Si të lexohet formula „Bashkim shqiptar“ në kuadër të BE-së

Çka ndodhi në Pallatin e Kongreseve në Tiranë? U vunë themelet e bashkimit shqiptar apo kemi të bëjmë vetëm një spektakël retorik? Anti-unionistët i ka kap paranoja e pro-unionistët inati! Parulla një tokë, një popull, një ëndërr megjithatë qoftë simbolikisht është një premtim i fortë në favor të Bashkimit. Më shumë hë për hë skanë çka presin asnjëra palë!

Ditë e zezë sot duket për anti-unionistët. Për ata që kombin me shumë shtete – qoftë edhe si version tipik shqiptar – e përjetojnë si traumë, si diçka të keqe, rakitike për rajonin dhe për Evropën. Tezat e kësaj kategorie mbështeten mbi ekzistencën e dy mentaliteteve në politikë, kulturë e sfera tjera ndërmjet shqiptarëve dhe shqiptarëve kosovarë. Çka edhe qëndron. Teza formëgogoli se me bashkimin ndërmjet dy a më shumë „shqiptarive“  do të egërsohet nacionalizmi shqiptar nuk faktëzohet dot as atëherë kur „Plisat“ – de fakto të „babë Sulltanit“ -bëjnë eksese me flamuj të zi dhe kuq stadiumeve lokale.

Ditë gri duket edhe për pro- unionistët. Këta thonë se gjithçka është kozmetikë. Mbase  në esencë kanë të drejtë pak a shumë, mirëpo as këta nuk dinë të kthjellojnë sa duhet mllefin e tyre – u mungojnë argumentet objektive. Kjo sjellje i shpalon më shumë si inatçorë se sa analizues real politik: duken sikur më shumë të kenë frikë mos iu grabitet tema bosht nga kundërshtarët e tyre politikë se sa vërtet të kenë kuptuar ndonjë gjë. „Bashkimin“ per express siç e trumbetojnë ata vetë, asnjëherë nuk arritën ta vizatojnë që ta kapin edhe vetë se si duan ta bëjnë.

Ditë me shi e mjegull edhe për mediat. Këto sepse për analistë kryesorë kanë ata që saherë përmendet „Bashkimi“ i shqiptarëve fillojnë të ekzekutojnë me fjalë  edhe më keq se Vuçiqi e Nikoliçi në ditët më depresive të tyre. Pra nuk analizojnë por bëjnë propagandë pro fiksimeve të tyre.

E çka ndodhi vërtet: Të hënën në Pallatin e Kongresit Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan 11 marrëveshje bashkëpunimi që nga arsimi, bujqësia, siguria e deri tek bashkëpunimi në përfaqësimin diplomatik e të ngjashme. Të gjitha këto marrëveshje që nënshkruan sot burrështetasit shqiptar janë katalog i Bashkëpunimin Rajonal të Politikave të BE-së që u kërkohen shteteve në BE dhe atyre që duan të aderojnë në BE. Marrëveshje të tilla kanë qëmoti Franca, Gjermania, Belgjika, Italia, pjesërisht Anglia, Skandinavët dhe të gjithë. Në rastin e shqiptarëve del puna më pak specifike për shkak të gjuhës së njëjtë, dëshirës për bashkëpunim special e më të thelluar, mirëpo asgjë në kundërshti apo përtej kufijve që lejojnë politikat e Brukselit. Madje në plan afatgjatë dhe si objektiva të BE bashkëpunimet të tilla edhe do të dalin demode (këtu mund të flitet për një paradoks tjetër) sepse në shumicën e segmenteve ndërshtetërore synohet, dëshirohet një politikë e centralizuar kontinentale.

Gjithçka që këtë ngjarje e bëri speciale dhe më shumë se ç’është rezultoi nga retorika e burrështetasve për ta shitur si pikënisje konkrete, ceremoniale për në bashkim kombëtar. E bënë për marketing të brendshëm politik. Megjithatë bashkimi do të bëhet, në Evropën e nesërme, atëherë nëse me referendum dy  popujt e shteteve vendosin diçka të tillë ose të kundërtën. Kjo nuk nuk do të ishte në kundërshti të asnjë konvente të OKB-së (përkundrazi) e as të BE-së. Ashtu edhe në të kundërtën. Sot është herët dhe joserioze të flitet për diçka më shumë. Paranoja e analistëve por e kundër më shumë ka të bëjë me fiksimet e tyre se me atë çka ndodhë.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...