Protestat e fundit nuk patën asgjë fetare dhe nuk nisi nga oborri i xhamisë. Protestat janë politike por të organizuara keq dhe organizatorët e protestës ndaj rastit “Monstra” dështuan sepse mungonte referenca konkrete edhe në dënimet dhe aferat tjera. Tash Maqedonia gjendet në një krizë ekzistenciale. Maqedonia as që ka luksin, as forcën e as trurin që në plan afatgjatë të tallet me të drejtat e shumicës së dytë etnike – shqiptarëve në atë vend. Publicisti Xhemal Ahmeti, flet për Express.
Express: Protestat e shqiptarëve të Maqedonisë po vazhdojnë. Si e shini zgjidhjen e këtij problemi kur dihet se ata po protestojnë ndaj një vendimi të Gjykatës që i ka dënuar disa shqiptarë me burgim të përjetshëm?
Ahmeti: Nisja e një proteste masive si revoltë kundër një aktgjykimi të «izoluar» është gabim taktik dhe kontraproduktiv. Krimi brutal ndaj katër të rinjve dhe një peshkatari ka ndodhur. Gjykata edhe pse nuk solli asgjë përveç indikacioneve ajo në sytë e botës është instancë, ndërsa protestuesit jo. Të fundit as nuk kanë e as janë në gjendje t’i ekspozojnë faktet të ishte ndryshe. Nëse organizatorët e demonstratave me fiksimin në rastin «Monstra» duan që të denoncojnë praktikën e proceseve të montuara për të tiranizuar shqiptarët atëherë dështuan, sepse mungonte referenca konkrete edhe në dënimet dhe aferat tjera.
Në këtë formë të pamenduar mirë shqiptarët jo që nuk do të hyjnë në procesin e zgjidhjes së problemeve të shumta të tyre atje, por rrezikojnë që t’ia dhurojnë qeverisë së Gruevskit statusin e viktimës që me mund ruan stabilitetin.
Express: Pse po përdoren edhe elemente fetare në këto protesta kur dihet se problemi i shqiptarëve në Maqedoni nuk është fetar?
Ahmeti: Disa media dhe eksponentë të jetës publike, menjëherë pas nisjes së marshit rrugëve postuan fotografi nga protesta të kaluara -në të cilat tashmë dihet se kishin gisht shërbimet turke – ku shihen edhe pankarta dhe pseudoflamuj me mbishkrime religjioze. Apo u përpoqën që «xhaminë» ta katapultojnë në «epiqendrën e mobilizimit politik shqiptar» në Maqedoni. Unë kam analizuar qindra fotografi e dhjetëra video dhe gjithçka çka shihen janë dy a tre persona që u përkasin tarafeve ekstraradikale islamike dhe të cilët shihen se më shumë tentojnë t’i ngjiten demonstratës me dhunë se sa të luajnë ndonjë rol të paramenduar nga iniciatorët dhe pjesëmarrësit. Njëjte dhe në formë filmike janë të dokumentuar edhe provokatorët e policisë të cilët nga ballina e protestës ndërrojnë vend pas kordonëve policore.
Vendtakimi i protestës nuk ka qenë xhamia, apo siç reaguan menjëherë aktivistët okularë të DSHM-sëduke shkruar se «protesta sot ka filluar në mënyrë paqësore nga qendra Çair Çanja dhe jo nga xhamia Jahja Pasha».
Protestat e fundit nuk patën asgjë fetare. Dhe nëse po atëherë duhet të shihen si fragment që i përkon identitetit të shqiptarëve të atjeshëm sepse në fé janë më praktik se tjerët- asgjë më shumë. Protestat janë politike por të organizuara keq dhe mbi një motiv që s’duhej sepse problemet e shqiptarëve janë me mijëra e më së paku gjyqeve e xhamive.
Express: A ka ardhur koha e ridizajnimit të kufijve të Maqedonisë apo ky shtet duhet të mos anashkalojë të drejtat e shqiptarëve?
Ahmeti: Kam frikë që koha ka kaluar për këtë që thoni. Partitë politike dhe organizatat tjera shqiptare të Maqedonisë bënë gabim që lejuan kaq gjatë të mos kërkojnë llogari për mosimplementimin e «Marrëveshje së Ohrit» në një afat sa më të shkurtë. Ato – si PDSH ashtu BDI dhe tjerat – dëshmuan se mbi të gjitha u intereson pushteti dhe privilegjet që sjell ai dhe hiç më shumë. Përveç kësaj duket sheshazi se as që posedojnë resurse intelektuale për të menduar edhe më gjerë.
Tash Maqedonia gjendet në një krizë ekzistenciale. Varësisht nga doktrina e iniciatorëve të lëvizjes më të re e sidomos nga intensiteti dhe afatësia e protestave ato çojnë vetëm në dy rrugë të mundshme: 1. Intervenimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për të zgjedhur problemin duke konsideruar «opsionin shqiptar» si gjysmën e kompromisit koekzistencal të kulturave dhe etnive 2. Në luftë e cila domosdo do të çojë në demolimin e Maqedonisë.
Një gjë është më se e sigurte: Maqedonia as që ka luksin, as forcën e as trurin që në plan afatgjatë të tallet me të drejtat e shumicës së dytë etnike – shqiptarëve në atë vend!
Express: Pse nuk po reagojnë udhëheqësit shqiptarë që janë në Qeverinë e Maqedonisë për të mos lejuar eskalimin e situatës. Janë të pafuqishëm apo thjesht janë indiferentë me situatën e krijuar atje?
Ahmeti: Udhëheqësve shqiptarë të Maqedonisë u janë djegur gjitha kartat e influencës sidomos në shtresat e arsimuara të masës. Jo rastësisht u sulmua edhe njëra nga selitë e BDI –së në pushtet. E njëjta do të ndodhte edhe me ndonjë seli të PDSH po të përzihej operativisht. Ato kanë humbur çdo respekt sepse siç thamë më lartë nuk dallojnë shumë nga ajo turma e delegatëve të LKM-së që veçse tundnin kokën në shenjë pohimi kur shpërndaheshin sanksionet ndaj shqiptarëve.
Express: Si i keni parë reagimet e vonshme të Prishtinës dhe Tiranës karshi situatës së tensionuar në Maqedoni?
Ahmeti: Si produkt i gabimit taktik të iniciatorëve të protestave. Qeveritë duhej të analizojnë thellë e të këshillohen gjithandej sepse bëhej fjalë për daljen pro një procesi gjyqësor ku janë masakruar pesë njerëz. Poqëse demonstratat të kishin në flamujt e tyre pabarazinë, etnokracinë, përdhunimin e të drejtave dhe lirive shqiptare, trajtimin e tyre si robër dhe poqëse nuk do të dilnin analistë për t’ia degjeneruar ato si aksione xhamish atëherë as disa minuta nuk do të kishin shkuar dhe do të kishin një reagim të ashpër të qeverive dhe të shoqërive shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë.
Express: Pse keni kërkuar nga mediat shqiptarë të mos citohet Kim Mehmeti, të cilin mediat e quajnë analist të shquar?
Ahmeti: Analist të shquar mund ta quajnë vetëm ato media që kanë nevojë për shakaxhinj në emisionet e tyre – ndoshta për relaksim për mos u kap me grushte diskutantët – dhe ato që nuk e di pse duan që shqiptarët e Maqedonisë t’i ekspozojnë si të pagdhendur, fetarë arkaikë (jo të kohës, të reformuar) dhe të humbur fare. Kjo tezë bëhet edhe më enigmatike kur shihet se Grupi KOHA dhe Top Chanel me çdo kusht dhe edhe për temperaturën e gështenjave e plasojnë në ekranet dhe mediat e tyre.
Personalisht kam apeluar jo se dua t’ia ndalojë – çka do të ishte absurde – paraqitjen publike, porse qoftë kronologjikisht e qoftë konceptualisht tezat e tij përputhen pikë për pikë me ato të shërbimeve informative dhe drejtorive diplomatike maqedonase për krijimin e bindjes se Maqedonia veçse nuk zhbëhet nga «radikalizmi islamik shqiptar». Pikërisht në kulmin e «depesheve» dhe artikujve të tillë të sponsorizuar mediave botërore del Kim Mehmeti dhe thotë »Islami ka ruajtur shqiptarët nga asimilimi dhe se nënat e mbuluar janë përgjegjëse që nuk na asimiluan sllavët». Gjë që historikisht është krejt e kundërta (gjatë ish – Jugosllavisë) dhe se nënat tona analfabete të asimiluara e të mbuluara ishin më të diskriminuarat e shoqërisë ku shteti nuk «përzihej se nuk donte të përzihej në religjion». Kështu ka vepruar vazhdimisht. Po kështu i bastardoi edhe protestat e fundit duke tentuar që xhaminë ta piedestalizojë si qendër mobilizimi politik duke mos qenë fare. Është e vërtetë se shumë njerëz dolën nga xhamitë për t’iu bashkangjitur protestave, sepse vetë infrastuktura urbane e Shkupit (heterogjene jo si në Tetovë homogjene etnike ku njerëzit nuk dolën nga xhamiat) është e tillë. Xhamia në këtë kontekst nuk pati as rolin e iniciatorit e as të vendmobilizimit. Pse atëherë del një «analist i shquar» dhe e thotë atë që e thotë edhe procesi gjyqësor i Shkupi dhe politika gati 10-vjeçare e qeverisë se «shqiptarët veprojnë nga pozitat e islamit ekstrem dhe xhamitë janë kazermat e tyre»? Pse?
Deklaratat e Kim Mehmetit – që i përçojnë me shumicë mediat në Kosovë, Shqipëri dhe ato maqedonase (joshqiptare) janë të shpifura dhe i bëjnë dëm stabilitetit në atë vend, sepse sugjerojnë vahabistët si forcë centrifugale politike pa qenë ata fare.