Ka kohë që ish kryetari i gjyqtarëve të EULEX Malcolm Simmons përpiqet të fitojë vëmendjen e shtetit kosovar që ta dëgjojë, respektivisht ta marrë seriozisht dosjen e tij 25faqëshe. Pse e refuzojnë? Apo do ta thirrin atëherë kur do të jenë të sigurt se nuk do t’ua përmend emrat edhe shqiptarëve që kanë punuar për misionin?
Simmons nuk është as i pari e as i fundit që kërkon këtë. Kryesisht gjykatësit britanik janë sensibël që kjo punë patjetër të bëhet publike. Së fundi, gjykatësi Simmons iu drejtua kryeministrit të radhës Albin Kurti. Qeveria hesht. Pse?
Malcolm Simmons dëshmon se agjenda kryesore, synimi final i EULEX ishte që me çdo kusht të përgatis procese dhe të dënojë për krime hierarkinë e UÇK. E jo për të ndihmuar republikën e re në instalimin e mekanizmave të nevojshme të shtetit ligjor. Proklamonte ardhmëri dhe merrej me histori. Prandaj, EULEX, sa u përket «krimeve shqiptare», pati fatin identik me atë të Tribunalit për ish-Jugosllavinë; e njëjta do t’i ndodhë tash edhe Gjykata Speciale [ajo «nuk e lidhim dot me krime» nuk vlen vetëm për Kadri Veselin]: shqiptarët nuk kanë bërë krime të orkestruara mbi popullatën civile, qoftë edhe sepse nuk e kanë pas asnjë mundësi reale për këtë punë. Nëse po, atëherë pas përfundimit të luftës dhe gjatë prezencës së NATO-s, më herët jo. Madje dhe sigurt edhe shumica absolute e vrasjeve dhe ekseseve të pasluftës adresën mund ta kenë gjithandej por jo në Prishtinë.
II.
Përkundër dështimeve të njëpasnjëshme EULEX kurrë nuk hoqi dorë nga ky mision. Edhe sot vazhdon njëjtë, duke i shërbyer si forcë policore në terren gjatë arrestimit të njerëzve që i akuzon Gjykatës Speciale. Këtë këmbëngulje EULEX nuk e gjeneron nga bindja se di diçka por s’mund ta dëshmojë, porse duhet ta justifikojë ekzistencën e tij [misioni] dhe miliardat e gërryera deri më sot. Në këtë luftë mbijetese personeli i EULEX vite të tëra fabrikon raporte që kryesisht bazohen në «informata» qesharake përkthyesish, oficerësh dhe nëpunësish vendorë, të cilët së fundi i has edhe si zv/ministra apo në poste të ndryshme të qeverisë aktuale. Në fondin e «dëshmive» kundër UÇK-së dhe luftës së saj madje «spekulohet» të ketë plotë «dëshmi» figurash politike sot të akomoduar në pushtetin e ri apo edhe me poste tejet të larta në administratë.
Është kjo arsyeja se pse refuzohet Simmons? Ngase do të shpërthente një aferë ku personeli i qeverisë së re, plus atyre që shkuan e militojnë partive, presidencës dhe plotë segmenteve tjera do të duhej të ekzaminoheshin vetingçe se pse kanë prodhuar «dosje» të shpifura që Kosovës i sollën Gjykatën Speciale, kështu madje duke bindur edhe amerikanët dhe britanikët [si pjesëmarrës të së njëjtës luftë me të njëjtin kundërshtar] t’ia bëjnë gjyqin vetes për të dalë nesër faqebardhë mos të kenë përkrahur një ushtri, një «ndërmarrje kriminele»?
III.
Një segment tjetër që pengon ndoshta hapjen e kësaj plage janë brigadat virtuale, kryesisht të përbëra nga euroturbo, eropatosikë të NATO-s dhe amerofanatikë, të cilët tentojnë të bindin opinionin se edhe ky hap si çdo kritikë tjetër ndaj SHBA-ve dhe BE-së do ishte fundi i Kosovës. Këta nuk kuptojnë një gjë esenciale, sidomos në raport me SHBA-të: ajo nuk i determinon politikat e saja ndërkombëtare sipas disponimit të politikave ditore në Kaukaz apo në Ballkan. As SHBA-të as BE nuk ka asnjë gram nevojë support nga bjerrakohës rrjetit social që nëpërmjet autoreklamës inskenojnë protagonistët e kauzave të mëdha të luftës dhe paqes, pa qenë fare – as për një rresht raporti nuk shfrytëzohen gjithë bashkë e jo më shumë. Këto koncerte harabelash të postuar lisave të emigracionit dhe papagajsh partiak çajtoreve me internet, gjersa nuk kanë as ndikimin njërreshtësh jashtë, ato kanë një ndikim të madh mirëpo në agjendat e qeverisë [sidomos kësaj që punën si duket ia diktojnë më shumë turmat se racionaliteti] dhe në shkaktimin e psikozave të ndryshme të opinionit. Janë mbështetje direkte e qeverisë dhe presidencës që këto i përdorin si alibi «demokratike» edhe kur bëjnë gafën më të madhe diplomatike apo politike.
IV.
Cila pra është arsyeja që refuzohet Simmons? Presioni nga brenda instancave qeveritare, ngase aty janë futur shumë nga ata që janë edhe uterusi i shumicës së akuzave ndaj luftës dhe shtetit të Kosovës; është zhurma e harabelave dhe rehabilitatëve të inferioritetit personal ajo që frikëson qeverinë ta hap raportin e gjykatësit britanik si dosje të brendshme: apo është shpresa se Eulex megjithatë ia del dhe do të prangojë përjetësisht konkurrencën politike qoftë edhe duke barazuar luftën e UÇK-së me atë të Karaxhiçit në Bosnjë?
V.
Qeveria Kurti, Presidenca dhe mekanizmat tjerë të Republikës së Kosovës do ishte mirë ta marrin seriozisht gjykatësin Malcolm Simmons dhe tjerët. Ai duhet të dëgjohet. Përndryshe do futen analeve të historisë si qeveria që dogji lavdinë e luftës së saj mbrojtëse për të shpëtuar njerëzit e veçantë. Askush nuk beson se Qeveria Kurti nuk thirrëka Simmons-in për të mos prishur punë me BE dhe SHBA, e para ngase nga kjo punë nuk prishen marrëdhëniet dhe e dyta Qeveria aktuale nuk njihet për nga dashuria e pakushte ndaj të së ashtuquajturës botë perëndimore.
Simmons një ditë do të dëgjohet patjetër.
Nëse për asgjë tjetër për diçka ai ka të drejtë: David Schwendiman nuk u largua se nuk punonte dot me presionin amerikan, porse u detyrua të ikë ngase si jurist i kompletuar nuk donte të krijojë procese me shpifje. Floska «me amerikanët» ishte marrëveshje me Brukselin për tu paguar deri në fund.
Nëse Simmons nuk mund të flas sot nesër do flas me siguri. Ose ai flet sot zëshëm gjithandej, por do ishte mirë që të dëgjohej edhe zyrtarisht. Nëse ka pasur padrejtësi, madje komplot siç flet ai për diskredituar luftën dhe paqen kosovare duhet të dihet pse, nga kush dhe sa i madh ëshë dëmi deri më tani.