E tradhtuan amerikanët Kosovën?

Po studiuam kronikën e dialogut Kosovë – Serbi do të konstatojmë se: Serbia realizon agjendën e saj e Kosova (qeveria) është shndërruar në agjenci mobile asistente për realizimin e synimeve të Beogradit. Me presionin e Brukselit natyrisht, diktatin dhe vetot e «miqve të saj» që dikur e ndihmuan të çlirohet. Pse ndodhi kështu?

Dialogu nuk ec. Ai nuk ec jo vetëm ashtu siçe duan kosovarët, por në thelb është i pabarabartë, i njëanshëm. Atyre iu imponohen marrëveshje, të cilat shumica si duket ose i refuzon ose i toleron ngase ashtu ua kërkojnë «miqtë ndërkombëtarë». Të fundit, aleatët ende gëzojnë kredi tek shqiptari falënderues dhe i bindur se pa ta edhe gjatë ose asnjëherë nuk do ta gëzonte këtë liri siç e ka sot. Kredi e respekt mirëpo që pas dy marrëveshjeve të fundit ka filluar të zbehet, shumëçka tashmë vihet në pikëpyetje. Dhe atë jo vetëm nga opozita ekstramajtiste. Kanë ndryshuar aleatët në disfavor të tyre apo gjithçka ndodhë për shkak të padijes, paaftësisë dhe vetëdemontimit që qeveria ia bënë sovranitetit të vendit? Natyrisht se kësaj pyetjeje sidomos opozitarët dhe euroturbot i përgjigjen duke fajësuar ekskluzivisht qeverinë. Në këtë e sipër jemi të sigurt se po të ishte kjo opozitë (gjysma edhe ka qenë pushtetit) e ulur në vendin e primatëve aktual hiç më mirë nuk do të punonte. Njihemi, jemi parë dhe vazhdojmë të shihemi.

Është e vërtetë se kjo qeveri nuk punon – as që i ka kapacitetet – sa për ta lëvizur vendin edhe më shpejtë e më sigurt drejt progresit. Në të ka plotë aktivistë, politikushtrues dhe individë që i japin zor në të gjitha anët, çka kjo qeveri e asnjë parti nuk kanë, janë kokat, strategët, ato nuk kanë inteligjenci e as intelektualë që do të ishin të nivelit sa për të bërë reforma në aq shumë segmente të dështuara të shoqërisë kosovare. E diplomacinë as që duhet ta elaborojmë më thellë.Më gjithë këto mungesa fatale, mirëpone bëhemi të padrejtë nëse gjithë fajin ia hedhim politikës kosovare. Nëse nuk marrim parasysh edhe disa procese e mekanizma tjerë, jashtëzakonisht bllokues e nënçmuese që ndodhin ndaj Republikës së Kosovës e që nuk janë në dorë e as në fuqinë e vendorëve, pra bëhemi të pasinqertë dhe jo objektiv. Një pjesë të bllokadës dhe regresit në Kosovë e ka shkaktuar edhe faktori tjetër që ushtron veto e diktat gjatë çdo vendimi kapital për ardhmërinë e Kosovës: «miqtë ndërkombëtarë» qëmoti sillen sikur të mos jenë më në Kosovë për ta finalizuar procesin e shtetëzimit, por më shumë për ta demontuar atë.

Sidomos amerikanët dhe britanikët sillen sikur të jenë dorëhequr nga fati i Kosovës ose folur më ordinerçe; e kanë tradhtuar projektin e tyre që nisi që nga administrata Clinton e Blair. A kemi arsye dhe fakte për këtë tezë?

  1. Asnjë vendim, asnjë dialog, asnjë konsens që nga pavarësia e këtej qeveritë kosovare nuk e marrin pa «konsultime» me amerikanët dhe britanikët. Kjo dihet botërisht.
  2. Dështoi UNMIK, dështoi EULEX, dështuan pothuaj të gjitha misionet civile në Kosovë, jo vetëm për shkak të popullit «të pamundshëm» siç poetizojnë ambasadorë të ndryshëm stenogrameve të tyre për ta çadresuar fajin tek «ballkanasit e pagdhendur», por ato, institucionet supranacionalee të vendosura në Kosovë rezultuan funksionalisht të paafta për shkak të mungesës së linjës unike interne ndaj Kosovës. Dihet tash e që nga fillimi i aterrimit të BE-së në Kosovë se plotë anëtare integrale të saja (me delegacionet e tyre në të gjitha instancat vepruese) sabotojnë procesin e dekriminalizimit dhe instalimit efektiv të ligjësisë. Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe fragmente të ndryshme të shteteve të tjera anëtare të BE-së dihet se edhe haptazi veprojnë në interes të Serbisë.
  3. Amerikanët, britanikët dhe tjerët aleatë të Kosovës dinë me vite për këtë front të egër, mirëpo asnjëherë nuk kanë marrë mundin të kritikojnë, të kërkojnë, ndikojnë në ndryshim të situatës. Përkundrazi, gjatë studimit të deklaratave të ambasadorëve ndeshemi me një retorikë që të bën përshtypjen sikur në Bruksel të jetë ndonjë Seli e Shenjtë e jo qendra e administratës së BE me divizionet e saja burokratike, të cilat – tashmë janë botuar dhjetëra studime, disa edhe interne – kanë probleme tejet të rënda funksionaliteti.
  4. Kosova vazhdimisht survejohet dhe qortohet saherë ta ashpërsojë tonin në drejtim të Serbisë apo BE-së, ndërsa asnjëherë Serbisë nuk i tërhiqet vërejtja të mos praktikojë retorikë shovene, raciste, të mos sabotojë me të gjitha mjetet e mundshme çdo perspektivë të Kosovës në planin global apo të ngjashme.
  5. Përkundrazi në gjithë procesin e dialogut është Serbia ajo që fiton pikë qoftë në planin e jashtëm e qoftë në atë të brendshëm duke mbetur faktor edhe vetë brenda territorit të Kosovës, ngase de facto nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme vendos për politikën e brendshme të një shteti tjetër të «pavarur».

Me çfarë çmimi i lejohen Serbisë të gjitha këto privilegje duke dëmtuar dhe keqtrajtuar Kosovën sikur të ishte një principatë e një organizate të dështuar që as vetë nuk e di saktësisht se filiale e kujt është? Një gjendje e këtillë – le të mbajnë ligjërata përrallore ambasadorët sa të duan kronika zhvillimeve konkrete është dëshmia që nuk eufemizohet dot – nuk ka se si lejohet e durohet nga aleatë të Kosovës. Më shumë një katapultim të qeverisë kosovare në agjenci mobile dhe satelit në favor të politikës serbe lejojnë ose ata që janë qëllimkëqij ose komplet indiferent. Kështu sillen amerikanët dhe britanikët kohët e fundit. Ndodhë kjo se janë bindur se shqiptarët nuk janë në gjendje të mbajnë vetë shtet të pavarur? Janë lodhur tepër e duan të ikin sa më shpejtë që andej, duke besuar se Serbia do t’iu dalë hakut të gjithave? Mund të spekulojmë pakufi, çka qysh tash mund të themi është fakti se Kosova ka kohë që ecë kundër vetes, me veton dhe diktatin e «miqve» dhe kësaj i vjen erë shumë e keqe!

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...