Mosvotimi i Gjykatës Speciale konsiderohet si vullnet i kosovarëve për ta demonstruar sovranitetin e tyre ndaj ndërkombëtarëve. Mirëpo, e vetmja forcë reale që ruan sovranitetin e Kosovës janë ndërkombëtarët. Si shkon kjo punë?
Oscar Wilde, në prozën e tij lirike “Mjeshtri”, vazhdon rrëfimin aty ku e lanë apostujt: Jozefi nga Arimathia e ndez një pishtar dhe gjersa zbret nga kodrina, në mes të shkëmbinjve përballë e vëren një djalosh të zhveshur, të gjunjëzuar, duke qarë.
I pasuri nga Arimathia i afrohet të riut me trupin lulëbardhë, flokët ngjyrëmjalti dhe kokën plot hi, dhe i thotë: “Nuk çuditem që vuan kaq shumë ngase ai do të ketë qenë me siguri njeri shumë i drejtë“. Dhe djaloshi përgjigjet: ”Nuk qaj për të. Vajtoj veten. Edhe unë e shndërrova ujin në verë, shërova sakatët dhe ua ktheva fytyrën të verbërve. Edhe unë kam ecur mbi ujë… Gjithçka që ka bërë ai bëra edhe unë, e prapëseprapë nuk më kryqëzojnë“. Pra, besimtarët nuk ia japin shpërblimin e merituar, final: nuk e kryqëzojnë!
Vërtet, pse nuk i kryqëzojnë kosovarët ambasadorët e huaj, ndërkombëtarët? Ose anasjelltas: pse nuk i kryqëzojnë ndërkombëtarët kosovarët?
Ka lloj-lloj spekulimesh si përgjigje ndaj pyetjes së fundit.
Njëra ndër ato është: amerikanët e dinë se në nëndheun e Hajkobillës ka shumë gaz natyror. Ose pak edhe më realja: thuhet se gjermanët ia kanë vënë syrin Trepçës, e cila po u eksplorua si duhet mund ta ushqejë jo vetëm Oksidentin, por paska edhe do metale e minerale që do ta bënin edhe Marsin të banueshëm – si strehimore eventuale nëse rusët çmenden fare dhe shpërthejnë gjithë arsenalin atomik që kanë.
Çka ndodh kohëve të fundit në raportin vendorë-ndërkombëtarë në Kosovë?
ZHGËNJIMET DHE FESTAT – Pas mosvotimit të Gjykatës Speciale nga Parlamenti i Kosovës emisarët e huaj në Prishtinë reaguan shumë të zhgënjyer. Ashtu edhe siç pritej, ata përforcuan kërcënimet e tyre se nuk do ta pengojnë OKB-në, respektivisht rusët, që ta formojnë një Gjykatë sipas modelit të tyre, për të hetuar krimet e supozuara nga avokati rusofil zviceran Dick Marty.
Votimi “pro” dështoi për shkak të një minigrupi deputetësh të PDK-së, të cilët do t’i kenë dalë duarsh duos Thaçi – Veseli.
Zëra nga brenda partisë madje thonë se kjo qenka taktikë e vetë shefave të partisë më të madhe të vendit; që në fund t’ia kalojnë edhe Ponc Pilatit për nga aktrimi.
Versioni i fundit megjithatë del të jetë vepër agjentësh konspirativë që vërdallën klubeve prishtinase.
Triumfin e saj në sallën e parlamentit, Opozita e vazhdoi edhe në zonat tjera; nëpër portale e rrjete sociale u ndez një ulërimë: nga njëra anë krekosen ata që festojnë rezultatin dhe mallkojnë ambasadorët e huaj bashkë me perëndimin, Evropën e vitit 1913 dhe amerikanët që nuk kuptuakan se ç’është demokracia.
Nga ana tjetër vajtojnë ata që refuzimin e themelimit të Gjykatës e shohin si hyrje në një epokë izolimi, prishjeje me miq në favor të dominimit rusoturk mbi Ballkanin.
Përderisa njëra palë i thur himne sovranitetit, tjetra dridhet nga frika në mos të huajt përfundimisht do ta braktisin Kosovën.
Buzëqeshur dhe edhe më triumfuese shfaqet një palë e tretë: ajo që si në çdo krizë tjetër saora paralajmëron shembjen e Qeverisë, koalicionit aktual dhe numëron ditët deri në zgjedhjet e reja.
Dhe, si rëndom në kushte të këtilla të taborizimit radikal të grupeve shoqërore, vetëm poterja është ajo që mund të merret seriozisht, tjerat duhet pritur deri sa të ftohen nga euforia.
NDËRKOMBËTARËT – Investimet e Gjermanisë, SHBA-ve, Britanisë dhe shteteve skandinave në Kosovë janë kolosale dhe jorrallë të lidhura shumë ngushtë me politikën e brendshme të këtyre vendeve. Pothuaj për çdo vit Gjermania duhet të bind Parlamentin e saj për t’i siguruar milionat e më shumë për ta mbajtur në korrent ndihmën për Kosovën.
SHBA-të derdhin miliarda për të ushqyer Bondstillin dhe atë divizion diplomatësh e agjentësh që kujdesen për ruajtjen e politikës që zhvillon në Kosovë.
Britanikët dhe skandinavët po ashtu.
Tash parashtrohet pyetja: pse e bëjnë këtë?
Përse i nevojitet Angela Merkelit t’i dëgjojë rrëfimet e mërzitshme të Die Linke-s dhe të Gjelbërve bjerrakohës mbi Kosovën dhe historinë e saj sa herë që t’i duhet buxheti? Pse qeveria zvicerane duhet të durojë ksenofobët e shumtë të saj për të mbajtur gjallë Swisscoy-n dhe agjenturat tjera të ndihmës atje? Nuk kanë alternativa tjera ekonomike, militariste, gjeostrategjike, biznesore dhe gjithë fati i tyre u varka prej Kosovës? Paska vërtet gaz në Hajkobillë, Muçivërcë apo Zahaç?
Asgjë nga këto.
Përveç paqes, Kosova nuk ofron asgjë të veçantë që mund të ishte kreative për superfuqitë e botës.
REALPOLITIKA – Kosova është demokraci e deleguar. Po. Arsyet dihen se pse është e tillë. Jo vetëm se NATO bombardoi dhe largoi trupat serbe, porse vendi kufizohet me një shtet që po të kishte mundësi minimale do ta mbante Kosovën në tensionin e dhunës, konflikteve, deri sa bota ta luste të ndërhynte për ta siguruar me dhunë paqen në rajon.
Shteti i Kosovës jo vetëm në aspektin e sigurisë por edhe si demokraci, pa ndërhyrjen e të huajve nuk do të funksiononte si duhet.
Sa herë nuk përzihet kush, me muaj as qeveri nuk formohet. Këtë e di çdo racional. Është shtet i ri dhe ka nevojë ende të forcohet deri sa t’i marrë gjitha punët në duar.
Përveç kësaj, korrupsioni dhe rreziku nga jashtë mund ta mbysnin aty për aty. Kjo natyrisht nuk implikon servilitet të padinjitetshëm të vendorëve dhe pushtet formëkaposh të ambasadorëve që të hyjnë e dalin me urdhra në zyrat e qeverisë kosovare, por partneritet koekzistencial dhe të barabartë.
Kosova është e varur ekzistencialisht nga partnerët e saj. Ajo ka fat që këto shtete e kanë bërë projekt të tyre prej nga e koordinojnë dhe ruajnë paqen në Ballkan, e jo ndonjë vend tjetër.
Mirëpo, këtë realitet duket sikur nuk e kuptojnë shumë politikanë të vendit, të cilët nga etja e pakontrollueshme për pushtet operojnë me folklorizëm të tipit të shekullit 19 dhe janë në gjendje ta prishin këtë aleancë vetëm sa për të ardhur në pushtet – qoftë edhe pa shtet.
Ndoshta për këtë arsye opinioni publik dhe mediat nuk ecin me logjikën e opozitës dhe oksidentofobëve që të kërkojë gozhdimin e ndërkombëtarëve, sepse po si vendorët e djaloshit të Oscar Wilde e dinë se do ta kryqëzonin të gabuarin!
(Kjo kolumne është shkruar enkas për klankosova.tv)