmin e festës Agronit i afrohet një femër e re bjonde dhe e bukur, e cila e lutë për vallëzim. Agroni skuqet jo se nuk di të flasë në gjuhën e saj për t`i dhënë përgjigje, por ai as të vallëzojë nuk di. Nëpër mendje fillon të bluajë mendimin: «sikur të kishim kohë për të mësuar vallëzimin…». Sonja B. njëzetvjeçare dhe presioni i shokëve e detyron atë që të vallëzojë duke u penguar kohë pas kohë me këmbët e partneres së vallëzimit. Pasi që mbaron muzika Agroni i falenderohet zonjës së sjellshme në anglishte. Sonja e habitur me gjuhën e rrjedhshme të tij anglisht i futet komunikimit me të sikur ta kishte njohur qe disa vite. Edhe pse Agroni nuk ka menduar në asgjë tjetër përveç se si të angazhohet për të fituar diçka për familjen, Sonja nuk e ka pasur këtë hall. Ajo ia kërkon numrin e telefonit atij dhe kërkon që në të ardhmen të takohen.

Dhe kështu takim pas takimi fillon një kontakt që në prapaskenë ka pasur lindjen e një romance ndërmjet dy njerzve që kanë një distancë prej disa mijë kilometrave. Nuk thonë kotë; dashuria nuk njeh kufinj!

KSENOFOBIA E TË MOSHUARVE

Pranvera ka dhënë shenjat e para. Tashmë janë bërë disa muaj që Agroni dhe Sonja njihen si miq. Agroni ka gjetur një vend pune, mirëpo fillimin ia pengon Policia për të Huaj. Atje i kanë thënë se papunësia është e madhe dhe ai nuk i plotëson kushtet aq sa duhet nga aspekti i dokumentave për t`u punësuar. Në anën tjetër shpresat për fitimin e statusit të refugjatit kanë qenë pothuaj inekzistente. Një student që ka dalur për shkak të skamjes pa dokumenta konkrete ndjekjeje nuk ka aq shumë gjasa në Zvicër.

Dielli ende jonxehës rrëndon mbi sytë e dy të rinjve që janë ulur në parkun e liqenit të qytetit. Që të dy heshtin. Sonja nuk duron më; «unë jam e dashuruar në ty»! Fillimisht Agroni nuk kupton këtë gjë dhe e pyet se ç`tha. Ajo edhe njëherë ia thotë të njejtat fjalë dhe e shtrrngon fortë duke e përqafuar. Veç atëherë i riu pa sherr nga Kosova kupton situatën në të cilën gjendet. «Një muaj të tërrë nuk rinim dot pa njëri-tjetrin. Mendova se kjo është dashuria e vërtetë e jetës sime»- thotë sot pas tre viteve e gjysmë Agroni. Pas një muaji Sonja kërkon nga Agroni që të martohen sepse për atë nuk ka perspektive tjetër se si mund të ndihmojë familjen e lënë në atdhe.

Kësaj ndërmarrjeje i kundërvihen ashpër prindët e Sonjës! Ashpërsia e tyre bile ka qenë aq therrëse kur vazhdimisht kanë përgojuar imixhin e keq të «kosovo – albanerëve» dhe marifetet e tyre «kriminele» dhe gjithçka tjetër që mund të thuhet për të huajt në fjalorin e ksenofobëve. Pa sukses Sonja ndahet nga prindët merr banesën e saj dhe martohet me Agronin. Njëzet ditë pas martesës Agroni punësohet dhe gjithçka fillon nga e mbara.

KONFLIKTET E PARA

Sonja ka qenë e tërbuar për të pasur një fëmijë. Ky është konflikti i parë që ka lindur në mes të dy të rinjve. Agroni nuk e ka dashur një gjë të tillë. Arsyetimi i tij ka qenë se ende është herët. Pas gjithë zënkave ai pranon që t`i hyje një kompromisi që më vonë do të lindë pasoja të mëdha. Pas nëntë muajve ata e lindin një djalë të bukur. Siç thuan: kur nisin problemet duhet t`ua hapësh derën! Pagëzimi krijon edhe një kaos ndërmjet bashkëshortëve. Më në fund bëhet prapë siç thotë Sonja kokëfortë. Agroni thehet shpirtërisht. Dashuria ndaj fëmijës i jep shpirt atij për të kërkuar rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me të shoqen. Femra nga Lucerni nuk ka të ndalur me provokimet e saja; ajo nuk do që Agroni të kontaktojë me shqiptarë, e nënçmon para miqve të saj dhe i thotë vazhdimisht se e ka martuar për të pasur një fëmije si dhe se ka pasur mëshirë për një refugjatë pa shpresë në Zvicër. Gjithçka e gëlltitë ky njeri duke pritur në vetëdijësimin e saj.

 

 

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...