Populli – ende pa e rrokullisur nëpër dhëmbë këtë fjalë se ç’nisin ndjenjat të na vënë trupin në lëngim. Nën e mbi lëkurë djersët lumë. Hyjnitë, perënditë, heronjtë, engjëjt na duken xhuxhë statikë kopshteve pa lule karshi parafytyrimit për popullin. Popull – fjalë e madhe, e rëndë, e shenjtë, eh, ah popull! Unë, ti ai, ne, gjithë jemi populli. Politikanët, poetët, shkrimtarët, këngëtaret, ushtarët, policët, shoferët, emigrantët, ëmbëltorët, gazetarët, bukëpjekësit, fetarët, shkencëtarët, taksistët, mjekët dhe shoferët, krejt tok vuajnë, hanë, pinë, qajnë, këndojnë, punojnë, dhunojnë, luftojnë, shumojnë për hiç gjë tjetër veçse për popull. Popull gjithandej.
Ata që kurrë nuk e heqin plisin nga koka janë edhe më popull. Ato që kanë vizatuar Shqipërinë Etnike mbi b.. në shpinë apo mbi c… janë edhe më populle. Të na rrojë populli.
Të na rrojë ai, jo ky. Jo ky popull. Jo ky që dekada me radhë, me shumicë na i vë në krye të odës më të këqijtë e fisit, hajdutët, minitiranët, trushkretët dhe delikuentët. Ky nuk është populli, ky që i aramatosur deri në dhëmbë me iphonë, me aq euro për trafikantë sa për t’i kaluar dy dimra ikë për atje prej ku iku me shekuj për të dalë andej e tash i hutuar hartës së vetë nuk dinë çka është andej, çka këndej, ku u nis dhe ku doli. Assesi popull nuk janë pushtetarët. As policët në shërbim të tyre. As mësuesit me diploma të Ali Bungut që na çmësojnë gjenerata. As doktorët e profesorët me diploma fallso. E më hiç popull nuk janë hoxhallarët, popat, magjistarët që e hipnotizojnë popullin të dalë në anën e djallit. E si mund të jenë popull bankierët, fajdexhinjtë, tregtarët që shurrën na shesin për benzinë e në vend të dritës na japin qirinjë kancoregjen. Jo këta nuk janë populli. As ai pari i imagjinatës e as ky i dyti i realitetit tonë. Ne jemi populli. Unë, ti. Tjerët nuk janë ne. Prandaj djersët, ndjenjat, dhimbja, përulja e jo mllefi, inati, ekspolodimi: ta të ….popullin! Mozomakeq. Populli është i shenjtë edhe atëherë kur e dhinë, edhe tash kur ikë, edhe nesër kur do të na lë pa djalë e çikë. Një herë popull gjithmonë popull.