Isuf Sherifi: «Udha e kripës», botoi «Mëmëdheu», 2002, Sankt Gallen.
Njeriu vdes kur sheh veten në pasqyrë. Fytyrën e tjetrit as që e durron. Marshi i madh pas lirisë ka rënë para këmbëve të tregtarëve të frymës (ajrit). Atmosfera e luftës ka ndrruar vendin, ajo ka ikur nga kodrat agresive të mendjes humane për në faqet e gazetave, të cilat do ta riformulojnë, rifreskojnë për ta kthyer sërish atje ku ishte. Rotacion. Lojë e paracaktuar. Teatër, ku rolin kryesor e luan njeriu, i cili është: «formaliteti i fundit i zotit / sa për sy e faqe të djallit».
Ky është «moratoriumi i vdekjes», ose afati i fundit që vdekja i ka lënë njeriut për të paguar borxhet ndaj botës para se të «lëpihet nga qentë» e të shndrrohet në «kufomë», në gjendjen më produktive të njeriut si qenie – në atë të palëvizshmërisë.
Edhe në përmbledhjen e tij të tretë «Udha e kripës», Isuf Sherifi, si në dy të parat është tragjik, i dëshpëruar dhe plot nerv. Një lektyrë që duket si një Rregullore e ndonjë kabineti qeveritar për të ndaluar festat, dasmat e njerzve. Sepse, njeriu ka dështuar në çdo plan të ekzistencës së tij. Filozofi që njihet: njeriu është dreqi vetë që duhet t’i përulet Zotit për të mos u shqyer nga djalli. Është ky boshti i artit të Isuf Sherifit në përmbledhjen e tij të tretë?
Jo ky është realiteti human, të cilin Isuf Sherifi, na sjell parasyve sa herë që të çohemi në mëngjes për të parë veten në pasqyrë. Poezia e tij nuk është vetëm tragjike, por edhe festive, optimiste.
Ajo që irriton botën jashtë artit është fakti se poeti ka koncept fare tjetër mbi festën; përderisa banorët e planetit jashtë Parnasit me festë nënkuptojnë anarkinë totale deri në delirium, poeti kulmin e festës e sheh në edukimin e frymës nëpërmjet artit. Jo nëpërmjet moraleve religjioze e filozofike, të cilat nuk i përballojnë dot fuqisë së egërt të shpirtit të “lirë” njerzor.
Sherifi, si temë trajtuese, përfaqëson një filozofi që nuk është e panjohur, mirëpo kjo nuk ka rëndësi, kryesorja është se ai këtë e rezonon ndryshe, e sheh shqip dhe ka ditur ta poetizojë në çdo segment me sukses. Gjë që flet për një poet me kapital intelektual dhe për një poet me frymë të pasur.
Një poet që kërkon nga arti thyerjen e hapësirës hermetike të vdekjes për ta gjetur jetën përtej, atje ku fillon kënga e tij, kënga e amshueshme e të së bukurës. Ajo e bukur që do të triumfojë mbi shëmtitë e humanitetit dhe do t’i prishë rregullat e kozmosit. Rregulla, që Isuf Sherifi i urren sepse i duken sikur ia ngushtojnë veprimin, e bëjnë të burgosur njerëzimin, pra e parandalojnë lirinë të cilën ai e sheh «sa një top të vogël tenisi».
Për të mbrritur deri te suksesi i krijimit të një përmbledhjeje me këtë kualitet, siç është vepra «Udha e kripës» Isuf Sherifi ka kaluar nëpër stade të ndryshme: Nga ajo e çiltërsisë naive dhe papërcaktueshmërisë stilistike (Plisi, 1992), nëpër eksperimentimet e suksesshme me formën dhe përkatësinë tematike (Ndarjen nuk e nënshkruaj, 1996) e deri tek vepra e tij e fundit e kompletuar në çdo plan «Udha e kripës», që e kurrorizon një proces, i cili kualitativisht është vertikal, gjë që nuk don të thotë se dy të parat kanë qenë të dështuara, përkundrazi vepra e tij e dytë «Ndarjen nuk e nënshkruaj» është poashtu një libër shumë i sukssesshëm, i cili e promovon Isuf Sherifin si poet serioz në kuadër të letërsisë shqipe.
Në «Udha e kripës» ka edhe një segment tjetër që përforcon skajshmërisht origjinalitetin e autorit të veprës; heqja dorë nga eskurzionet nëpër idole, nëpër pararendës, frymëzues, domethënë mbyllja totale në qelinë vetjake për të krijuar unin pa ndikimin e rreshjeve të modës krijuese jashtë. Ose siç merr edhe qëndrim vetë: « Refrenet: Qofshin të mira a të liga / I urrej / Pjellë monotonie».
Poezia e Isuf Sherifit tashmë nuk ka nevojë për promovime fillestare, ku duhet të sqarohet prejardhja, struktura, përkatësia, gjuha, stili e kështu me rradhë, sepse ajo ka kualitetin e stampuar dhe ka fituar autoritetin e nevojshëm artistik. Këtë edhe dëshmon libri i tij më i ri «Udha e kripës». Dëshmon kualitetin e një poeti konkret realist që është mjeshtër i punës që bën.
Isuf SHERIFI ka lindur më 17 shtator 1967. Ka studiuar në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Ka qenë i burgosur politik. Në vitin 1992 ka botuar përmbledhjen me poezi «Plisi», ndërsa në vitin 1996 «Ndarjen nuk e nënshkruaj». Ky është libri i tij i tretë. Libri ka 136 faqe, i ndarë në pesë cikle dhe është ilustruar me grafika. Isuf Sherifi jeton në Zvicër.