Nëpër filmat horror kemi parë atë skenën ku viktimat përpiqen të tmerrojnë dhampirin duke ia mbajtur një kryq para hundëve.
Ose kemi shikuar mijëra skena ku ndonjë bukuroshe për mos u kafshuar në qafë zvarritet për të hapur perdet për ta shporrur lugatin me dritën e diellit. Si kryqi ashtu edhe drita e diellit në këtë rast janë simbole që përdoren kundër së keqes. Ato janë të tilla sepse ne si shikues i perceptojmë ashtu. Kryqi për shembull jo gjithkund përceptohet njëjtë: ka kultura ku ai shihet si shenjë e gozhdimit, brutalitetit e në tjera konsiderohet të jetë simbol i viktimëzimit të perëndisë për çmëkatimin e njeriut.
Pra kryqi varrësisht nga rajoni e kultura ka kuptim tjetër perceptues. Ndërsa drita pothuaj në mbarë globin ka kuptim të njëjtë, pra pozitiv dhe si simbol është universal. Gjersa simbolet pozitive depërtojnë shumë më rëndë në stadin e semantikës universale ato negativet shpërndahen si rrufe dhe fiksohen në mendësitë e kulturave të ndryshme me një shpejtësi marramendëse.
Varrësisht nga ideologjia që transportojnë ato, merren si shenja për të identifikuar një mesazh politik, fetar, kulturor, apo grupor dhe ngase negative perceptohen edhe si frikë, kërcënim ose si flamuj të luftës, martirizimit, eksploatimit, pushtimit. Hiç më vonë se dje u pa se ç’force kanë madje edhe pozat e inskenuara me njerëz që konsiderohen si simbol i së keqes brenda një kulture të caktuar. Imami Shefqet Krasniqi qëmoti sidomos në Zvicër, për shkak të lidhjeve të tij me një grup talibanesk e që funksionon si filiallë për menaxhimin e kapitalit të organizatave islamike, konsiderohet figura kosovare e rrjetit për furnizimin e terrorizmit.
Fotografimi i tij me Xherdan Shaqirin nxiti skandal, sepse i fundit luan për nacionalen zvicerane, pozë që sugjeronte: koketimin e terrorit me sportin zviceran! Deri para marrjes së pushtetit nga Homeini, shamija, ferrexhet dhe mbulesat tjera të botës islame nga të tjerët konsideroheshin si elemente kostumografie ekzotike, folklorike, pra elemente që u përkonin kulturave të caktuara.
Homeini ishte ai që gjatë revolucionit të tij i politizoi këto duke i shpallur semantikë politike për të paralajmëruar ose kumtuar depërtimin e islamit gjithandej ku jetonin myslimanë. I njejti politizim ndodhi më vonë edhe me minaren perëndimit nga shoqata të ndryshme radikale islamike, të cilat e ngritën atë në shenjë të simbolit politik, ngase as fetarisht e as teknikisht nuk e arsyetonin dot. Kohëve të fundit pas shfaqjes së ISIS kësaj semantike i janë shtuar edhe gishti përpjetë dhe mjekrra pa mustaqe. Masivizimi dhe popullariteti i kësaj semantike nuk ekzistonin para shfaqjes së grupeve terroriste.
Po pas shfaqjes së tyre këto shenja mbrritën edhe në hapësirat shqiptare. Vetë kronika dëshmon se depërtimi i këtyre simboleve dhe sjelljeve vjen ndër shqiptarë veç pas daljes në skenë të islamizmit luftarak dhe terrorist. Pra burimi origjinal i semantikës janë Al – Qaida, ISIS dhe grupet tjera islamike terroriste në Lindje e gjetiu.
Më herët ato as që janë njohur në ballkan e madje as në vendet e shumta të botës sot islame. Arsyetimi i shumë klerikëve dhe politikanëve që operojnë me këto simbole e sjellje dhe që thonë se ISIS e tjerët i kanë keqpërdorur shenjat në fjalë nuk mund të besohen, sepse nuk kanë përgjigje ndaj pyetjes: pse pikërisht pasi që ato u keqpërdorën nga fanatikët i zbuluat edhe ju? Pse jo më parë? Pra arsyetimi është i rrejshëm, dyftyrësh ose aktrim për t’i ikur ndjekjes ligjore.
Dyftyrësh për arsye se plotë shqiptarë i bartin ato edhe për çështje parashë, nuk janë fanatikë por për çështje interesi ekspozohen tek radikalët si figura të tyre dhe aktrim është justifikimi të mos jenë radikalë dhe pro kalifatit. Me këtë njohuri dhe vetëdije pyesim: Pse në mënyrë grupore e çojnë gishtin përpjetë ushtarët e kazermës “Skënderbeu” të Ferizajit? E para; ata nuk i kanë unifromat e FSK-së dhe nuk hanë bukën në kazermën e shtetit për të bërë rituale fetare e për më keq të demonstrojnë simbolin e njejtë me ata kokaprerësit e ISIS-it?
Po të njëjtën eskpadë e bëri edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri duke mbledhur gjithë LDK-në dhe politikanë të partive tjera për të çuar gishtin për një fotografi, një e tillë që përdoret nga kushdo botës për të dëshmuar Kosovën si shtet islamik radikal. Gishti përpjetë, shamia, mjekra pa mustaqe janë sot semantika që nga dy botët e ndara (orient – oksident) konsiderohen në dy kuptime kryesore: nga perëndimi ato merren si shenja demonstruese të pushtetit islam politik pra si paralajmërim të inslaimit të sheriatit, ndërkaq nga islamistët ato përdoren ato për të manifestuar vullnetin e tyre luftarak në pushtimin e botës dhe përhapjen e islamit politik – qoftë edhe nëpërmjet të terrorit.
Kush e i përdor këto simbole publikisht dhe me demonstrim – le të thotë çka të dojë për veten – ai/ajo përceptohen në botë ose si luftarakë për kalifat osi si përkrahës të terrorizmit islamik. Ky është realiteti. E sa për të qenë i devotshëm si mysliman nuk nevojiten shenjat optike, simbolika sepse Zoti i sheh si ashtu të gjitha – apo jo?