Gjitha format e kosovarizmit

Ideja e «kombit kosovar» ka vite që është më konstantja brenda polemikave që zhvillohen vitrinave digjitale shqiptare. Ideja si e tillë – për t’u përcaktuar sadopak kontingenca e saj – duhet të rrjedh kohës, socialitetit, kulturës, historisë, politikës, diskurseve për ta dëshmuar mundësinë e (mos)realizimit të saj. Cila është historia e idesë së «kombit kosovar» dhe si qëndron tash?

I. PARAHISTORIA

Fillimisht ajo u shpreh në «Deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990» (Neni 3). Aty, deputetët e zgjedhur nga LKJ kërkonin barazi me popujt tjerë për t’u pranuar si «popull-komb». Kërkesën e bazonin në faktin të jenë ndër popujt më numerikë të RSFJ-së. Dhjetë vite më vonë, konkretisht më 29 tetor të vitit 2000, gjatë një konference për shtyp, Ibrahim Rugova prezantoi flamurin dhe emrin e «kombit kosovar»: flamuri sfondkaltërt, në mes kishte një rreth të kuq, dykrerëshen në zi me një yll të Davidit në mes të kokave, stemën dhe emrin e Dardanisë. Në anën e majtë të flamurit dardan ishte postuar një flamur i madh shqiptar dhe në të djathtën vetë Rugova që e shpjegonte idenë. Sforcimi i idesë së Dardanisë nga Rugova bëhej në një kohë kur serbët dhe tjerët dokumentonin se kjo «Kosovë» siç donë të pavarësohet nuk ka asnjë bazë historike. Jashtë kulturosferës shqiptare e sidomos shtabeve analitike të qeverive të huaja ideja e Rugovës u perceptua si një gjetje e njeriut në «hall», ndërsa brenda, shqiptarocentristët dhe veteranët e luftës së fundit ia dogjën publikisht flamurin.

Kishte «ideja e kombit dardan» të bëjë më shumë me kalkulimin se me bashkimin eventual me Shqipërinë (si pazar me serbët) do të tkurren edhe më shqiptarët apo vinte ajo nga ndonjë analizë tjetër-nuk e dimë. Rugova shkoi pa e shpjeguar sa duhet idenë e tij rreth «kombit dardan».

Plani i Athisarit e varrosi ansamblin simbolik dardanik, çka mbeti ishte ideja e «kombit kosovar», e cila sot është bërë fabrika e kosovarizmave të ndryshëm në konkurrencë.

II. KONCEPTET AKTUALE TË «KOMBIT KOSOVAR»

Kjo parahistori është arsyeja se pse ideja e «kombit kosovar» sot sugjerohet si dictum factum që kërkon pranimin e së qenës e jo si propozim. Ideatorët e ofrojnë si një projekt të nisur qysh herët e në esencë të bërë -natyrisht çdonjëri sipas perspektivës së vetë. Deri më tani janë shfaqur katër versione kryesore, parakonceptuale të kosovarizmit që mund t’i përmbledhim si; ai kosovacentrist, ai teokratik, ai shtetocentrist dhe ai voluntarist.

a) Kosovarizmi kosovacentrist – Nëse nuk duam t’i lëmë anash as falltarët larteposhtë sferave të verdha publike, atëherë, sipas kësaj kategorie kosovari është pasardhësi direkt i sykuajve të Sykalës dhe plakave të Plakias së Helespontit paragrek. Jeta e etnisë kosovare për këtë kategori nis me Dardaninë historike ilire, me kryeqendrat e saja në Naissus, Scupi dhe miniqendrës së ngritur para zhbërjes së mbretërisë Ulpiana. Vazhdon me «Arbërinë» e mesjetës për t’u rezistuar deri me ardhjen e osmanëve, bizantit, bullgarëve. Lindjen dhe bërjen e «kosovarizmit» si koncept konkret identitar e «argumentojnë» që nga faza osmane kur si vilajet Kosova kishte qendrën në Shkup dhe gjatë qenies provincë autonome brenda ish-Jugosllavisë. Me një fjalë, vija ndarëse nga trungu «ilirik» paska ndodhur qysh para mesjetës së hershme, qëkur e deri sot Kosova bën rrugë tjetër ekzistence. Me këtë biografi ata besojnë Kosova t’i plotësojë kushtet edhe historike, kulturore për një identitet në vete, vetëm se nevojitet artikulimi i nevojshëm i këtij kombi të sotëm ekzistent kështu siç qenka.

Ekskurs: Një variant brenda këtij lloji kosovarizmi ka madje edhe aspirata të përmbys nacionalizmin panshqiptarist me kosovarizmin kur thotë se gjitha luftërat shqiptare që nga mesjeta e deri sot janë zhvilluar dhe bërë nga «kosovarët». Sipas këtyre po të mos ishte Kosova sot nuk do të kishte më shqiptarë, si pasojë e kësaj Prizreni duhet të jetë kryeqendra e shqiptarësisë e jo Vlora a Tirana.

b) Kosovarizmi teokratik – absorbon këtë vijë interpretimi për të ndërtuar sagën e «kombit monoetnik e monofetar kosovar». Shuma e këtij kombi aktualisht në stadin e imagjinatës është prodhim i idesë për ta izoluar historikisht e aktualisht rajonin e Kosovës nga tërësia etnoshqiptare; si një etni të veçantë që ka pësuar mutacionin që nga ditët e nisjes së zhbërjes së Ilirisë në provinca dhe që formësimin e ka finalizuar gjatë pesë-gjashtë shekujve bashkëjetesë me osmanët myslimanë. Procesi i bërjes sipas tyre ka nisur me ardhjen e osmanëve dhe ka rezultuar një komb të ri kosovar me një fe absolute – islamin! Kështu ky komb qenka de facto sot. Prandaj edhe instrumentalizimi i këtij grupe që u bën relikteve dhe varreve si shigjeta udhërrëfyese se kush në cilin drejtim gjendet e shkon, ngase, sipas tyre, jo rastësisht: varri i Skënderbeut qenka në Lezhë e tyrbja e Sulltan Muratit në fshatin Mazgit të Obiliqit, në Kosovë. Kësaj forme të «kosovarizmit teokratik» natyrisht se i hyjnë në punë Prizreni siç duket sot dhe shumë qendra tjera që tashmë kanë formën e jetesës postosmane dhe kanë shpallun turqishten gjuhë zyrtare pas pasur turqi diku.

c) Kosovarizmi shtetocentrist – preferon sipas modelit francez, asimilimin inkluziv të të gjithë atyre që duan të jetojnë aty si qytetarë të «barabartë». Parakushti: ata duhet të pranojnë shtetin e Kosovës si të tyrin dhe kosovarizmin si doktrinë të përbashkët. Jo pa qëllim këta e shkyçin aspektin kulturorohistorik të «kosovarizmit» të tyre, ose edhe më keq difamojnë me sistem aty ku të rastisin ekzistencën e historiografisë shqiptare ngase siç duket nuk janë të sigurt se do të munden apo jo që edhe historikisht, kulturalisht dhe etnopolitikisht ta dëshmojnë «kosovarizmin» e tyre. Këta synojnë një kosovarizëm që nuk merret gjithaq me retrospektivën – duke ia lënë në duar shpresës së historia objektive ndonjëherë i shpërblen me diçka – por kërkojnë sajimin e një identiteti të ri mbi vlerat e shtetit në vepër: Republikës së Kosovës!

d) Kosovarizmi voluntarist – Në kampin e voluntaristëve është shteti kështu siç vepron, pjesa më e madhe e partive politike dhe intelektualë «të afërt» me vijën. Ky ansambël operon me terminusin komb ashtu siç ia kërkon bota (politik, qytetar) e jo ashtu siç e perceptojnë folësit e shqipes. Sipas analizës së sjelljeve dhe qëndrimeve të deritanishme të tyre, ata «kombin kosovar» e trajtojnë vetëm si koncept politik (si shtetocentristët, por më materializueshëm), si shtet ku vullnetarisht mund të jetoj çdokush me të drejta të barabarta dhe atë pavarësisht se ndihet të jetë serb, shqiptar, kosovar, rom, turk apo i ndonjë përkatësie tjetër. Sipas këtij koncepti, jo përkatësia nacionale apo fetare, jo gjeneza arbërore, ilirike apo pellazge janë primare për qytetarin, por kushtetuta, ligjet dhe rendi i përcaktuar nga demosi shumicë. Si shembuj për të shfaqur konceptin ndër më realin ky version fton në asistencë modelin e Zvicrës dhe Austrisë, e sidomos të parit që njihet si «shtet i vullnetit» të etnive të ndryshme për të bashkëjetuar.

E kush është demosi shumicë? Kosovarët apo shqiptarët? Nga këtu edhe këtij kosovarizmi të avancuar qytetar i dalin problemet frymëzënëse, ngase deri sot as shteti nuk e dinë se ç’donë shumica e tij!

III. ANTITEZAT

a) Kontra kosovocentristëve: Pjesa më e madhe e historianëve dhe pothuaj shumica e akrobatëve të termeve rreth kombit dhe identiteteve i hedhin poshtë si të pamundura tri llojet e para (a,b,c.) të kosovarizmit, respektivisht mohojnë bagazhin historik të tyre. Sipas tyre as si pars pro toto, «kosovarizmi» dhe Kosova e sotme nuk mund të argumentohen shkencërisht si qendra të rëndësishme të Ilirisë, Dardanisë, Arbërisë, ose vetëm si pjesë minore të tyre pa ndonjë rëndësi të veçantë: Maliqi I, Maliqi II, Burimasi, Gradeci i Dibrës, Bënja, Shpella e Nezirit, pastaj Finiqi, Butrinti, Mediona e Nishit (përkundër tendencës së falsifikimit nga serbët) dhe Shkupi janë qendrat kryesore arkeologjike materiale që garantojnë kontinuitetin iliriko-dardano-shqiptar. Sot më dihet bindshëm e faktueshëm se Dardania nuk ka qenë mbretëri ilire apo kryesisht postilire (ka bërë edhe luftëra me ta), por mbretëri multietnike ku kanë jetuar me shumicë sidomos trakët, fise ish ilire dhe më pak grekët dhe etni tjera të dëshmuara. Arbëria ka qenë e kufizuar në Drinin e Zi, pra ka përfshirë vetëm rajonin e Krujës dhe Pukës së sotme. Po në të njëjtën kohë – gjatë bizantit, sundimit serb dhe atij bullgar – kanë ekzistuar vetëm Despotati i Artës, Principatat e Gjirokastrës, Lezhës, Muzakajve, Kastriotëve, Dukagjinit që atëbotë shtrihej në Shqipërinë e sotme, Topiajve dhe më vonë shteti i Arianitit. Të gjitha jashtë terrenit të sotëm kosovar.

Nga Skënderbeu nëpërmjet Barletit, Budit, Bogdanit e deri tek shumica absolute e rilindasve të botës e të Manastirit nuk janë «kosovarë».

Gjatë sundimit bizantin dhe osman, ndryshe nga koha e Dardanisë, banorët e këtyre rajoneve jashtë Shqipërisë së sotme vegjetojnë me oportunizëm dhe nuk shënojnë cezura të rëndësishme për disa shekuj – prandaj edhe mesjeta si vrima e zezë e historisë për ato anë. Veç në historinë e re të shtypjeve sllave ajo pjesë bëhet aktive dhe prijnë luftërat e shumta për çlirim.

Sa i përket rolit të këtyre pjesëve jashtë Shqipërisë njëra nga tezat është edhe shumë më e egër: Në «Lidhjen e Prizrenit« dhe në «Kongresin e Manastirit» u rrezikua ideja e Rilindjes kombëtare, substanca e shqiptarësisë pikërisht nga elementi i fortë fetaro-islam dhe proosman i kosovarëve dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Kush njeh mirë protokollet historike të konflikteve në këto lidhje e tubime ditka edhe për zanafillën e shfaqjes së teokratëve brenda kauzave shqiptare.

Në kohën e Jugosllavisë shkrimtarët shkruanin si shqiptarë, masat diskriminoheshin dhe përdhunshëm deplasoheshin ngase ishin shqiptarë dhe flamujt lejoheshin e ndaloheshin si ai shqiptar. Në gjithë këtë histori i vetmi «kosovarizëm» ishte ai politik. Pas organizatave të para me Demaçin dhe atyre të «Kushtrimit» tetovar të gjitha për arsye pragmatike, kërkonin «Republikën në kuadër të ish Jugosllavisë», mirëpo rekrutimi, ideologjia strukturat ishin shqiptarocentriste.

b) Kontra teokratëve: Religjioni është element konstituiv vetëm në shtetet teokratike dhe tek asnjë tjetër nuk përbën elementin e rëndësishëm brenda definimit të një kombi. Religjionet konstituojnë kombin vetëm në ato shoqëri që edhe nacionalizmin e tyre e bazojnë në gjuhën, historinë, origjinën dhe identitetin e librave të tyre të shenjtë siç janë hebrenjtë dhe arabët e sot edhe turqit, pas rënies së shekullarizimit kemalist e askund tjetër. Tek shqiptarët edhe më hiç nuk ardhka parasysh.

Procesi i islamizimit të shqiptarëve – sipas historiografisë – më shumë se bashkëjetesën (e dhunshme) përbëka rezistencën dhe luftën e ruajtjes së identitetit shqiptar në ditët e sotme. Me këtë falsifikim të historisë teokratët qëllimisht interpretuakan luftën, mbijetesën si bashkëjetesë në harmoni me të vetmin qëllim ta realizojnë si ide «kombin kosovar islam», që në realitet nuk ekziston. Pra ky lloj kosovarizmi nuk ka të bëjë me historinë objektive por me qëllimin për ta bërë një komb islam në Kosovë, Shqipëri e gjetiu. Aksion që s’do ta relizojë kurrë – përbetohen kundërshtarët e tyre!

c) Kontra shtetocentristëve – Ky version i kosovarizmit ndez në perëndimin e ngushtë, por qenka fare i parëndësishëm në Ballkan. Ai nuk qenka fare i menduar mirë. Modeli mund të jetë i vyeshëm për vendet që janë destinacione për emigracione të ndryshme, mirëpo jo për etnitë autoktone, të cilat si ashtu jetojnë në shtete të ndryshme pa qenë të detyruar të tjetërsohen edhe kulturalisht.

Shumë shqiptarëve, serbeve e të tjerëve edhe e po e pranuan një ditë shtetin e Kosovës atyre nuk mund t’iu kërkohet vetëmohimi i identitetit kulturor që të ndihen sipas doktrinës së ndonjë shumice eventuale, e cila veten e konsideron herë dardane, herë pellazge, herë ilire, herë osmane.

Paradoksal bëhen rrahësit publik e këtij versioni kur megjithatë qortojnë me apele pse gjithë shqiptarët e ish-Jugosllavisë nuk i bashkohen kosovarizmit të tyre, gjë që demaskon paraprakisht «bindjen« e tyre; shteti të mos jetë korniza dhe burimi i kosovarizmit inkluziv por vetëm farsë: çka përpos shqiptaritetit i lidh tjerët jashtë Kosovës me kosovarët?

d) Kontra «voluntaristëve- Ky lloj kosovarizmi është më «zemërgjeri» por gabon kur krahasohet me Zvicrën dhe Austrinë, ngase as ato nuk janë produkte të ndonjë plani ndërkombëtar, por finalizim i një procesi shumë shekullor dhe atë para se të hynin në modë kombet. Austria e sotme është pasardhëse e perandorisë austriake të krijuar në vitin 1804, pastaj austrohungareze deri në krijimin e Republikës më 1918. Kjo Zvicër siç është, formimin e saj e ka bërë brenda një periudhë prej 1291 – 1815. Konfederatën sot e përbëjnë gjermanikët me 70%, frankofonët me 23%, italikët 6% dhe retoromanët me 1%. Këtë strukturë demografike mirëpo nuk e ka Kosova. Ajo përbëhet nga 92% shqiptarë a kosovarë me të njëjtën gjuhë e kulturë (shqiptare) dhe 8% me shumë gjuhë e kultura. Prandaj mënyra e shpjegimit të këtij lloj kosovarizmi me multikulturalizmin, shtetin plurietnik e të llojit, pra arsyetimi të jetë me «katolik se papa» është qesharak, nuk luan asnjë rol në këtë polemikë. Nëse po një krahasim atëherë jo duke u nisur nga historitë, por nga pika zero: çka nga sot e tuje? A mundemi të imitojmë Zvicrën në veprim konkret e jo në saga e legjenda!

IV. ANALIZA

Në thelb e efekt të tre «kosovarizmat» e parë janë subvariante ende të pamaterialiazuara të nacionalizmit panshqiptar. Janë ekuivalente të nacionalizmave sllavë si ai serb, malazez, maqedon, slloven, sllovak që dikur lindën nga pansllavizmi dhe të cilët, përjashto atë kroat, sot gjenden rrugës për të funksionuar brenda po atij supranacionalizmi nga dolën. Gjithë këto nacionalizma në fillimet e tyre ishin ndarëse nga trungu dhe vetizoluese me synimin për faktorizim në hapësira gjeografike ku gjendeshin.

Nga ky mësim i hisorisë së këtij supranacionalizmi pansllav marrin shpresë edhe religjiozët, të cilët besojnë se edhe sot në shekullin 21, një konstruktim i atillë, ku feja do të luante rol primar (ikonografia politike e kishave sllave) është i mundshëm – ashtu siç donë ta bëjë edhe Turqia dhe vendet që panarabizmat i arsyetojnë në librat e tyre religjiozë.

Kosovarizmi voluntarist shihet se nuk është i artikuluar as sipërfaqësisht ngase i mungon qëndrimi i bartësve kryesorë të saj: shtetit, institucioneve të demokracisë dhe akademive të saja. Gjë që huton masat, të cilat të çorientuara nga «ofertat» e shumta i besojnë ose renditen pro atij versioni që i kap i pari ose edhe më bukur ikin si «mercenarë» ideologjive dhe pannacionalizmave të huaj.

Antitezat kështu siç shtrohen nga kundërshtarët e kosovarizmave në thelb e pjesërisht qëndrojnë. Ashtu siç do të qëndronin edhe tezat e kosovaristëve pot të kishin pasur mundësi të materializojnë kontinuitetin e tyre me argumente konkrete historike (veçanërisht të resë) ngase vërtet Kosova në etapa të ndryshme të historisë ka qenë qendra garantuese e moszhbërjes shqiptare së paku përtej kësaj Shqipërie siç është sot. Fatkeqësisht sot kur ata e kanë këtë mundësi në mos nën Prishtinë, Lipjan apo Gjilan gërmojnë e gjejnë skelete mamutësh e dinozaurësh parahistorikë ata nuk kanë shkencë e as vullnet për ta bërë atë.

Çështja mirëpo që duhet sqaruar është pse gjithë këto kosovarizma? Cili prej tyre «rrezikon» të realizohet? Pse Daçiçi dhe politika serbomadhe preferon shqiptarët e jo kosovarët? Cila është formula më e mirë e mundshme për shtetin e Kosovës? Cila është puna e Shqipërisë në këtë drejtim – çka mund të bëjë ajo? A mundet dhe si mund të bëhet Kosova shteti më i fortë i Ballkanit? – gjitha përgjigjet në këto javën që vjen!

V. KONSTATIME

Cili nga këta «kosovarizma» ka më së shumti shanse realizimi? Të gjithë. Ballkani nuk është i njohur si tokë pjellore avantgardash. Të gjithë këto kosovarizma janë pluri-izolatore; nga njëra anë izolohen nga kulturosfera bazë dhe e ndërtuar për shekuj me shqiptarët tjerë dhe nga ana tjetër në flasifikim e sipër rrezikojnë të izolohen edhe nga rrjedhat globale të bashkimit të popujve drejt ndonjë paqeje universale, pasi do të përlahen përjetësisht me të gjithë përreth, edhe me të vetët, rreth pyetjes: «kush ia krisi ma i pari». Daçiçi nuk e mohon ekzistencën e shtetit të Kosovës ngase i donë shqiptarët për vdekje, por ka një llogari të shprehur nga politika serbe që nga kohët e vjetra: shansi i vetëm i realizimit të «Serbisë së Madhe» është nxjerrja në treg e kufijve, nga i cili ajo me mendjemadhësinë e vetë beson të realizojë filozofinë e saj sot morbide të ideologjisë «atje ku ka një serb është serbi», e kjo riprishje kufijshë nuk bëhet dot pa e zhbërë shtetin e Kosovës. Paradoksalisht kosovarizmat dhe panshqiptaristët i ndihmojnë kësaj politike: njëra palë duke mohuar shtetin e Kosovës si konstrukt ngase ahistorik dhe tjetra palë duke konceptuar një Kosovë që konsiderohet rrezik për tjerët.

Gjithë kosovarizmat në fjalë as që janë të nevojshëm si diskurs publik. Sidomos kur kemi parasysh se kush i bën e nxit këto diskurse atëherë edhe më mirë kristalizohet se pse ata janë të panevojshëm dhe destruktivë. Kosovarizmat dhe panshqiptarizmi trishtojnë njeriun e sotëm shqiptar që të ikë nga të gjithë dhe të kërkoj shpëtim në ndonjë identitet që ska të bëjë me të tijin. Funksioni i vetëm efektiv i këtyre polemikave deri më tani është spostimi i vëmendjes nga puna konkrete që duhet bërë: ndërtimi i shteteve. E të fundit vjedhin sa mundet dhe nuk kanë kohë të shpallin qëndrime se ç’është për ata kombi? E shohin Republikën e Kosovës si shtet shqiptar apo qytetar? E konceptojnë Kosovën si komb politik me origjinë shqiptare apo si?

Zvicra është kështu siç është jo për dëshmitë që ka nga paleoliti e deri sot, porse ka ndërtuar një demokraci që bazohet në ligje, mbi dokumentet e të drejtave qytetare dhe garanton shtetin social duke luftuar pabarazinë që ajo mos ta prish vendin. Në Zvicër askujt nuk i pengon se festojnë gjermanofonët

Wilhlem Tellin ose frankofonët Napoleon Bonapartën, përkundrazi e ndihmojnë njëri tjetrin me bahkëveprim e festim. Krahas jetës reale veprojnë shkencëtarët të cilët prodhojnë material për identitetet, kulturat.

Nëse Kosova si shtet nuk do të jetë e mundshme për shqiptarë e kosovarë, ajo gënjen se dikur mund të jetë multulikulutore, multietnike në vepër për tjerët si romët, serbët, boshnjakët e tjerëve. E vetmja frikë e saj duhet të jetë se ç’kosovari mundëson. Me asnjë kusht tipa siç kërkojnë kosovarizmat në diksutim, sepse janë përjashtues jo vetëm ndaj tjerëve por edhe ndaj të vetëve!

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...