Demokracia digjitale

Shkencëtarë perëndimorë alarmojnë: erdhi fundi i partive dhe demokracisë! Fajtor – interneti! Teori për histeri apo vërtet zhbëhet modeli demokratik i qeverisjes? Jo – Demokracia përforcohet, partitë kështu si i njohim dhe janë, ndoshta duhet t’ua mësynë muzeve!

Interneti qenka platformë autopropagandistësh të frustruar, egocentrikësh që kanë asketizuar veten me arrest shtëpiak për tu indoktrinuar ditenatë me vetveten. Situatë kjo që sipas politologut Eli Pariser (The filter bubble: 2010) ia suspendon individit mundësinë e mobilitetit; e paaftëson, anonimizon njeriun, ia heq atij të drejtën e të qenurit subjekt social dhe e bën të padobishëm për demokracinë. Edhe më ashpër: interneti në kualitetin e tij aktual qenka kanceri i diversitetit, pluralizmit dhe varroska demokracinë se paradënon njeriun me njëdimensionalitet. Pse? Sepse njeriu është ende fare pak i sqaruar me funksionalitetin real të akumulatorëve virtual të informacionit. Pariser merr shembull google, e cila funksionuaka në bazë të mostrave ishullore brenda „Big Data“ sferës që do të thotë se megamakinës së kërkimit i mjaftojnë vetëm dhjetë interaksione nga një ordinator i caktuar për të krijuar profilin e interesave, preferencave politike të user-it. Ky sistem, sipas Pariser e sjell digjinautin të sillet rreth vetvetes, e mekë atë brenda botës së tij dhe ia konfiskon lirinë e mësimit, zhvillimit.

Po kështu vërtikshëm argumenton edhe Jürgen Habermass (Ah Europa: 2008 -162). Sipas doajenit të parafundit të neomarksistëve me kuletë kapitalistësh, interneti vazhdon të zhbëjë „hapësirën e përbashkët të veprimit komunikativ“. Digjitaliteti shpie në personalizimin, fragmentimin dhe atomizimin e shoqërisë deri në fijen e fundit. Pasoja e këtij zhvillimi edhe për Habermass mund të ketë vetëm një finale logjike: çdemokratizimin e shoqërisë. 

Këta dhe shumë autorë që veprojnë si divizion në formacion brenda paradigmës „antidigital-turn“ madje paralajmërojnë fundit e partive politike, ideologjive pa të cilat nuk do të mbijetuaka as demokracia. 

E shqiptarët, ç’digjinautësh janë ata, me ç’fore vërdallen ata botës virtuale?

CYBEROSHQIPET

Disa shembuj konkret e të freskët nga politika: Piktori Edi Rama i shoqëruar nga fotografja e tij personale Jutta Benzenberg funksionalizoi në mënyrë të shkëlqyeshme rrjetet sociale në favor të programit të tij politik. Estetizimi i çdo hapi, veprimi dhe aksioni nëpërmjet fotografive dhe komenteve kuazispontane i dha personalitetit të Ramës profilin e një inovatori, kreativi, transparenti që sugjeronte se edhe politika mund të jetë e bukur dhe etike e jo siç e percepton shumica shqiptare sot „shtetin të jetë imoraliteti i organizuar“ (Nietzsche: UaW-2.1). Në të njëjtin stil veproi edhe partia pseudorevolucionare „Vetëvendosje“, e cila me një dizajn të shkëlqyeshëm, unik dhe imponues populloi facebook-un gjatë gjithë periudhës së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Pa dilemën edhe më të vogël se këta akterë politikë përfituan edhe nga performanaca e tyre virtuale. Do të përfitonin ndoshta edhe pak më shumë, nëse popullatës virtuale shqiptare t’i jepej mundësia që të zgjedhin nëpërmjet E-Voting-ut. Nga ana tjetër mirëpo çdo aktivist i rrjeteve sociale vërejti se taborët polemiste mbetën deri në fund në pozitat politike që përfaqësonin në fillim. 

Këtu kemi një fakt që përgënjeshtron teorinë e Jürgen Habermas- it dhe Eli Pariser-it: demokracia nuk u dobësua por u përforcua. Arsyeja: Mediat sociale kësaj radhe i dhanë zë edhe asaj pjese të demosit, e cila para tyre luante rolin e të masës së manipuluar (nga ideologjitë dhe partitë) e tash luajti rolin e masës me ndikim në strukturimin politik të vendit. Jo vetëm inteligjencia mediave klasike debatoi për alternativat, mundësitë, kapacitetet dhe opsionet por edhe ata që më herët mezi e botonin ndonjë „letër lexuesish“ në ndonjë gazetë. Shikuar thellë efektin shqiptar të kësaj radhe madje mund të spekulojmë se neomarksistët ta kenë shkelmuar vetë Marksin sepse sheshazi shihet t’i ketë kapur paranoja e humbjes së monopolit të elitave në trushpërlarjen e masave.

VOX DEMOSI DHE PARTITË

Këtë shembull konkret shqiptar lehtësisht mund ta krahasojmë me zhvillimet në sferat tjera globale: Jo rrjetet sociale përbëjnë mendimin intelektual por ato klasike si BBC, CNN, NZZ, FAZ, sepse ato filtrojnë, hulumtojnë dhe krahasojnë në formë profesionale e të përqendruar që digjinautët nuk mund ta bëjnë kurrë, jo për shkak të mungesës së kokave, por për shkak të pamundësisë se seleksionimit brenda xhunglës virtuale. Të fundit, mediat e specializuara, klasike, absorbojnë dhe pasqyrojnë debatet virtuale si vox demosi, bazës, të cilin u nxjerrin në konkurrencë elitave, partive, politikave.  Ato pra shpërfaqin „racionalitetin“ apo „irracionalitetin» digjital të një shoqërie plurale, diverse, një lloj „true-time-democracy“-ie për të cilën flet studiuesi kanadez Pierre Lévy në veprën e tij „Inteligjenca kolektive – për një antropologji të Cyberspace-it“ (1997). 

A do të zhduket demokracia me zhdukjen e partive siç supozojnë autorët e antidigital-turn-it? Jo demokracia përforcohet ashtu siç tha edhe pionieri i E-Votingut dhe filozofi çek i mediave Vilém Flusser që në vitet e 70- ta kur bëni eksperimentin QUBE (Question your tube). Partitë nuk do të munden të ekzistojnë kështu siç kanë vepruar deri tani, jo për shkak të internetit, por për shkak se bota postsekulare tashmë ka filluar të ndahet nga epoka e ideologjive, të cilat funksiononin mirë vetëm  në kohët kur manipulimi ishte i lehtë (njëdimensional: partitë kapnin masat dhe informonin në sajë të ideologjisë që përfaqësonin) e diversiteti shtypej ose tjetërsohej në qendrat e organizatave.    Aktualisht e rrëmetshëm bota vazhdon të rimobilizohet në dy pole; në atë të skamnorëve që duan mirqënie dhe në atë të të pasurve që duan të mbajnë gjithçka për vete. Luftë kjo që ka më pak ka të bëjë me ideologjitë, idealizmat dhe internetin e më shumë me konkurrencën darwin-iste ndërmjet qenieve të gjalla për çështje ekzistence. Njëjtë si në fillim të historisë njerëzore, vetëm kësaj radhe me internet. 

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...